Simpoziumi Shkencor për Skënderbeun, organizuar më 1968, për nder të 500-vjetorit të vdekjes, përbën njërin ndër aktivitetet e para shkencore të organizuara nga ky Institut në bashkëpunim me Entin e asokohshëm të Historisë së Kosovës. Nga data 9 deri më 12 maj, në Prishtinë u mblodhën më se 50 studiues të jetës dhe të veprës së Skënderbeut nga hapësira shqiptare, përfshirë edhe studiuesit nga Republika e Shqipërisë, pastaj studiues nga radhët e kombeve të tjera të Jugosllavisë dhe jashtë saj.
Hysen MATOSHI, Prishtinë
Skënderbeu është ndër personalitet e shquara të historisë së shqiptarëve më të trajtuara në projektet shkencore të Institutit Albanologjik. Gjatë më shumë se gjysmë shekullit pune të pandërprerë, ky institucion kërkimor-shkencor ka realizuar një varg projektesh që e kanë trajtuar jetën dhe veprimtarinë e heroit kombëtar të shqiptarëve. Fjala është për gjashtë monografi, që si projekte shkencore janë realizuar nga punonjës të Institutit Albanologjik dhe për një përmbledhje materialesh nga sesioni shkencor kushtuar Skënderbeut në 500-vjetorin e vdekjes. Këto shtatë botime e bëjnë Skënderbeun personalitetin më të trajtuar të botës shqiptare në botimet e veçanta të Institutit Albanologjik.
Krahas këtyre botimeve të veçanta, që janë ndër kontributet e çmueshme monografike për kërkimet skënderbegiane, punonjësit e Institutit Albanologjik dhe bashkëpunëtorët e tij kanë botuar edhe dhjetëra punime studimore, pjesë të veprave të tjera, duke bërë që interesimet hulumtuese për Skënderbeun të jenë gjithnjë të pranishme.
Megjithatë, duhet thënë se Skënderbeu është objekt shqyrtimi edhe në shumë punime studimore që janë botuar në të tri seritë e revistës shkencore të Institutit Albanologjik, pra në “Gjurmime albanologjike”, sikurse edhe në seritë e dala në gjuhë të huaj. Me sa kam mundur të vërej, fjala është për rreth 30 punime studimore të autorëve shqiptarë dhe të atyre të huaj, sikurse janë: (filologji) Ymer Jaka, Françesk Altimari, Mahmud Hysa, Radomir Ivanoviq, Xhevat Lloshi, Arben Hoxha, Latif Mulaku; (folklor): Jahir Ahmeti, Rrustem Berisha, Shefqet Pllana, Fazli Syla, (Anton Çetta – material); (histori): Stjepan Antolak, Kasem Biçoku, Fadil Bytyqi, Jahja Drançolli, Ali Hadri, Flamur Hadri, Lulëzim Lajçi, Ilaz Rexha, (Naser Ferri, Teuta Shala – Peli – materiale). Me këtë rast kemi zënë ngoje vetëm punimet studimore në të cilat Skënderbeu, ose epoka që drejtpërdrejt lidhen me të, zënë vend qendror. Ndryshe ky numër do të ishte edhe më i madh.
