loader image
April 6, 2026

Shenja: Prej këtu, ku?

“Shenja” ka treguar ndërtimin e një rrjeti transnacional kontribuesish, nga trevat shqiptare në Ballkan dhe nga diaspora, pjesëmarrje e cila e pasuron ekosistemin intelektual, duke e forcuar njëkohësisht identitetin e përbashkët përtej kufijve gjeografikë.

Besnik SINANI, Tiranë

Vepra madhore e Benedict Anderson, Imagined Communities, e vendos origjinën e nacionalizmit modern jo thjesht në institucionet politike, por në shfaqjen e formave të përbashkëta kulturore – veçanërisht në median e shtypit publik. Anderson-i argumenton se kombet janë “bashkësi të imagjinuara”, sepse anëtarët e tyre nuk do ta njohin kurrë personalisht shumicën e bashkëkombësve, por megjithatë e përfytyrojnë veten si pjesë e një kolektivi të përbashkët. Mekanizmi kryesor që e bëri të mundur këtë përfytyrim ishte media: prodhimi masiv i librave, gazetave dhe revistave në gjuhën vendase. Këto media krijuan një formë të re të përjetimit të kohës. Individë që lexonin të njëjtën gazetë në të njëjtin mëngjes, në hapësira të ndryshme gjeografike, filluan ta përjetonin veten si pjesë e një horizonti të përbashkët kohor dhe kulturor. Në këtë kuptim, gazeta nuk ishte thjesht një burim informacioni, por një ritual i përditshëm, përmes të cilit kombi formësohej në imagjinatën kolektive.

Kjo analizë e thekson rëndësinë e vazhdueshme të revistave dhe gazetave kombëtare si hapësira të kohezionit kulturor dhe vazhdimësisë intelektuale të vetë bashkësisë kombëtare. Këto platforma strukturojnë ligjërimin, përcaktojnë prioritete intelektuale dhe kultivojnë një gjuhë të përbashkët, përmes së cilës një shoqëri e interpreton vetveten. Ato shërbejnë si depo të kujtesës kolektive, si hapësira debati dhe si mekanizma për transmetimin e vlerave tek brezat pasues. Në kontekste ku identiteti kombëtar mbetet i diskutueshëm, në zhvillim ose i ndërprerë historikisht, siç ndodh shpesh në shoqëri më të vogla, këto botime marrin një rol edhe më të rëndësishëm. Ato krijojnë infrastrukturën përmes së cilës një bashkësi kombëtare e rrëfen të kaluarën, e debaton të tashmen dhe e projekton të ardhmen.

Revista “Shenja” është mirëfilli një platformë e tillë, mision që ajo e realizon gjithashtu nëpërmjet shtrirjes gjeografike të fokusit të vet tematik dhe pozicionalitetit të kontribuesve. Lajmi i keq është se ka shumë pak paltforma të tilla shqiptare, që është një tregues edhe i krizës globale të mediave tradicionale. Por, kjo, në të njëjtën kohë, e amplifikon rëndësinë e “Shenjës” në një kohë kur, pas dështimit të iluzionit të rrafshimit të identiteve partikulare nën dehjen e globalizmit, popuj të vegjël, si ai shqiptar, gjenden të papërgatitur për t’iu përgjigjur kësaj sfide të re të riafirmimit të sinoreve identitare.

Mungesa e këtyre forumeve sjell pasoja të thella dhe afatgjata. Pa platforma të qëndrueshme për diskurs të brendshëm, kultura kombëtare rrezikon të fragmentohet në narrativa lokale, diasporike ose të ndërmjetësuara nga jashtë. Ndoshta kjo e fundit është forma më dominuese në ligjërimin bashkëkohor shqiptar. Prodhimi intelektual bëhet i varur nga gjuhë, institucione dhe prioritete të huaja, duke sjellë një erozion gradual të sovranitetit konceptual. Mungesa e një ekosistemi të fortë botimesh kombëtare mund të çojë në një situatë ku një shoqëri konsumon interpretime për veten e saj, në vend që t’i prodhojë ato. Me kalimin e kohës, kjo e dobëson jo vetëm vetëbesimin kulturor, por edhe kapacitetin për mendim të pavarur dhe zhvillim institucional.

