Noli në politikë, më i zbehtë se në krijimtari dhe veprimtarinë atdhetare jashtë vendit.
Daut DAUTI, Shkup
Në vitin 1993, si kryeredaktor (ushtrues detyre) i “Flakës së vëllazërimit”, më kishte ardhur një ftesë për një konference shkencore në Tiranë. Nga temat që u prezantuan atëherë, nga kjo distancë kohore, nuk mund të kem mbajtur mend diçka më shumë. Plus që unë as që isha pjesëmarrës i mirëfilltë, por mysafir në pjesën protokollare, si përfaqësues i gazetës së vetme në gjuhën shqipe atëherë në Maqedoni. Por, një gjë që më bëri përshtypje nga gjithë ajo konferencë dhe që e mbaj mend edhe sot e kësaj dite, ka të bëjë me Fan Nolin, edhe atë si një befasi në stilin e një grushti të papritur që erdhi në fund të konferencës. Sepse, dy-tri vite pas rënies së komunizmit, u duk paksa shpejt që dikush të thoshte diçka që të hidhte dyshim në një ngjarje për të cilën deri atëherë ishte shkruar vetëm pozitivisht. Në mesin e atyre që morën fjalën në fund, pos meje që dola me një propozim që në një konferencë të ardhme temë të jenë ngjarjet e 1981-shit në Kosovë, doli edhe historiani i njohur Zekirja Cana, i cili propozoi që një konferencë e tillë t’i kushtohet Revolucionit Demokratik të vitit 1924 të Nolit. Më kujtohet se historiani me këtë rast edhe dha një vlerësim minimizues për këtë ngjarje, disi në stilin “për mua nuk ka qenë kurrfarë revolucioni dhe nuk kishte ndonjë shtrirje e përkrahje popullore, por ishte një rebelim i rëndomtë pa ndonjë arritje qenësore”.
Ishte befasi jo pse dr. Zekirja Cana kërkoi diçka që është normale për një ngjarje historike, po pse ai e dha një mendim ndryshe nga ç’e kishim mësuar në lëndën e historisë, ku kjo ngjarje ishte një përmbysje e Ahmet Zogut, që ndryshe nga Fan Noli, kishte hyrë në librat shkollorë, si një satrap, mbeturinë e feudalizmit, një sundimtar që s’mban llogari për vegjëlinë gjersa ai jeton në luks e shumëçka tjetër. Pamjet rrëqethëse nga prozat me tematikë sociale të Migjenit i adresoheshin pikërisht mbretërimit të keq të Ahmet Zogut, kontekst ky që ka dominuar edhe në letërsinë socrealiste të pasluftës. Dhe, në vijim të këtij diskursi, kemi edhe “arsyeshmërinë” historike të përmbysjes së tij në një periudhë turbulente për Shqipërinë, me shumë ngjarje, luftëra politike përtej kufijve të mjeteve të lejuara, me atentate e përplasje të rrezikshme. Dhe, përnjëherë, në ndarjen bardhe e zi të roleve, midis Nolit “të mirë” dhe Zogut “të keq”, na del propozimi për t’u rishikuar një ngjarje në të cilin protagonisti kryesor, Noli, qeverisi gjashtë muaj, gjersa nuk u përmbys nga i përmbysuri i mëparshëm, tash me ndihmën serbe. Ndaj dhe është jo pak herezi edhe në dritën e rishikimeve të ngjarjeve dhe figurave historike që të prishësh një imazh pozitiv.
Pas shumë vitesh, kur në Revolucionin e Qershorit ishte hedhur më shumë dritë, në një tavolinë intelektualësh, një profesor i historisë që ligjëronte në njërin nga universitetet shqip të Maqedonisë, mori guximin të flasë me tone kritike ndaj kësaj ngjarje, dhe një profesor tjetër, ky i letërsisë, që e kishte personalitet të adhuruar Nolin, si në gjysmë shaka ia ktheu: “Aman, vetëm Nolin mos ma nguc, ai është i madh në çdo pikëpamje!”.
Këndvështrimet e një historiani dhe një profesori të letërsisë ka gjasa të mos pajtohen, sepse janë dy fusha të ndryshme ku në njërën Fan Noli është brilant, që nga krijimtaria letrare e gjer te përkthimet e Servantesit dhe Shekspirit, dhe, në tjetrën, një aktor politik pjesëmarrës në një përmbysje të quajtur ndoshta pa të drejtë “revolucion”, është një figurë gatise donkishoteske. Jo vetëm që është e pakontestueshme krijimtaria e tij, të pakontestueshme janë edhe aftësitë oratorike prej politikani madje dhe qëllimet për të drejtuar një qeveri pas një kryengritje apo kaosi të përgjithshëm që mbretëroi në fillim të vitit 1924 në një Shqipëri të pakonsoliduar. Tjetër gjë është efekti që është larg pritjeve të shqiptarëve, e sigurisht edhe të vetë Nolit.
