loader image
November 23, 2024

Shqiptarët, identiteti dhe shqiptarizma(t)

Sipas shumë studiuesve të nacionalizmit shqiptar, ngjizja e identitetit kombëtar shqiptar ka filluar në shekullin e 19-të. Fillimisht ky proces kishte nisur me disa individë, kureshtarë apo studiues të kulturës dhe gjuhës shqipe, që më pas të ngjallnin interes dhe pasion tek shtresat intelektuale të kohës, duke formuar elitën e parë të aktivistëve të shqiptarizmës si ideologji kombëtare, të cilën pastaj do të bënin përpjekje ta përhapnin tek masat e gjera popullore. 

Enis BAFTIJARI, Shkup

Sipas studiuesit të mirënjohur të Ballkanit Misha Glenny, nacionalizmat dhe identitetet kombëtare në këtë rajon janë ngritur mbi themele të brishta dhe ato nuk mbesin të qëndrueshme. Sipas tij, ato ndryshojnë pas disa brezash, përftojnë ndryshime gjatë luftërave, rikrijohen gjatë copëtimit të perandorive ose shteteve të mëdha dhe lindin sërish gjatë ngritjes së shteteve të reja. Përjashtim nga ky rregull nuk bën as rasti i nacionalizmit dhe identitetit kombëtar shqiptar. Do të kisha shtuar që ky i fundit ka pësuar transformime evolutive edhe në varësi nga ndryshimet rajonale gjeopolitike dhe nga ndryshimet ideologjike.

Nëse gjykojmë nga prizmi i teorisë primordiale të prejardhjes së kombeve ose teorisë herderiane të nacionalizmit, që si strumbullar të kombit e sheh gjuhën, atëherë kombi shqiptar në këtë aspekt është pothuajse unik. Ai e ka ruajtur vazhdimësinë e tij të paprekur gjatë etapave historike, i njohur si popull malësor, ku pikërisht në këtë terren gjeografik, pothuajse i izoluar nga ndikimet e jashtme të perandorive sunduese, e ka ruajtur identitetin, traditën, kulturën dhe gjuhën e veçantë.

Por, nëse e analizojmë sipas teorisë moderniste të formimit të identiteteve kombëtare, atëherë kjo na lë hapësirë për ta kuptuar dhe interpretuar në mënyra të ndryshme lindjen dhe formimin e identitetit kombëtar. Sipas teorisë moderniste, kombi si nocion është shpikje e epokës moderne, duke filluar me industrializimin dhe urbanizimin e shoqërisë njerëzore. Kështu që identitetet kombëtare nuk janë statike ose të përfunduara, por ato janë fluide dhe në transformim evolutiv të sipërm.

Sipas shumë studiuesve të nacionalizmit shqiptar, ngjizja e identitetit kombëtar shqiptar ka filluar në shekullin e 19-të. Fillimisht ky proces kishte nisur me disa individë, kureshtarë ose studiues të kulturës dhe gjuhës shqipe, që më pas të ngjallnin interes dhe pasion tek shtresat intelektuale të kohës, duke formuar elitën e parë të aktivistëve të shqiptarizmës si ideologji kombëtare, të cilën pastaj do të bënin përpjekje që ta përhapnin tek masat e gjera popullore. Por, duhet theksuar se, që nga fillimi, ky proces dhe këto elita të intelektualëve dhe aktivistëve të çështjes kombëtare nuk ishin të unifikuar dhe kishin divergjenca të shumta mes tyre. Në fillimet e veta ky proces nuk ishte as gjeografikisht i shpërndarë në mënyrë proporcionale. Rrjedhimisht, më të prekura ishin viset jugore të banuara me shqiptarë, ku edhe ishin më të përhapura shkollat dhe kjo jo pa ndonjë arsye. Së pari, në ato vise ishte shumë aktive Patrikana Ekumenike e Stambollit, e cila e kishte të drejtën e hapjes së shkollave në gjuhën greke. Si pasojë e kësaj, për ta mbajtur baraspeshën në fushën e arsimit, edhe Porta e Lartë kishte bërë investime të mëdha në këto vise për t’i konkurruar Patrikanës në fushën e arsimit. Kështu edhe shqiptarët e Shqipërisë jugore (duke përfshirë edhe Janinën) kishin pasur rastin t’i frekuentojnë më tepër shkollat. Dhe, që nga këtu, pra nga ndarja e shkollave, kishin filluar edhe divergjencat e para lidhur me projeksionin e identitetit kombëtar shqiptar. Tek disa aktivistë të shqiptarizmës ky proces kishte nisur në një linjë me kulturën helene, të cilët e projektonin kombin shqiptar si komb vëllazëror me kombin grek dhe në të ardhmen e shihnin të larguar nga “kthetra osmane”, si dhe të bashkuar në një federatë greko-shqiptare. Ndërkaq tek të tjerët ky proces kishte filluar si reagim dhe mobilizim ndaj/kundër helenizmit, të cilët kulturën helene e shihnin si të rrezikshme, ofensive dhe me qëllime të dyshimta, që mund ta dominojë identitetin kombëtar, e si rrjedhojë e shihnin të rrezikuar edhe veçantinë e kombit shqiptar.

