loader image
October 5, 2024

Rezoluta e Srebrenicës – një mundësi e re për një “filozofi të re” për Europën

Të ndikuar, sa prej migracionit të pakontrolluar, aq prej luftës mes Hamasit dhe Izraelit, disa forca ekstreme në kontinent promovojnë Europë “pa myslimanë”. Realizimi i “botës serbe”, përmes prishjes së një “shteti mysliman” në Europë, do të kishte qenë erë pas shpine për këto forca, që – siç pretendojnë – dekonstruimin e BE-së deri në zhbërje.

Rizvan SULEJMANI, Shkup

“Fatkeqësisht, qeveria serbe e humbi mundësinë për ta shfryëtzuar një mundësi për ta mbështetur rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë.”, do të deklarojë për “Euronews” Vuk Drashkoviqi, një ish ministër i kabinetit të Millosheviqit.

Vërtet Serbia e humbi mundësinë që ta mbështesë rezolutën e 23 maj 2024 të Asamblesë së Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me të cilën 11 korriku shpallet si Dita Ndërkombëtare e Gjenocidit në Srebrenicë. Vuçiqi dhe Dodiku nuk janë gatshëm ta pranojnë gabimin historik, të kërkojnë falje, t’i dënojnë kriminelët, siç bëri Gjermania pasnaziste dhe kështu të fillojë procesi i demillosheviqizimit, siç u bë me denazizmin. Bujaria e popullit gjerman për ta pranuar gabimin dhe për t’i dënuar fajtorët, bëri që Gjermania sot të jetë forca kryesore ekonomike dhe boshti rreth të cilit ngrihet Bashkimi Europian, kurse kontinenti përjeton paqen më të gjatë në historinë e vet.

Përskaj faktit se, për momentin, serbët janë larg një vendimi të tillë, të inkurajuar nga këndellja e Drashkoviqit dhe të tjerëve të ngjashëm me të, do të bëjmë përpjekje të jemi optimistë kreativë dhe, përmes një qasjeje jokonvencionale, intuitave të politikës dhe gjeopolitikës, ta shohim perspektivën e këtij rasti. Do të tentojmë që momentin ta trajtojmë si një “filozofi të re”, për një mundësi të re për Ballkanin, Europën dhe më gjerë, në kontekstin e tronditjeve globale. Çka duhet të dimë për këtë qasje?

Pikësëpari duhet ta dimë se fjala “gjenocid” u krijua për herë të parë nga avokati polak Raphäel Lemkin në vitin 1944, nga parashtesa greke genos, që do të thotë racë ose fis, dhe prapashtesa latine cide, që do të thotë vrasje. Gjenocidi, si krim sipas ligjit ndërkombëtar, u njohëpër herë të parë në vitin 1946 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, kurse u kodifikua në Konventën e vitit 1948, si “.. aktet e … kryera me qëllim për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht të një grupi kombëtar, etnik, racor ose fetar,…”. Duhet gjithashtu ta dimë se, bazuar në këtë konventë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, më 26 shkurt 2007 mori vendim se masakra ndaj myslimanëve boshnjakë në Srebrenicë në korrik të 1995-tës përbënte gjenocid, por në të njëjtën kohë vendosi se nuk kishte prova të mjaftueshme për ta gjetur Serbinë drejtpërdrejt përgjegjëse ose edhe bashkëpunëtore në atë gjenocid.

Vendimi shkaktoi debat, saqë disa muaj më vonë u organizua konferenca e parë ndërkombëtare për gjenocidin në Sarajevë, ku pjesëmarrësja në konferencë, SáCouto, do të sugjerojë: “Aa më mirë të kuptohet ky gjykim, aq më të mëdha janë shanset që të kontribuojë në një lloj pajtimi në rajon”. Serbia, me insistimin e kryetarit të atëhershëm, Boris Tadiq, pas 13 orë debat, më 31 mars 2010, me shumicë të ngushtë, e aprovon një deklaratë me të cilën “dënon me termat më të ashpër krimin e kryer në korrik 1995 kundër popullsisë boshnjake të Srebrenicës”, e cila u cilësua si jo e plotë, meqë nuk është në përputhje me vendimin e gjykatës dhe i shmanget termit “gjenocid”.

Fatkeqësisht mosadresimi i saktë i fajtorit nga ana e gjykatës la hapësirë për keqinterpretim, që rezultoi me mospranimin e fajit nga Serbia, deri në mohim të krimit të bërë nga serbët. Aktorët politikë në Beograd, përmes Dodikut, paralajmërojnë jo pajtimin, por ndarjen, që për realitetin e Bosnjës nuk është e mundur pa krime dhe pastrime etnike. Gjithë kjo ndodhë në rrethana tejet të ndërlikuara politike jo vetëm në Europë, por edhe më gjerë, siç janë agresioni rus në Ukrainë, lufta mes Hamasit dhe Izraelit, si dhe ngritja e forcave politike izolacioniste, antimigrim e islamofobe brenda Bashkimit Europian.