Profesori i paemëruar mund të ketë të drejtë kur kërkon të mos preket Noli sepse ai e shikon në plotëni veprimtarinë e tij, ku ndonjë dështim eventual mund të merret si një gjë normale. Mund të kenë të drejtë edhe studiuesit tjerë që i analizojnë të gjitha rrethanat, duke e shikuar atë periudhë 6 mujore pa atë vizurën ideologjike të komunizmit kur antimonarkizmi ishte pjesë e ideologjisë, pra me një sy më pak idealist, të cilët e kanë të vështirë të gjejnë ndonjë ndryshim pozitiv për shtetin shqiptar.
Nga leximi i shumë teksteve dhe veprave të tëra mund të nxirren shumë përfundime interesante, jo vetëm për këtë kapitull historisë, por dhe të veprimtarisë politike të Nolit. Pas dëshmimit të aftësive oratorike të jashtëzakonshme gjatë qëndrimit në Amerikë dhe në konferenca të ndryshme ndërkombëtare, ku ka mbrojtur kauzën shqiptare, kthimi i tij në Shqipëri për t’u marrë aktivisht me politikë, nuk e ka të njëjtin shkëlqim. Pikërisht historisë së Revolucionit të Qershorit i paraprin humbja në zgjedhjet e vitit 1923 të liberalëve të tij, ku intelektuali i rangut të lartë, me gjuhë shpesh ezopiane në paraqitjet publike, nuk do të arrijë t’i bindë votuesit me mungesë përvoje demokratike dhe nivel të ulët të arsimimit, kundrejt rivalit të tij Ahmet Zogu më popullor.
Atë që nuk e fitoi me vota, e fitoi me përmbysje klasike të një grusht shteti, por do të ishte e tepërt që kjo t’i adresohej vetëm Nolit, sepse konteksti historik është paksa më i ndërlikuar për të nxjerrë përfundime të thjeshta. Nëse u referohemi autorëve që janë marrë me këtë ngjarje, mund të gjejmë shumë analogji interesante me ngjarje të mëvonshme dhe atë hiq më pak me vitin 1997, kur Shqipërinë e kishte kapluar jo vetëm një krizë e rëndë politike, por dhe anarki. Sepse, pas tërheqjes së Ahmet Zogu, shfaqen vështirësitë për krijimin e një qeverie të re, për shkak të interesave të kundërshtuara mes rivalëve politikë, ku problemi kryesor ka qenë si të (mos) përfshihet në të si ministër i luftës Rexhep Shala, që ishte zgjidhje problematike për Ahmet Zogun. Pakënaqësia me këtë dhe vrasja e Avni Rustemit, për çka opozita e akuzonte qeverinë që nuk merr masa, do të shkaktojnë pakënaqësi në shumë pjesë të vendit dhe segmente të shtetit, gjer në përplasje. Kush e kujton se si u krijua dhe si u përhap kriza e piramidave në vitin 1997, do të vijë në përfundim se edhe viti 1924 kishte zhvillim të ngjashëm të përhapjes së krizës në pothuajse gjithë vendin.