Përpjekjet dhe aktivizmi i elitave kombëtare shqiptare u përhapën edhe në viset veriore të banuara me shqiptarë, si reaksion i mundësisë së aneksimit të tokave shqiptare nga shtetet sllave, pas luftës ruso-osmane të viteve 1877-78 dhe nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit dhe pastaj revidimit të tij me Traktatin e Berlinit. Kjo ishte një tronditje për elitën shqiptare, madje edhe ishte hera e parë që P. Osmane u detyrua të dorëzonte territore të banuara me shqiptarë në favor të shteteve sllave. Kjo ishte një datë vendimtare prej kur shqiptarët filluan të artikulonin dhe t’i parashtronin Portës së Lartë edhe kërkesa të natyrës politike. Tani më shqiptarët kërkonin një njësi vetëqeverisëse politike autonome, e cila do t’i përfshinte të gjitha territoret e banuara me shqiptarë dhe do të ishte si parapërgatitje për të ngritur traditat institucionale kombëtare, që në rast të shkatërrimit të P. Osmane, shqiptarët do ta kishin më të lehtë mbrojtjen, fitimin e pavarësisë dhe njohjen ndërkombëtare të shtetit kombëtar.

Gjatë kësaj periudhe, elita kombëtare shqiptare, përveç divergjencave politike ose klanore, pothuajse kishte arritur një unifikim në qëndrimet për çështjen kombëtare shqiptare. Ajo ishte e vetëdijshme që sa më parë duhej fituar autonomia politike-territoriale në mënyrë që të ndërtoheshin institucionet kombëtare si dhe të fillonte arsimimi masiv në gjuhën shqipe, që të shërbenin si instrument për ndërtimin e unifikuar të identitetit kombëtar dhe që të rrafshoheshin shtresat tjera identitare tek shqiptarët, të cilat në atë kohë nuk ishin aq pa ndikim dhe ishin të shprehura dukshëm, si p.sh. dallimet fetare, krahinore, dialektore etj., dallime këto që nuk prodhonin harmoni, por vetëm antagonizma në mesin e shqiptarëve.

Sapo kishte filluar e mbara për projektin kombëtar shqiptar dhe në horizont më në fund dukej drita, kur në verën e vitit 1912, pas një sërë kryengritjesh, shqiptarët kishin fituar miratimin nga Porta e Lartë të një plani për autonomi dhe i gjithë ky proces ishte shumë pozitiv, gjykuar nga fakti që kjo po ndodhte në mënyrë shumë burimore dhe autoktone, pra e gjithë iniciativa vinte nga poshtë-lart. Kështu shpresat ishin që identiteti kombëtar shqiptar do të ishte shumë sinkronizues, i cili do të prodhonte sinergji dhe mobilizim, si dhe do ta përfshinte shumicën e territoreve të banuara nga shqiptarët. Pra, do të mbyllej çështja shqiptare në mënyrën më të mirë dhe do të përfundonte projekti i nacionalizmit shqiptar. Kshti, edhe sipas teoricienëve më të njohur të nacionalizmit, si Ernest Gellner, do të harmonizohej njësia kombëtare me njësinë politike. Por ndodhi e papritura dhe jo vetëm aq. Për shqiptarët ajo që vijoi ishte ndoshta tragjedia më e madhe për interesat e projektit kombëtar, nga e cila tragjedi edhe sot e kësaj dite ndjehen pasojat edhe në aspektin e identitetit kombëtar. Filloi Lufta e Parë Ballkanike dhe rezultati ishte në kundërshtim me pritjet edhe të më të informuarve në këto çështje, pra të ushtarakëve dhe diplomatëve të fuqive të mëdha, të cilët prisnin një epilog në favor të P. Osmane.

Pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër, me të cilën u përfundua Lufta e Parë Ballkanike, shqiptarët u ndanë në disa njësi politike – shtete. Kjo konferencë ia dha pavarësinë një shteti të vogël shqiptar, i cili nuk e përfshinte as gjysmën e popullit shqiptar. Pra, jo që nuk u harmonizua njësia kombëtare me njësinë politike, por tani e tutje ky synim u bë edhe më vështirë i mundshëm. Gjithë ky lëmsh i krijuar, gjykuar nga perspektiva e interesit të projektit kombëtar, si pasojë prodhoi efekte të thella mbi identitetin, unitetin, elitat, synimet dhe vizionin kombëtar.

Nga këtu procesi i ndërtimit të identitetit kombëtar do të merrte dinamikë dhe kahje tjetër. Në Shqipërinë londineze ky proces tanimë do të kryhej nga lart-poshtë, pra institucionet kombëtare shtetërore do të ishin bartësit e procesit. Dhe, kjo do të thotë që ky proces tanimë nuk po kryhej në mënyrën e natyrshme, burimore dhe autoktone, sepse institucionet shtetërore dhe kryesuesit e tyre, si bartës të këtij procesi, ishin të nënshtruar ndaj shumë ndikimeve të natyrës politike, ideologjike, ndërkombëtare, rajonale, klanore, etj. Dhe, në varësi nga këto ndikime, tani e tutje do të merrte kahje arsimi, kultura, letërsia, shtypi dhe segmente të tjera, të cilat ndikojnë në masë të madhe në formësimin ose gdhendjen e identitetit kombëtar ose, së paku, të shtresimeve të caktuara identitare. Ligjërimi dominues i viteve të ’20-ta dhe ’30-ta përmbante në thelb një diskurs properëndimor dhe antilindor. Identiteti i kombit shqiptar projektohej si pjesë e familjes së madhe të kombeve europiane ose, kulturalisht, si perëndimor, kurse tjetri ose i huaji përcaktohej “anadollaku”, “aziatiku” etj. Në këtë mënyrë tentohej ikja nga vetja dhe projektimi i një identiteti kulturor të ndryshëm për të ardhmen, në përputhje me rrethanat e reja gjeopolitike, për të mundësuar mbijetesën e shtetit të ri të brishtë shqiptar. Pra, duhet potencuar se në këtë mënyrë identiteti filloi të pësonte transformime kulturore në bazë të përcaktimeve gjeopolitike.

Në trojet e banuara me shqiptarë jashtë Shqipërisë londineze gjendja në këtë aspekt ishte e nivelit të katastrofës kombëtare. U shkatërruan elitat kombëtare shqiptare, u përndoqën aktivistët e shqiptarizmës, populli u detyrua në masë të madhe të emigrojë, ata që ngelën nuk kishin asnjë të drejtë të karakterit kombëtar, duke përfshirë edhe mohimin e së drejtës së arsimit në gjuhën shqipe. Shqiptarët, të ndarë e të përçarë pa shtëpinë e tyre kombëtare, ngelën pre e eksperimenteve hibride të pushteteve të reja, që kishin qëndrime shoviniste ndaj tyre.