Kështu, Simpoziumi Shkencor për Skënderbeun, organizuar më 1968, për nder të 500-vjetorit të vdekjes, përbën njërin ndër aktivitetet e para shkencore të organizuara nga ky Institut në bashkëpunim me Entin e asokohshëm të Historisë së Kosovës. Nga data 9 deri më 12 maj, në Prishtinë u mblodhën më se 50 studiues të jetës dhe të veprës së Skënderbeut nga hapësira shqiptare, përfshirë edhe studiuesit nga Republika e Shqipërisë, pastaj studiues nga radhët e kombeve të tjera të Jugosllavisë dhe jashtë saj. Simpoziumi ishte një ngjarje e madhe në jetën shkencore dhe përgjithësisht kombëtare të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë. Këtë e dëshmon më së miri fakti se e vetmja gazetë ditore, që dilte në gjuhë shqipe në Prishtinë, “Rilindja”, iu kushtoi vëmendje të madhe punimeve të Simpoziumit për Skënderbeun. Gjysma e ballinës së saj, për katër ditë me radhë, ishte rezervuar për raportin nga kjo ngjarje, ndërsa një mobilizim kishte edhe sa i përket pjesëmarrjes së strukturave politiko-shoqërore të kohës, përkatësisht të eksponentëve më të lartë të tyre. Instituti Albanologjik një vit më vonë i ka botuar punimet e këtij simpoziumi, ku janë prezantuar autorë si Aleks Buda, Ali Hadri, Irina Senkeviç, Hejnrih Sauer – Nordendorf, Bogumil Hrabak, Selami Pulaha, Nedim Filipoviq, Adem Hanxhiq, Thoma Murzaku, Rexhep Qosja, Hasan Kaleshi, Androkli Kostallari, Jorgo Bulo, Robert Shvanke, Mark Krasniqi, Mediha Shuteriqi etj. Kumtesat janë botuar sipas gjuhëve të prezantimit, pra kryesisht në shqip, por edhe në serbokroatisht, gjermanisht, sllovenisht dhe maqedonisht.
Dy projekte madhore për Skënderbeun janë realizuar nga prof. dr. Ymer Jaka, të cilat si monografi e kanë parë dritën e botimit në kuadër të edicionit të Institutit Albanologjik. Njohësi i jashtëzakonshëm i frëngjishtes, përkthyesi i Prustit në shqip, studiues kompetent i marrëdhënieve kulturore shqiptaro-frënge, për disa vite edhe ministër i Arsimit i Kosovës, prof. Ymer Jaka, i ka pasuruar studimet për Skënderbeun, duke e hulumtuar praninë e tij në letërsinë dhe në historiografinë frënge. Fjala është për veprat Skënderbeu në letërsinë frënge (1990) dhe Skënderbeu në historiografinë frënge (2001). Ndër autorët më të rëndësishëm të sferës letrare, të cilët i kushtojnë vëmendje heroit tonë kombëtar, Profesori Jaka ka identifikuar Zhak de Lavardeni (përkthyesi në frëngjisht i veprës së Barletit, botuar më 1576), poetin e madh frëng Pjer dë Ronsar, poetin protestant Floran Kretienin, autorin e një ode për Skënderbeun Amadis Zhamenin, autorin e poemës “Tragjiket” Agripa d’Obinjenë, Mishel de Montenjin themeluesin e esesë, autorët e romaneve si “Historia e Negropontos” i Pjer dë Buasasë, romanin me titullin “Skënderbeu” i Yrben Shëurosë, romanin galant “Kujtime nga saraji”, botuar me emrin e zonjës Vijëdië, por që gjithandej konsiderohet një vepër anonime e shkruar nga një autor me pseudonimin Deshan, romani tjetër i shkruar nga Shëviji (mungon emri) me titullin “Skënderbeu, ose aventurat e princit të Shqipërisë”; po ashtu një vepër tejet e rëndësishme romanore është edhe ajo e abatit Sharl Geno e titulluar “Skënderbeu ose heroi i krishterë”. Figura e heroit tonë kombëtar ishte interesante edhe për autorë të novelës frënge sikurse është ajo me titullin “Skënderbeu i madh” nga Zonjusha De la Roshë Gilen, novela e Teodor Anri Barosë, novela e Zhan Bomarit si autor i shekullit XX, tragjedia e Rogasein Foresë e shumë vepra të tjera lirike dhe tregimtare në të cilat figura e Skënderbeut është bërë burim motivimi, apo ndeshet si personazh i tyre. Edhe kontributet historiografike frënge për Skënderbeun, krahas atyre letrare, kanë zgjuar interesimet e Y. Jakës. Ai ka identifikuar një varg historianësh frëngj, si bie fjala: Gijomë dë Goltëronin, Zhak dë Lavardenin, Andre Tëvenë, Nikola Kosenin, Aleksandër Kampionin, Zhan Nikola Dyponsenë, Antuan Tesienë, Stjepan Zanoviqin, Adrien Risherin, Kamij Paganelin, Zhanë Floridën, duke shtuar këtu edhe një numër të madhe autorësh që e kanë trajtuar figurën e Skënderbeut në botimet e tyre përgjithësuese historike, në udhëpërshkrime dhe enciklopedi. Pa dyshim, studiuesi më i plotë i pranisë së Skënderbeut në letërsinë dhe në historiografinë frënge është Prof. dr. Ymer Jaka, kontributi i të cilit do të mbetet i paarritshëm edhe për shumë breza.
