Në këtë epokë, kur thuajse asgjë nuk është me të vërtetën, për ditë të tëra, ku stresi, koha e kufizuar dhe presionet sociale janë të shumta dhe kur të gjithë jemi nën atë shenjë, komunikimi duhet të bëhet më thelbësor sesa është, jo vetëm në bashkëshortësi, por edhe në familje. Nëse buzëqeshja dhe mirësia janë kaq të rëndësishme në botën e biznesit, atëherë ato janë edhe më të nevojshme edhe tek bashkëshortët dhe te familja.
Driton DEMIRI, Gostivar
Po shihja një ëndërr. Gjendesha në zonën Goldilocks[i]. Po haja kripë. Kripë nga një det i kuq. Dhe, më pas lëpiva gishtërinjtë e kripur.
Isha kthyer 35 vite mbrapa, sikurse, xhins-at (jeans-at), atletet, syzet e diellit dhe veshjet me logo tek shqiptarët bëheshin simbol i një stili të jetesës që fillonte të ndryshonte rrënjësisht. Haptas ashtu ëndrra i ngarkonte kohën me ngjarjet, sidomos në një ekstrem tjetër besimi fetar e rifitonte lirinë e shprehjes dhe organizmit pas një kohe përndjekjeje gjysmëshekullore. Kalueshëm, ashtu më përshkruhej, pasqyrohej, retrospektiva e peizazhit të stilit të jetës së atëhershme, të atyre viteve. Pas pak kohe u krijua një terr, një amulli. E gjithçka m’u duk se shkoi për dreq… dhe u shtrua një pyetje: tani sa larg është një pikë tjetër e universit ku mund të ketë jetë? Dhe, ëndrra nuk shkoi deri në fund.
Për këtë arsye, gjithherë, vijmë në një pikë të rrethohemi me atë sentencën… “Është e vështirë të thuash nëse bota në të cilën jetojmë është ëndërr apo realitet”, që shkruan producenti regjisori dhe skenaristi korean jugor Kim Ki-duk, jo dhe aq i njohur, në filmin, dramën romantike 3-Iron[ii] nga më të veçantat e kinematografisë botërore, i cili ra martir i pandemisë në vitin 2020.
Dhe, po e filloj nga fundi atë që si zhgjëndërr është aktuale. Sepse në zhgjëndërr hapen punë të tjera. Si e para punë, vlerat e familjes, që po i rrëzon shthurja morale. Dhe, si e dyta, dinjiteti e nderi njerëzor, që është besnik deri në fund përpara përulësisë. Apo, siç e thotë ajo fjala e njohur, shtriga edhe pse i di ligjet e Zotit, tenton të bëjë pakt me djallin. Nuk ka asnjë dilemë se sot jetohet shpejt dhe në transformim të përditshëm, pra për ta përgjithësuar, bota ec shpejtë minutë pas minute dhe dita ditës po transformohet. Është ky një fakt që nuk mund ta mohojmë, sepse as si në shpella nuk mund të jetohet më, as si në mesjetë, por më mirë akoma të thuhet Zoti më (na) ndihmoftë (…doktrinë kjo, që është e ndaluar të thuhet ) sesa një “lutje e thjeshtë” përshëndetëse, duke pohuar vetëm me kokë e me dorë e gishta (e hedhur qëllimisht), që do të thotë se vetëm kur jemi të pakënaqur dhe jo të lumtur e përmendim Zotin, duke e ditur dhe ndier edhe atë shumë mirë se Zoti nuk shkakton asnjëherë dhembje e pakënaqësi. Ato turbullira e pakënaqësi njeriu i krijon vetë dhe i vetëm. Mu për këtë arsye, konfirmoj dhe nënvizoj, mbase truri më funksionon si në kohërat e rinisë. Duhet të vendosim me kë jemi. Por, shumë të tjerë mund të mendojnë ndryshe dhe përgjigjen që duhet ta japin nuk e bëjnë dot.
Edhe pse ajo që themi dhe bëjmë ka një ndikim të thellë tek ata përreth nesh, ajo në të njëjtën kohë ka një ndikim edhe më të madh tek ne vetë. Trupi dhe mendja, veprimet dhe qëndrimet, planet dhe mendimet janë të lidhura ngusht me njëra-tjetrën. Por, një çështje me rëndësi që është, pa krijuar iluzione, do të thotë se jo gjithçka përherë në çfarëdo kohështrirjeje duhet të ndryshojë.