Në këtë ambient, dyshja Vuçiq & Dodik, me ambicie pansllaviste, përmes vizatimit të vijave etnoreligjioze, promovojnë “botën serbe”, duke vënë në pikëpyetje një shtet multietnik, ku njëri nga tre komunitetet deklarohet si mysliman. Të ndikuar, sa prej migracionit të pakontrolluar, aq prej luftës mes Hamasit dhe Izraelit, disa forca ekstreme në kontinent promovojnë Europë “pa myslimanë”. Realizimi i “botës serbe”, përmes prishjes së një “shteti mysliman” në Europë, do të kishte qenë erë pas shpine për këto forca, që – siç pretendojnë – dekonstruimin e BE-së deri në zhbërje.

Përskaj ngërçit që e ka kapluar popullin serb, që shihet nga reagimet negative të Beogradit, vazhdoj ta shoh Rezolutën si një moment historik që duhet ta sjellë jo vetëm pajtimin në regjion, por të shndërrohet në platformë mbi të cilën do të shtrihet zgjerimi i ardhshëm i Europës në Ballkan. Ku e bazoj këtë optimizëm?

Forcat progresive jo vetëm në Europë, por edhe më gjerë, janë të vetëdijshme për pasojat e politikave të tilla, por edhe për tranzicionin e madh, të cilin e kalon rendi botëror, andaj bëjnë përpjekje së pari ta parandalojnë një përplasje të re në Ballkan, që pastaj t’i hapin rrugë procesit të integrimit të regjionit. Ne duam të besojmë se rruga e re, që duhet shtruar, kalon përmes “pajtimit të botës monoteiste”, që do të nxjerrë në sipërfaqe një mendësi dhe filozofi që e tejkalon të tanishmen. Ne presim që kjo të ndodhë së pari në Europë dhe pastaj të shtrihet më tej, si kundërpërgjigje ndaj pansllavizmit, pas të cilit qëndron “bota indo-kineze”. Rezoluta e 23 majit 2024 mbi gjenocidin ndaj myslimanëve në Bosnjë, që do të përkujtohet çdo vit, është grusht i rëndë për antiislamistët dhe ky është fillimi i ngritjes së një Europe dhe bote më inkluzive. A ka prova nga e kaluara?

Kur profesori Tomasz Kamusella nga Universiteti St. Andrews analizon kalimin e Europës nga “tradita krishtere” në “ traditë, judeo-krishtere”, zbulon se ideja është shfaqur më herët në Amerikë, porse gjatë Luftës së Dytë Botërore shprehja “tradita judeo-kristiane” u adoptua si koncept për përcaktimin e bazës morale dhe filozofike të qytetërimit perëndimor, kjo si antitezë ose kundërshtim me Bashkimin Sovjetik dhe Rajhun e Tretë. Baza e re morale u bë më e popullarizuar se konkurrentët e saj ideologjikë si: “vlerat sovjetike” ose stereotipi antisemitik, “judeo- bolshevike”.

Këto tri fraza, që konkurronin dhe dallonin me njëra-tjetrën, u zgjeruan në fillim të viteve të ‘60-ta, për t’u thelluar në vitet e ’80-ta. Pse mu në këtë kohë? Sipas Kamusella-s, përdorimi i shprehejs “tradita judeo-kristiane” lidhet me binomin gjyqet e Frankfurtit të Aushvicit dhe përplasjen e dy superfuqive gjatë Luftës së Ftohtë. Gjyqet e Frankfurtit, i njohur si “gjyqi i dytë i Aushvicit” (20.12.1963 /19.08.1965) akuzonte kriminelë për rolin e tyre në holokaust si zyrtarë të nivelit të mesëm dhe të ulët në kompleksin e Aushvic-Birkenau. Më e rëndësishmja, ky gjyq, që u mbajt në Frankfurt, nuk bazohej në legjislacionin ndërkombëtar për krime kundër njerëzimit, siç ishte gjyqi i parë i mbajtur në Poloni pothuajse dy dekada më parë, por në ligjet shtetërore të Republikës Federale të Gjermanisë. Rasti duhet marrë për mësim bile edhe nga ne shqiptarët, kjo për disa arsye: së pari, gjyqi nuk ka për qëllim primar dënimin dhe më së paku hakmarrjen, por për ta zbardhur të vërtetën; së dyti, gjyqi ka për qëllim për ta ndarë kriminelin prej të ndershmit, patriotit, idealistit e iluzionistit; dhe, së treti, nuk mund të ketë shoqëri të shëndoshë dhe institucione të pastra, kredibile, të gatshme ta zbatojnë ligjin pa anime dhe pa e dënuar çdo krim të ardhshëm nëse nuk e dekriminalizon shoqërinë. Gjermanët ia dolën. Andaj autori do të konstatojë se përderisa gjyqi shënoi fillimin e njohjes dhe dënimit të pranuar botërisht të holokaustit hebre, kjo e dyta paralajmëroi rënien e komunizmit dhe bllokut sovjetik. Për më tepër, vitet 1980-të përjetuan përshpejtimin e procesit të integrimit europian, i cili inkurajoi shfaqjen e termit të ri “Europa Judeo-Kristiane”.

