loader image
February 26, 2026

Të rejat nga fronti i Perëndimit: Nga do ia mbajnë shqiptarët?

Të gjendur në jug të një kontinenti të kërcënuar, cilat janë opsionet e shqiptarëve? E ardhmja e integruar europiane ka qenë premtimi i një prosperiteti në horizont dhe anëtarësimi në NATO ishte arritja më e rëndësishme për sigurinë e shqiptarëve. Të dyja këto projekte janë sot të rrezikuara, e për rrjedhim edhe garancitë që ato ofronin. Shqiptarët, më shumë se asnjëherë tjetër, kanë nevojë për një shqyrtim pragmatist të mundësive të së ardhmes.

Besnik SINANI, Tiranë

Miku im,

Jemi plotësisht në një linjë për Sirinë.

Mund të bëjmë gjëra të mëdha për Iranin.

Nuk e kuptoj se çfarë po bën në Grenlandë.

Le të përpiqemi të ndërtojmë gjëra të mëdha:

  1. Mund të organizoj një takim të G7-ës pas Davosit në Paris, të enjten pasdite. Në kuadër të këtij takimi mund të ftoj edhe ukrainasit, danezët, sirianët dhe rusët.
  2. Hamë darkë së bashku në Paris të enjten, përpara se të kthehesh në SHBA. Emmanuel

Tekst personal i Presidentit Francez, Emanuel Makron, drejtuar Presidentit amerikan, Donald Trump, i cili e bëri publik.

Nga Kanadaja në Gjermani, vendet me “fuqi të mesme” në Perëndim po lëngojnë prishjen e rendit global që sundoi botën së paku qysh nga vitet ’90-të, me triumfin e unipolaritetit amerikan, por edhe më parë, kur gjatë Luftës së Ftohtë amerikanët dhe sovjetikët vendosën që do ta luftojnë njëri-tjetrin ushtarakisht jo në Europë, por tek lëkurëkafët dhe zezakët në Azi dhe Afrikë. Në përrallën proverbiale të Perandorit dhe palaços, që guxon të tregojë se Perandori nuk ka veshur të mbathura, Presidenti amerikan është dy në një: sherifi i ri në qytet, nouveau riche pa sofistikim dhe xhins për t’u krenuar, por me vulgaritetin e sinqertë që mbart pushteti e që u thotë trashëgimtarëve të perandorive europiane se “ju kanë rënë brekët”.

Europianët nuk patën asgjë për të thënë me rastin e rrëmbimit të presidentit venezuelas, edhe pse nuk do të kishte pasur ndonjë rëndësi edhe nëse do kishin thënë gjë. Ata e mbështetën gati me eksitim gjenocidin në Gaza, ndoshta me kuriozitetin e perversit seksual të plakur që nuk i bën më dot ato marifete vetë si dikur. Mesazhi i Makronit tregon se janë gati të përfshihen në aventurën e radhës në Lindje të Mesme, për të shkatërruar një tjetër shoqëri, një tjetër kulturë që nuk janë bezdisur ndonjëherë ta kuptojnë. Teksa po shkruaj këto rreshta, linjat ajrore europiane kanë pezulluar fluturimet në Gjirin Persik, që është një tregues se priten bombardime në rajon. Irani është shënjestra e rastit, gjerdani me vende që duhen sulmuar, i propozuar nga Netanjahu. Gjer këtu asgjë nuk ka ndryshuar për europianët. Ndryshimi i vërtetë është se Amerika i njoftoi ata, përfshi kolonët, europianët e Kanadasë, se në kalkulimet e fundit edhe ata mund të trajtohen si aziatikë. Në esencë, gjithë sa duket të ketë ndodhur është relativizimi i superioritetit qytetërimor në rang botëror. Në terma praktikë, ky rikonfigurim rrezikon të sjellë edhe fundin e NATO-s.