Ky nuk do të ishte fundi i eksperimentimeve sociale dhe ideologjike mbi popullin shqiptar. Në dekadat e ardhshme pas Luftës së Dytë Botërore shqiptarëve do t’u imponohej, nga lart, ideologjia komuniste, si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë saj, në Jugosllavi. Në Shqipëri, pushteti komunist do të ishte brutal dhe ky brutalitet do të pasqyrohej edhe në përpjekjet e imponimit të diskursit zyrtar komunist shtetëror si burim i vetëm nga ku do të merrte formë dhe trajtë ligjërimi intelektual dhe kulturor deri në fillim të viteve të ’90-ta. Ky proces pa dyshim do të lë pasoja dhe implikime për identitetin dhe kulturën, duke prodhuar elita intelektuale dhe kulturore sipas projeksioneve ideologjike, vazhdimësia e të cilave për një periudhë pothuajse gjysmëshekullore do të ketë gjurmë edhe në kohën tonë. Për këtë qëllim do të shfrytëzohet diktatura e rreptë mbi aparatin shtetëror, duke përfshirë kontrollin e plotë ideologjik të arsimit, të cilin do ta vendosin në shërbim të ideologjisë, censurën e plotë, përndjekjen e elitës së mëhershme intelektuale, që ishte e papërshtatshme për projeksionet e konfigurimit të ri identitar të shqiptarëve, formimin e një elite të re intelektuale dhe kulturore të dirigjuar nga pushteti sipas frymës së real-socializmit, ndalimin e predikimit të fesë, etj. Komunizmi në Shqipëri, përveç imponimit të frymës së real-socializmit, e vazhdoi edhe diskursin e mëparshëm të “ikjes nga orienti” të elitës intelektuale të viteve ’20-ta dhe ’30-ta. Por, tani ky diskurs u shndërrua në një proces indoktrinues dhe të dhunshëm, i cili filloi të ndërtojë mite dhe narracione të reja historike, që nuk përmbanin ndonjë objektivitet shkencor, por edhe që sipas disa studiuesve nuk ishin mobilizuese dhe integruese për gjithë korpusin kombëtar shqiptar, duke i pasur parasysh tiparet kulturore të shumicës së popullit shqiptar. Për më tepër, ky diskurs do të prodhonte edhe një kompleks inferioriteti për përkatësinë ose trashëgiminë kulturore shqiptare, i cili më së miri mund të identifikohet në një segment identitar, siç janë emrat e njerëzve, gjegjësisht pati filluar procesi i vendosjes së emrave të rinj që nuk përmbanin ndonjë trashëgimi kulturore shqiptare. Këtë proces më së miri e ilustron një shembull i romanit të Ismail Kadaresë, i vitit 1981, me titull “Dosja H”, në të cilin autori emrin e personazhit Mukadez me përbuzje e quan oriental dhe e paraqet atë sikur ajo dëshiron që sa më parë ta ndryshojë emrin e saj dhe se, madje, ajo ka dëshirë që të gjithë ta thërrasin me emrin e saj të shkurtër ose përkëdhelës, Dezi, bile edhe ofendohet nëse dikush e thërret në emrin e plotë. Kjo qasje ka sjellë deri te konfrontimi i shtresimeve të ndryshme të identitetit shqiptar, e sidomos ka rezultuar me një ulje të mobilitetit kombëtar edhe ndalimi zyrtar i fesë, duke pasur parasysh se feja deri atëherë kishte lënë gjurmë të thella në kulturën dhe identitetin shqiptar. Me këtë masë është zbehur aspekti shpirtëror i identitetit të shqiptarëve dhe kjo ka hapur rrugë për depërtime të thella dhe të shpejta kulturore të huaja më vonë në fazën e liberalizimit të shoqërive shqiptare.

Edhe te shqiptarët e Jugosllavisë pushteti komunist e kishte luftuar elitën nacionaliste dhe konservatore shqiptare në mënyrë të egër dhe kishte bërë përpjekje për të krijuar një elitë të re shqiptare sipas nevojave ideologjike të pushtetit, e cila ishte në thelb antinacionaliste. Edhe kjo elitë e re, konformiste ndaj pushtetit komunist jugosllav, pas disa dekadash favorizimi nga pushteti, ngjashëm si ajo në Shqipëri, kishte arritur të infiltrohej në çdo segment institucional dhe të imponohej me narrativën e saj antinacionaliste dhe antifetare në institucionet akademike, në arsim, në institucionet kulturore, media etj.

Pushteti komunist, në të dy anët e kufirit, kishte aplikuar ndërmjet shqiptarëve terror ndaj çdo iniciative të çfarëdo lëvizjeje shoqërore që ishte në kundërshtim me parimet ideologjike dhe ky represion 45-vjeçar, si pasojë, kishte sjellë deri te një situatë që kur komunizmi pësoi kolaps në Europë, e me këtë edhe në Shqipëri dhe Jugosllavi, nuk kishte një elitë të etabluar me qëndrime opozitare. Andaj, edhe pas rrënimit të sistemit komunist, boshllëkun e krijuar e plotësuan elitat e formuara nga ideologjia komuniste ose fëmijët e tyre, që kishin gëzuar privilegje të mëdha sistemore, duke pasur qasje në pushtet, arsim, institucione, media etj. Kjo elitë e formuar nga komunizmi i shfrytëzoi këto privilegje për ta privatizuar kapitalin shoqëror dhe për ta pasur ndikimin e saj kyç ekonomik edhe në kushtet e kapitalizmit. Në këtë mënyrë, diskursin publik vazhdoi ta dominonte narrativa identitare dhe kulturore e elitave që kishin lidhje dhe formim intelektual e kulturor nga ish pushteti komunist, edhe pas rënies së komunizmit.