Ja sa i përket kësaj pikënisjeje (që sapo u shqiptua pak më lart) nga fundi, për të rrëfyer një histori të mrekullueshme që kam lexuar shumë kohë më parë, rreth vlerës së përpjekjes për ta mbajtur njeriun në korniza të njerëzores e të familjes së shëndoshë edhe në kohë të shekullarizmit, me bazament, jo të klounit; për të cilën s’duhet e nuk ka nevojë për debate tjera.
“Një ditë, një grua e re hyri në zyrën e një psikiatri të famshëm. Martesa e saj ishte bërë e paqëndrueshme dhe ajo donte të ndahej (divorcohej) nga burri i saj. Megjithatë, përpara se ta braktiste plotësisht burrin, ajo donte ta fyente rëndë. Ajo e urrente me gjithë zemër. Kjo është arsyeja pse ajo erdhi të kërkonte këshilla nga një psikiatër. ‘Unë i njoh njerëzit’, tha psikiatri, ‘kështu që mund t’ju them saktësisht se si mund ta ofendoni vërtet burrin tuaj’. Qëndro me të përafërsisht edhe tre javë të tjera. Gjatë asaj kohe, trajtoje me mirësi të rreme. Le të pushtohet nga mendimi i rremë se ti e do sinqerisht. Dhe pastaj papritmas ndrysho sjelljen tënde dhe bëhu e ftohtë si akulli. Kjo do ta ofendojë atë deri në palcë. Megjithatë, ndarjen (divorcin) do të duhet ta planifikojmë në më shumë detaje vetëm pasi të keni kryer aktin tuaj të hakmarrjes ndaj mendjes së tij të sigurt. Gjatë ndarjes, do duhet ta nënvlerësosh dhe fyesh edhe shumë më tepër. Por mbaje mend se sapo ke filluar hakmarrjen tënde, prandaj të jesh e sjellshme dhe e butë me të. Mundohu që veprimet e tua të jenë bindëse. Gruaja e pranoi këtë plan. Ajo mendoi se ishte mirë dhe në përputhje me qëllimet e saja. I ndoqi udhëzimet e psikiatrit me shumë ndërgjegje dhe saktësi. Pas ca kohësh, ajo erdhi përsëri tek psikiatri. ‘A i ndoqe udhëzimet e mia saktësisht?’ e pyeti ai. ‘Po, bëra pikërisht siç më the’, u përgjigj ajo. ‘Tani duhet të caktoni datën e ndarjes (divorcit)’, shtoi doktori psikiatër. ‘Të ndahem,…të divorcohem?’ Përse të ndahem nga burri im? Unë e dua atë. Nuk e kam dashur kurrë aq shumë sa e dua tani. Ishte reagimi i saj.”
Doktori që e ka treguar historinë e kësaj ngjarjeje nuk është futur në detaje të imëta që mund ta konfirmojnë shkencërisht vërtetësinë e saj, por thekson të vërtetën e rëndësishme – ky rast ilustron përvoja të panumërta të ngjashme të jetës reale. Tregimi ka edhe kuptimin anasjellas, në vend të një gruaje… ishte një burrë. Për të qenë edhe më i qartë, më i drejtë e më i kujdesshëm.
Si për ilustrim për ta parë e analizuar një aurë rreth kokës e mendjes, bashkëshortët duhet të flasin hapur për çdo pritshmëri për ndjenjat dhe problemet e tyre, për të mos ardhur deri në atë situatë të një fundi të palavdishëm të poemës bashkëshortore. Mungesa e komunikimit krijon distancë dhe keqkuptime, që shpesh çojnë në konflikte ose ndarje të prekshme. Në një martesë të shëndetshme besimi është themeli. Çdo formë mashtrimi, qoftë financiar, emocional ose fizik, e dëmton lidhjen. Prandaj, ndershmëria dhe transparenca janë elementet thelbësore që e mbajnë të fortë një marrëdhënie. Besimi nuk ndërtohet brenda natës, gjë që dihet si dita, por forcohet çdo ditë përmes veprimeve të ndershme dhe qëndrimit të drejtë e të ndershëm ndaj njëri-tjetrit.
