Sovranitet politik do të thotë që një shtet është i aftë të marrë vendime pa diktatin e një fuqie tjetër. Sovranitet ekonomik do të thotë që një shtet të jetë vetë Ali e vetë kadi për reformat, planet e zhvillimit ekonomik, administrimin e të ardhurave dhe shpenzimeve dhe, mbi të gjitha, të mos ketë lakun e fajdeve në grykë. Pa sovranitet ekonomik, nuk ka sovranitet politik de facto. Laku ekonomik të detyron të përkulesh, të nënshtrohesh, të bindesh.
Nuredin NAZARKO, Korçë
Kush është sovrani? Sovrani është Njëshi.
Shoqëria njerëzore, qysh në fillet e saj, kur dëshmohen organizimet e para mbi baza komunitare nuk ka funksionuar mbi logjikën e barazisë horizontale të anëtarëve të saj, por mbi logjikën e hierarkisë vertikale. Në krye qëndronte më i vjetri, më i pasuri, më i fuqishmi, më i zoti, në varësi të traditës që ekzistonte ndër fise të ndryshme. Rivaliteti mes qenieve njerëzore është krejt i natyrshëm. Kjo botë nuk është botë e barazisë. Është botë e konfliktit, përplasjes, luftës, paqes, ngritjes, rënies. Është botë ku e mira dhe e keqja, drejtësia dhe zullumi janë në përballje të vazhdueshme. Në këtë mejdan secili njeri, që nga më i zakonshmi dhe deri tek ata që udhëheqin popujt, tregon se cilit rend të gjërave u përket, me zgjedhjet që bën për të jetësuar statusin e mëkëmbësit, qeverisësit të tokës. Në cilindo lloj organizimi të bashkësisë njerëzore në krye qëndron një dhe vetëm një udhëheqës. Kemi dhe raste të qeverisjes oligarkike, por si institucion sërish është vetëm një. Pse ky model? Ky është modeli hyjnor, ku në krye qëndron Zoti, Sovrani i Gjithëpushtetshëm, dhe hierarkia vjen më pas në rendin zbritës. Njeriut i është dhënë statusi mëkëmbës i Zotit në tokë, vazhdues i ushtrimit të pushtetit të Zotit në tokë, për ta drejtuar dhe qeverisur tokën me drejtësi, rregullsi, që të jetohet në liri, paqe e siguri. Në botën moderne ky model u zbatua duke vendosur në vend të Zotit njeriun, shumësia e të cilit formon kombet, popujt. Sot artikulohet me të madhe, populli është sovrani. Sovrani është i pavarur dhe i plotfuqishëm në vendimet e veta, ndërkohë që “sovrani” popull është i fuqishëm vetëm në teori. Jo vetëm që nuk merr vendime, por detyrohet të zbatojë vendimet që marrin institucionet që teorikisht u ka transferuar fuqinë, pushtetin, për të qeverisur në shërbim të tij. Ka edhe më keq kur sovrani, dhunohet, terrorizohet, frikësohet, burgoset, izolohet, dënohet me vdekje. A mund të bjerë kaq poshtë një sovran? E pranojmë apo jo Sovrani është i Gjithëpushtetshmi, i Gjithëfuqishmi, sepse pushteti është çështje fuqie, kompetence, pavarësie, përgjegjësie. Pushteti nuk është garë e çmendur për fronin, për skeptrin që më pas të luash me fuqinë sipas tekave apo sipas luhatjes së humorit të udhëheqësit. Prandaj njeriu ka statusin “mëkëmbës i Zotit në tokë”, që pushtetin që i ka dhënë Zoti ta përdorë me përgjegjësi, që në tokë të mbizotërojë drejtësia dhe e mira.
Sovraniteti politik dhe sovraniteti ekonomik
Kur organizmi i shoqërisë njerëzore kaloi nga baza fisnore, në atë territoriale, kombëtare e shtetërore, rivaliteti u forcua ndjeshëm. Tani nuk rivalizonin më dy njerëz, dy fise apo dy principata. Rivalizonin për mbizotërim kombe dhe shtete. Rivaliteti nuk ishte dhe nuk është thjesht për territore, për pasuri mbi dhe nëntokësore, mbi kontroll të burimeve të lëndëve të para. Rivaliteti është çështje egoje më shumë se çështje pasurie. Kush do të jetë i pari, njëshi, për të cilin do flasë e do të shkruajë historia. Sovranitet politik do të thotë që një shtet është i aftë të marrë vendime pa diktatin e një fuqie tjetër. Sovranitet ekonomik do të thotë që një shtet të jetë vetë Ali e vetë kadi për reformat, planet e zhvillimit ekonomik, administrimin e të ardhurave dhe shpenzimeve dhe, mbi të gjitha, të mos e ketë lakun e fajdeve në grykë. Pa sovranitet ekonomik, nuk ka sovranitet politik de facto. Laku ekonomik të detyron të përkulesh, të nënshtrohesh, të bindesh. Sovraniteti politik dhe sovraniteti ekonomik janë në simbiozë. Njëri pa tjetrin bie, prandaj shtetet më të fuqishme përpiqen vazhdimisht t’i fuqizojnë ekonomitë e tyre, që të mund t’i përballojnë kostot e sovranitetit politik. Në këtë garë shtetet më pak të zhvilluara me ose pa dëshirën e tyre sovranitetin politik e gëzojnë vetëm në letra. Atë ekonomik vetëm në ëndrra.
