Demaçi, ky rubin lirie, nuk ishte oportunisti dhe konformisti. Ai ishte dhe mbeti mendjelirë, prandaj u dënua nga regjimi totalitar. Demaçi e zgjodhi lirinë në burg dhe jo lirinë e rrejshme brenda një burgu të madh. Ai besoi si një Ricos se “liria është nëna jonë dhe bota janë fëmijë të saj”.
Salajdin SALIHU, Tetovë
Shteti ofendues, siç e ka përshkruar Gjergj Konradi në librin Antipolitikë si sfidë, i thotë shkrimtarit: “Po të bëj një nder: nuk po të fus në burg. Prandaj ji mirënjohës dhe falma heshtjen tënde! Po të shpërblej me para, sukses e dashuri, mjafton të shkruash dhe, herë pas herë, me shije, më lavdëro. Asgjë për asgjë, diçka për diçka”.
Regjimet totalitare i frikësohen shkrimtarit të talentuar. Nga ai nuk e kërkojnë vetëm heshtjen, por edhe mediokritizimin. Duan që shkrimtari të jetë megafon i regjimit.
Adem Demaçi mund ta dëgjonte thirrjen shituese të sirenës vrasëse, pra shtetit totalitar. Ishte i ri. Një shkrimtar i talentuar dhe me perspektivë. Mund t’i shijonte të mirat e kësaj bote dhe të bëhej pjesë e spektakleve të organizuara nga shteti, ky “përbindësh i ftohtë”, siç e quajti Niçe. Demaçi nuk e zgjodhi heshtjen. Ai u rebelua kundër sistemit represiv. Nuk u bë pjesë e inteligjencës partiake dhe shtetërore. Nuk e ushtroi “ketmanin”. Nuk u bë pjesë e botës hipokrite ku duhej të shkruaje atë që nuk e mendoje dhe të mendoje për atë që kishe frikë ta shkruaje.
Demaçi, ky rubin lirie, nuk ishte oportunisti dhe konformisti. Ai ishte dhe mbeti mendjelirë, prandaj u dënua nga regjimi totalitar. Demaçi e zgjodhi lirinë në burg dhe jo lirinë e rrejshme brenda një burgu të madh. Ai besoi si një Ricos se “liria është nëna jonë dhe bota janë fëmijë të saj”.
Për Demaçin liria ishte përgjegjësi dhe pjesëmarrje në ngjarjet e kohës. Liria për të ishte gjendje dhe sjellje aktive në shoqëri. Ishte forca që e ndryshon status quo-në e një gjendjeje të ngrirë dhe të mjerë.
Demaçi nuk ishte as i nënshtruari dhe as nënshtruesi e uzurpatori. Ai nuk e kërkoi për vete atë që u ndalohej të tjerëve. Ky mendimtar, që gjatë gjithë jetës e synoi lirinë, e dinte se njeriu nuk mund të jetë i lirë kur tjetrin e mban nën pranga.
Demaçi nuk u përkul as në burg, sepse ishte në paqe me veten dhe me moralin e tij. Ndërgjegjja e tij nuk kishte asnjë njollë. Me ndërgjegje të njollosur ishin ata që vepronin në dimensionin e krimit.
Demaçi nuk foli për vuajtjet e tij nëpër burgjet jugosllave. Asnjëherë nuk ekspozoi plagën e tij dhe as nuk deshi të bëhemi peng i asaj plage. Ai ishte i veçantë, i papërsëritshëm, i panënshtruari i durueshëm.
Selatin Novosella, në librin Demaçi metaforë lirie, ka përfshirë vlerësime të shumë autorëve për personalitetin dhe veprimtarinë e Demaçit. Shumica e tyre e kanë krahasuar me diçka.
Demaçi është krahasuar me yllin polar dhe ai ishte si një yll polar, një yll ideali, i largët, i mbyllur diku, nën grila. Por, a nuk janë idealet si yjet që, siç thuhet, ndonëse nuk i arrijmë, na shërbejnë për orientim?
Demaçin e krahasuan me zogun feniks dhe ai është si feniksi, që do të rilindë në secilën kohë, saherë të rrezikohet liria.
E krahasuan me Prometeun dhe ai është si Prometeu që nuk e ndërroi mundimin e tij me mjerimin e kasnecëve të të gjithëpushtetshmit. Ashtu si heroi mitik, i cili e dinte se do të dënohej, edhe Demaçi nuk e pranoi kompromisin me Zeusin, sepse ia kishte vënë vetes si mision të sakrifikohej për lirinë e të tjerëve.
Thanë se ishte simbol i pajtimit e i harmonisë, por edhe si pajtues rrymash të ndryshme politike. E quajtën edhe metaforë lirie, simbol qëndrese, korife, zë ndërgjegjeje. Dhe, ai ishte i tillë.
Demaçi, përveç si njeri i veprimit, u shqua edhe si shkrimtar. Romani Gjarpinjtë e gjakut, sikundër thuhet, nuk e përjetoi receptimin aktiv nga lexuesit e kohës, por horizonti i pritjes nuk është i mbyllur për këtë vepër.
Esad Mekuli, në një shkrim për letërsinë shqipe, të botuar më 1958, e veçoi Adem Demaçin si njërin nga shkrimtarët më të mirë shqiptarë dhe e vlerësoi “si njohës i jashtëzakonshëm i psikologjisë së fshatit shqiptar dhe i halleve të fshatarëve”.
Prej se u dënua politikisht, vepra e Demaçit u ndalua. Emrin e tij askush nuk guxonte ta përmendte, qoftë edhe si shkrimtar, ndonëse mesazhet nga veprat letrare të Demaçit janë kuptimplota për secilën kohë, veçanërisht kryefjala: “Jo – atyre që janë trima të ngrenë gishtin e krimit, por – atyre që janë trima të shtrijnë dorën e pajtimit”. Vetëm ata që e zgjasin këtë dorë janë më afër shpirtit të Demaçit, kurse ata që i deh era e krimit, të cilët, mjerisht, nuk janë të paktë, i bëjnë shërbimin më të keq kombit dhe atdheut të tyre…
Adem Demaçin nuk arritëm që ta afirmojmë në botë si një disident përmasash europiane, ngjashëm si një Adam Mihnik, Vacllav Havel apo Çesllav Millosh. Në fund të fundit, të gjithë këta sakrifikuan për lirinë e të tjerëve dhe shpërndan vetëm mesazhe humane…
Brezi ynë mund të kontestojë pikëpamje të Adem Demaçi, sepse e pakontestueshme është vetëm vdekja, madje kjo do të ishte edhe dëshira e mendjendriturit Demaçi, por është e padrejtë që mos ta nderojë me respektin më të thellë këtë dashnor të përjetshëm të fjalës së lirë. Besoj fuqimisht se brezat e ardhshëm do t’i jenë mirënjohës Adem Demaçit për kontributin e tij dhe do të shkruajnë e do ta kujtojnë këtë vigan të kombit shqiptar, qoftë si veprimtar politik, qoftë si shkrimtar.