Nëse sot në kontekstin shqiptar është e pamundur pasja e një shteti komb, ku takohen elementi etno-kulturor me atë politik, ashtu siç e kishin synuar rilindësit dhe themeltarët e shtetit shqiptar në fund të shek. XIX dhe fillim të shek. XX, megjithatë kjo nuk duhej penguar zhvillimin e kombit në suaza të realiteteve të tanishme të postmodernitetit.
Muhamed JASHARI, Shkup
Përderisa po i shkruajmë këto rreshta për numrin e ri e qershorit, ndërkohë kryeqyteti shqiptar – Tirana, u shndërrua në një hapësirë ku rreth vetes tuboi burrështetasit e kontinentin europian përfshirë edhe ata të kategorisë së peshave të rënda, siç janë Merz, Steirmer, Macron, Erdogan, Zelenski etj. Në të vërtetë, kjo mbledhje erdhi si rrjedhojë e takimit të gjashtë të Komunitetit Politik Europian me temë “Europa e re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët.”
Qëllimi kryesor i kësaj platforme mbareuropiane, ashtu siç thuhet në Këshillin e BE-së, është që të bëjë nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit politik për çështjet e përbashkëta, duke filluar nga fusha e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit të kontinentit europian. Si e tillë, kjo platformë nuk synon ta zëvendësojë ndonjë organizatë ekzistuese (fjala bie BE-në ose NATO-n), megjithatë është e rëndësishme pa dyshim, pasi që në të trajtohen temat që kanë të bëjnë me Europën dhe vizionin për të ardhmen e saj. Përtej simbolikës së realizimit të saj në truallin shqiptar, fakti që në këso samitesh diskutohet për fatin e Europës dhe sigurinë e saj, përfshirë edhe shtetet shqiptare si pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor, është e një rëndësie të veçantë.
Ajo çfarë është domethënëse për Shqipërinë s’do mend se është deklarata e presidentit francez, Emanuel Macron se: “Në dy vitet që vijnë, duke pasur një mandat të qartë, Shqipëria do të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Jini të sigurt se ne, si Europë, do të japim rezultatet e pritura, së bashku me Gjermaninë, për të realizuar këtë agjendë” (Top Chanel).
Nuk di të ketë qenë ndonjë udhëheqës i ndonjë shteti të rëndësishëm europian kaq optimist dhe me një afat të qartë kohor (dhe të afërt) mbi të ardhmen e Shqipërisë në BE. Për faktin që Macron përmendi edhe Gjermaninë – si dy shtylla kyçe të projektit europian – në premtimin e tij ndaj Shqipërisë, ky duhet të jetë vërtet një mesazh ngazëllues dhe shpresëdhënës për elitat dhe politikën shqiptare.
Nëse e marrim të mirëqenë këtë cak kohor, Shqipëria – në kuptim të plotë – kalon në një fazë të re të sovranitetit, ku ky i fundit do të lëvizte ndërmjet shtetit anëtar dhe dhënies së kompetencave një organizate mbinacionale, siç është BE-ja, ose, ashtu si e quajti Bruno Bauer-i Europën, “një komunitet fatesh”! Ndoshta kjo do ta plotësonte finalitetin e Shqipërisë drejt europianizimit.
Në një realiteti të këtillë politik, si do të duhej ruajtur kohezionin dhe idenë kombëtare [nëse ka diçka të atillë] e cila do të gjendej para dy rrugëve, kur në njërën anë kufijtë e Shqipërisë tashmë çshenjtërohen, kur janë në pyetje me shtetet tjera anëtare të BE-së, kurse në anën tjetër kufijtë me shtetet përreth ose me shtete aspiruese për në BE, duhej ruajtur madje hera-herës edhe shtrënguar, siç kemi qenë dëshmitar në kufirin Serbi-Hungari, ku praktikisht është kufi BE-Ballkan!?
Nëse në ligjërimet politike na thuhet që Bashkimi Kombëtar [sado që tingëllon romantik-folklorist] do të ndodhë në Bruksel, ç’bëhet me viset e tjera ky banojnë shqiptarët dhe që jo vetëm që nuk e kanë këtë ritëm të integrimit në BE, ngjashëm sikurse Shqipëri, por edhe kanë stagnuar?! Detyrimisht na imponohen situata të reja, që duhen diskutuar e gjetur përgjigje nga këndvështrime të ndryshme.
Nëse sot në kontekstin shqiptar është e pamundur pasja e një shteti komb, ku takohen elementi etno-kulturor me atë politik, ashtu siç e kishin synuar rilindësit dhe themeltarët e shtetit shqiptar në fund të shek. XIX dhe fillim të shek. XX, megjithatë kjo nuk duhej penguar zhvillimin e kombit në suaza të realiteteve të tanishme të postmodernitetit.
