E veçanta e “Shenjës” është se revista nuk botohet as në Tiranë, të ashtuquajturën kryeqendra e shqiptarëve, as në Prishtinë, kryeqyteti i cili së paku që nga viti 1981 ka qenë epiqendra e nacionalizmit shqiptar, por në kryeqytetin tjetër, Shkupin, ku shqiptarët kanë dominuar historikisht, por që sot ndjehen të mënjanuar.
Shkruan: Enis SULSTAROVA, Tiranë
Revistën “Shenja” e quaj revistën time, në të njëjtin kuptim sikurse më parë gazetën “Rimëkëmbja” e quaja timen. E përbashkëta e dy botimeve është se kanë pasur qëllimin që të jenë formuese të opinionit dhe të mendimit politik shqiptar. Më shumë e tillë ishte e përjavshmja “Rimëkëmbja”, e botuar nga Abdi Baleta, sepse zinte një vend të veçantë në shtypin që botohej në Shqipëri, por edhe më gjerë në shtypin shqiptar. Ajo i kishte vënë vetes detyrën që të përpunonte mendimin nacionalist shqiptar dhe të mësonte shqiptarët se si t’i qaseshin dukurive dhe ngjarjeve politike e shoqërore nga një këndvështrim nacionalist. Ndërsa pozicioni ideologjik i “Rimëkëmbjes” ishte i shpallur botërisht dhe mbeti i tillë për çdo numër të gazetës, revista “Shenja” ka synuar që të jetë më shumë një hapësirë kuvenduese mbi problemet shqiptare dhe të mos afishojë një qëndrim të caktuar ideologjik. Megjithatë, unë e kam konsideruar gjithnjë si një vazhdim i “Rimëkëmbjes” dhe jo vetëm, sepse njëri nga autorët e rregullt të revistës ishte Abdi Baleta. Nëse synimi formues i “Rimëkëmbjes” dallohej te përmbajtja e gazetës, që i përgjigjej motos të vënë në ballinë “Një atdhe, një komb, një shtet”, synimi formues i “Shenjës” qëndronte te vetë mediumi. Në ballinën e saj shkruhet “E përmuajshme mbarëkombëtare, politike, ekonomike dhe kulturore. Shqipëri, Kosovë, MV”. Së bashku me Marshall Mekluhënin [Marshall McLuhan], do të thoshnim se “mediumi është mesazhi”. Pra, edhe pse revista nuk shpallte ndonjë program të vetin në lidhje me çështjen shqiptare, madje edhe pse në faqet e saj është botuar opinioni se bashkimi i shqiptarëve në një shtet është i pamundur të realizohet, prapëseprapë vetë botimi i një reviste ku kanë shkruar rregullisht autorë nga pothuaj të gjitha trojet shqiptare dhe shpërndarja e saj në kryeqytetet Shkup, Tiranë, Prishtinë dhe në qytete të tjera shqiptare, janë formuese të realitetit mbarëkombëtar shqiptar. Për formimin e një bashkimi simbolik rreth kuvendit të “Shenjës” kam pranuar të shkruaj në të që nga numri zero. Leximi i çdo numri të saj ka qenë për mua përjetimi i publikes shqiptare si e tillë.
