Duke u përpjekur të zgjonte krenarinë e fjetur kombëtare, Sami Frashëri bënte gjithçka që të përfitonte potencialet e kohës për sendërtimin e një kombi modern dhe shteti modern shqiptar. Një dimension tjetër i dashurisë, nëpërmjet të të cilit synohet vetëdijesimi i masave të gjera kombëtare, ka të bëjë me vlerat identitare e tradicionale të botës shqiptare, ku pa asnjë dyshim kryefjalë e tyre del gjuha e veçantë shqipe, por edhe vlerat karakteristike etnokulturore e etnopsikologjike të shqiptarëve.
Hysen MATOSHI, Prishtinë
Katër vjet pas vdekjes së Sami Frashërit, në Manastir u realizua njëri ndër projektet e tij jetësore: shqipja u bë me alfabetin e saj të përbashkët, si një hap drejt përqafimit të dimensioneve zhvillimore të një kombi modern. Samiu është figura më e madhe erudite e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, por edhe Kongresi i Alfabetit është arritja më e madhe për ruajtjen dhe konsolidimin e njësisë etnike shqiptare, si njësi me koherencë të padiskutueshme kulturore, është kthesa e parë e madhe pas një periudhe të gjatë të divergjencave dhe tkurrjeve të vazhdueshme të hapësirës etnike dhe kulturore.
Deri në shfaqjen e Samiut, pa mohuar këtu edhe rolin e rilindësve tanë të tjerë, sikundër janë Naum Veqilharxhi, Jeronim de Rada, Pashko Vasa dhe Naim Frashëri, shqiptarëve u mungonin programet e mirëfillta për zhvillimin e gjithëmbarshëm kombëtar, madje mungonin edhe konturat themelore të një ideologjie kombëtare. Teksa Manastirit i takon epiteti i padiskutueshëm i qytetit, atëherë si qendër e Vilajetit, në të cilin u dha prova e parë e suksesshme e bashkërendimit kombëtar të shqiptarëve drejt krijimit të një njësie unike kulturore kombëtare, Samiu është personaliteti i parë që i hodhi bazat e mirëfillta të ideologjisë kombëtare, madje jo vetëm nëpërmjet veprës së tij programatike Shqipëria, çka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet, ngase angazhimi i tij jetësor për bërjen e kombit dhe të shtetit shqiptar është më kompleks e më i shumanshëm. Kështu, në funksion të farkimit të vetëdijes kombëtare, si parakusht për krijimin e shtetit kombëtar, është funksionalizuar e gjithë vepra e tij që ka të bëjë Atdheun dhe bashkëkombësit e tij, duke nisur që nga abetarja e gjuhës shqipe, gramatika e gjuhës shqipe, paraqitja e personaliteteve dhe viseve shqiptare në enciklopedinë e tij Kamus al-Alam, puna madhore në tekstet me dedikim për shkollën shqipe etj. Ky angazhim shumëplanësh bazohej në një postulat thellësisht të qëndrueshëm në aspektin shkencor, të cilin Samiu e kishte formuluar në fjalët lapidare: “Kombi është themeli i godinës së shtetit. Sa më i fortë të jetë themeli, aq më shumë qëndron godina”. Kjo është rruga e natyrshme e krijimit të shtetit, e krijimit të tij si një mekanizëm institucional i ruajtjes dhe i zhvillimit të identitetit kombëtar. Është koha të rikujtojmë këtë defimin të ideologut tonë rilindës edhe sot, kur tendencat çintegruese brendashqiptare shfaqen në trajta të ndryshme dhe me argumentimin se shteti i veçantë prodhuaka një identitet të veçantë në raport me atë pararendës. Janë të shumtë shembujt e dështuar të konstruktimit artificial të identiteteve kombëtare. Po sjell në vëmendje vetëm fatin e identiteteve kombëtare të sovjetikëve dhe jugosllavëve, të cilat si identitete false që ishin u zhbënë posa u zhbënë shtetet mbi bazën e të cilave u krijuan të themi me masa administrative dhe pa një mbështetje në përbërës të mirëfilltë identitarë. Prandaj, Sami Frashëri, si njohës i rrallë i mekanizmave të krijimit të shtetit, në rend të parë, synonte vetëdijesimin kombëtar, sepse vetëm në këtë mënyrë e shihte të mundshëm ekzistimin e sigurt të shtetit kombëtar të shqiptarëve. Ndonëse është fjala për një materie tejet komplekse, unë do të përpiqem të vë theksin vetëm te disa nga interesimet e ideologut tonë për të ngritur vetëdijen kombëtare të bashkëkombësve të tij.
