loader image
February 26, 2026

Sovraniteti pa iluzione

Në Europë, kompromisi politik rreth territoreve shtetërore u konsolidua me Aktin Final të Helsinkit në vitin 1975, ku edhe Lindja (Traktati i Varshavës) dhe Perëndimi (Traktati i NATO-s) e pranuan paprekshmërinë e kufijve si themel të stabilitetit dhe parashikueshmërisë. Stabiliteti u ble përmes ngrirjes territoriale, edhe kur kufijtë ishin historikisht të padrejtë ose të krijuar me forcë, pastrim etnik dhe praktika asimiluese ndaj popullatës vendore. Gjatë Luftës së Ftohtë, ky parim funksionoi relativisht mirë.

Besim NEBIU, Shkup

Nga rendi i rregullave te rendi i interesit 

Ngjarjet e fundit në Amerikën Latine dhe paralajmërimet për ndërhyrje të mundshme në hapësira të tjera nuk janë episode të izoluara të politikës së jashtme të një fuqie të vetme. Ato sinjalizojnë një transformim më të thellë të rendit ndërkombëtar, ku raporti midis normës dhe fuqisë po rikonfigurohet. Konceptet mbi të cilat është ndërtuar arkitektura pas Luftës së Dytë Botërore – sovraniteti, barazia juridike e shteteve dhe kufizimi i përdorimit të forcës – vazhdojnë të ekzistojnë në dokumente dhe deklarata, por po e humbin gradualisht kapacitetin e tyre rregullues në praktikë.

Për dekada, ndërhyrjet janë paketuar në një gjuhë morale: “mbrojtja e civilëve”, “eksporti i demokracisë”, “stabilizimi i rajoneve problematike” e më shpesh si “lufta kundër ekstremizmit”. Edhe kur këto narrativa kanë qenë selektive ose të pasinqerta, ato kanë ngërthyer në vetë njëfarë nevoje të justifikimit të bazuar në parime të natyrës morale.

Për dallim nga kjo, sot po vërehet një zhvendosje drejt një gjuhe më të drejtpërdrejtë të interesit, e cila nuk është se mundohet ta justufikojë intervenimin në korniza morale. Si arsyetim për intervenim përdoren fjali si “kontrolli i korridoreve strategjike”, “siguria energjetike”, “ndikimi gjeopolitik” dhe “qasja në burime (resurse) strategjike”. Kjo zhveshje e retorikës nuk është transparencë, por është simptomë e dobësimit të kufizimeve normative!

Pyetja reale këtu nuk është nëse sovraniteti ekziston si koncept juridik, por nëse ai ende funksionon si mekanizëm mbrojtës për shtetet që nuk zotërojnë instrumente reale fuqie dhe force?

Një rend ku precedentët krijohen nga veprimi unilateral i të fortëve, gradualisht e zëvendëson logjikën e rregullit me logjikën e testimit të kufijve. Kur kufijtë testohen pa kosto, ata pushojnë së qenë kufij.

Paprekshmëria e kufijve dhe kriza e rendit pasluftës 

Arkitektura e rendit botëror e pas vitit 1945 u ndërtua për të shmangur rikthimin e revizionizmit territorial që kishte prodhuar dy luftëra botërore. Karta e Kombeve të Bashkuara e kodifikoi paprekshmërinë e kufijve të pasluftës dhe ndalimin e përdorimit të forcës kundër integritetit territorial si normë themelore.

Në Europë, kompromisi politik rreth territoreve shtetërore u konsolidua me Aktin Final të Helsinkit në vitin 1975, ku edhe Lindja (Traktati i Varshavës) dhe Perëndimi (Traktati i NATO-s) e pranuan paprekshmërinë e kufijve si themel të stabilitetit dhe parashikueshmërisë. Stabiliteti u ble përmes ngrirjes territoriale, edhe kur kufijtë ishin historikisht të padrejtë ose të krijuar me forcë, pastrim etnik dhe praktika asimiluese ndaj popullatës vendore.

Gjatë Luftës së Ftohtë, ky parim funksionoi relativisht mirë. Kufijtë mbetën të pandryshuar dhe konfliktet u kanalizuan në periferi të sistemit. Ndryshimi i kufijve me forcë ishte tabu politike.

