loader image
September 28, 2025

Pse refuzoi Mustafa Qemal Ataturku që ta njihte Mbretin Zog

Më 7 shtator 1928, gazeta gjysmëzyrtare “Cumhuriyet” (“Republika”) botoi një artikull ku shkruhej se “reaksioni i bërë në Shqipëri në këtë epokë, kur sovraniteti kombëtar mbizotëron si zot i vetëm në vendin tonë, ndër ne është pritur me habi dhe zemërim. Turqia duhet ta tërheqë me të shpejtë përfaqësuesin e saj nga Tirana”. Ndërsa më 10 shtator 1928 po kjo gazetë shpalljen e Mbretërisë në Shqipëri e ironizonte duke e quajtur “Opereta e Tiranës”.

Hasan BELLO, Tiranë

Presidenti Ahmet Zogu, i mbingarkuar me probleme të vështira të brendshme dhe të jashtme brenda një kohe të shkurtër kishte arritur deri diku të luftonte me sukses përçarjet dhe intrigat e huaja dhe ta fuste vendin në rrugën e zhvillimit ekonomik. Por, çdo ditë e më shumë, ai po bindej se një mbret në krye të Shqipërisë, ashtu siç kishte Anglia, Italia, Jugosllavia dhe Greqia, ishte më e vështirë të rrëzohej nga intrigat e huaja ose kryengritjet e brendshme sesa një president me një mandat të kufizuar qeverisjeje. Gjykohej se me një mbretëri të konsoliduar e të trashëgueshme do të sigurohej vazhdimësia e regjimit të brendshëm në krahasim me pozitën e presidentit të republikës, që u ekspozohej tronditjeve të paparashikuara. Më 5 gusht 1928, Ahmet Zogu, në emër të qeverisë dhe deputetëve, me qëllim që shtetit shqiptar t’i jepej forma definitive në përputhje me traditën, psikologjinë, kushtet e brendshme dhe të jashtme, nxori dekretin për t’u mbledhur Asambleja Kushtetuese me qëllim të rishikimit të kushtetutës. Kështu më 1 shtator 1928, Asambleja e aprovoi kushtetutën e re, e cila e sanksiononte edhe formën e regjimit, duke e shpallur Shqipërinë Mbretëri Demokratike Parlamentare dhe të trashëgueshme, me Mbret të Shqiptarëve Zogun I.

Brenda një kohe të shkurtër të gjitha shtetet europiane filluan ta njohin njëri pas tjetrit Monarkinë dhe Mbretin Zog, me përjashtim të Jugosllavisë, e cila në emërtimin “Mbret i Shqiptarëve” shihte synimet për të përfshirë nën kurorën e tij popullsinë dhe territoret shqiptare që ndodheshin brenda kufijve të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene.

Një qëndrim po aq të paarsyeshëm sa Jugosllavia mbajti edhe Turqia. Më 1 shtator 1928, ambasadori turk në Tiranë, Tahir Lutfi beu, e njoftoi Ministrinë e Jashtme në Ankara, se “sot në orën 9:15 parlamenti e shpalli monarkinë dhe Presidentin Ahmet Zogu si Mbret të Shqiptarëve me titullin Zogu I”. Ndërkaq ambasadori i Turqisë në Londër e njoftoi Ankaranë se agjencia angleze e lajmeve “Central News”, në bazë të një telegrami të ardhur nga Stambolli, bënte të ditur se së shpejti edhe Mustafa Qemali do të vetëshpallej mbret. Në këtë linjë ishin dhe disa artikuj që u botuan në të përditshmet angleze “The Daily Telegraph”, “Manchester Guardian” dhe në disa gazeta franceze, të cilat shkruanin se për këtë ai (Ataturku – H.B.) do ta merrte si shembull Mbretin e Shqiptarëve, Ahmet Zogu. Ambasada turke në Londër u urdhërua nga Ankaraja që t’i përgënjeshtronte lajmet e mësipërme, ndërsa Mustafa Qemali më 5 shtator deklaroi në mënyrë të prerë se nuk do ta njihte kurrë regjimin e ri. Sipas konsullit të Shqipërisë në Stamboll, kryetari i Republikës Turke kishte kritikuar veprën dhe dëshirën e kombit shqiptar tek bashkëpunëtorët e tij, në një mënyrë që nuk përputhej me dinjitetin e një burri shteti. Më 7 shtator 1928, gazeta gjysmëzyrtare “Cumhuriyet” (“Republika”) botoi një artikull ku shkruhej se “reaksioni i bërë në Shqipëri në këtë epokë, kur sovraniteti kombëtar mbizotëron si zot i vetëm në vendin tonë, ndër ne është pritur me habi dhe zemërim. Turqia duhet ta tërheqë me të shpejtë përfaqësuesin e saj nga Tirana”. Ndërsa më 10 shtator 1928 po kjo gazetë shpalljen e Mbretërisë në Shqipëri e ironizonte duke e quajtur “Opereta e Tiranës”.