Në rend të parë, është dashuria e madhe për të kaluarën e lashtë e të lavdishme, duke nisur që nga paraardhësit e shqiptarëve e deri te ngjarjet dhe personalitetet e kohëve të fundit. Duke u përpjekur të zgjonte krenarinë e fjetur kombëtare, Sami Frashëri bënte gjithçka që të përfitonte potencialet e kohës për sendërtimin e një kombi modern dhe shteti modern shqiptar.
Një dimension tjetër i dashurisë, nëpërmjet të të cilit synohet vetëdijesimi i masave të gjera kombëtare, ka të bëjë me vlerat identitare e tradicionale të botës shqiptare, ku pa asnjë dyshim kryefjalë e tyre del gjuha e veçantë shqipe, por edhe vlerat karakteristike etnokulturore e etnopsikologjike të shqiptarëve, të cilat i bëjnë ata një komb me veçanti të theksuara në raport me të gjithë fqinjët përreth.
Krijimi i një shteti kombëtar, duke u bazuar në ngritjen e vetëdijes kombëtare, doemos do të marrë parasysh edhe potencialet ekzistuese etnike, shoqërore, ekonomike, arsimore e kulturore të kohës. Si në enciklopedinë e tij, ashtu edhe në veprën programatike, Samiu i kushton rëndësi përshkrimit të gjendjes së asokohshme të shqiptarëve. Kështu, përveç të dhënave me interes për strukturën kombëtare, fetare, sociale e ekonomike, një vend të veçantë ua kushtonte edhe potencialeve arsimore të secilës trevë, sepse ishte i bindur se, sikundër pohonte romantiku ynë i madh dhe i vëllai i tij Naimi, “vetëm dritë e diturisë përpara do të na shpjerë”.
Qasja strukturore analitike e veprës së Samiut e orienton objektivin e saj studimor edhe në identifikimin e rreziqeve për Shqipërinë, duke u përqendruar në kontekstin ballkanik. I njihte mirë pretendimet e fqinjëve grabiqarë, ndaj nuk ngurronte që, edhe në këtë plan, të vetëdijesonte elitat shqiptare dhe përgjithësisht bashkëkombësit e tij.
Nëse dy kryeromantikët tanë, Naimi e De Rada, përpiqen që vetëdijen kombëtare të bashkëkombësve ta ushqejnë, nëpërmjet veprës së tyre letrare, me lëndën e historisë së lavdishme, herë-herë edhe duke e glorifikuar ndjeshëm të kaluarën tonë, bëmat dhe figurat historike, Samiu këtë mision ia beson dijes, shkrimit shkencor që kryesisht bazohet në të dhëna faktografike, veçmas kur bëhet fjalë për periudhën e shkrimit të kryeveprës së tij. Ideologu më i madh i krijimit të shtetit shqiptar në hapësirat etnike e kishte të qartë se pa vetëdijesimin kombëtar të shqiptarëve, pa shkollën shqipe, pa kulturën e shkruar, pa një alfabet të përbashkët dhe pa një gjuhë letrare të përbashkët, ky objektiv nuk do të mund të arrihej. Prandaj, themi me bindje të plotë se veprimtaria e tij në të gjitha këto drejtime është në funksion të krijimit të njësisë kombëtare shqiptare, të përparimit dhe të zhvillimit të saj përkrah kombeve të tjera Ballkanit e të Evropës.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit pati ndër personalitet drejtuese Abdyl Frashërin, kontributi i të cilit është i padiskutueshëm, por si do të dukej ajo nëse do të kishte traktatin programor të Samiut si bazë për organizimin e shtetit shqiptar, i cili për fat keq erdhi dy dekada më vonë?! Ky program i ngritjes kombëtare të shqiptarëve pati ndikim edhe në ndërgjegjësimin e faktorëve rajonalë, në rend të parë fqinjëve, por edhe të atyre globalë që vendosën fatet e popujve të Ballkanit. Botimi në turqisht, greqisht, frëngjisht, italisht dhe gjermanisht shpejt do të bëhej referencë dhe udhërrëfim për atë se kush ishin, kush janë dhe se çfarë duan shqiptarët. Kështu, Noli ynë i madh, për t’iu vënë fre pretendimeve mashtruese greke mbi popullsinë ortodokse shqiptare dhe trojet e saj, e përktheu këtë vepër në greqisht dhe e botoi më Sofje më 1907.
