loader image
December 3, 2024

Shkolla dikur dhe sot!

Shprehja “gjynah i shkreti, është i ndershëm” e shpjegon dështimin e shoqërisë sonë, si në aspektin arsimor, kulturor dhe religjioz. Hipokrizia në të gjitha fushat e jetës është më se e pranishme. Si pasojë e përmbysjes së vlerave në shoqëri, virtyti i kërkon falje vesit, dinjiteti interesit, i drejti të padrejtit, ndërsa i dijshmi i kërkon falje të padijshmit me diplomë. Analfabetizmi funksional është deviza e suksesit e ditëve tona.

Ardian LIMANI, Shkup

Për shekuj me radhë mendjet më të ndritura të popullit shqiptar punuan pa ndërprerje për zhvillimin e gjuhës e të shkrimit të saj, për librin e shkollën shqipe dhe e krijuan kulturën shqiptare, e cila ka dhënë e ka marrë me kulturat tjera. Përparimi material e shpirtëror i kombit shqiptar ishte i lidhur ngushtë me përhapjen e shkollës shqipe, me përhapjen e njohurive shkencore dhe të kulturës kombëtare. Kjo nevojë bëhej më e ngutshme dhe shihej si një domosdoshmëri historike, me të cilën ishte e lidhur edhe vetë ekzistenca dhe e ardhmja e kombit shqiptar.

Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, pjesa më e madhe e territorit të banuar me shqiptarë padrejtësisht mbeti jashtë shtetit të shpallur i pavarur. Duke mbetur në kuadër të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, e cila më pas emërohet si Mbretëria e Jugosllavisë, ku shqiptarët përveçse nuk njiheshin si popull i veçantë, ata nuk e kishin as të drejtën e gjuhës dhe shkollimit në gjuhën amtare. Kjo ishte shkëputje e dhunshme nga gjithë ajo përpjekje e bërë për gjuhë dhe shkollat shqipe përmes klubeve dhe kongreseve të zhvilluara pikërisht në këto treva.

Periudha mes dy luftërave botërore, për shqiptarët dhe shkollën shqipe, që mbetën jashtë kufijve të shtetit shqiptar, ishte si në mesjetë. Do të ishte Lufta e Dytë Botërore dhe ndryshimi i kufijve në Ballkan që do ta sjellë rilindjen arsimore. Gjatë kësaj periudhe ishte ministri i arsimit i qeverisë së Tiranës, Ernest Koliqi, i cili solli mësues nga Shqipëria në këto anë, siç quheshin atëherë “Tokat e lirume”. Ky ishte akti më i lartë patriotik e kombëtar që duhet t’i njihet Ernest Koliqit, sepse pikërisht këta mësues do ta ringjallnin shpirtin e shqiptarit, ndërsa më pas do ta mbanin gjallë gjuhën dhe frymën kombëtare edhe përgjatë periudhës së Jugosllavisë komuniste.

Edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, fati i shqiptarëve nuk ndryshoi. Përveçse vazhduam të mbeteshim të ndarë, kësaj iu shtua edhe mbyllja e dyerve me Shqipërinë. Por, ishin mësuesit e Ernest Koliqit, që kishin mbjell një fidanishte me mësues vendas, të cilët e vazhduan misionin e mësuesve të tyre, atë të kultivimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Gjatë periudhës së Jugosllavisë komuniste u themeluan “shkolla të mësuesisë”. Në Maqedoninë socialiste ishte Normalja e Shkupit, çerdhja nga ku dolën një plejadë mësuesish që arsimin, përveçse profesion, e kishin mision. Ishte kjo koha kur mësuesit gëzonin respektin e nxënësve dhe shoqërisë. Ata, me punën e tyre, shpeshherë edhe nën presionin e pushtetit, arritën ta kryejnë misionin e tyre. Kur Jugosllavisë po i dridheshin themelet, të parët që u akuzuan ishin mësuesit shqiptar, të cilët, përmes procesit të diferencimit, përjashtoheshin, sepse ishin më të guximshëm dhe më të hapur në ngritjen e krenarisë kombëtare, duke i pajisur nxënësit me dije dhe guxim.

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, në Kosovë mësuesit e vazhduan misionin në shkollat e sistemit paralel, që ishin krijuar pas suprimimit të dhunshëm të autonomisë së Kosovës. Ndërkaq, shqiptarët e Maqedonisë e vazhduan procesin edukativo-arsimor në kuadër të sistemit arsimor të Maqedonisë. Në fillimet e tij, sistemi arsimor në Maqedoni u orvat ta dëmtojë shkollën shqipe, duke e krijuar sistemin e ashtuquajtur “paralelet e përziera”, ku në një klasë me shumicë nxënësish shqiptarë do të futeshin disa nxënës maqedonas, me qëllim që mësimi të zhvillohej në gjuhën zyrtare të shtetit, atë maqedonase. Do të ishte kjo një tentativë e dështuar, pas qëndresës për ruajtjen e shkollave dhe arsimit në gjuhën shqipe, që vazhdonte të ishte mision kombëtar.