Në kohën e sotme, familja shqiptare po përballet me ndryshime të shumta që e prekin jo vetëm strukturën e saj, por edhe mënyrën se si ndërtohen marrëdhëniet, si zhvillohet edukimi dhe si përjetohet institucioni i martesës. Edukimi dhe martesa, si dy nga shtyllat më të rëndësishme të familjes, kanë marrë formë të re, ndërsa trendi i ndarjeve (divorceve) i reflekton sfidat që i shoqërojnë këto transformime. Në anën tjetër, nën ndikimin e modernitetit familja shqiptare, si një nga institucionet më të rëndësishme të shoqërisë, ka kaluar dhe po kalon nëpër një proces të dukshëm transformimi në dekadat e fundit. Ky transformim ka sjellë ndryshime të thella në strukturën, funksionin dhe vlerat që përfaqëson familja sot në krahasim me të kaluarën. Dikur e ndërtuar mbi modelin patriarkal dhe me struktura të zgjeruara, familja shqiptare sot më është gjithnjë e më shumë e përfaqësuar nga modeli (siç e ka marrë më vonë emrin) bërthamë- prindërit dhe fëmijët. Jetesa me gjyshërit ose të afërmit e tjerë është bërë më e rrallë ose nuk ekziston thuajse fare, si për arsye ekonomike, ashtu edhe për mënyrën moderne të të jetuarit që kërkon privatësi dhe pavarësi më të madhe. Një nga ndryshimet më të rëndësishme është fuqizimi i rolit të gruas në familje dhe shoqëri. Gratë shqiptare janë përfshirë gjithnjë e më shumë në arsim dhe në tregun e punës, duke fituar pavarësi financiare dhe duke marrë një rol më aktiv në vendimmarrje familjare. Kjo ka çuar në një rivendosje më të drejtë të përgjegjësive në familje dhe në riformulimin e rolit tradicional të burrit si figura dominuese.
Në një kohë kur shoqëria shqiptare i përjeton ato ndryshime të mëdha kulturore, ekonomike dhe sociale, mënyra se si funksionon marrëdhënia bashkëshortore ka evoluar ndjeshëm. Nga modeli tradicional ku burri ishte, siç u përmend e u zu në gojë, figura dominuese dhe gruaja e nënshtruar, sot kemi shkuar dhe po shkojmë drejt një marrëdhënie të bazuar në barazi dhe mirëkuptim të ndërsjellë. Kjo është një domosdoshmëri për të ndërtuar familje të shëndetshme dhe për të përballuar sfidat e jetës moderne. Një nga shtyllat kryesore të një marrëdhënie bashkëshortore të shëndetshme, pra, është barazia. Burri dhe gruaja duhet të ndajnë jo vetëm përgjegjësitë ekonomike, por edhe ato familjare, si kujdesi për fëmijët, përmbushja e detyrimeve shtëpiake dhe përkrahja emocionale ndaj njëri-tjetrit. Kjo ndihmon jo vetëm në lehtësimin e jetës së përditshme, por forcon edhe ndjenjën e respektit mes tyre. Përndryshe, siç e thotë ajo metaforë shndërruar në fjalë të urtë, nuk do ketë kush të mbledhë qershinë.
