loader image
February 19, 2026

Primordialiteti i marrëdhënieve ndërkombëtare

Zbulimet shkencore dhe përparimi teknologjik nuk i përjashtojnë konfliktet ndërkombëtare, sepse tek njerëzit ende ekzistojnë instinktet primordiale të tribalizmit, luftës për territore dhe resurse, të dominimit, të lakmisë për pushtet dhe pasuri.

Rilind DAUTI, Shkup

Në filmin “2001: një Odise Hapësinore”, të mbushur me plot paqartësi, dykuptimësi, shumëkuptimësi e dilema për atë se “çfarë ka dashur të thotë autori?” (në këtë rast regjisori), mesazhi më lehtazi i lexueshëm është ai që jepet diku kah fillimi i filmit që fillon në parahistori me krijesa të ngjashme me majmunët. Këto krijesa mësojnë se kockat e kafshëve të ngordhura t’i shfrytëzojnë si armë për luftime mes vete. Njëri nga këta majmunë e hedh kockën në erë dhe skena nga parahistoria kërcen tek e ardhmja e vitit “2001”, ku në ekran kocka e përdorur si armë zëvendësohet nga një satelit në orbitë rreth Tokës, ndërsa më pas paraqiten edhe satelitë të tjerë. Por, këta nuk janë satelitë të thjeshtë, sepse, në një vështrim më të kujdesshëm, në to qëndrojnë shenjat identifikuese të aeroplanëve ushtarakë të disa shteteve: SHBA-së, Gjermanisë, Francës, dhe Kinës. Në një draft fillestar të skenarit, drejtpërdrejt thuhet se këta janë satelitë të armatosur me bomba nukleare, por në një redaktim të mëvonshëm, regjisori Kubrick e fshin paraqitjen e qartë të kësaj, me qëllim që të jetë në linjë me filmin, që, siç thamë, shumë gjëra i ka lënë të pathëna. Prapëseprapë, fakti se në ato satelitë qëndrojnë simbole identifikuese të vërteta nga shtete që dihen, e përçon mesazhin e ruajtjes së instinktit të dhunës nga armët primitive të parahistorisë, tek armët e sofistikuara moderne. Dhe, realisht, e tillë është historia e njerëzimit. Nga gurët e shtizat primitive të parahistorisë tek lloj-lloj “gjindshmërie”, “kreativiteti” dhe inovacioni nga kokat më gjeniale të shkencës, me qëllim të forcimit të kapaciteteve të vrasjes së njerëzve dhe shkatërrimit të vendbanimeve, të sakatosjes së trupit dhe rrënimit të kapacitetit për jetesë normale dhe zhvillim. Në vitin 1945, kulmi i kësaj ishin bombat atomike të lëshuara nga aeroplanët, por prej atëherë kanë ndodhur edhe shumë zhvillime të tjera – nëndetëse që mbajnë raketa me koka nukleare dhe prej thellësisë së detit lansohen në lartësitë e Hapësirës që pastaj t’i godasin caqet në Tokë. Shpesh as bunkerët nuk mbrojnë sigurt nga armiku, sepse kundër tyre janë zhvilluar bomba që penetrojnë përtej mburojës, e nëse jo, atëherë hyjnë në punë bombat termobarike që ndezin ajrin brenda fortifikimeve.

Shumë njerëz dëshpërohen kur shohin, në njërën anë, zbulimet shkencore dhe inovacionet e dobishme dhe, nga ana tjetër, vazhdimin e vuajtjeve njerëzore të shkaktuara nga jostabiliteti i shteteve dhe nga konfliktet e dhunshme me pasoja vdekjeprurëse. Duke mos dashur ta pranojë që te njerëzit e rëndomtë, që i shohim çdo ditë, mund të ketë kapacitet të tillë ligësie, dikush mund ta mashtrojë veten me ndonjë formulim fëmijëror të tipit “luftërat shkaktohen nga sundimtarët, ndërsa njerëzit e rëndomtë duan paqe”, gjë që mund të ketë qenë e vërtetë në rastet kur luftërat mund të jenë bërë nga ambiciet e pastra të dinastive sunduese. Por, për të qenë realë, nga këto luftëra zakonisht kanë përfituar edhe masat e gjera përmes plaçkës së luftës, zënies së skllevërve dhe vetë zgjerimit të territorit që mundësonte hapësira të reja për bujqësi, gjueti, peshkim, kullotje të bagëtive dhe, ajo që është me e rëndësishmja, nga resurset që janë nën tokë.

