Rezistenca e Jasharajve do ta zgjojë Kosovën nga simulimi ku ishte mësuar të operojë, duke e shfaqur realitetin e zymtë në të cilin jetonin pjesa më e madhe e qytetarëve. Sakrifikimi i tyre do të kumbojë fuqishëm, duke shfaqur një realitet real, që nënkuptonte urinë, eksodin, dehumanizimin, dhembjen fizike, vdekjen dhe sakrificën për liri dhe për një republikë të vërtetë.
Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë
Që nga Konferenca e Bujanit (1944) e deri te Kushtetuta e Kaçanikut (1990) Kosova ka jetuar në një gjendje të deluzionit politik e shoqëror. Shqiptarëve të saj u krijohej ndjesia e sovranitetit, ndërkohë që realiteti faktik e përgënjeshtronte çdo ditë këtë perceptim. Për plot 46 vjet u morën vendime që kishin më shumë peshë simbolike sesa fuqi reale.
Në Bujan u mor vendimi i bashkimit me Shqipërinë sapo të mbarojë Lufta e Dytë Botërore. Në vitin 1974, në kuadër të federatës jugosllave, u soll një kushtetutë që i jepte Kosovës një autonomi të gjerë të vetëqeverisjes. Në vitin 1990 Kosova u shpall republikë në kuadër të Jugosllavisë, e barabartë me gjashtë republikat e tjera që përbënin federatën e atëhershme.
Republika në “shkretëtirën e reales”
Shqiptarët e Kosovës vazhduan të jetojnë në një deluzion edhe pas shtypjes së vullnetit të Konferencës së Bujanit nga ana e regjimit të atëhershëm komunist. Jetonin në realitetin imagjinar se janë bashkë me Shqipërinë, ndërkohë që realiteti faktik i demantonte çdo ditë. Elita politike shqiptare dhe jugosllave i bindi se në vitin 1974 kishin një status të njëjtë me republikat tjera, por në realitet ishin një krahinë autonome nën diktat të Beogradit.
Në vitin 1990 në Kaçanik e shpallën republikën, por ai vendim ishte një simulim i realitetit të dëshiruar. Mbledhja ishte mbajtur në fshehtësi të plotë dhe kishte zgjatur pak kohë, ndërkohë që 111 delegatët ishin shpërndarë menjëherë që mos të arrestohen nga policia. Dy vite më pas, po ashtu fshehurazi, u organizuan zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Ishin procese që nuk i bënin shumë probleme regjimit të atëhershëm në Serbi, pasi të njëjtat nuk njiheshin ndërkombëtarisht.
Në këtë kontekst, më kujtohet një anekdotë që lidhet me Ibrahim Rugovën, presidentin historik të Kosovës, i cili u zgjodh në krye të republikës pikërisht në zgjedhjet e para ilegale në vitin 1992. Kjo anekdotë, e treguar nga publicisti Veton Surroi në veprën “Ambasadori i Melkizedekut”, rrëfen se si presidenti Rugova, me konvojin e tij presidencial, ishte nisur nga rezidenca në Velani drejt selisë së LDK-së, ku e priste një ditë e re e punës. Megjithatë, në semaforët e parë i kishte ndalur një polic trafiku i etnisë serbe dhe i kishte legjitimuar të gjithë. Një republikë e shpallur, por jo e njohur dhe një president i zgjedhur, por pa pushtet real.
Nuk dua në asnjë mënyrë t’i nënvlerësoj proceset e lartpërmendura, aq më tepër rolin e Rugovës në projektimin e shtetit të Kosovës. Kosova shtet i pavarur ishte vizioni i Rugovës që nga paraqitjet e tij të para në publik. Ai e përsëriti këtë frazë deri në frymën e tij të fundit dhe e ndërkombëtarizoi projektin e shtetësisë. Ai e shmangu me mjeshtëri një përplasjeje fatale, të drejtpërdrejtë ushtarake, të popullit të tij me një makinë ushtarake të fuqishme të Serbisë në fillim të viteve të ’90-ta. Serbia kishte akumuluar të gjitha armët dhe ushtarët e Jugosllavisë, ndërkohë që Kosova ishte entiteti më i varfër dhe më i pafuqishëm në nivel të federatës. Nëse një skenar i tillë do të kishte ndodhur, atëherë gjenocidet si ai e Srebrenicës do të ishin evidentuar në Kosovë dhe mbi shqiptarët. Një lëvizje e mençur që e ndryshoi kursin e historisë. Pa marrë parasysh efektin, kjo periudhë pa dyshim ka qenë simulim i një realiteti të ëndërruar, të dëshiruar dhe të kërkuar me mjete politike dhe demokratike. Një “shkretëtirë e reales”, siç do të thoshte Jean Baudrillard-i, ku nuk ekziston realiteti real, por imitimi i një realiteti të kërkuar. I nevojshëm për kohën, por i stërzgjatur disi.
Një realitet i ri, real
Datat 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, kur familja e Adem Jasharit do të organizohet që t’i mbrojë shtëpitë e tyre me armë, do ta shënojë fillimin e zhbërjes së këtij realitet joreal. Rezistenca e Jasharajve do ta zgjojë Kosovën nga simulimi ku ishte mësuar të operojë, duke e shfaqur realitetin e zymtë në të cilin jetonin pjesa më e madhe e qytetarëve. Sakrifikimi i tyre do të kumbojë fuqishëm, duke shfaqur një realitet real, që nënkuptonte urinë, eksodin, dehumanizimin, dhembjen fizike, vdekjen dhe sakrificën për liri dhe për një republikë të vërtetë. Një republikë ku vullneti i qytetarëve do të reflektohet në formimin e institucioneve të saj, të cilat do të jenë të afta të zbatojnë kushtetutën e votuar nga shumica e deputetëve të zgjedhur në zgjedhje legale dhe demokratike. Një realitet i dëshiruar nga të gjithë, por që ishte zëvendësuar me një simulim kolektiv.
Këto data, në fillim të marsit, tashmë janë shtylla kryesore e shtetësisë së Kosovës, shtetit më të ri në Europë. Ngjarjet që do të pasojnë pas me kryengritjen e armatosur, intervenimin e NATO-s, periudhën transitore të protektoratit ndërkombëtar, e deri te shpallja e pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008, do të jenë një vazhdimësi logjike e rezistencës së Jasharajve.
Kjo familje dëshmoi se liria është e shtrenjtë, guximi është më i fuqishëm se frika dhe ideali më i lartë se çdo lloj interesi tjetër. Është një shembull i pakrahasueshëm vetëmohimi në nivel botëror, i cili do ta ndriçojë rrugën e shumë gjeneratave në Kosovë drejt një të ardhmeje edhe më të mirë.
Kjo ngjarje do të jetë një hije e përhershme në institucionet e Kosovës, një kompas etik i cili çdoherë do t’ua kujtojë çmimin që është paguar për shtetin më të ri të Europës.