Po ta hedhim në diskutim këtë, prapëseprapë një e vërtetë vendimtare është ajo që hulumtimet moderne e japin si shpjegim dhe e konfirmojnë se bashkëshortët fetarë kanë martesë më të qëndrueshme. Ose familjet fetare, më konservatore, kanë jetë më parimore, më me dinjitet e më të lumtur. Megjithatë, edhe feja do të thotë gjithashtu diçka ndryshe për njerëz të ndryshëm. Ndikimi i saj që lidh ngaditë është e mundur kur bashkëshortët dhe anëtarët e familjes i përafrojnë bindjet e tyre dhe arrijnë një stil jetese të qëndrueshme. Kur ka një hendek të madh midis tyre në këtë fushë të jetës, rezultatet mund të jenë fatkeqe. Disa forma të praktikës fetare ndikojnë pothuajse në çdo aspekt të jetës. Për shumë njerëz, familje, ato ndikojnë në mënyrën se si vishen, si hanë, si argëtohen, dhe si shpenzojnë para, si rrisin fëmijët dhe shumë e shumë detaje të tjera të jetës së përditshme. Por, shqiptarët e sotëm, të të gjitha trojeve, në shumicë nuk janë praktikues të rregullt të fesë (marrë këtu për shembull të çdo feje) dhe përkatësia fetare shpesh shihet më shumë si pjesë e kulturës sesa e përditshmërisë. Që këtu zhvillimi historik na nxjerr përpara se përkatësia kombëtare është vendosur shumë kohë më parë dhe shpesh vendoset edhe në këto ditë mbi përkatësinë fetare. Që nga Rilindja Kombëtare, shqiptarët janë përpjekur të ndërtojnë një identitet të përbashkët që i tejkalon dallimet fetare. Shqiptarët njihen si një ndër popujt më shekullarë në rajon e Europë. Edhe pse feja islame është shumë më masive dhe e dominuar, shoqëria shqiptare mbetet kryesisht shekullare në mënyrën si funksionon. Dhe, gjithsesi, shekullarizmi tek shqiptarët është një realitet i ndërtuar si nga ngjarjet historike, ashtu edhe nga zgjedhjet kulturore dhe shoqërore. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e një shoqërie më tolerante, më moderne dhe më të orientuar, ashtu si theksohet me të drejtë pa të drejtë, keq e shtrembër, drejt “vlerave universale”, siç po quhen “laike”. Mbase me të vërtetë, përpjekja e ardhshme në mënyrë të folur, e thënë publikisht, është ruajtja e kësaj baraspeshe, mes lirisë fetare dhe karakterit laik, në një shoqëri që po ndryshon vazhdimisht. Mbase, në familjet shqiptare është e patjetërsueshme të vihet një theks i shtuar me këmbëngulje e betim, sidomos në rikthim të mendësisë së arsimit cilësor, e në vijim të arrihet zhvillimi personal dhe ai kulturor, shkencor e teknologjik. Sepse, papërgjegjësia dhe jo saktësia është jo vetëm moskulturë, porse është hiç asgjë. Ndërkaq, vetëm vërtetësia është sukses. Dhe, pa ndërprerje, nëse kjo nuk ka për të ndodhur, kungulli nuk do piqet përsëri. Për këtë doemos të kihet, të jetë, në qendër të vëmendjes gjerësia në përmbajtjen sipërfaqësore për të dalë të suksesshëm e fitimtarë të gjithanshëm.
Në këtë epokë, kur thuajse asgjë nuk është me të vërtetën, për ditë të tëra, ku stresi, koha e kufizuar dhe presionet sociale janë të shumta dhe kur të gjithë jemi nën atë shenjë, komunikimi duhet të bëhet më thelbësor sesa është, jo vetëm në bashkëshortësi, por edhe në familje. Nëse buzëqeshja dhe mirësia janë kaq të rëndësishme në botën e biznesit, atëherë ato janë edhe më të nevojshme edhe tek bashkëshortët dhe te familja. Ndonëse është e lehtë të theksohen tepër shumë detaje të parëndësishme në shoqërinë intime dhe rrethin familjar. Marrëdhëniet familjare mund të kthehen në rrjedhën e tyre normale me interpretimet e pafajshme të një djali të vogël.
Ja se ç’na tregon një rrëfim tjetër i shkëlqyer: “Babai u kthye nga puna në shtëpi, i rraskapitur nga një punë e gjatë, e vështirë dhe shumë e përgjegjshme. I ballafaquar me probleme të vështira dhe kolegë të këqij në punë. Gjatë darkës, ai dëgjoi për dëmin që ishte shkaktuar në shtëpi atë ditë. Zemërimi i tij edhe pse ishte i përmbajtur u zbulua në të folurën e tij të lartë dhe disi të vrazhdë. Në heshtjen memece që pasoi, djali i vogël i drejtohet, dhe e pyet pafajësish: ‘Babi, a je i zemëruar?’ ‘Nuk jam i zemëruar,’- u përgjigj ai, duke u qetësuar, disi, pak, ‘në fakt, jam i mbushur me një zemërim të drejtë!’, pëshpëriti me mllef, me të kthyer kokën nga ana tjetër. Djali i vogël nuk mundi t’i kuptojë fjalët e fundit të babait, dhe ato i tingëlluan si fjala ‘rrepkë’! Nën përshtypjen e fortë të këtij shpërthimi, djali vazhdoi: ‘Do të doja të mbushesha edhe unë me rrepka!’ Kjo vërejtje pati një efekt të shpejt. Të gjithë shpërthyen në të qeshura dhe atmosfera e tensionuar aty për aty ndryshoi”.
