Ekonomikisht, NATO është në luftë civile; SHBA e ka kthyer tregtinë në një instrument luftarak. Për të qenë të drejtë, duhet pohuar se pengmarrja e presidentit të Venezuelës, kërcënimi ndaj Kubës dhe Kolumbisë, dëshira për të marrë nën kontroll pjesë territoriale të një vendi sovran, nuk janë gjë e re në sjelljen e SHBA-së. Ajo dhe fuqi të tjera i kanë respektuar rregullat ndërkombëtare sipas interesave të tyre, në mënyrë të pjesshme.
Çelo HOXHA, Tiranë
Më 3 janar 2026, forcat speciale ushtarake të SHBA-së shkuan në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, e rrëmbyen presidentin me të shoqen dhe e çuan në SHBA, më burg, për t’u gjykuar. Akuzat publike kanë qenë për trafik droge, por nuk është se kanë shumë rëndësi, kur kemi parasysh se ajo që ndodhi është shkelje më e rëndë së trafiku i drogës.
Rrëmbimi i presidentit Nikola Maduro ishte rezultat i një serie shkeljesh të parashikimeve të Kartës së Organizatë së Kombeve të Bashkuara. Sipas nenit 2 të Kartës, u shkel parimi i barazisë së sovranitetit të anëtarëve të OKB-së, parimi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes shteteve me mjete paqësore, parimi i moscenimit të integritetit territorial dhe pavarësisë politike të secilit shtet, etj.
Reagimi ndërkombëtar nuk ishte unanim në dënimin e këtij akti. Vendet perëndimore, kryesisht aleate të SHBA-së, e kaluan në heshtje ose e përgëzuan agresorin për rrëmbimin e presidentit të një vendi sovran.
Çfarë e pasoi rrëmbimin e presidentit venezuelian tregoi se ajo nuk ishte një akt gangsterizmi i izoluar, por një akt i një vije politike të paramenduar. Menjëherë pas rrëmbimit të presidentit Maduro, presidenti amerikan, Donald J. Trump, e kërcënoi Kubën dhe Kolumbinë. Pastaj e deklaroi interesin e SHBA-së për të aneksuar, me marrëveshje ose me sulm ushtarak, ishullin e Grenlandës, me justifikimin që Grelanda ka rëndësi strategjike për sigurinë e SHBA.
Grenlanda është ishulli më i madh në botë, i vendosur në Arktik, shumë pak e populluar e populluar (rreth 57,000 banorë) për shkak të klimës së ftohtë. Juridikisht është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës prej vitit 1814.
Ky synim amerikan ngjalli reagime, sidomos ndër aleatët historikë të SHBA-së, në Europën Perëndimore. SHBA-ja, fuqia me synime agresore, dhe Danimarka, viktima e agresionit të mundshëm, janë, prej tetë dekadash, anëtare të së njëjtës aleancë ushtarake, NATO. Nëse SHBA-ja ndërhyn ushtarakisht në Grenlandë, në parim NATO duhet ta aktivizojë nenin 5 të marrëveshjes së që thotë: “Palët bien dakord se një sulm i armatosur kundër njërit prej tyre (anëtarëve të NATO-s) në Europë ose Amerikën Veriore do të konsiderohet sulm kundër të gjithëve dhe, për rrjedhojë, ata bien dakord që, nëse ndodh një sulm i tillë, secili prej vendeve anëtare, në ushtrim të mbrojtjes individuale ose kolektive i njohur nga neni 51 i Kartës së OKB-së, do të mbështesë palën ose palët e sulmuara duke ndërmarrë individualisht dhe në bashkëpunim me palët e tjera, ato veprime që e shikon të arsyeshme, përfshi përdorimin e fuqisë ushtarake, për të rikthyer dhe ruajtur sigurinë në zonën e Atlantikut të Veriut. Çdo sulm i tillë dhe masat e ndërmarra për rrjedhojë do të raportohen menjëherë në Këshillin e Sigurimit. Këto masa do të përfundojnë kur Këshilli i Sigurimit të ketë marrë masat e nevojshme për rikthimin dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.”
Ky është parashikimi i dokumentit themeltar të NATO-s, por çfarë do të ndodhë në realitet nuk dihet. Dhe, nuk ka shumë rëndësi. Dëmi është bërë: rendi botëror i bazuar në rregulla nuk ekziston më. Në politikën e jashtme, SHBA-ja e ka përqafuar parimin e forcës. Sipas këtij parimi, e drejta është ajo që bën/dikton i forti.
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, e shprehu këtë shqetësim në fjalimin e tij në Davos, Zvicër, më 20 janar 2026, të cilin e nisi kështu: “Sot do të flas për krisjen në rendin botëror, fundin e një historie të bukur, dhe nisjen e një realiteti brutal ku gjeopolitika mes fuqive të mëdha nuk i nënshtrohet asnjë kufizimi… Çdo ditë bindemi se jetojmë në epokën e rivalitetit të fuqive të mëdha – se rendi [botëror] i bazuar në rregulla po zhduket, se të fuqishmit mund të bëjnë çfarë të duan, dhe të dobëtit e kanë detyrim të vuajnë.”
