Nuk besoj se ka ndonjë institucion tjetër të kësaj periudhe, qoftë dhe akademi shkencash ose universitet, që të ketë pasur sukses të mbledhë në trajtime tematike periodike probleme me numër aq të madh intelektualësh dhe me nivel aq të lartë. Në këtë aspekt revista “Shenja” është një tribunë e mendimit intelektual shqiptar, në kuptimin e gjerë të fjalës. Emrat e gjithë atyre bashkëpunëtorëve besoj se do të regjistrohen në këtë numër tematikë, që të mbahen si kujtim dhe si referenca për nivelin e lartë të kësaj reviste.
Shkruan: Milazim Krasniqi, Prishtinë
Përvjetori i revistës “SHENJA” po më jep rast të kujtoj jo vetëm bashkëpunimin tim që nga fillimi me këtë revistë, po bashkëpunimin tim jetëgjatë me revista, që nga viti tashmë i largët, 1967, kur në një revistë të atëhershme kam botuar punimin e parë. Në mes të revistës “Pionieri”, e cila ishte e para revistë ku fillova të paraqitem si autor dhe revistës “Shenja”, e cila është revista e fundit ku unë kam pasur bashkëpunim të rregullt, qenkan bërë gati gjashtë decenie. Sado natyrash të ndryshme e në kohë të ndryshme, e përbashkëta e këtyre dy revistave dhe e shumë të tjerave me të cilat kam bashkëpunuar, është autorësia ime që më ka identifikuar me to. Në fakt, përveç autorësisë në shumë revista, në dy prej tyre kam qenë kryeredaktor, në revistën “Fjala” (1990-1995) dhe në revistën “Interesi Nacional” (2000-2002.) Në revistën “Fjala” kam pasë privilegjin të drejtoj një proces të fortë të dekomunistizimit të medies dhe të promovimit të pluralizmit e të shtypit pa censurë, ndonëse në kushtet e okupimit klasik të Kosovës. Ndërsa në revistën “Interesi Nacional” kam pasur po ashtu privilegjin të kontibuoja në skicimin e një rruge të re të medies në Kosovën e çliruar, por e cila tashmë po hynte në një proces të ri të neokolonializmit medial.
Përvoja ime e gjatë në medie u begatua edhe me punën si mësimdhënës universitar në Universitetin e Prishtinës, në Departamentin e Gazetarisë (2005-2020.) Njëra nga lëndët që kam ligjëruar, përfshinte edhe gazetarinë e revistave, me specifikat që ka kjo lloj gazetarie. Brenda kësaj përvoje ka qenë pastaj edhe bashkëpunimi kaq jetëgjatë me revistën “Shenja”, ku faktikisht kam investuar gjithë përvojën time publicistike dhe akademike. Revista “Shenja” ishte rast ideal për këtë punë, ngase që nga fillimi botuesit dhe redaksia e kishin konceptuar si revistë elitare dhe me orientime qartësisht kombëtariste. Nuk e di a kam shkruar nga numri i parë a diçka më vonë, nuk e di në sa numra mund të kemë munguar si autor, por nëse ka ndodhë mungesë, ka qenë ose për ndonjë gjendje shëndetësore ose për ndonjë udhëtim. Disi e kam pasur që nga fillimi i bashkëpunimit idenë që të mos mungoj në numrat e kësaj reviste. Nga 180 numrat e saj, në shumicën absolute me siguri që jam prezentuar si autor. Prandaj gjej rastin t’i falënderoj drejtuesit e saj për trajtimin si autor pothuajse të privilegjuar që më kanë dhënë që nga fillimi i këtij bashkëpunimi e deri sot. Që të jem korrekt deri në fund, pa atë trajtim, me siguri që ai bashkëpunim nuk do të ishte kështu jetëgjatë, sespe as unë si autor nuk jam imun ndaj hatërmbetjeve.
Si rezultat i teksteve të botuara në këtë revistë, janë edhe dy libra të mitë autorialë, “Krimet e vjetra dhe marëzitë e reja”, të cilin redaksia e ka përgatitë dhe botuar vetë, si dhe libri “A do të rehabilitohen shqiptarët”, të cilin e ka botuar “Logos A”, por tekstet janë ekskluzivisht ato që janë botuar te revista “Shenja.” Shpresoj se këta dy libra me tekste analitike nga realiteti politik, kulturor e kombëtar do ta vazhdojnë komunikimin me lexuesin edhe përtej faqeve të revistës, ku kanë pasur publikimin premierë.