Ndërkaq, duke i analizuar shkaqet e vërteta të zemërimit, mund të përfundohet lehtësisht se ato nuk janë më të rëndësishme se rrepka dhe shija e saj. Shija e hidhur në gojë zhduket edhe më shpejt. Është e rrallë të gjesh një shkak të vërtetë për zemërimin që e çon një person në një gjendje të mungesës së baraspeshës emocionale. Në vend të bindjes së verbër, theksi vihet mbi logjikën, dialogun dhe ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme. Fëmijët ndihen më të sigurt të mendojnë në mënyrë kritike dhe se është më mirë të flitet e bërtitet sesa të pëshpëritet. Veç kësaj, të shprehin ndjenjat dhe të jenë pjesëmarrës aktivë në vendime që i përkasin familjes si dhe jetës së tyre. Caku dhe saktësia tjetër kërkon që prindërit të jenë më të përfshirë si asnjëherë më parë, së pari në edukimin, më pastaj edhe në mirëqenien psikologjike të fëmijëve, duke u përpjekur të ndërtojnë marrëdhënie më demokratike dhe të hapura. Në të njëjtën kohë do të rritet dhe ndikimi i individualizmit të mbarë e më përcaktor, ku secili anëtar i familjes kërkon hapësirë për vetëshprehje dhe autonomi. Megjithatë, kjo mënyrë e re e edukimit kërkon më shumë angazhim, kohë dhe njohuri nga prindërit, gjë që shpesh është qëndrim i guximshëm për fëmijët me ritme të shpejta jetese.
Në një aspekt tjetër, pak të djegur nga dielli, në një martesë moderne ose postmoderne të kohës, bashkëshortët nuk duhet të jenë pengesë për zhvillimin personal të njëri-tjetrit, por përkrahës aktivë në përmbushjen dhe realizimin e synimeve. Gruaja duhet të ndjehet e lirë të ndjekë karrierën, arsimin ose pasionet e saj, ashtu si edhe burri. Kjo krijon një lidhje më të fortë dhe më të drejtpeshuar. Pavarësisht zhvillimeve e trendeve, ndërthurja e vlerave tradicionale, që nënkupton edhe fetare me ato moderne, mbetet më e rëndësishme. Në këtë ecuri, as ne, as sjellja jonë, as Berlini i sotëm, as i djeshëm, as ai i ’45-tës e as i vitit 1971, i shekullit njëzetë, madje as edhe një e treta e këtij artikulli, nuk na ndërgjegjëson e çon përpara. Vlera tradicionale, si besa, ndershmëria dhe përkushtimi familjar, që janë pjesë e kulturës shqiptare, mbeten shtyllat kryesore të një marrëdhënieje dhe kur këto harmonizohen me vlerat moderne, si barazia gjinore, liria personale dhe të drejtat e njeriut, vetëm kështu marrëdhënia bashkëshortore dhe familja mund të jenë të qëndrueshme dhe të përshtatshme për kohën që jetojmë. Familja, te shqiptarët në kohën e sotme, duhet të shpie më tej të jetë e ndërtuar mbi respekt, dashuri dhe mirëkuptim. Vetëm në mënyrë të këtillë mund të krijohen familje të forta, që i përballojnë kundërshtitë e jetës moderne (modernitetit) dhe rrisin breza të shëndetshëm në një shoqëri gjithnjë në ndryshim. Në shoqërinë shqiptare moderne e postmoderne, marrëdhënia bashkëshortore e familjare duhet të jetë një bashkëjetesë e ndërtuar mbi vlerat edhe të reja edhe të vjetra, të përzgjedhura me mençuri. Nuk ka asnjë kuptim në jetë dikush të ketë frikë nga lumturia. Respekti, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi janë çelësi për atë jetesë të lumtur dhe të qëndrueshme.
