loader image
April 10, 2026

“Shenja”, një urë për kulturën dhe debatin mbarëkombëtar

Revista “Shenja”, prej 15 vitesh, tërheq me gjithë forcën e saj shumë prej penave në të gjitha trevat shqiptare që vijojnë ta besojnë se njeriu është qenie kulturore dhe se asnjë bashkim nuk mund të ndodhë në një komb nëse nuk niset nga kultura, nëse nuk debaton për atë që na bashkon kulturalisht. 

Agim BAÇI, Tiranë  

Filozofi dhe ekonomisti Daniel Etounga-Manguelle, në një debat të fortë në Harvard mbi gjeografinë dhe kulturën dhe institucionet dhe kulturën, në prill të vitit 1999, thoshte: “Kultura është nëna, ndërsa institucionet janë fëmijët”. Në fakt, debati i tij duket se thjesht rikthente vëmendjen e asaj që kishte nënvizuar shumë kohë më parë filozofi politik francez, Alexis de Tocqueville-i, i cili në librin e tij “Demokracia në Amerikë” konkludonte se ajo që e bëri sistemin politik të Amerikës të funksionojë ishte kultura që shkonte në përshtatje me vlerat e demokracisë. Edhe sociologu Max Weber e shpjegonte lindjen e kapitalizmit si një dukuri në thelb kulturore, e rrënjosur në fe.  

Revista “Shenja”, prej 15 vitesh, tërheq me gjithë forcën e saj shumë prej penave në të gjitha trevat shqiptare që vijojnë ta besojnë se njeriu është qenie kulturore dhe se asnjë bashkim nuk mund të ndodhë në një komb nëse nuk niset nga kultura, nëse nuk debaton për atë që na bashkon kulturalisht. 

Lufta e Kosovës përballë serbëve dhe sfida për ta mbrojtur Lirinë e Kosovës, beteja për dinjitet dhe përfaqësim për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ose sfidat e Tiranës zyrtare dhe kulturore, kanë ardhur përmes këndvështrimeve të ndryshme, duke e bërë revistën një dritare nga ku shumëkush që ka bashkudhëtuar, si bashkëpunëtor ose lexues, të shohë fort edhe nga “tjetri përballë”.  

Natyrisht, “Shenja” nuk i është fshehur ballafaqimit të fortë të sotëm për një përpjekje që ka shoqëria botërore për relativizimin kulturor, për dërgimin në periferi të kulturës së bashku me besimin në Zot, pasi kultura dhe besimi së bashku kanë vijuar të jenë, ndoshta, të vetmet pengesa reale që njeriu të mos humbë lidhjen me të përhershmen. 

Por, a është sot kultura në shoqëritë tona një garanci që demokracia të mos jetë thjesht në letër, ndërkohë që komunikimi politik me qytetarët të jetë autoritarist ose një kopje e regjimeve totalitare? A mundet që “Tjetri” në shoqëritë tona të jetë më shumë urë sesa një mur i pakapërcyeshëm? 

Revista “Shenja” ka ofruar një parakalim të këndvështrimeve mbi atë që ndodh në shoqëritë tona, në Tiranë, Prishtinë apo Shkup, duke u kthyer ndoshta në një nga modelet më ballafaques të asaj që i bën shqiptarët së bashku. Dhe, përbashkimi i një debati, përshkrimi ose ideimi i asaj që ndodh në të gjitha trevat shqipfolëse është si ajo fija e padukshme që thur diçka të ngrohtë për atë që u nevojitet shoqërive tona. 

Gjithkush mund të pyesë – a mund ta ndërtojë kulturalisht një shoqëri vetëm një revistë, vetëm disa emisione, vetëm disa njerëz? Ajo që kanë përçuar organizatorët e këtij mediumi dhe editori Sinani, nuk është asnjë fluturim në vetëbësimin e patundur se revista do mundet të bëjë gjithë shoqërinë shqiptare të mendojë njëlloj e as do mundet e vetme të pengojë një ekspansion të relativizimit kulturor më të cilët përballet shoqëria. Por, çdo hap është një shpresë se gjithkush nga ne mund të bëjë diçka, nëse nuk do bie në prehrin e konformizmit.  

Dhe,Shenja”, si një revistë mbarëshqiptare, prej vitesh ka qenë një ftesë e hapur për ata që besojnë se ta kërkosh të vërtetën është një mision, është një amanet. Ndaj, në këtë numër të 180-të, mes shumë e shumë temave, gjithkush mund të gjejë se si përmes kulturës, politikës, filozofisë, eseve, mund t’i themi me zë të lartë shqetësimet, atë që vijon të na ngatërrohet në përditshmërinë tonë, duke na lënë ende me kufij të padukshëm. 

Duke besuar se një revistë mendimi është një dritare, është një ftesë, është një bashkëbisedim, unë besoj se “Shenja” ka mundur të ndërtojë gjer më sot një traditë të rëndësishme të debatit mbarëshqiptar.  

… Antropologët, prej kohësh, në debate ndërkombëtare, e kanë ngritur shqetësimin se bota po kërkon të zhbëjë urat me të përhershmen, me atë që e thërret njeriun në udhën me takimin me atë që ka mundur ta ruajë Njeriun. “Shenja” ka mundur ta pasqyrojë këtë shqetësim të antropologëve dhe sociologëve.  

Duke mos iu fshehur asaj që është gjithnjë përballë për ta penguar, zvogëluar ose zhbërë atë që u duhet shqiptarëve ta mbrojnë dhe debatojnë, ne si bashkëpunëtorë mbetet veç ta urojmë këtë medium të rëndësishëm mbarëkombëtar – udhëtoftë gjatë dhe me sa më shumë lexues!.  

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X