Në të vërtetë, me aq sa është bërë e njohur nga opinionet e vlerësimet, disa nga analizat që i kam shkruar gjithnjë ekskluzivisht për këtë reviste, kanë qenë referencë për formësimin e ideve dhe mendimit politik të disa nga politikanëve më me ndikim në hapësirën shqiptare. Njëri prej tyre, që sot është nga figurat qendrore të politikës, më ka thënë në një rast se ato tekste i shumëzonte dhe ua shpërndante anëtarëve të udhëheqjes së partisë, për të krijuar opinione lidhur me ato tema. Ndikimi në formimin e opinionit publik e politik është njëri nga synimet kryesore që ka një autor, prandaj nëse ky synim përmbushet, autori ka të drejtë të jetë i kënaqur dhe të ndihet i nderuar.
Revista “Shenja”, me nivelin e saj të lartë, që nga përgatitja grafike e deri te politika editoriale, e ka mundësuar atë përmbushje për secilin nga bashkëpunëtoirtë e saj. Edhe kur ka pasur krizë financiare, revista nuk e ka ulur nivelin e përgatitjes e as të trajtimit me seriozitet të temave të rëndësishme politike e kombëtare.
Kur shikohet nga kjo distancë lista e bashkëpunëtorëve të revistës për këto pesëmbëdhjetë vite, bëhet e qartë se ka arritur të tubojë disa nga personalitetet dhe intelektualët më kulminantë e më autentikë të botës shqiptare. Nuk besoj se ka ndonjë institucion tjetër të kësaj periudhe, qoftë dhe akademi shkencash ose universitet, që të ketë pasur sukses të mbledhë në trajtime tematike periodike probleme me numër aq të madh intelektualësh dhe me nivel aq të lartë. Në këtë aspekt revista “Shenja” është një tribunë e mendimit intelektual shqiptar, në kuptimin e gjerë të fjalës. Emrat e gjithë atyre bashkëpunëtorëve besoj se do të regjistrohen në këtë numër tematik, që të mbahen si kujtim dhe si referenca për nivelin e lartë të kësaj reviste. (Me shumë dëshirë do t’i përmendja vetë të gjithë, po nuk e kam regjistrin.)
Nga kjo perspektivë, njëqind e tetëdhjetë numra të revistës paraqesin një memorie të vlefshme të mendimit shqiptar në këtë çerekshekull të shekullit XXI. Ne sot mburremi me të drejtë me revista të trashëgimisë shqiptare, që nga “I foni tis Alvanias”(1879-1880), “Fiamuri i Arbrit”, Pellazgu”, 1879- 1880),“La bandiera dell’ Albania” (“Fiamuri Arbnit”1883 – 1887), “Drita” (Dituria, 1884-1885), “La nazione Albanese” (Kombi shqiptar, 1897- 1924), “Albania 1897-1903”, “Yll’ i Shkijpërisë, 1898-1899”, “Drita”,1901-1908, “Besa,1904-1905”, ”Lahut’ e malcis, 1909”, “Shqiptari- Arnavud, 1909 ”, “Drita, 1911-1912”, “Koha”, 1911-1926” etj. Pa dyshim që revista si “Fjala” që kam përmendë më herët e edhe “Shenja”, janë vazhdimësi e asaj trashëgime të rëndësishme të publicistikës shqiptare. Ndër ne është një klishe sipas të cilës në formimin e kombit shqiptar ka pasur ndikimin vendimtar letërsia, por kur e shikon realisht, ndikimi më i madh ka qenë i shtypit sesa i letërsisë. Edhe në kohën tonë ndikimi i medies është shumë më i madh sesa i letërsisë e filozofisë, fjala vjen.
Për fund gjej rastin të falënderoj ish kryeredaktorin Latif Mustafa dhe, sidomos, kryeredaktorin Ismail Sinani, për një komunikim e bashkëpunim shumë vëllazëror. Jam i bindur se pa kulturën e tyre të komunikimit, ky bashkëpunim nuk do të ishte kaq jetëgjatë e kaq frytëdhënës. Në atë rast unë do të isha humbës si autor, sepse realisht sintezën e punës sime publicistike e kam arritur pikërisht në këtë revistë.
Po e mbyll këtë shënim me urimet më të mira për botuesin, redaksinë e revistën, me fjalën më të sinqertë: ju faleminderit!