Trendi i modernitetit në familjen shqiptare është një proces i pandalshëm, që pasqyron zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor të shoqërisë shqiptare. Ndërsa disa vlera tradicionale po zbehen, të tjera po riformësohen për t’iu përshtatur realitetit të ri. Një kontrast tjetër i së ardhmes do të jetë ruajtja e kohezionit dhe funksionit të shëndetshëm familjar, ndërkohë që respektohen nevojat dhe të drejtat individuale të çdo anëtari të saj.
Nëse shekullarizimi, si tipar i modernitetit, si fjalë e ka edhe kuptimin e shekullit, periudhës njëqindvjeçare ose përshtatje me kohën në të cilën jetohet…, pa mos u futur rrënjësisht në domethënien racionale frymëzuar (inspiruar) nga Iluminizmi europian…, atëherë i bie se në shekullin 21 kanë mbetur edhe 75 vjet për t’u përshtatur me zhvillimet, trendet, ku ta dimë se ku po na çojnë, por vlerat e Zotit nuk duhet humbur, nuk duhet të zëvendësohen. Është parim i pandryshueshëm, pikësëpari hyjnor, e më prapa në radhë edhe njerëzor. Dhe, krahasuar me shekullin e 17-të, periudhën e Iluminizmit në Europën perëndimore, kur dhe fillon kjo lëvizje shoqërore, gjithçka ka kaluar thjesht në demode mbi kuptimin e asaj se çka vërtet duam. Sot, për shembull dhe vetëm për një krahasim gjithëpërfshirës të përbotshëm, në kohën që Kina dhe kinezët bëjnë sistemin ekonomik amerikan, vlerat tradicionale dhe religjioze aspak nuk i kanë lënë pas, ashtu siç dhe japonezët e koreanët e jugut, asisoj si edhe malajët, indonezianët, singaporianët, tre popujt e lindjes së largët me dominim të fesë islame, që funksionojnë në konceptin e Zotit e të fesë në organizimin e jetës shoqërore, sidomos malajët, ku rezultati është shumë më shumë i suksesshëm, më cilësor sesa në shumë vende të hemisferës perëndimore, jo vetëm në standardin e jetesës, por edhe në mënyrën dhe moralin e jetesës.
Në vend të një përmbushjeje, për të dhënë një mësim të mirë, derisa shkruhet e thuhet shumë pak drejt asaj që lëviz, ndërsa mund dhe duhet të shkruhet akoma më shumë, edhe një vështrim më i thellë, përnjëherësh dhe shumë i ndjeshëm që kam shfletuar kohë pas kohe rafteve, për këtë çështje, të cilin po e tregoj pa hezitim në një format të një raporti me një përfaqësi premtuese, për të mos braktisur kurrë një mision,…: “Një vajzë e vogël shpesh dërgohej nga e ëma, në bodrum, për të marrë patate për të gatuar për darkë. Një ditë, ndërsa ajo po zgjidhte patatet, zbriti dhe babai i saj. ‘Çfarë po bën?’- pyeti ai. Po përpiqem të gjej patatet më të vogla që t’i përgatisim, t’i gatuajmë për darkë. Patatet më të mëdha dhe më të mira do t’i gatuajmë më vonë,… – ia ktheu ajo. Babai buzëqeshi, ia mori tasin nga duart dhe i derdhi patatet e vogla. ‘Nëse veprojmë kështu, ne gjithmonë do të hamë vetëm patate të vogla’, ia ktheu babai. ‘Zgjidhi patatet më të mëdha dhe më të mira për sot dhe ne do të hamë gjithmonë patatet më të mira’”.
Ndoshta vajza kishte të drejtë. Por, më e mira që mund të bëjmë për njerëzit tanë nuk duhet të ruhet për një kohë të ardhshme. Kjo mundësi e ardhshme mund të mos vijë kurrë. Nëse ne përpiqemi ta jetojmë jetën tonë më të mirë tani dhe të jemi njerëz me vullnet të mirë tani, atëherë nuk kemi nevojë të shqetësohemi nëse do të jemi të tillë në të ardhmen. Zgjidhni tani atë që është më e mira dhe gjithmonë më e mira.
Kështu mund të flemë të ngopur, rehat e të qetë sërish.
[i] Është një term astronomik, në pak rreshta, që i referohet një pike në univers, ku mund të ketë jetë.
[ii] Titulli i filmit rrjedh nga një lloj shkopi golfi (3 Iron) i përdorur në mënyrë të spikatur gjatë gjithë rrëfimit