Në të njëjtën kohë, transformimi i mediave në epokën digjitale paraqet sfida dhe rreziqe për modelin klasik të kulturës kombëtare të bazuar në shtyp. Rënia e rolit të shtypshkronjës si medium kryesor i shkëmbimit intelektual është shoqëruar me ngritjen e platformave digjitale të fragmentuara, përmbajtjeve të drejtuara nga algoritmet dhe rrjedhave transnacionale të informacionit. Ndërsa këto zhvillime e kanë demokratizuar aksesin në informacion, ato kanë i destabilizuar edhe kushtet që dikur e mbanin të bashkuar një diskurs kombëtar koherent. “Publiku lexues” i përbashkët që përshkruante Anderson-i po zëvendësohet gjithnjë e më shumë nga audienca të shpërndara që konsumojnë përmbajtje të individualizuara. Kjo rrezikon ta shpërbëjë hapësirën e përbashkët intelektuale që është thelbësore për formimin e një imagjinate kolektive kombëtare.

“Shenja” dukshëm ka përqafuar strategji që kërkojnë t’u përgjigjen këtyre sfidave, në përpjekjen që të kombinojnë seriozitet institucional me përshtatshmëri teknologjike. Së pari, dukshëm ka treguar përpjekjen e ruajtjes së një standardi të lartë redaktorial dhe thellësi intelektuale, në mënyrë që ky botim të mbetet hapësirë autoritative e një mendimi serioz bashkëkohor. Së dyti, ka adoptuar një model hibrid, që kombinon botimin cilësor në shtyp me platformë digjitale, e cila, në realitet, mund të diversifikohet dhe pasurohet më tej, në mënyrë që të zgjerohet shtrirja pa humbur koherencën. Së treti, dukshëm “Shenja” ka treguar ndërtimin e një rrjeti transnacional kontribuesish, nga trevat shqiptare në Ballkan dhe nga diaspora, një pjesëmarrje e cila e pasuron ekosistemin intelektual, duke e forcuar njëkohësisht identitetin e përbashkët përtej kufijve gjeografikë. Së katërti, fushë ku “Shenja” mund të bëjë edhe më shumë, ka ngritur urat që do mundësonin partneritetin me institucione kulturore që mund të integrojnë “Shenjën” në struktura më të gjera të prodhimit të dijes, duke siguruar vazhdimësi dhe relevancë.

Në një kohë transformimesh madhore të mediatizimit të mendimit dhe të imagjinatës sonë kolektive, cilat janë hapat e tjerë që mund të marrë “Shenja” në realizimin e këtij funksioni kombëtar? Nuk jam ndjerë përherë komod me strukturën e “Shenjës”, e cila u kërkon kontribuesve të reflektojnë në artikujt e tyre rreth një zhvillimi, fenomeni ose figure të përbashkët. Kjo mund të duket nganjëherë si limituese në një kohë kur një autor do të dëshironte, fjala vjen, të adresonte ngjarje ose zhvillime të tjera që po ndodhin në një moment të caktuar kohor. Por, në anën tjetër, kjo strukturë ka krijuar mundësinë e një komunikimi mes autorëve në qasjet e ndryshme ndaj së njëjtës teme dhe – mund të themi – ka imponuar një lloj dialogu në një kohë kur forma të tilla dialogu kombëtar janë ndoshta më të nevojshme. Pikërisht mbi këtë model mediatik antologjik, “Shenja” ka mundësinë që mbi projektin e një reviste kombëtare të ngrejë e të rritet drejt një qendre të mendimit kombëtar, një think tank. Ajo ka krijuar strukturën, rrjetin e burimeve njerëzore dhe, ndoshta mbi të gjitha, jetëgjatësinë që nxit konfidencën për një ndërmarrje të tillë.

Me urimet më të përzemërta për ekipin editorial të “Shenjës”, dua të përfytyroj që përvjetori i ardhshëm do mund të shënohet në Shkup në një samit të mendimit bashkëkohor kombëtar të shqiptarëve. “Shenja” e ka fituar mirëbesimin për të shërbyer si një Odë e tillë kombëtare.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X