Duke gjurmuar literaturën politologjike që trajton tema të ngjashme, ndeshemi me nacionalizmin trans-sovran, që paraqet një variacion të nacionalizmit i cili vjen në shprehje atëherë kur në rrethana të “kombësisë së ndarë – Divided nationhood” nuk ndiqet ndryshimi i kufijve, por synohet të ruhet “kombësia” e përbashkët kulturore përtej kufijve ekzistues shtetërorë. (Csergő & Wittenberg, në Central and East European Politics Changes and Challenges, fq. 80, 2021).
Madje, një pikëpamje e këtillë mbështetet mbi premisën që një projekt kombëtar do të ndërthurej dhe akomodohej në kuadër të BE-së, ku kufijtë ekzistues thuajse nuk do të kishin kuptim ose, siç përmendëm më lart, çshenjtërohen. Protagonistë të ndryshëm, duke e marrë si të mirëqenë faktin që ndryshimet e kufijve – qofshin ato paqësore apo ndryshe – nuk janë një perspektivë realiste në epokën bashkëkohore, komunitetet e ndryshme jashtë shtetit amë do të bashkoheshin nëpërmjet institucioneve transnacionale. (András Bíró-Nagy & James Hare, 2020: cituar sipas Jashari, 2025).
Vizion të ngjashëm duket se ndoqi politika hungareze, e cila tash – në shek. XXI – si alternativë ndaj një “shteti kombëtar” është përpjekur për krijimin e një sistemi institucionesh që do të siguronin një “të mirë kombëtare kolektive” për të gjithë hungarezët, duke përfshirë forcimin e statusit të hungarezëve jashtë vendit dhe anëtarësimin në BE. (Zsuzsa Csergo, Wilson Center, 2011)
E përkthyer në realitetin tonë shqiptarë, duke u nisur nga përkufizimet e mësipërme, s’do mend që përmbushja e vizionit të inkuadrimit të shtetit shqiptar në BE, konsolidimi i vazhdueshëm i shtetit të Kosovës, së bashku me praninë kulturore dhe politike të shqiptarëve në institucionet e Maqedonisë së Veriut (si një element shtet-formues e vendimbërës edhe në mënyrë legjislative e jo vetëm deklarative), faktorin shqiptar në hapësirën ballkanike tashmë e shndërron në shtyllë kyçe për stabilitetin dhe paqen në rajon. (Nuk do të humbiste asgjë Maqedonia e Veriut në rast se Republika e Shqipërisë para saj arrinte në Bruksel, por – përkundrazi – Maqedonia e Veriut do të kishte edhe një mbështetës të fuqishëm e ndihmues për harmonizimin e reformave të duhura në rrugën integruese). Pa lënë anash bashkëpunimin ekonomik e tregtar, madje duke e llogaritur si të qenësishëm atë, ndërmjet trinomit Shqipëri-Kosovë-Maqedoni e Veriut, si një mundësi e mirëfilltë për rritjen e peshës ekonomike dhe financiare. Në kuadër të këtij, le ta quajmë, rajonalizimi, përshpejtimi i ndërtimit të korridoreve transportuese (p.sh. Korridori VIII së bashku me hekurudhën; rruga Shkup-Bllacë ose linja hekurudhore Prishtinë-Durrës) konsiderohet i pashmangshëm, madje duke insistuar me çdo kusht finalizimin e tyre. Ndërtimi i korridoreve transportuese llogaritet ndër shtyllat kryesore të fuqisë gjeokonomike të një rajoni të caktuar. (Diesen, 2021).
Ka edhe një faktor tjetër që nuk duhej kaluar pa përmendur. Në të vërtetë, fjala është për diasporën tonë, e cila vepron nëpër shtetet europiane, e që dorën në zemër duket se është mjaft mirë e stabilizuar në vendet ku ka emigruar. Politika shqiptare nuk do të duhej ta konsideronte këtë pjesë të kombit vetëm si burim hyrje të remitencave, por edhe si aset që mund të vihej në funksion të diplomacisë. Pjesëmarrja e tyre në jetën politike dhe shoqërore në viset ku punojnë e veprojnë shërben si urë që i përforcon raportet ndërshtetërore në fusha të ndryshme të veprimtarisë shtetërore.
Organizatat dhe qendrat e ndryshme kulturore që diaspora jonë i posedon gjithandej në Europë nuk do të duhej të shërbenin vetëm në suaza të manifestimeve dhe diskutimeve të atypëratyshme, mirëpo lypset që ato të jenë të senzibilizuara për të krijuar e intensifikuar kontaktet me grupet e biznesit, grupet kulturore, mediatike dhe grupimet politike europiane, me qëllim lobimi dhe çuarje përpara të interesave kombëtare dhe të përbashkëta, gjithë kjo me qëllim të krijimit të klimës disponuese dhe pozitive tek burokratët e ndryshëm dhe spektri politik europian pa dallim, për të mbështetur projektet tona me karakter kombëtar.
Konsideroj që në këtë mënyrë do të na mundësohej zhvillimi i mëtejmë normal (ngjashëm sikurse popujt tjerë europianë) dhe qëndrueshmëria në rrethana si kjo e tanishme, me sfida të gjithanshme dhe në një botë të trazuar.