Efekti formues i “Shenjës” nuk ka ndalur vetëm te mediumi, sepse ai ka qenë edhe në brendinë e revistës. Ftesat e kryeredaktorëve Afrim Gashi, Latif Mustafa dhe Ismail Sinani drejtuar kontribuesve ka qenë për të shënjuar një ndodhi të rëndësishme të muajit që kishte rezonancë kombëtare, apo për të përkujtuar një ngjarje të historisë sonë. Numri zero, ai marsit 2011, i kushtohet Adem Jasharit (“Adem Jashari: Kurora e marseve shqiptare”), sikurse i kushtohet atij edhe numri i marsit 2026 (“Adem Jashari: Nga historia në përjetësi”). Shtet-formimi i Kosovës dhe çështja shqiptare në Maqedoninë e Veriut është trajtuar vazhdimisht në dritën e ngjarjeve (p.sh. “Shtetësia e Kosovës” në shkurt 2015; Kosova në kërkim të sovranitetit” në dhjetor 2022; “Barrikadimi i shtetësisë” në janar 2023; “Maqedonia në dioptrinë shqiptare” në mars 2024; “Bektashistani” në nëntor 2024). E tashmja dhe e ardhmja e kombit ka qenë vazhdimisht në fokusin e revistës (p.sh. “Marrëdhëniet ndërshqiptare” në dhjetor 2016; “Shqiptarët më 2025” në tetor 2018; “Udhëkryqet shqiptare” në gusht 2019; “Pranvera e vonuar shqiptare” në maj 2023; “Shqipëritë dhe shqiptarët” në prill 2024; “Me shqiptarët ç’do të bëhetë?” në mars 2025; “Moderniteti dhe shqiptarët” në qershor 2025). Qysh në vitin e parë të botimit nuk janë lënë jashtë vëmendjes periferitë shqiptare: “Çamëria: Çështje shqiptare” në gusht 2011; “Lugina e Preshevës: Kufiri i shqiptarisë” në dhjetor 2011. Tema të tjera që vihen re në ballinat e revistës: censuset dhe shpopullimi, demokracia dhe zgjedhjet, identiteti dhe nacionalizmi shqiptar, integrimi europian i Ballkanit Perëndimore, zhvillimet ndërkombëtare me theks te aktorët rajonalë dhe ata që kanë ndikim në Ballkan, si BE-ja, SHBA-ja, Turqia dhe Rusia, zhvillimi i mendimit intelektual dhe strategjik te shqiptarët etj.
Për sa i përket historisë dhe kulturës sonë, ajo ka qenë e pranishme në çdo numër përmes artikujve, botimit të dokumentave arkivore, intervistave dhe recensioneve. Në numra të veçantë janë trajtuar gjenocidet që kanë pësuar shqiptarët (p.sh. “Një shekull gjenocid” në janar 2022), periudha e komunizmit (p.sh. “Dekomunistizimi i kombit” në tetor 2022) dhe proceset demokratike. Kalendari kombëtar i shqiptarëve është përkujtuar me shkrime për shpalljen e pavarësisë së kombit, për pavarësinë e Republikës së Kosovës, për demonstratat e vitit 1981, për Lidhjen e Prizrenit, për çlirimin e Shkupit më 1912 etj. Ndër figurat kryesore historike që janë përkujtuar me numra të veçantë janë Skënderbeu i pashmangshëm, Hasan Prishtina, Sami Frashëri, Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Fan Noli, Adem Jashari, Ibrahim Rugova, Adem Demaçi, Ismail Kadare.
E veçanta tjetër e “Shenjës” është se revista nuk botohet as në Tiranë, të ashtuquajturën kryeqendra e shqiptarëve, as në Prishtinë, kryeqyteti i cili së paku që nga viti 1981 ka qenë epiqendra e nacionalizmit shqiptar, por në kryeqytetin tjetër, Shkupin, ku shqiptarët kanë dominuar historikisht, por që sot ndjehen të mënjanuar. Dëshira për të themeluar një kuvend mbarëkombëtar si “Shenja”, ndoshta ka ardhur edhe nga mendimi i përhapur mes shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut se statusi i tyre politik në këtë shtet është ende i paqartë dhe i pastabilizuar. Zgjidhje të qëndrueshme në shtete shumetnike janë autonomia ose federalizimi. Së parës shqiptarët i kanë qëndruar disi larg, sepse ajo nënkuptonte statusin e pakicës, ata nuk po synojnë ende të shkojnë te e dyta. Të dyja statuset kushtetuese nënkuptojnë zotërim pothuaj ekskluziv të territorit, gjë që u përjashtua a priori në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Maqedonasit me decentralizimin dhe me përdorimin zyrtar të gjuhës së njëzet për qind të popullsisë duket se e kanë pranuar marrëveshjen si një zgjidhje për çastin, jo si pranim të ndershëm të kombit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Maqedonasit e kanë ruajtur shtetin unitar për kombin maqedonas dhe kanë zënë një pozitë “shpresim e shohim” ndaj shqiptarëve. Këtu nuk është vendi për të shtjelluar çështjen shqiptare në Maqedoninë e Veriut, sepse ajo që dua të vërej është se “Shenja” lindi në periferinë gjeografike të kombit tonë, nga dëshira që Shkupi të jetë një qendër e tretë e përpunimit të mendimit politik shqiptar në shekullin tonë. Me punën e saj 15-vjeçare, redaksia e revistës e ka lënë shenjën e saj në Shkup dhe kudo ku janë shqiptarët, ndërsa në Prishtinë dhe Tiranë nuk kemi diçka të ngjashme me të.









