loader image
August 28, 2025

Skënderbeu në Kërçovë

Në historinë e shqiptarëve të Maqedonisë Perëndimore, viti 1941 shënon një moment me rëndësi të veçantë për identitetin kombëtar në përgjithësi dhe për qytetin e Kërçovës në veçanti. Pikërisht më 28 nëntor 1941, në Ditën e Flamurit, në zemër të qytetit u përurua busti i Skënderbeut.

Shkëlzen HALIMI, Shkup

Në vitet 1941-1944 harta e Shqipërisë përfshinte edhe një pjesë të madhe të Kosovës dhe disa qytete shqiptare të Maqedonisë Perëndimore. Është kjo periudha e njohur (por e shkurtër) e Tokave të Lirueme, në të cilën periudhë rëndësi e veçantë iu kushtua arsimit dhe kulturës, të cilat u përshkuan me spikatjen e elementit shqiptar, që ndikoi dukshëm në ngritjen e vetëdijes kombëtar. Atëbotë, në disa prefektura, siç quheshin pushtetet lokale, do të dalin në pah angazhimet e shumta për t’i dhënë përmbajtje më të plotë lirisë dhe identitetit kombëtar.

Në historinë e shqiptarëve të Maqedonisë Perëndimore, viti 1941 shënon një moment me rëndësi të veçantë për identitetin kombëtar në përgjithësi dhe për qytetin e Kërçovës në veçanti. Pikërisht më 28 nëntor 1941, në Ditën e Flamurit, në zemër të qytetit u përurua busti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, një akt simbolik që bartte mesazhin e qartë të rimëkëmbjes shqiptare në një hapësirë të gjatë të nëpërkëmbur nga simbolika serbe dhe shtypja kulturore. Vendosja e këtij busti nuk ishte thjesht një vepër artistike e periudhës së luftës, por një akt historik dhe qytetar që e kthente Kërçovën në një epiqendër të vetëdijes kombëtare shqiptare.

Busti u vendos në pjesën më të dukshme të Kalasë së Kërçovës, pikërisht aty ku më parë qëndronte monumenti i mbretit serb, Petar I Karagjorgjeviq. Ky veprim ishte me kuptim të thellë dhe do të thoshte: rënia e një simboli të pushtimit dhe ngritja e një figure të lirisë dhe qëndresës shqiptare. Monumenti i ri, i punuar nga mjeshtri i madh i skulpturës shqiptare, Odhise Paskali, u soll nga Tirana me përkrahje të drejtpërdrejtë të autoriteteve të Mbretërisë Shqiptare.

Në Fondin JASHAR ERABARA, të ruajtur në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar, midis shumë materialeve, gjendet edhe një fotografi e bustit në Skënderbeut në Kalanë e Kërçovës (me sa kemi njohuri, sheh dritë për herë të parë), i cili bust u shpalos me rastin e Ditës së Flamurit, më 28 nëntor të vitit 1941. Busti i Skënderbeut u soll nga Tirana me përkrahje të drejtpërdrejtë të autoriteteve të Mbretërisë Shqiptare.

Nënprefekti i Kërçovës, gjirokastriti Eqerem Telhaj, të cilin autoritetet shqiptare e kishin ngarkuar me organizimin e jetës administrative në Tokat e Lirueme shqiptare, në një shkresë të datës 2 dhjetor, 1941, për ngjarjen e bujshme do të njoftonte:

“Dita e njizet e tetë nanduerit, përvjetori i pa mvarsis kombëtare u kremtue në kët qendër dhe në krahinë me atë somemnitet dhe me atë thjeshtësie që e lypin çasti dhe rrethanat. Nuk u vërtetue as nji ngjarje që mund të prishte rregullin dhe kuptimin e ditës. Populli i Kërçovës me autoritetet Civile dhe ushtarake muern pjesë me enthuzjasmë të disiplinuar në manifestimet dhe ceremonitë që u zhvilluen në dy faltoret. Popullata e gjithë krahinës dhe qytetit, për të nderuar ditën historike, çfaqi një bust përmendore të Skënderbeut.

Ky bust i skalitur prej skulptorit kombëtar Odhise Paskalit u ngrit në vendin ku deri at ditë qëndronte busti përmendore i Pjetrit të parë të Serbies, i cili ish ngrehur në kohën e sundimit Serbë në kopshtin e kalas që ngrihet përmbi qytet. Shpenzimet u përballuan nga populli i qytetit e i krahinës, i cili me nji spontanitet i denjë për admirim mblodhi me anën të nji nënshkrimi popullor shumën e nevojshme për blemjen e Monumentit të vogël. Busti në fjalë u suell nga Tirana nga nji Komisjon i zgjedhur nga parija e vendit në të cilën merrte pjesë nji antarë i këshillit Bashkijak.