Darvinizmi social në gjeopolitikë
Popuj të ndryshëm kanë vetëdije dhe ego të ndryshme. Ecuria historike e secilit shtet, pavarësisht formës së regjimit që ka mbizotëruar skenën, është gjithmonë një trajektore ciklike, pavarësisht kohëzgjatjes së dominimit. Rivaliteti se kush do të ulet në tavolinën e të mëdhenjve të kësaj bote nuk është diçka e re sot. Ky rivalitet është i vjetër sa vetë njeriu. Lufta e brendshme që zhvillohet tek njeriu se kush do të ulet në fronin e zemrës së tij, virtytet apo kundërvirtytet zgjatet në përjashtësinë e tij, pra në botën konkrete. Politika, si art i qeverisjes dhe shteti si statujë e gdhendur prej politikës, merr formën e karakterit të atij që ngjitet në krye dhe ka në dorë daltën dhe çekanin. Në qoftë i drejtë, edhe shteti do të jetë i drejtë. Në qoftë edhe shtet i fuqishëm, drejtësia e tij do të bëhet strehë për më të vegjlit. Në qoftë e kundërta, bota do të shndërrohet në sheshbetejë. Prandaj është shumë i rëndësishëm karakteri i atij që ngjitet në pushtet dhe ka fuqinë të diktojë vendime. Në përpjekjet për të zënë vend në tavolinën e të mëdhenjve, drejtësia duket si një pikë e vogël në horizont. Darvinizmi social në gjeopolitikë është shtysa që gjithkënd që zotëron fuqi ekonomike e ushtarake (në ditët e sotme raketa supersonike ndërkontinentale me mbushje bërthamore si armatimi më i rrezikshëm) e bën të pretendojë një vend të rëndësishëm në arenën globale, për të qenë aktor në vendimet e mëdha që disenjojnë rendin botëror. Për t’i bërë vend vetes duhet të jesh i fuqishëm. Në të kundërtën, retorikat boshe nuk pinë ujë. Nga ana tjetër, të jesh i fuqishëm nuk do të thotë që gjithmonë ke të drejtë. Kur je në një tryezë, secili do të respektohet për peshën që ka dhe diskutimi do të duhet të nxjerrë vendime që i shërbejnë drejtësisë. Në qoftë se darvinizmi social është boshti i tryezës së të mëdhenjve drejtësia, ai nuk do të jetë prezente në tryezë. Bota në këtë rast do shkojë drejt konfliktit të pashmangshëm. Kur përplasen elefantët, shkilet bari – thotë proverbi.
Kulaçi dhë kërbaçi – topin e kam unë, penalltinë e gjuaj vetë.
Shtetet e fuqishme, që kanë në krye udhëheqës egocentrikë, supremacistë, kokëfortë, të etur për role mesianike, të patundur në besimin se ata kanë gjithmonë të drejtë, rrezikojnë të shkojnë në batak, në mos herët, më vonë. Nëse shtetet e fuqishme e humbin busullën morale, padrejtësia dhe mizoria ndaj më të vegjëlve do të jetë standardi i përditshëm i qeverisjeve të tyre. Statusi i mëkëmbësit të Zotit në tokë nuk toleron arrogancën e pushtetit, përdorimin e fuqisë sipas tekave të njërit apo tjetrit udhëheqës. Çdo popull meriton të respektohet dhe nderohet për aq sa nuk shkel virtytet dhe principet e së drejtës, bashkëjetesës në paqe, fqinjësisë së mirë, respektin reciprok. Pavarësisht dallimeve, në fund të gjithë mbeten krijesa të Sovranit të Gjithëfuqishëm. Por, nëse disa e kanë thyer busullën morale dhe shigjetën e saj e rrotullojnë rreth vetes duke u vetëkënaqur për shkak të fuqisë që zotërojnë, kjo nuk është aspak shenjë e mirë për botën. Bota nuk është unipolare, as bipolare. Sot është multipolare dhe të mbash vendin e shtetit lider në botë nuk është e lehtë. Tek pushteti mund të arrish më lehtë nga sa mendon, por për ta mbajtur dhe përdorur me drejtësi është tortura që duhet të mundojë liderët që duan pushtet. Të jesh shtet i fuqishëm, të zotërosh armët më të fundit që ka prodhuar teknologjia, të ndihesh superior, kjo nuk do të thotë se mund të sillesh si gangster. Politika është art dhe, si e tillë, duhet të ushtrohet nga burra shteti dhe jo aventurierë që në emër të një projekti