Përveç shumë autorëve të tjerë, këtë më së miri e përshkruan një diplomat gjerman në Tiranë, ministri von Kardorff, në një raport që mban datën e 21 qershorit 1924 dërguar Ministrisë së Jashtme të qeverisë së tij, që vitin e kaluar e kishte botuar gazeta “Dita”. Ja disa thekse nga raporti, ku ai, pas një përshkrimi të mobilizimit të forcave qeveritare dhe atyre antiqeveritare, situatën e përshkruan kështu: “…Nga ana tjetër, si në Veri dhe në Jug, njerëzit ende hezitonin për të kaluar në armiqësi të hapur ndaj njëri-tjetrit. Kryengritësit ndoqën shembullin e qeverisë dhe rekrutuan të ashtuquajturit vullnetarë, të cilët u pajisën me armë dhe municion. Ndërkohë, në Verilindjen malore, në kufirin e prefekturave të Kosovës dhe të Dibrës, tashmë po luftonte Bajram Curri, kreu i malësorëve kundër të lartpërmendurit Ceno Begu. Më 26 maj, një pjesë e Shqipërisë së Jugut u shkëput nga pushteti qendror dhe ngriti një komision prej katër anëtarësh për të kontrolluar administratën në Vlorë. Ky komision përbëhej nga Fan Noli, Sulejman Delvina, Kosta Paskali dhe një farë Mustafa Tragjasi, deputet i Vlorës. Më në fund, në mbrëmjen e 31 majit edhe në Shkodër shpërthyen luftimet, ku duhet theksuar se qeveria kishte ende në dorë xhandarmërinë. Një njoftim për kalim në gjendje alarmi, që më vonë rezultoi i pavërtetë, krijoi papritur një gjendje paniku. (…) Në të njëjtën kohë filluan luftimet në Shqipërinë e Jugut. I lartpërmenduri Shefqet Korça përparoi nga Përmeti nëpërmjet Këlcyrës, ndërkohë që një njësi tjetër kaloi lumin Seman në Veri të Fierit, por që shpejt iu desh përsëri të kthehej. Përleshjet kryesore u zhvilluan pranë Beratit, ku kalaja e vjetër mbeti në duart e kryengritësve….ndërkohë, në Tiranë përfaqësuesit e Jugut qëndronin gjithnjë e më shumë larg Asamblesë Kushtetuese. Si pasojë mbështetësit e qeverisë u tkurrën edhe më shumë. Për shkak të situatës gjithnjë e më kërcënuese, më 31 maj qeveria u detyrua të riformatojë kabinetin. (…). Në mëngjesin e 9 qershorit, luftëtarët e Rexhep Shalës së bashku me malësorët qëndronin në bregun verior të lumit Mat.(…) Ndërkohë, në Tiranë, prej datës 5 qershor e në vazhdim, njerëzit e kujdesshëm e kishin parë të arsyeshme të fillonin të largoheshin nga qyteti. Mes tyre ishte edhe Refik bej Toptani, një nga dy regjentët ende të pranishëm në Tiranë (…) Duke gdhirë 10 qershori, Ahmet Zogu me rreth 200 njerëz të tij ishin të fundit që u larguan nga kryeqyteti në drejtim të vendlindjes së tij, Matit. (…) Ndërkohë vinin lajme se si po shpërbëheshin forcat qeveritare në Jug. Njerëzit dezertonin në grupe duke hedhur pushkët nëpër shkurre. Fituesit përparonin nëpërmjet Lushnjës e Kavajës për në Tiranë. Ata u takuan aty në datën 11 dhe 12 të këtij muaji me shkodranët, krenarë dhe shumë të nderuar, ndërkohë që së brendshmi pyesnin nëse Ahmet Zogu ishte larguar vërtet dhe ishte tashmë i parrezikshëm. (…) Asnjë incident i rëndësishëm nuk ka ndodhur në Tiranë gjatë javëve të fundit. Ndërsa hordhitë fitimtare të mirditasve dhe malësorëve që populluan qytetin u sollën me qetësi, modesti dhe me një dinjitet primitiv njësoj si ata të Matit e të Dibrës që u larguan, rinisë moderne shqiptare, “Bashkimi”, që janë një version shqiptar i fashizmit italian, ju rezervua e drejta për të treguar guximin dhe mentalitetin e tyre duke torturuar ata që mendojnë ndryshe. Formimi i kabinetit të ri u bë pas një regjimi ushtarak disaditor nën drejtimin e regjentit Sotir Peçi, i cili u kthye prej pushimeve nga Korça, qytet që nuk ishte përfshirë aktivisht në këto ndryshime. Nëpërmjet tij, kabineti Fan Noli legjitimohet konform kushtetutës. Kundër matjanëve të Ahmet Zogut, emri i të cilit i tremb ende kundërshtarët, u dërguan trupa ushtarake dhe vullnetarë. Në total, në ngjarjet e përshkruara kanë vdekur ndoshta më pak se 100 shqiptarë…” (“Revolucioni i qershorit ’24, një dëshmi gjermane”, gazeta “Dita”, 24 qershor 2024)
Nëse lexojmë përshkrimin e diplomatit gjerman, e shohim ironinë se si u krijua një krizë politike, se si u përhap si revoltë e përgjithshme, shumë ngjashëm me atë të vitit 1997: pakënaqësi, rrëmbim armësh, vullnetarë në njërën anë, forca qeveritare të çorientuara në anën tjetër, krizë me qendër Vlorën dhe Shkodrën, hamendje në popull me cilën anë të mbahen. Sikundër në vitin 1924, edhe në vitin 1997, kishte një manipulim nga forcat politike opozitare me pakënaqësinë popullore, e gjer te marrja e pushtetit, që vetëm flet se disa gjëra nuk ndryshojnë kollaj në shoqërinë shqiptare. Në vitin 1924 vjen Noli opozitar, edhe në vitin 1997 vjen një kryeministër nga radhët e opozitës. Analogjia përfundon në zgjidhjen e këtyre dy krizave: në vitin 1924 kthehet Ahmet Zogu me ndihmën e vendeve fqinje, ndërkaq në vitin 1997 fiton opozita në zgjedhje të lira. Pas ’97-tës vjen Leka Zogu i dytë, por nuk arrin që të kthehet përnjëmend në fron si babai i tij – tash vërtet kishin ndryshuar rrethanat për monarkinë, ndonëse rojalistët shqiptarë sot e kësaj dite nuk e pranojnë referendumin si të mirëqenë.