Vendet anëtare të NATO-s, në shumicë deklaruan mbështetjen e tyre për Danimarkën dhe Grenlandën dhe menjëherë presidenti amerikan i kërcënoi, një numër prej tyre, me vendosjen e taksave doganore për mallrat e tyre që hyjnë në SHBA.
Ekonomikisht, NATO-ja është në luftë civile; SHBA-ja e ka kthyer tregtinë në një instrument luftarak.
Për të qenë të drejtë, duhet pohuar se pengmarrja e presidentit të Venezuelës, kërcënimi ndaj Kubës dhe Kolumbisë, dëshira për të marrë nën kontroll pjesë territoriale të një vendi sovran, nuk janë gjë e re në sjelljen e SHBA-së. Ajo dhe fuqi të tjera i kanë respektuar rregullat ndërkombëtare sipas interesave të tyre, në mënyrë të pjesshme.
Që nga krijimi i OKB-së (1945), pavarësisht rregullave të pranuara nga shtetet në Kartën e OKB-së, superfuqitë i kanë shkelur ato me raste ose dhe në mënyrë të përsëritur. Janë me dhjetëra liderë të shteteve të caktuara, të vrarë apo të rrëmbyer nga një shtet ose disa shtete të tjera, por në shumicën e rasteve këto akte kriminale janë kryer në fshehtësi, nga shërbimet inteligjente, ndërsa në publik shtetet përgjegjëse nuk kanë marrë përgjegjësi, për shkak të dëmit moral që do të pësonin. Rregullat shkeleshin, por pa u zhvlerësuar autoriteti i tyre.
E njëjta gjë ka ndodhur me ndërhyrjet e ushtarake. Fuqitë agresore gjithmonë janë munduar t’i justifikojnë pushtimet ushtarake me argumente morale, si ndërhyrje për frenimin e hapjes së komunizmit, ndërhyrje për vendosjen e demokracisë dhe ndalimin e shkeljes së të drejtave të njeriut, luftë kundër terrorit, luftë kundër trafikut të drogës, ndërhyrje për asgjësimin e armëve bërthamore që një shtet mund të kishte ose flitej se kishte etj. Pavarësisht qëllimit real për sulmin ushtarak, shtetet agresore publikisht ishin të interesuara t’i prezantonin veprimet e tyre në përputhje me pritshmëritë morale të publikut ndërkombëtar, vlerat etike të të cilit buronin nga dokumentet e OKB.
Në rastin e ndërhyrjes së SHBA-së në Venezuelë dhe me pretendimet për Grenlandën maska morale e fuqive të mëdha ka rënë. Presidenti i SHBA-së deklaroi publikisht se SHBA-ja ndërhyri në Venezuelë për ta marrë kontrollin e naftës së atij vendi, të cilën e shfrytëzonte Kina. Një ligjërim i tillë nënkupton që për SHBA-në ekziston ajo dhe kundërshtarët e saj (Kina), ndërsa vendet e tjera, si Venezuela, nuk ekzistojnë, nuk kanë të drejtë t’i kontrollojnë burimet dhe pasuritë e tyre, nuk kanë të drejtë t’i shesin ato ku ta shohin të arsyeshme, etj.
Simboli më domethënës i kthimit të fuqisë në parim etik prej SHBA-së është qëndrimi i qeverisë së saj ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Për shkak se kjo gjykatë lëshoi një fletarrest për kryeministrin e Izraelit, të cilin SHBA-ja e mbron me çdo kusht, qeveria amerikane iu kundërvu gjykatësve, pa e diskutuar fare fajësinë apo pafajësinë e Netanjahut. Një nga masat e marra kundër gjykatësve GJPN-së ishte shpallja e tyre nongrata në SHBA vitin e kaluar. Po kështu, qeveria e SHBA-së vendosi sanksione ndaj raportueses speciale të OKB-së për territoret palestineze të pushtuara, Françeska Albanese, e cila ka qenë kritike ndaj pushtimit izraelit të territoreve palestineze, u rekomandoi vendeve anëtare të OKB-së të hartonin një plan për t’i dhënë fund pushtimit, ka paralajmëruar për spastrim etnik të Gazës, etj.
Rendi botëror bazuar në rregulla, i vendosur pas Luftës së Dytë Botërore, ka qenë i tillë në dukje. Siç e konfirmoi dhe kryeministri kanadez në Davos: “Ne e dinim që narrativa e rendit të bazuar në rregulla ishte pjesërisht i rremë. [E dinim] që të fortët do t’i bënin lëshime vetes. Që rregullat ekonomike zbatoheshin në mënyrë asimetrike. Dhe që ligji ndërkombëtar zbatohej me korrektësi të ndryshueshme në varësi të identitetit të akuzuarit ose viktimës.”
Vendet e tjera, përfshi Kanadanë, nuk ankoheshin sepse përfitonin nga ai rend botëror. Por tani që SHBA-ja e përdor parimin e forcës edhe kundër aleatëve të saj, ato po ngrenë krye duke ekspozuar gjithë sistemin.
Çfarë do të ndodhë më tej është herët ta themi. Tashmë i njohim qartë palët në konflikt, forca e përfaqësuar nga fuqitë e mëdha dhe morali i përfaqësuar nga vendet e madhësisë së mesme dhe të vogla. Fitorja e forcës çon në totalitarizëm, fitorja e moralit çon në bashkëpunim të bazuar në rregulla.