Përskaj këtij evoluimi në mendim, autori edhe më tutje është kritik, pasi sipas tij dominon termi “Europa e krishterë” për ta zbehur koleksionin “Europa çifute”, që është në të njëjtin nivel dhe në konkurrencë me konstruksionin “Europa Islame”.

I vetëdijshëm se harresa është një veti njerëzore dhe e keqja mund të rikthehet, ai tërheq vërejtjen se pjesa “judeo” e termit “tradita judeo-kristiane” çalon, kjo për arsye se nuk ka asnjë shtet hebre në Europë edhe pas holokaustit, bile asnjë shtet i vetëm europian nuk strehon një komunitet të konsiderueshëm hebre edhe se deri para Luftës shumica e hebrenjve të botës jetonin në Europën Qendrore, si në Poloni. Si rezultat, komunitetet që flasin jidish mbijetojnë vetëm në Izrael dhe në disa lagje dhe qytete të Amerikës së Veriut. Sipas Kartës Europiane të Këshillit të Europës, të vitit 1992, për gjuhët rajonale ose të pakicave, jidishja është një gjuhë e mbrojtur e pakicave në tetë shtete europiane, si: në Bosnjë, Finlandë, Holandë, Poloni, Rumani, Sllovaki, Suedi dhe Ukrainë. Sipas tij, miratimi zyrtar i BE-së i jidishit dhe shkrimit hebraik do t’i forconte, simbolikisht, dukshëm dhe në praktikën e përditshme themelet morale judeo-kristiane të Bashkimit Europian.

Nëse analizohen më me kujdes rrethanat që shpien në këtë transformim të madh, kjo na bën të mendojmë se kjo është një mundësi e re për një “filozofi të re”. Nëse atëherë duhej kundërvënë “Europës sovjetike”, sot duhet kundërvënë “Rusisë ekspansioniste”. Nëse atëherë duhej kundërvënë “judeo-bolshevizmit”, sot duhet kundërvënë “pansllavizmit”. Nëse atëherë duhej kundërvënë propagandës “Europë çifute”, sot duhet kundërvënë propagandës “Europë islame”. Nëse atëherë si antitezë lindi “hebro-krishterimi”, që solli deri tek zgjerimi i Europës, sot duhet shpaluar “hebro-krishtero-islamin”, që të mundësojë integrimin e Ballkan, përfshi Turqinë. Në këtë mënyrë “destruksioni konstruktiv” me bazë ideologjike demokracinë iliberale, të promovuar nga Putini, për rregullimin e ri botëror do të gjejë pandanin e vet në “zgjerimin kreativ” me bazë në “demokracinë diskursive deliberative”. Në fund boshti “hindu-kinez” do ta ketë si kundërpeshë “botën monoteiste”.

Nga kjo perspektivë duhet parë edhe vendimin e Gjykatës për krerët e Hamasit dhe Izraelit, si dhe rezoluta për Palestinën, që preferoj të mbarojnë me një pajtim historik arabo-izraelit, pse jo edhe hebraiko-islam, ku shteti i Izraelit, i rrethuar me shtete myslimane, do të garantohet po si ai palestinez nga vetë arabët. Ekzistimi i një shteti multietnik si Bosnja, ku një komunitet deklarohet me identitetin mysliman në Europë, që mbrohet nga europianët, është po aq i rëndësishëm sa ekzistimi i Izraelit në mes të botës myslimane.

Përkujtimi i gjenocidit të Srebrenicës çdo vjet, si gabim që nuk guxon të përsëritet, paralajmëron se një ditë duhet të kemi edhe rezolutë që do t’i përkujtojë edhe masakrat e luftës që po zhvillohet mes Hamasit dhe Izraeli. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të kemi një Europë më të gjerë, e cila nga bashkësi kulturore ekskluzive në rënie, transformohet në civilizim inkluziv në ngritje. Në aspektin gjeopolitik, beteja me bllokun e “Indo-Kinës” kam bindjen se mund të fitohet vetëm nëse vendet e Mesdheut janë në orbitën europiane. Një fitore e tillë është e pamundur pa pajtimin e botës monoteiste, që do t’i mundësojë Europës të zgjerohet përtej kufijve të kontinentit. Për këtë nevojitet kohë, një resurs që nuk kompensohet. Ndërkaq, kohë kemi çdo ditë e më pak, andaj ajo duhet të shfrytëzohet racionalisht.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X