Përse t’i ndodhte ky dështim Fan Nolit? A ka të drejtë historiani Beqir Meta që thotë se kryengritja nuk kishte asnjë program politik, asnjë shtab politik i cili do të kishte një program të përcaktuar për transformime të mëdha, por ishte një konflikt i brendshëm politik.
Edhe ato 20 pika të programit ishin tejet ambicioze, por dhe vështirë të gjykohet nëse mosrealizimi i tyre ka qenë për shkak të kohës së shkurtër gjer në përmbysje ose paaftësi e mosgjeturi nga Noli në një qeveri e cila ishte tejet e përçarë. Apo është gjithçka rezultat i rrethanave të pavolitshme, që kushdo që të ketë qenë në krye të qeverisë, do të kishte dështuar?! Ndoshta më afër të vërtetës mund të jetë Ilir Ikonomi, i cili në librin e tij kushtuar Nolit, nuk shprehet aspak i impresionuar me Revolucionin e Qershorit. Ai “performancën” e tij e ka quajtur “politikan i dobët”. Lidhur me reformat e proklamuara, Ikonomi thotë se qeveria nuk arriti as t’i fillonte ato reforma. “Nuk pati ‘çrrënjosje të feudalizmit’ dhe as ‘vendosje të demokracisë’. Përmbysja që ndodhi në qershor 1924 nuk besoj se solli gjë tjetër përveçse e thelloi anarkinë sociale dhe ekonomike që ekzistonte në vend. U provua se qeverisja e re as që arriti ta prekë sistemin feudal agrar e jo më ta çrrënjosë. Megjithëse Noli dhe disa nga miqtë e tij liberalë dëshirat i kishin të mira, ajo nisi si një revoltë e pastudiuar dhe si një eksperiment social që nuk kishte një objekt të qartë për atë që duhej arritur.” (cituar sipas portalit Si)
Disa autorë shkakun e dështimit e shohin te një diskrepancë kohore të ideve të Nolit me realitetin shqiptar. “Noli kishte ide të mëdha, ide përparimtare, ide amerikane që dëshironte t’i aplikonte në Shqipërinë e prapambetur feudale. Mendoj se Shqipëria e asaj kohe nuk ishte e pjekur për reforma si ato që donte të sillte Noli. Ai ishte vërtet një njeri me dëshira të mira, mirëpo liderët nuk dallohen nga fakti se sa të përparuar janë në idetë e tyre, por se sa me sukses mund t’i zbatojnë ato ide në kushtet e vendit.” (po sipas I. Ikonomit).
Dështimi i këtij revolucioni doemos duhet “t’i faturohet” Nolit, por dhe rrethanave të përgjithshme ku nuk kishte vend për një intelektual të rangut të tij, por për politikanë pragmatikë që adaptoheshin me ato rrethana. Siç ka dëshmuar historia e mëpastajme, rivali i tij Ahmet Zogu qe më pak intelektual, por më tepër pragmatik, ndaj dhe ka ditur ta mbijetojë jo vetëm grushtetin ndaj tij, por dhe të qëndrojë në krye të Shqipërisë në 15 vitet e ardhshme, duke dhënë kontribut të pamohueshëm në ndërtimin e shtetit, me gjithë të metat. Ndaj, kur flasim për Nolin, peshoren do ta rëndojnë pjesët tjera të personalitetit të tij e jo Revolucioni i Qershorit, i cili ka edhe atributin “demokratik”, por që në thelb edhe kjo i mungoi.