Përmendorja në fjalë mbriti në këtë qytet bashkë me autorin Prof. Paskali, në mbrëmje të ditës 27 dhe para dreke të 28 Nanduerit u vendos në pjedistalin ku ngrihesh busti i Pjetrit të Serbies. Në zbulimin muernë pjesë gjith autoritetet civile e ushtarake, Nëpunësat e shtetit, organizat e djelmërisë, fëmiet e Shkollës dhe popullata e qytetit”.

Zoti Telhajt, në njoftimin e tij bënte me dije se vendosja e bustit të Skënderbeut nuk u prit mirë nga popullatës sllave.

“At ditë nji grup prej elementash reprezentativ serbe dhe bullgarësh, duke komentuar zhvillimin e ceremonive dhe ngritjen e bustit, u shprehën në këtë mënyrë: tani me të vërtetë këtu qenka Shqipërie! Qe kurse ngrihet Skënderbeu d.m.th. këtu mbeti përgjithnjë Shqipnia”.

Në të njëjtin njoftim, nënprefekti Eqerem Telhaj theksonte se ngritja e bustit “enthuzajzmojë dhe ngriti jashtëzakonisht moralin dhe ndjenjën patriotike të elementit Shqiptarë dhe dobësoj pretezat dhe shpresat e atyne që shpresojnë rikëthimin e serbeve ose ardhjen e bullgarëvet”.

Vendosja e bustit shërbeu si pikë orientimi për rininë shqiptare, që në një kohë të turbullt luftërash dhe ndryshimesh të mëdha gjeopolitike, siç ishte atëbotë, po kërkonte rrënjë për të ndërtuar vetëdijen e vet kombëtare.

Skënderbeu, i vendosur mbi kalanë e Kërçovës, jo vetëm që ishte një monument i rëndësishëm, por shërbeu edhe si kujtesë kolektive dhe thirrje për bashkim kombëtar. Në kontekstin historik të kohës, ky veprim nuk mund të kuptohet pa u vendosur brenda kornizës më të gjerë të politikave shqiptare në territoret e bashkuara përkohësisht me Shqipërinë gjatë viteve 1941-1944. Në shumë qytete me popullsi shqiptare në Maqedoni, Kosovë dhe Mal të Zi, shqiptarët e përdorën simbolikën e Skënderbeut si një mjet legjitimimi dhe afirmimi politik dhe kulturor. Kështu, Kërçova, përmes këtij monumenti, u bë pjesë e asaj përpjekjeje për t’u dhënë shqiptarëve të atyre anëve një figurë mbështetëse dhe frymëzuese në kujtesën publike.

Fatkeqësisht, pas Luftës së Dytë Botërore dhe rivendosjes së autoritetit komunist jugosllav, busti i Skënderbeut u hoq dhe u zhduk pa nam e nishan, që ishte një akt në përputhje me politikat e turpshme të një shteti që kishte për synim çrrënjosjen e çdo simboli të identitetit kombëtar shqiptar. Kjo nuk ndodhi vetëm në Kërçovë, por edhe në qytete të tjera me shumicë shqiptare.

Pas shkërmoqjes së federatës jugosllave, edhe pse disa herë u shtrua pyetja se çfarë ndodhi me bustin e Skënderbeut që për një kohë qëndroi në Kalanë e Kërçovës, megjithatë, përpos disa spekulimeve, e vërteta, së paku deri më sot, nuk doli në pah, ndonëse të gjithë sado pak e kanë të qartë se çfarë mund të ketë ndodhur.

Por, për shumë breza kërçovarësh, kujtimi i këtij busti nuk u shua kurrë. Përkundrazi, mbeti një ikonë e humbur, që barte me vete kujtesën e një kohe kur shqiptarët mund ta shprehnin lirshëm krenarinë e tyre kombëtare.

Busti i Skënderbeut, i vendosur në Kërçovë më 28 nëntor 1941, nuk ishte vetëm një monument prej guri e bronzi, por mbi të gjitha një akt i rëndësishëm i ringjalljes së vetëdijes kombëtare në një hapësirë që kishte vuajtur për vite të tëra nën sundimin sllav. Mbase kjo dëshmon qartë se, edhe në kushtet e rrethanave të vështira si pasoja e politikave represive, një popull që ka rrënjë të forta në historinë dhe simbolikën e tij, gjen shtigje për të afirmuar identitetin dhe për të ngjallur shpresën.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X