Flamur Hadri është autor i tri monografive me interes të veçantë për njohjen e jetës dhe të veprimtarisë së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Në të vërtetë, mund të thuhet se ky studiues ka qenë i specializuar në studimet skënderbegiane. Pothuajse të gjithë zërat e tij bibliografikë lidhen me Skënderbeun dhe epokën e tij. Të tri monografitë që ia doli t’i botonte, të titulluara Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe epoka e tij në historiografinë shqiptare (1987); Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1995) dhe Skënderbeu në historiografinë evropiane (1998), janë dëshmi e potencialit shkencor për t’u marrë me heroin tonë kombëtar dhe epokën e tij. Flamur Hadri, i biri i historianit më të njohur shqiptar të Kosovës, Akademik Ali Hadrit, ishte ndër doktorët më të rinj të shkencave atëbotë, i cili me kohë i kishte përqendruar hulumtimet e tij, por fatkeqësisht ai humbi jetën tragjikisht në vitin 2000. Megjithatë, studimet e tij për Skënderbeun janë sinteza që ofrojnë disa konstatime të përgjithshme lidhur me kontributin studimor të historiografisë sonë dhe të asaj europiane për Skënderbeun.
Përgjithësimet e këtyre përmasave, pra të sjelljes së rezultateve të historiografisë sonë dhe të veçmas të asaj europiane gjithnjë lënë vend për diskutime, ndonëse janë një përpjekje serioze e një studiuesi të përkushtuar në studimet skënderbegiane.
Monografia “Historia e Skënderbeut” e Marin Barletit dhe kultura shqiptare në shekullin XV (1998) e autorit dr. Fadil Grajçevci përbën një kontribut të çmueshëm metakritik për studimet skënderbegiane, duke pasur në fokus veprën bazike të Barletit dhe kulturën shqiptare të shek. XV. Vlerësimet kritike të autorit, si për kulturën shqiptare të shekullit XV ashtu edhe për “Historinë e Skënderbeut” të Barletit, i japin librit dimensionin e një studimi shkencor me interes. Një vlerë të pranueshme të kësaj vepre e paraqet edhe stili me të cilin është shkruar ajo, gjuha e rrjedhshme dhe shtruarja e logjikshme e fakteve, që gjithnjë pasohen nga përfundime shkencërisht të argumentuara. Autori ka shfrytëzuar burime të shumta dhe një literaturë të pasur, gjë që i ka bërë të mundur të nxjerrë përfundime shkencore për çështjet e trajtuara. Vepra “Historia e Skënderbeut” dhe kultura shqiptare në shekullin XV përbën një sintezë të madhe shkencore mbi një periudhë të gjatë e të rëndësishme të zhvillimit të kulturës sonë dhe, mbi të gjitha, për një vepër me rëndësi të veçantë jo vetëm për kulturën shqiptare, sikundër është “Historia e Skënderbeut” e Marin Barletit.
Aktivitetet e organizuara për nder të jetës dhe veprave të Skënderbeut, projektet shkencore, botimi i vëllimeve dhe i punimeve studimore në revista të Institutit Albanologjik, janë dëshmi të interesimeve të gjera për njohjen e fakteve historike e kulturore lidhur me heroin tonë kombëtar, si dhe perceptimin që është krijuar për Skënderbeun në mesin e shqiptarëve dhe të popujve europianë veçanërisht.