Në bazë të informatave të përfaqësisë shqiptare në Ankara, ishte Mustafa Qemali ai që këmbëngulte që Turqia të mos e njihte regjimin e ri mbretëror të Shqipërisë. Ministri i Jashtëm, Tevfik Rüştü Aras (Teufik Ryshty Aras), dhe disa ministra i ishin lutur kryetarit të Republikës që të ndryshonte qëndrim, por ai kishte refuzuar. Sapo u kthye nga pushimet verore, Ataturku thirri në një takim urgjent përfaqësuesin e Turqisë në Tiranë, Tahir Lutfi Beun. Më 3 tetor 1928, atij iu dërgua ky urdhër telegrafik: “Shkëlqesia e Tij, Presidenti, u kthye. I fola për ndryshimin e regjimit që ndodhi në Shqipëri. Pas kësaj ndodhie të rëndësishme, nga qeveria shqiptare nuk na u dhanë shpjegime të mjaftueshme. Prandaj, Shkëlqesia e Tij ka nevojë të vini këtu (në Ankara-H.B.) për t’i dhënë informata të mjaftueshme për të gjithë këtë aventurë”. Ministria e Jashtme turke e shpjegoi zyrtarisht tërheqjen Tahir Lutfi-ut si nevojë për të biseduar mbi situatën e re dhe me faktin se ai kishte kërkuar transferimin nga Shqipëria. Me largimin e Tahir Lutfi-ut, si i Ngarkuar me Punë ad interim i Turqisë mbeti sekretari i Parë i Legatës, Fuad Beu.

Mendimin për çështjen e ndryshimit të regjimit në Shqipëri, Mustafa Qemali ia bëri të ditur gazetarit të “Le petit Parisien” Henri Berro. Ky i fundit në një mënyrë provokative i tha Mustafa Qemalit se në disa qarqe të Ankarasë po përhapeshin zëra se ndryshimi i regjimit në Shqipëri ishte ndjekur prej tij me simpati si një eksperiment në përpjesëtime të vogla i asaj që do të ndodhte një ditë në Turqi. Presidenti turk e kundërshtoi ashpër dhe i nevrikosur e thirri në telefon kryeministrin, duke e urdhëruar që të mos e njihte Monarkinë Shqiptare. Gjatë intervistës Ataturku i deklaroi gazetari francez: “Si, ta miratoj mbretërinë shqiptare? Jo, jo! Mos më flisni për këtë, nuk e njoh. Njeriu nuk duhet ta tradhtojë kombin e vet…!”. Presidenti, sipas Ataturkut, ishte ushtari i parë në shërbim të republikës dhe, si i tillë, ai duhej të ishte i fundit që duhet ta braktiste mbrojtjen e saj. Kjo intervistë e Mustafa Qemalit, bëri jehonë të madhe edhe në shtypin anglez. Me këtë rast përfaqësia shqiptare në Ankara vinte në dukje, duke u bazuar në një shkrim të gazetës turke Hakimiyet-i Milliye”, se fjalët e botuara nga redaktori i gazetës “Le petit Parisien” nuk kishin qenë deklarata zyrtare të kryetarit të Republikës Turke, por vetëm biseda private. Megjithatë, kjo intervistë jo vetëm që nuk u përgënjeshtrua nga Ankaraja, por pas disa ditësh ajo u ribotua edhe në gazetën “Vakit” (“Koha”).