ose vizioni të caktuar mbi botën të shndërrohen në Neron që djeg Romën për t’u frymëzuar për krijime poetike. Shtetet më të fuqishme nuk duhet të udhëhiqen nga darvinizmi social në politikë. Nuk mund të drejtohet bota sipas logjikës “kush ha kulaçin, nuk ha kërbaçin”. Nëse ndiqet ky model i të bërit politikë ndërkombëtare, do të prodhohet frikë, pasiguri, servilizëm, nënshtrim i shteteve më pak të fuqishme. Do të fuqizohen prirjet për të respektuar atë që tregon fuqi paçka se mund të jetë dhe diktator. Do të nxiten reagime të kundërta nga popuj që kanë një vetëdije dhe ego të fortë në historinë e tyre shtetformuese. Kësisoj bota shndërrohet në një kazan që zien, vlon dhe që e bën njerëzimin të mbajë frymën pezull më frikën se çdo të sjellë e nesërmja. A është kjo detyra e mëkëmbësit të Zotit në tokë? Natyrisht që jo, por kur njeriut i duket vetja zot, sovran që s’mund të kundërshtohet se është më i forti devijimi nga ky status, do të ketë pasoja për popujt. Por, kjo nuk është drejtësi, edhe pse retorika politike bashkëkohore di si t’i fshehë qëllimet e errëta përmes fjalëve aq të dashura për “sovranin” popull.
Kush do të mbizotërojë? Rivaliteti mes së mirës dhe së keqes.
Në ditët e sotme, të fuqishmit e kësaj bote (shtetet që zotërojnë më shumë fuqi ushtarake dhe ndikim global) ndajnë bindjen se ata janë të zgjedhurit për të rregulluar rendin botëror. Nuk mund të mos jemi dakord me këtë pohim, por rëndësia e çështjes qëndron në faktin se kujt i shërbejnë me fuqinë që kanë, së drejtës apo zullumit, dritës apo errësirës, së mirës apo së keqes. Botë absolutisht të drejtë nuk ka patur dhe nuk do të ketë, përderisa në krye të fuqive të mëdha nuk vijnë njerëz që dëshmojnë virtyte dhe vlera që botën e bëjnë një vend të sigurt dhe të paqtë. E ardhmja mbetet e palexueshme, por nëse ndiqen rrugët e së shkuarës, në esencë nuk do të jetë ndryshe nga ajo. Bota ka njohur fuqi të mëdha që nga lashtësia e që sot u takojnë faqeve të historisë, mbretër të mëdhenj e të pasur që pretendonin deri edhe të ishin Zot, ndërsa sot gjendet nën tokë si të gjithë krijesat e tjera. Nëse udhëheqësit e shteteve të fuqishme sot ndjekin rrugën e arrogancës dhe kapadaillëkut, fundi i tyre nuk do të jetë ndryshe. Njerëzit shqetësohen më shumë nga ç’duhet se kush do ta dominojë botën, SHBA-ja, Rusia, Kina, BE-ja, Turqia apo aleanca euroaziatike. Bota do të dominohet nga interesat. Njerëzit presin që të mëdhenjtë të vendosin dorën në zemër dhe të sillen me butësi, mëshirë e drejtësi. Mirë do të ishte kështu, por bota konkrete mbetet terren i vështirë për këtë ide. Secila fuqi prioritet ka interesat e veta në një botë ku ndërvarësia është gjithmonë e më e madhe. Shtetet e vogla mbetet të përfshihen në aleanca me të mëdhenjtë për të qenë më të sigurt, por jo për të fjetur mendjen.
Në kontekstin shqiptar, aleancat duhen të shihen në kuadrin historik për të pasur aleatë që nuk kanë interesa territorialë ose nuk e mbështetin cenimin e integritetit territorial të dy shteteve shqiptare, por dhe që i mbështesin fuqishëm të drejtat e shqiptarëve në shtetet e tjera ballkanike. Aleancat funksionojnë me rregullin “nëm të të jap”, prandaj nuk mund të pretendohet se të mëdhenjve duhet t’u vijë keq për të vegjlit. Të vegjlit duhet të rriten dhe për këtë duhet të punojnë me drejtësi dhe jo me hajdutëri. Shqetësimit se kush do të mbizotërojë në botë nuk mund t’i japim një përgjigje shteruese, por bota do të trashëgohet prej atyre që punojnë me drejtësi dhe luftojnë për drejtësi. Në pjatë nuk shërbehet asgjë pa u lodhur dhe pa paguar. Nga rehatia e kolltukut nuk ndërtohet e ardhmja.