Një aspekt tjetër që e dallon veprën e Samiut nga ajo e Naimit është e ndërlidhur me një theks kritik që haset në shkrimet e tij lidhur me Shqipërinë. Derisa Naimi madhëron botën shqiptare, e quan të patëmetë, Samiu jo një herë i qorton bashkëkombësit e tij për faktin se kishin bërë shumë për të tjerët dhe se nuk kishin bërë sa duhet për veten, se me punën e gjakun e tyre kishin themeluar shtete përreth Shqipërisë, por jo shtetin e tyre kombëtar. “Shqipëtari e ka derdhurë gjithënjë gjaknë pa kurcim, po e ka derdhurë kot; kurrë Shqipëria s`ka fituarë nga gjaku i shqiptarëvet… gjak… i derdhurë pa mendim!” “…kanë punuar gjithmonë për botënë e jo kurrë për vetëhe”.
Është thënë edhe për Samiun se kontributin më të madh si intelektual e dijetar e ka dhënë për kulturën turke dhe në gjuhën turke. Është e vërtetë se turqve u ka dhënë një fjalor prej 40 000 njësish leksikore, pastaj edhe një fjalor frëngjisht-turqisht me 1630 faqe, romanin e parë në letërsinë turke të titulluar Dashuria e Talatit me Fitneten, enciklopedinë monumentale të gjeografisë dhe të historisë në gjashtë vëllime Kamus al-Alamin e famshëm me 4830 faqe, ka dhënë edhe shumë kontribute të tjera për këtë kulturë e për krijimin kombit modern turk, por i ka dhënë shumë edhe kombit e Atdheut të tij, ka punuar gjithë jetën për mbrojtjen e të drejtave të bashkëkombësve, nëpërmjet Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, i ka kontribuar fuqishëm ngritjes kulturore të kombit nëpërmjet Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip, si themelues i saj, por edhe si autor i Alfabetit të Stambollit, drejtues i revistave Drita dhe Dituria, por mbi të gjitha Sami Frashëri mbetet ideologu i ngritjes së vetëdijes kombëtare dhe i projektit më të plotë e më serioz deri atëherë për shtetin shqiptar, ideolog vizionar i krijimit të një strukture kompakte kombëtare nga një strukturë e fragmentuar krahinore e fetare, sikundër ishte atëbotë. Shumë nga idetë e tij vizionare janë bërë realitet, por edhe shumë të tjera besojmë të mbesin shenja orientuese në rrugën tonë të përparimit e të integrimit mbarëkombëtar.
Për të dëshmuar se cila ishte përmasa e dashurisë së Samiut për Shqipërinë, në përmbyllje le të më lejohet të citoj njërin ndër margaritarët e sentencave të tij filozofike tejkohore e tejhapësinore. Kush nuk do të dakordohej me këtë thënie të tij: “Dy gjëra në botë njeriu i do pa paramendim, pra pa asnjë kusht: nënën dhe atdheun.”?!