Me shpalljen e pavarësisë së Maqedonisë, shqiptarët pësuan edhe një ndarje, tani edhe me Kosovën, ku Universiteti i Prishtinës ishte fanari ndriçues për shqiptarët e Jugosllavisë. Të ndodhur në këto kushte, u ngrit iniciativa për themelimin e një universiteti shqiptar në Maqedoni, të cilin intelektualët shqiptarë e themeluan më 4 qershor 1994 në Tetovë. Këtij akti qytetërues të elitës intelektuale dhe politike shqiptare pushteti maqedonas iu përgjigj me dhunë policore, me ç’rast ra dëshmor Abdulselam Emini, gjaku i të cilit u bë dritë e diturisë në ngritjen e këtij universiteti.

Ishte kjo periudhë e vazhdimit të misioni kombëtar. Duke qenë i tillë, të gjithë e jepnin kontributin e tyre: si profesorët që vinin nga qytetet të ndryshme të Maqedonisë, por edhe nga Kosova dhe Shqipëria, si edhe studentët, që edhe pse pa kushte studimi, vinin si qëllim arritjen e suksesit.

Çfarë ndodhi më pas? Pse ky mision nuk mbeti as si profesion, por degradoi kaq keq, duke e dëmtuar rëndë të tashmen dhe duke vënë në pikëpyetje të ardhmen?

Politikat e gabuara arsimore dhe partizimi i kuadrit arsimor ka sjellë deri te degradimi i gjithë sistemit. Së pari, përgjegjëse janë institucionet arsimore, të cilat duke qenë nën ndikim të politikës, kanë lëshuar diploma për politikanët dhe familjarët e tyre, si dhe për anëtarët dhe simpatizuesit e partive me qëllim të zënies së pozitave të larta në administratën shtetërore. Ata që nuk e kanë pasur mbështetjen e nevojshme partiake për një pozicion më “dinjitoz” kanë “përfunduar” në arsim. Një pjesë e madhe e mësuesve vijnë nga një kontingjent i nxënëseve të dobët, të furnizuar me diploma mësuesie, të cilët punën e mësimdhënies nuk e kanë as mision e as profesion.

Kjo situatë ka sjellë në humbjen e respektit të mësuesit si nga ana e nxënësve, po ashtu edhe nga shoqëria. Degradimi i këtij misioni të shenjtë e fisnik nga politikanët e padijshëm ka sjellë një dëm të madh e me pasoja të rënda për shqiptarët dhe shoqërinë në përgjithësi.

Dikur në sistemin arsimor ka funksionuar trekëndëshi didaktik mësuesi – libri – nxënësi. Mësuesi ka pasur qëllime të qarta për realizimin e misionit të tij, libri ka qenë një material i siguruar, ndërsa nxënësit kanë pasur vullnet dhe motiv për nxënie të dijes. Tani, një pjesë e konsiderueshme e mësuesve kanë për qëllim t’u kalojë ora dhe në fund të muajit të marrin pagën e tyre si qëllim në vetvete. Librat nuk janë të siguruar nga sistemi, ndërsa nxënësit janë të interesuar për nota dhe nuk lodhen më për dije, për arsye se shembujt që ata i ndjekin janë nga përditshmëria, ku nuk vlerësohet dija, por afërsia me partinë. Sot jo që nuk vlerësohet i dijshmi e i drejti, por i pushtetshmi, qoftë ky edhe delirant.

Shprehja “gjynah i shkreti, është i ndershëm” e shpjegon dështimin e shoqërisë sonë, si në aspektin arsimor, kulturor dhe religjioz. Hipokrizia në të gjitha fushat e jetës është më se e pranishme. Si pasojë e përmbysjes së vlerave në shoqëri, virtyti i kërkon falje vesit, dinjiteti interesit, i drejti të padrejtit, ndërsa i dijshmi i kërkon falje të padijshmit me diplomë. Analfabetizmi funksional është deviza e suksesit e ditëve tona. Shkolla, si shtylla kryesore e mirëqenies së një shoqërie, e cila rrezatonte dije, kulturë, art, shkencë, sot po i pajis me diploma ata të cilët po ia vënë kazmën dijes, kulturës, artit e shkencës.

Prandaj na duhet një politikë e re gjithëkombëtare për arsimin, si arma e vetme me të cilën do të mund të luftohet çdo e keqe që po e gërryen këtë shoqëri. Duhet të rikthehet shkolla në misionin e saj fisnik, mësueseve t’u rikthehet dinjiteti, nxënësve t’u ofrohen libra dhe tekste shkollore, si dhe t’u hapet perspektiva përmes meritokracisë si rregull shoqëror.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X