Pas vitit 1990-të, kjo arkitekturë filloi të fragmentohej. Shpërbërja e Jugosllavisë dhe e Bashkimit Sovjetik e vuri përballë parimin e paprekshmërisë me atë të vetëvendosjes. Reagimi ndërkombëtar ishte selektiv dhe pragmatik: disa ndarje u njohën, disa u toleruan vetëm pas konflikteve të dhunshme, disa u bllokuan. U krijua një rend i përjashtimeve, jo i rregullave të qëndrueshme.

Ky relativizim gradual nuk ndodh përmes një akti të vetëm dramatik, por përmes akumulimit të precedentëve. Çdo përjashtim e dobëson normën; çdo normë e dobësuar e bën përjashtimin më të lehtë.

Kosova: akt reparativ, jo precedent destabilizues

Në këtë kontekst, rasti i Kosovës paraqitet në mënyrë sistematike si precedent problematik nga propaganda serbe dhe ruse dhe nga rrjetet e tyre politike, të cilat paradoksalisht pozicionohen si “mbrojtëse” të së drejtës ndërkombëtare. Ky narrativ ka shërbyer si argument kryesor për kontestimin e pavarësisë nga Beogradi, Moska dhe kampi antiperëndimor.

Kjo tezë nuk qëndron as juridikisht, as historikisht. Pavarësia e Kosovës nuk është produkt i një fragmentimi arbitrar (si për shembull krijimi me dhunë dhe gjenocid i Republika Sërpskës në Bosnje!), por rezultat i një procesi të gjatë të dhunës juridike dhe politike ndaj subjektivitetit të saj kushtetues brenda Jugosllavisë.

Me Kushtetutën e vitit 1974, Kosova gëzonte territor të qartë dhe brenda saj kompetenca legjislative dhe përfaqësim federal. Abolimi i autonomisë në fund të viteve të ’80-ta u imponua përmes presionit politik dhe shkeljes së procedurave ligjore – një formë e qartë e dhunës juridike.

Në shpërbërjen e Jugosllavisë, parimi i vetëvendosjes u aplikua në mënyrë selektive: republikat u njohën si subjekte, Kosova u përjashtua, pavarësisht territorit, popullsisë dhe institucioneve funksionale. Periudha 1989–1999 e konsolidoi këtë padrejtësi përmes represionit dhe shkatërrimit institucional. Në këtë kuptim, pavarësia e Kosovës është akt reparativ ndaj një shkeljeje strukturore, jo akt fragmentues.

Narrativa ruse për ta përdorur Kosovën si alibi për agresionin ndaj Ukrainës është manipulim politik. Kosova nuk u shkëput nga një shtet funksional demokratik, nuk synoi aneksim dhe kaloi përmes administrimit dhe negociatave ndërkombëtare. Ukraina është shtet sovran i pushtuar nga një fuqi e jashtme. Ngatërrimi i këtyre dy rasteve synon relativizimin e normave.

Çfarë nënkupton kjo për të vegjlit dhe për shqiptarët? 

E drejta ndërkombëtare mbetet simetrike në teori dhe asimetrike në praktikë. Për shtetet e vogla, ajo është mburojë simbolike dhe burim legjitimiteti; për shtetet e mëdha, instrument menaxhimi i aspiratave dhe nevojave strategjike!

Kriza aktuale nuk është vetëm juridike, por morale: normalizimi i shkeljes, humanizmi selektiv dhe instrumentalizimi i kujtesës e ulin pragun e përgjegjësisë globale.

Multipolariteti nuk garanton stabilitet; ai e rrit rrezikun e gabimeve strategjike dhe e kthen periferinë në terren testimi për rivalitetet e mëdha.

Për shqiptarët, kjo kërkon maturi strategjike. Sovraniteti nuk mbrohet me retorikë, por me institucione funksionale, kohezion shoqëror, ekonomi të qëndrueshme dhe orientim të qartë euro‑atlantik. Neutraliteti moral është iluzion; heshtja është pozicion.

Sovraniteti pa iluzione nuk është pesimizëm, por përgjegjësi politike. Në një botë ku normat po zëvendësohen nga precedenti i të fortit, mbijetesa e të vegjëlve varet nga shkathtësia dhe kapaciteti real i politikës, jo nga besimi në deklarata politike.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X