Periudha e demokracisë liberale i gjeti shqiptarët pa ndonjë projekt ose vizion të unifikuar kombëtar. Këtu sidomos duhet potencuar se, me fillimin e pluralizmit, vërehej mungesa ose dobësia e lëvizjeve shoqërore-politike e kulturore konservatore. Represioni i gjatë i komunizmit i kishte dobësuar deri në masën e, pothuajse, mosekzistencës çdo lëvizje me frymë konservatore. Andaj u desh të kalojnë disa vite që të fillojnë të etablohen iniciativat e para në këtë drejtim, por këto kishin një pengesë të madhe para tyre sa i përket mundësive të tyre – ajo ishte pozita fillestare shumë e ulët në krahasim me ish elitat komuniste, të cilat tanimë ishin adaptuar me rrymat ideologjike liberale e globaliste dhe kishin trashëguar e akumuluar kapital të madh shoqëror, politik e ekonomik. Këtë kapital e shfrytëzuan për ta dominuar skenën politike, si dhe e vazhduan diskursin antinacionalist me platformën e integrimeve.

Si pasojë e fatkeqësisë së Luftës së Parë Ballkanike, kur projekti kombëtar shqiptar pësoi një dështim nga i cili asnjëherë nuk e mori veten plotësisht, sot shqiptarët i kemi të ndarë në disa njësi politike-shtetërore, me elita të ndara në botëkuptimet për identitetin e shqiptarizmës. Në Republikën e Shqipërisë sot nacionalizmi ka marrë trajtë të nacionalizmit civil dhe elitat politike nuk kanë ndonjë projekt, vizion ose ambicie për bashkimin e territoreve jashtë Republikës së Shqipërisë të banuara me shqiptarë, por ata janë në kërkim të rregullimit dhe zhvillimit të shtetit. Në Republikën e Kosovës sot dominon diskursi i kosovocentrizmit dhe elitat atje janë të preokupuara parësisht me ndërtimin dhe pranimin ndërkombëtar të shtetit, kështu që projekti nacionalist për bashkimin më Republikën e Shqipërisë është lënë jashtë agjendave politike. Te shqiptarët e Maqedonisë ekziston varianti i nacionalizmit etnik dhe ata janë në kërkim të njësisë së tyre politike, ku do t’i plotësojnë dhe kultivojnë lirshëm identitetin dhe nevojat e tyre kombëtare. Përderisa shteti i Maqedonisë nuk ua mundëson këtë, atëherë ata – për ta plotësuar këtë ambicie – do të jenë në kërkim të bashkimit me shtetin shqiptar dhe, si pasojë, do të ekzistojë një antagonizëm permanent me shtetin dhe nacionalizmin maqedonas.

Gjykuar sipas projeksioneve të rilindësve, projekti i nacionalizmit shqiptar sot është i degraduar dhe nuk është aspak në agjendat e elitave politike shqiptare, të cilat alternativën e bashkimit kombëtar e shohin tek integrimet europiane. Kështu sot shqiptarët, pa një njësi të vetme politike dhe pa një qendër të shqiptarizmës dhe të nacionalizmit shqiptar, nuk mund t’u bëjnë ballë valëve të mëdha të globalizimit dhe kulturës globale. Do të kisha thënë që identiteti dhe kultura jonë po kalon nëpër një trajektore të lirë të udhëhequr nga frymat e kulturës globaliste, ndërsa në pajtim me studiuesin Misha Glenny do të kisha shtuar që sot identiteti i shqiptarit është edhe më i paqëndrueshëm se identitetet e tjera kombëtare ballkanike. Sepse, së paku në segmentin identitar i cili shprehet përmes emrave, kombet e tjera ballkanike kanë ruajtur një vazhdimësi kulturore. Për shembull, nëse në Serbinë e shek. 19-të ka qenë i zakonshëm emri Aleksandër, ai vazhdon të jetë i zakonshëm edhe sot. Po ashtu nëse në Bullgarinë e shek. 19-të ka qenë i zakonshëm emri Boris, ai vazhdon të jetë edhe sot. Dhe, më e rëndësishmja, ata nuk ndjehen të kompleksuar me këto emra, por përkundrazi ndjejnë krenari që mbajnë emrat e stërgjyshërve të tyre. E nëse emrat e pasqyrojnë një trashëgimi kulturore dhe përkatësi identitare, atëherë a është shqiptari i shek.  21 në kërkim të identitetit të ri apo në mungesë të një projekti të konsoliduar kombëtar ai në mënyrë të pavetëdijshme është vetëm një “nus produkt” i trendeve të reja kulturore globale!?

 

 

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X