Deklaratat e Ataturkut krijuan një konfuzion lidhur me qëndrimin zyrtar të Turqisë ndaj ndryshimit të formës së regjimit në Shqipëri. I Ngarkuari me Punë i Shqipërisë në Ankara vetëm pak ditë më parë i kishte telegrafuar qeverisë shqiptare se ministri i Jashtëm, Tevfik Rüştü Aras, i ishte lutur që t’ia përcillte qeverisë shqiptare urimet dhe përgëzimet më të mira për shpalljen e monarkisë. Me këtë veprim ai kishte lënë të kuptohej se njohjen zyrtare do ta deklaronte mjaft shpejt dhe Turqia. Por, çuditërisht, ndodhi e kundërta – gazetat më të rëndësishme turke nisën një fushatë kundër Shqipërisë dhe Mbretit Zog. Duke marrë shkas nga kjo situatë, ministri i Jashtëm, Iljaz Vrioni, kërkoi nga përfaqësuesi i Italisë që Roma të ndërhynte pranë qeverisë së Ankarasë, duke ushtruar gjithë ndikimin e saj që shtypi turk ta moderonte qëndrimin dhe për ta shpejtuar aktin zyrtar të njohjes, vonimi i të cilit po bëhej i pashpjegueshëm. Më 20 tetor, ai e thirri për takim edhe të Ngarkuarin me Punë të Turqisë, Fuad Beun, të cilit ia shprehu habinë për gjuhën e përdorur nga Gaziu. Në fund të bisedës, Iljaz Vrioni i kërkoi diplomatit turk që Ankaraja të bënte të ditur, me anë të shtypit, se kjo intervistë nuk ishte deklaratë zyrtare dhe se nuk do ta përcaktonte qëndrimin e qeverisë turke ndaj shtetit shqiptar. I Ngarkuari me Punë i Turqisë dyshonte mbi autenticitetin e deklaratave që i atribuoheshin Mustafa Qemalit dhe premtoi se do t’ia tërhiqte vëmendjen qeverisë së tij.

E ndodhur përballë kritikave të tilla, qeveria shqiptare e ndaloi hyrjen e gazetave dhe revistave turke në territorin shqiptar. Më 19 tetor 1928 i Ngarkuari me Punë i Shqipërisë në Ankara, Asaf Xhaxhuli, e njoftoi Ministrinë e Jashtme mbi mbërritjen atje të Tahir Lutfi beut. Në një takim që kishte zhvilluar me të, ai i kishte deklaruar se do të bënte çmos për zhdukjen e mosmarrëveshjeve midis dy shteteve dhe njohjen e Monarkisë Shqiptare. Por, nuk kishte munguar të shfaqte gjithashtu edhe zemërimin mbi ndalimin e hyrjes së gazetave turke në Shqipëri, si dhe atakimi, që gjoja një gazetë shqiptare, që dilte në Bari të Italisë, kishte bërë kundër Turqisë. “Kështu, – vijonte me të drejtë Asaf Xhaxhuli, – duke ditur fare mirë atakimet e tyre personale e qesharake guxojnë dhe të ankohen”. Sipas tij, qëllimi i ardhjes së Tahir Lutfi Beut në Ankara ishte të takohej me Ataturkun.

Nga të dhënat e përfaqësisë shqiptare, si dhe nga deklaratat e shumë personaliteteve dhe deputetëve turq, kuptohej lehtë se i vetmi person që insistonte për mosnjohjen e Monarkisë Shqiptare ishte kryetari i Republikës, Mustafa Qemal Ataturku. Megjithatë, qeveria shqiptare mbante një qëndrim të kujdesshëm. Ajo urdhëroi Asaf Xhaxhulin që të mos bënte asnjë demarsh pranë autoriteteve turke për këtë çështje.

