“Shenja” për ne është një ekol, një katedër alternative në shumë sfera, nga gazetaria serioze, sociologjia, filozofia, politologjia, marrëdhëniet ndërkombëtare, historia, antropologjia, letërsia, gjuhësia e të tjera. Për ne, çdo shkrim ka qenë një vetësfidim. Herë shkruar me lehtësi, herë duke “lodhur” veten, gjithnjë duke u vetëkultivuar. Jemi pjekur bashkë me “Shenjën”, këtë gurrë të dijetarisë publike si antipod i llafazanërisë së byfeve që sociologjikisht mendohet se është mindset-i ynë.
Ali PAJAZITI, Shkup
00. Ky ishte numri simbolik-eksperimental i “Shenjës” së 2011-tës, pika fillestare e një (dis)kursi që për pesëmbëdhjetë vite të plota na ka mbajtur të lidhur me leximin, kreacionin-artin shkrimor dhe me auditorin lexues. Revista “Shenja”, nga një ekip i vogël plot vetëbesim, arriti të konsolidohet në organin më serioz të eseizmit ose publicistikës kulmore, madje edhe të artikujve shkencorë, ku herë e kemi gjetur veten e herë e kemi kapërcyer numrin pa shkruar, gjithnjë duke ndjekur frymën dhe tematikat e trajtuara me kompetencë të penave të afirmuara vendore, gjithëshqiptare, ballkanike dhe përtej. Shkrime analitike, kritika, ese, intervista, recensione, të gjitha dedikuar lexuesit të zgjedhur.
“Shenja” për ne është një ekol, një katedër alternative në shumë sfera, nga gazetaria serioze, sociologjia, filozofia, politologjia, marrëdhëniet ndërkombëtare, historia, antropologjia, letërsia, gjuhësia e të tjera. Për ne, çdo shkrim ka qenë një vetësfidim. Herë shkruar me lehtësi, herë duke “lodhur” veten, gjithnjë duke u vetëkultivuar. Jemi pjekur bashkë me “Shenjën”, këtë gurrë të dijetarisë publike si antipod i llafazanërisë së byfeve që sociologjikisht mendohet se është mindset-i ynë. Steka tanimë është ngritur tepër lart dhe çdokush që dëshiron të bëjë një projekt të kësaj natyre duhet të mendohet mirë, ta bëjë llogarinë se agora e lexonjësit shqiptar ka shije dhe kërkesë të rafinuar.
Për 180 muaj, shqiptari gjithandej, përmes një mediumi të përmuajshëm, ka pasur mundësinë të kalojë përtej sipërfaqësisë dhe monotonisë post-moderne, përtej postimeve nëpër rrjetet sociale ku në të shumtën e rasteve flasin emocionet dhe instinkti përpara arsyes, racios, bontonit dhe kulturalitetit. Shkolla jokonvencionale e kësaj reviste ka ngërthyer lexime dhe interpretime të zeitgeist-it, të frymës dhe fenomeneve të kohës turbulente të fillimshekullit, që disa “profetë” e cilësojnë si para-apokaliptik.
S’ka kënaqësi më të madhe se të jesh pjesë e familjes së autorëve të “Shenjës” që do t’i stolisë sirtaret dhe hapësirën virtuale për jetë e mot. Çdo shkronjë e hedhur në letër dhe në word është një trashëgimi, sepse pasqyron guximin për ta thënë hapur atë që mendon, që për fat të keq shumë intelektualë s’e kanë. Besojmë fuqishëm se në të ardhmen, nga përafërsisht 21.600 faqet e këtiij periodiku, do të shkruhen teza të shumta masteri e doktorate për tema që prekin subjekte relevante të trajtuara nga këndvështrime të ndryshme. Disa prej fjalëve kyç të temave që ne kemi trajtuar janë si vijon: grafitti subkultura, djathtizmat, Srebrenica, “Europa tjetër”, etno-urbanizimi, “Shkupi 2014”, metapolitika, fekombi, “Big Brother” kundërkultura, shpërngulja e trurit, teoria e injorancës, alkimia e udhëheqjes, “flluskë konvertimet”, tango me Hekatonin, Rugova, Izetbegoviq, R2P, kriticizmi social, politika post-sekulare, feja online dhe ekstremizmi, euro-islamofobia, Pax Americana…
E di që do ketë edhe të tillë që do thonë se qerthulli ka qenë i mbyllur, se aty kanë gravituar ndjekësit e një botëkuptimi të caktuar, se… se…, por e vërteta është se platforma ose agora ka qenë e hapur dhe ka mundur ta thotë të veten çdokush që ka ndier se mund të futet në këtë garë mendimi dhe hermeneutike intelektuale. Ndoshta jo gjithherë ka pasur mendim origjinal, por gjithherë ka pasur tekst që të ka arratisur nga ordinariteti, që në mënyrë të tërthortë të ka bartur në një kozmos tjetër, në një narrativ dhe formë interpretimi që valëzon mendjen.
Satisfaksioni më i madh për ne individualisht është që kemi arritur të motivojmë edhe disa autorë të rinj, ish-studentë tanë, që tani notojnë individualisht në botën akademike dhe publicistike, me sukses dhe plot kompetencë. Çdoherë kur shikonim faqen e parë, emrat e shkronjësve në numrin gjegjës, na kaplonte një ndjenjë kënaqësie të paparë, ngase konstatonim se përpjekja jonë teorike (ligjërimi) ka dhënë rezultatet e veta. Ndërmarrja e “rekrutimit akademik” është edhe kënaqësi edhe sprovë; suksesi nuk matet me kuantumin e diplomuarve, por me atë të suksesshmëve dhe shembullorëve në jetën praktike, ndërsa kulmi është kur i gjen krah me veten në kontinuumin shkencor dhe kulturor. Çfarë na vjen keq: që personalisht përkundër përpjekjeve (mesazheve dhe telefonatave) s’kemi arritur t’i bindim disa aktorë shumë të mirë në spektrumin akademik që mendimet e veta t’i shprehim edhe në formë të shkrimit, që kanë hezituar të vetëshprehen në këtë tribunë publike, në këtë “Locus amoenus”, vend të këndshëm, kopsht ideal të pasqyrimit të mendimit individual të lirë.
SHENJA ka lënë shenja të pashlyeshme, mermerike… mesazhe të fuqishme. Lajmin për pushimin e saj e morëm me mallëngjim e dëshpërim, sikur mbetëm pa një gjymtyrë. Sidoqoftë, si çdo krijesë edhe ajo ka fundin e vet. Neve na bie të themi: “Faleminderit ‘Shenja’ për mundësinë që ta ruajmë kondicionin analitiko-narrativ. 180 muaj që janë pjesë qeniesimit tonë dhe të shpërblimit “Publikimi Akademik i vitit 2016” (ALBSA & AIS). Pa ty do ishim shumë ‘më të varfër intelektualisht’.”
Dëshira finale lidhur me këtë “kauzë”: t’i kem të gjithë numrat sipas viteve të bashkëngjitura në 15 vëllime. Respekt për arkitektët e dukshëm dhe të padukshëm, për stafin menaxherial dhe mecenat e “Shenjës”, maratonomakë të vërtetë, që kanë pasur motivin për të jetësuar dhe durimin për të realizuar një projekt kaq të madh kombëtar. Nderime të pafundme për kolegët shenjues në “Shenjë”! Zoti ju bekoftë!
Me shpresë që të takohemi në projekte të tjera të këtij kalibri dhe sipër.









