loader image
April 13, 2026

Shenja e Shenjës

Shenja lulëzoi në kohën kur fjalët gdhendeshin e shkruheshin pa botoksin e inteligjencës artificiale, pikërisht në kapërcyellin e epokës së autorësisë demokratike dhe pluraliste, ku secili autor kishte origjinalitetin e vet, stilin dhe huqet e veta, por që ishin pothuajse të papërsëritshme nga të tjerët. Me adventin e mendimit artificial, autorësia thjesht u centralizua dhe një shndërrim epokal natyrshëm që do të duhej të kundrohej e me të cilin do të duhej përballë.  

Ardian MUHAJ, Tiranë   

Ka plot aspekte të Shenjës që mund të vihen në dukje si arritje ose si përmbushje, por ajo më e para që më vjen ndër mend është një lloj “liberalizimi i vizave” të mendimit intelektual shqiptar.  Madje, mund të them se ia ka dalë me i heqë tërësisht vizat dhe me kriju nji hapësirë të lirë, të lirshme e të pandashme të mendimit. Shenja ia ka dalë që në vitet e saj të kthehet në një institucion të mendimit, të dijes e të vetëdijes intelektuale shqiptare. Merita e saj nuk qëndron vetëm në publikimin e artikujve cilësorë përplot me ide të thella e të mirëndërtuara, por në krijimin e një kulture të re komunikimi intelektual. 

Më shumë se sa si tribunë mendimi, ka qenë forum i mendimit më të lartë intelektual në këto troje, kjo atëherë kur hapësira shqiptare e mendjes dhe e mendimit kishte më shumë nevojë se kurdo për thellësinë e mendimit të pasqyruar përmes mjeshtërisë së fjalës. Bëhet fjalë për kohën kur mbështjellja e mendimit të vyer me fjalë të bukura e me fjalët e duhura ishte mjeshtëri artizanale. Secili autor duhej t’i gdhendte vetë mendimet fjalë pas fjale, rresht pas rreshti e paragraf pas paragrafi. Bëhet fjalë për epokën e mendimit dhe shkrimit jonatyral, as bio, por thjesht njerëzor. Akoma nuk kishte mbërritur epoka e mendimit pragmatik, e industrializimit dhe automatizimit të shkrimit. Shenja lulëzoi në kohën kur fjalët gdhendeshin e shkruheshin pa botoksin e inteligjencës artificiale, pikërisht në kapërcyellin e epokës së autorësisë demokratike dhe pluraliste, ku secili autor kishte origjinalitetin e vet, stilin dhe huqet e veta, por që ishin pothuajse të papërsëritshme nga të tjerët. Me adventin e mendimit artificial, autorësia thjesht u centralizua dhe një shndërrim epokal natyrshëm që do të duhej të kundrohej e me të cilin do të duhej përballë. 

Shenja e Shenjës, megjithatë, mbetet si farë e kultivarëve të mendimit autokton ose hibridë, por gjithsesi bio dhe kjo farë pa dyshim që mban vlera të shumta ushqyese për mendimin intelektual mbarëshqiptar. Vetë emërtimi i revistës duket se e kishte mirëmbrojtur idenë e konceptin e saj nga pretendimet e ekzagjeruara, duke e ruajtur brenda modestisë së nji shenje, në formë të gjurmës ose dëshmisë së mendimtarisë shqiptare.  

Në historinë e tribunave intelektuale e mediatike shqiptare ato që mund të përshkruhen si panshqiptare janë shumë të rralla. Shenja është një prej tyre dhe një prej më të shquarave në këtë listë të kufizuar. Shenja mund të mos vazhdojë, mund të transformohet, mund të pushojë për pak kohë ose për shumë e përfundimisht, por shenja e saj ka me mbetë për shumë kohë. Bash për këtë fryma e Shenjës shpresoj të mos lihet margjinave të kohës, por të jetë puhizë që pllenon projekte, ide e koncepte të reja, me një shenjë nga Shenja si vulë e vërtetësisë, origjinalitetit, prodhimtarisë e vazhdimësisë së mendimtarisë shqiptare. 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X