Mosnjohja e regjimit të ri shqiptar nga Turqia kishte ngjallur habinë tek të gjithë ambasadorët e huaj në Ankara. Kështu, ambasadori i Gjermanisë, M. Nadolny, i deklaroi Asaf Xhaxhulit se sjellja e qeverisë turke ishte jo vetëm e palogjikshme, por edhe qesharake. “Ju, – vijoi më tej ai, – duhet t’u jepni të kuptojnë turqve se artikujt e shtypit francez, përsa i përket Mustafa Qemalit, janë me prapaqëllim dhe manovra franceze. Pra, turqit nëse duhet t’i zemërohen, t’i zemërohen shtypit francez dhe Francës e jo Shqipërisë. Ndryshimi i regjimit të një shteti shumë herë u përgjigjet nevojave dhe interesave të atij vendi dhe të huajt s’kanë asnjë të drejtë të përzihen. Bashkë me këtë, dihet mirë se Gazi Mustafa Qemali nuk tregoi ndonjë pengim të tillë për Shahun e Persisë”. Ndërkaq ambasadori i Britanisë së Madhe, Sir Xhorxh Klerk, mbasi kishte shfaqur habinë e tij, i deklaroi Asaf Xhaxhulit tekstualisht këto fjalë: “Këto që bëjnë turqit janë reklama, por s’kanë ç’bëjnë dhe shumë shpejt do ta njohin”. Një përcaktim deri diku më bindës ishte ai i ministrit të Jashtëm italian, Dino Grandi, i cili mendonte se shkaku kryesor që Turqia nuk e njihte Monarkinë ishte fakti se Tirana nuk ishte konsultuar më parë me Ankaranë. Një arsyetim të tillë e kishte konfirmuar edhe ambasadori i Turqisë në Romë. Të njëjtin mendim kishte edhe Mbreti Zog. Ai i deklaroi përfaqësuesit britanik se Ataturku e kishte pasur të vështirë të akomodohej me faktin se Shqipëria, e cila ishte rritur nën tutelën e Turqisë si një vend me shumicë myslimane, ndërmerrte një hap kaq të rëndësishëm pa u konsultuar më parë me Ankaranë. Megjithatë, ai ishte i vendosur që nëse Turqia nuk e njihte Monarkinë, të kërkonte nga Ankaraja tërheqjen e përfaqësuesit të saj nga Tirana.

Në disa studime të autorëve të ndryshëm vihet re se e anashkalojnë përgjegjësinë e Ataturkut. Për mendimin tonë, kjo nuk mund të justifikohet për arsye se, së pari, ndryshimi i formës së regjimit të një shteti është një e drejtë legjitime, në përputhje me aspiratat, dëshirat dhe nevojat e një populli dhe që s’duhet të interferojë aspak në relatat midis dy vendeve; së dyti, fakti që Mustafa Qemali nuk u përmbahej të njëjtave parime si në rastin e Persisë, tregon se ai gjykonte me standarde të dyfishta, duke u nisur nga një mentalitet perandorak që akoma e konsideronte Shqipërinë jo si një entitet të pavarur politik, por si një shtet satelit të Turqisë; së treti, mosnjohja e regjimit të ri të Shqipërisë edhe nga vetë pjesa dërrmuese e lidershipit politik të Turqisë, më shumë sesa çështje parimesh, konsiderohej si një kapriço politike e Mustafa Qemalit. Një qëndrim i tillë nuk i shërbeu aspak forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-turke, përkundrazi futi elementë të panevojshëm që çuan në uljen e nivelit të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Prandaj, çdo përpjekje për ta justifikuar këtë qëndrim absurd të Ataturkut, jo vetëm që është i pabazë, por bie ndesh si me teorinë, ashtu edhe me praktikën e së drejtës ndërkombëtare.