Vendet europiane gjenden të kërcënuara si asnjëherë më parë edhe nga fronti i tyre lindor, nga Rusia. Sergei A. Karaganov, këshilltar i lartë i Presidentit Putin, tha në intervistë me komentatorin konservator amerikan, Tucker Carlson, se: “Një nga detyrat e Rusisë, ndër të tjera, është ta sjellë Europën në vete. Le të shpresojmë që kjo të mund të arrihet pa përdorimin e armëve bërthamore – vetëm përmes kërcënimit të përdorimit të tyre. Por, herët a vonë, nëse europianët vazhdojnë të mbështesin luftën, duke sakrifikuar miliona ukrainas, durimi dhe vetëpërmbajtja e Rusisë do të shterojnë dhe ne do të detyrohemi t’i ndëshkojmë ata ashpër – shpresojmë në një mënyrë të kufizuar.”

Gjermania, sipas tij, do jetë shënjestra e parë, e pasuar nga Mbretëria e Bashkuar. Për Rusinë, ky moment vlen për të afirmuar një rend të ri multipolar, një strategji politike që mbart edhe dimensione religjioze e civilizuese.

Në një artikull të vitit 2023, Aleksandr Dugin, një nga këshilltarët ideologjikë kryesorë të Putin, paraqet një vizion gjithëpërfshirës ideologjik për atë që ai e quan “kalimi historik nga një rend botëror unipolar, i dominuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi pas Luftës së Ftohtë, drejt një rendi multipolar të bazuar në civilizime sovrane”. Sipas tij, Rusia, Kina, bota islame, India dhe, më vonë, Afrika e Amerika Latine përbëjnë pole të dallueshme qytetërimore, të bashkuara gjithnjë e më shumë përmes formateve si BRICS. Ky transformim, sipas Dugin-it, po has rezistencë të dhunshme nga Perëndimi, i cili kërkon ta ruajë hegjemoninë politike, ushtarake, ekonomike dhe ideologjike. Lufta në Ukrainë, sipas tij, nuk është thjesht një konflikt rajonal, por një front qendror i përplasjes mes unipolaritetit dhe multipolaritetit, ku Rusia paraqitet si mbrojtëse e sovranitetit qytetërimor dhe e vlerave tradicionale kundër liberalizmit perëndimor.

Sipas tij, lufta në Gaza dhe konflikti izraelito-palestinez ishin pjesë e së njëjtës përplasje globale. Dugin-i e paraqet Izraelin si instrument të hegjemonisë perëndimore dhe argumenton se mbështetja e pakushtëzuar e Perëndimit ndaj Izraelit ka prodhuar një mobilizim të ri të botës islame si një pol qytetërimor i unifikuar. Sipas tij, Perëndimi modern nuk përfaqëson më qytetërimin e krishterë, por një rend materialist, ateist dhe posthumanist, duke e përshkruar konfliktin aktual jo si luftë fetare, por si përballje midis civilizimeve tradicionale dhe një sistemi global antifetar. Në këtë kontekst, Rusia shihet si aleat objektiv i botës islame dhe i poleve të tjera joperëndimore në luftën kundër rendit unipolar.

Artikulli i tij mbyllet me një parashikim pesimist mbi rrezikun e një lufte të tretë botërore, përfshirë mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore, por edhe me bindjen se një rend botëror unipolar është i pamundur të mbijetojë. Sipas Dugin-it, e ardhmja do të jetë domosdoshmërisht multipolare ose nuk do të ketë fare rend botëror.

“Bota unipolare është e pamundur. Bota ose do të jetë multipolare, ose nuk do të ekzistojë fare. Sa më këmbëngulës të jetë Perëndimi për ta ruajtur dominimin e tij, aq më e ashpër do të jetë beteja që pason – deri në rrezikun e një lufte të tretë botërore.”

Të gjendur në jug të një kontinenti të kërcënuar, cilat janë opsionet e shqiptarëve? E ardhmja e integruar europiane ka qenë premtimi i një prosperiteti në horizont dhe anëtarësimi në NATO ishte arritja më e rëndësishme për sigurinë e shqiptarëve. Të dyja këto projekte janë sot të rrezikuara, e për rrjedhim edhe garancitë që ato ofronin. Shqiptarët, më shumë se asnjëherë tjetër, kanë nevojë për një shqyrtim pragmatist të mundësive të së ardhmes. Ndoshta më shumë se kurrë duhet konsideruar fakti se më të mëdhenj në numër dhe hapësirë do jemi më të vështirë për t’u përtypur, e për rrjedhojë bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk duhet parë më si një ëndërr romantike nacionaliste, por si domosdoshmëri ekzistenciale.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X