Italia filloi një fushatë aktive diplomatike për njohjen e Monarkisë Shqiptare nga ana e Turqisë. Musolini urdhëroi ambasadorin italian në Ankara, Orsini Baroni, të ndërhynte tek ministri i Jashtëm, Tevfik Rüştü Aras, që ta bindte Ataturkun për ta njohur Mbretërinë Shqiptare. Sipas tij, njohja, përveçse do të ishte një akt miqësie kundrejt Italisë dhe Shqipërisë, ishte gjithashtu një masë efektive për ta thyer hezitimin e ndonjë qeverie ballkanike dhe do ta shkurtonte periudhën e tranzicionit, që, nëse zgjaste shumë, mund të ushqente veprime të papeshuara të qarqeve të interesuara për të krijuar vështirësi. Ambasadori italian në Turqi e diskutoi çështjen e njohjes me ministrin e Jashtëm turk, Tevfik Rüştü Aras. Ai deklaroi se ishte shumë i shqetësuar për ndonjë marrëveshje mes Francës dhe Italisë e në mënyrë të veçantë për mosnjohjen e Monarkisë Shqiptare nga Ataturku. Sipas tij, një rol të madh në acarimin e marrëdhënieve me Shqipërinë kishte luajtur shtypi anglez dhe, sidomos, insinuatat e shtypit francez, që e kishte shfrytëzuar këtë ngjarje për të shpifur ndaj qeverisë turke. Marrëdhëniet turko-franceze në këtë periudhë karakterizoheshin nga një valë tensioni, për shkak të mosnjohjes së regjimit të kapitulacioneve nga ana e qeverisë turke; reformave që ajo kishte ndërmarrë në fushën e arsimit, duke emëruar mësues turq në shkollat franceze; dhe mosmarrëveshjeve që ajo kishte me Francën lidhur me caktimin e kufirit me Sirinë. Tevfik Beu e shihte të nevojshme që për disa ditë gazetat të liheshin të qeta për ta nxjerrë dufin e tyre, me qëllim që të dilnin në dritë të gjithë ata që e bënin lojën e politikës së Francës dhe të Antantës së Vogël brenda Turqisë. Ky ishte edhe sugjerimi i disa kolegëve të tij. Ambasadori italian i parashtroi gjithashtu Tevfik Beut se toni i shtypit turk kundër një sovrani mik e aleati të Italisë nuk mund të kishte veçse një jehonë të papëlqyeshme në Romë. Në një takim tjetër ai i tha ministrit turk: “Ne e dimë se ju së bashku me Ismet Pashën keni qenë gjithmonë pro, por ka kundërshtuar Ataturku dhe se ju jeni të detyruar ta mbroni pozicionin e Ataturkut, pavarësisht se jeni kundra”. Aras-i u përgjigj se “Ataturku nuk e njihte Monarkinë Shqiptare, jo se ishte kundër këtij vendi, por sepse nuk dëshironte t’u jepte shkas thashethemeve, sipas të cilave ai kërkonte të bëhej mbret i Turqisë. Pra, ky gjest i mosnjohjes së Shqipërisë nuk kishte aspak karakter antiitalian”. Ambasadori italian në Ankara, Orsini Baroni, ishte i mendimit se herët a vonë Ismet Pasha dhe Tevfik Rüştü Beu do të arrinin të ndikonin te Ataturku për ta njohur regjimin e ri të Shqipërisë. Kjo bindje bazohej edhe në deklaratat e Tevfik Rüştü Beut, i cili i kishte premtuar se do të angazhohej seriozisht dhe se do të mundohej për të shmangur çdo lloj pengese mes Turqisë dhe Shqipërisë.

Refuzimi i njohjes së Monarkisë Shqiptare, sipas ambasadorit italian, kishte qenë një gjest krejtësisht impulsiv dhe i papeshuar i Ataturkut. Kjo e shpjegonte më së miri sikletin e dukshëm të Ismet Pashës dhe të ministrit të Jashtëm, Tevfik Beu.

Intervista në “Petit Parisien” i ishte kërkuar Ataturkut pa dijeninë e Zyrës së Shtypit dhe të Ministrisë së Jashtme, duke e vënë këtë të fundit në pozitë delikate. Prandaj, Tevfik Beu, në bisedat me diplomatët e huaj, nuk e kishte fshehur zhgënjimin lidhur me intervistën e Ataturkut. Ambasadori italian në Ankara i raportonte Romës se përgjegjës kryesor për mosnjohjen e regjimit shqiptar ishte Gaziu dhe se Ismet Pasha me Tevfik Beun, fillimisht përkrahës të njohjes, tani ishin të detyruar ta mbulonin përgjegjësinë e tij. Tevfik Beu ishte i bindur se kundërshtarët e tij, në radhë të parë francezët, kishin luajtur një rreng të shëmtuar me qeverinë e Ankarasë. Prandaj, ai ia kishte ritheksuar ambasadorit italian se arsyet e mosnjohjes ishin krejtësisht të karakterit të brendshëm. Gaziu, sipas tij, kishte dashur që të tregonte përballë armiqve të jashtëm dhe miqve brenda vendit antipatinë kundër atyre që i tradhtonin parimet republikane. Ai e quante marrëzi propagandën se Turqia ndiqte synime të veçanta në Shqipëri dhe se gjesti i saj kishte karakter antiitalian. Prandaj, alternativa më e mirë ishte që zgjidhjen e këtij problemi t’ia linin kohës, derisa qeveria e tij të ishte shtrënguar për ta njohur Mbretin Zog. Ai e siguroi ambasadorin italian se do të kujdesej posaçërisht për të Ngarkuarin me Punë të Shqipërisë dhe do të shmangte çfarëdolloj vështirësie mes dy qeverive. Musolini e kundërshtoi pikëpamjen e ministrit turk për ta tërhequr të Ngarkuarin me Punë nga Tirana dhe që mbrojtjen e interesave turke në Shqipëri t’ia linin Italisë. Ai e sqaronte ambasadorin italian se ky veprim duhej përjashtuar, pasi prishja e marrëdhënieve diplomatike në mënyrë të plotë do ta rriste tensionin mes dy vendeve dhe do t’i jepte rreze veprimi ndërkombëtar ndonjë incidenti, që nuk duhej të dilte nga qarku i ngushtë turko-shqiptar. Sipas tij, linja më e arsyeshme që mund të ndiqej ishte ajo e parashtruar nga vetë Tevfik Beu. Pra, të lihej kohë për t’i qetësuar mllefet e Gaziut derisa ai të bindej se vendosja e marrëdhënieve miqësore me regjimin e ri shqiptar ishte në interes të Turqisë. Për këto deklarata të Tevfik Beut, ambasadori italian në Turqi e informoi edhe të Ngarkuarin me Punë të Shqipërisë, duke e udhëzuar që të shmangte çdo akt që mund t’i acaronte më tej marrëdhëniet shqiptaro-turke.

Këmbënguljes së Ataturkut për mosnjohjen e Monarkisë Shqiptare i bashkëngjitej një qëndrim tjetër absurd. Ai përpiqej ta respektonte në maksimum trupin diplomatik shqiptar, duke e ftuar atë në të gjitha ceremonitë e organizuara nga Presidenca. Por, meqë diplomatët shqiptarë i përgjigjeshin me neglizhencë ftesave në fjalë, vetvetiu kjo krijoi një ftohje akoma më të madhe. Pas refuzimit të disahershëm, pala turke filloi të mos u dërgonte më ftesa. Megjithatë, sipas dokumentacionit britanik, i Ngarkuari me Punë i Shqipërisë në Ankara vazhdoi të mbante lidhje të nëndheshme me qeverinë turke. Për të evituar çdo të papritur, kryeministri Ismet Pasha urdhëroi vartësit që të mos dërgonin asnjë gazetar të huaj tek Mustafa Qemali.

Kjo periudhë keqkuptimesh zgjati deri në konferencat ballkanike, kur qeveria turke dhe presidenti i saj u tërhoqën zyrtarisht nga qëndrimi i tyre i gabuar për të mos e njohur Mbretin Zog.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X