Kur kështu ishte realiteti i konflikteve në mes shteteve dinastike, kjo edhe më shumë u përshtatet shteteve-kombe që politikat publike dhe politikat e jashtme i bëjnë në emër të dobisë për kombin, e madje edhe shteteve multikombëshe ku ka pasur marrëdhënie të pabarabartë në mes grupeve që e përbëjnë shtetin e përbashkët. Për shembull, sado që skocezët mund ta mashtrojnë veten se edhe ata ishin viktimë e kolonializmit britanik të udhëhequr nga anglezët, realiteti është se nga resurset e plaçkitura dhe puna e mundimshme e indianëve dhe të tjerëve që u nënshtruan me dhunë dhe dredhi, përfitoi edhe Skocia, përfshirë dhe popullin e rëndomtë.  Ankesat e flamanëve për trajtimin e padrejtë në kuadër të Belgjikës janë legjitime, por nga pasuria private e Mbretit Leopold, e marrë nga eksploatimi brutal i Kongos, përfitoi edhe Flandria, siç është stacioni madhështor i trenave në Antwerpen. Kështu që, edhe nëse luftërat mund të jenë shkaktuar nga ambiciet personale të sundimtarëve dhe nga sundimi me territoret dhe popujt e nënshtruar, ata kanë përfituar më së shumti, realisht edhe populli i thjeshtë ka ndier përfitim prej tyre. Por, me ngritjen e shteteve-kombe, dobia nga konfliktet, luftërat dhe dominimi i shteteve të tjera zyrtarisht sovrane, bëhet në emër të interesit kombëtar, me ç’rast edhe më shumë i sillet dobi masave të gjera.

Diçka e tillë është në përputhje me zhvillimin historik të njerëzimit. Nëse para më se 10,000 viteve gjuetarëmbledhësit luftonin për territore dhe resurse në interes të familjes ose një grupi jo më të madh se 100 vetash, njerëzit bashkëkohorë luftojnë për territore dhe resurse si pjesëtarë dhe në interes të kombeve disamilionëshe ose qindramilionëshe.

Cikli i dhunës së pafundme mes njerëzve nëpër rrjedhën e mileniumeve la gjurmë aq të pashlyeshme në trurin e njeriut, saqë një teori e psikologjisë evolutive me atë e shpjegon edhe paraqitjen e psikopatëve, sepse, për një grup ishte e dobishme ta ketë një anëtar që ishte racional (në mos më inteligjent se të tjerët), por mungesa totale e empatisë e bënte atë të dobishëm për grupin që i takonte, sepse me atë mungesë të ndërgjegjes jepte rezultate më të mira në aksionet e vrasjes, plaçkitjes dhe skllavërimit të anëtarëve të grupeve tjera. Prapëseprapë, te shumica e njerëzve ngeli një dozë vetpërmbajtjeje nga brejtja e ndërgjegjes ose nga nevoja për t’iu përmbajtur disa rregullave, me shpresë që me reciprocitet t’u përmbahen edhe të tjerët në rast se i ndërrojnë rolet e viktimës dhe agresorit, fituesit dhe të mundurit. Po ashtu, në epokën e gjuetar-mbledhësve të para dhjetëra mijë viteve u paraqit edhe një formë e hershme e diplomacisë përmes dërgimit të emisarëve për shmangie të konfliktit apo ndërtimit të aleancave mes grupeve. Kështu, marrëdhëniet ndërkombëtare gjithnjë e kanë ruajtur atë primordialitet të njeriut si qenie që lufton për dominim dhe resurse, sado që me kalimin e kohës shpeshtësia e konflikteve ka çuar te paraqitja e zakoneve të pashkruara të luftës, me qëllim të reduktimit të vuajtjes për ushtarët të dorëzuar dhe zënë rob, si dhe civilët që nuk luftojnë fare. Por, prapëseprapë, në konfliktet moderne vazhdojnë të shkelen zakonet e pashkruara, e madje shkelen edhe parimet, traktatet e konventat e shkruara që janë miratuar ndërkombëtarisht, qoftë ato që kanë të bëjnë me luftimet, qoftë ato që kanë për qëllim t’i parandalojnë ato në radhë të parë.

Këto marrëveshje ndërkombëtare kanë dalë si rezultat i konflikteve në veçanti shkatërruese (krahas luftërave më të “vogla”). Pas Luftës Tridhjetëvjeçare, më 1648 u vendos parimi i sovranitetit uestfalian. Pas luftërave napoleonike, më 1815 u themelua Koncerti i Europës që i dirigjonte të tjerët me ose pa vullnetin e tyre. Pas Luftës së Parë Botërore, erdhi zbatimi i disa prej 14 pikave të Wilsonit, para së gjithash e para që ndalonte aleancat e fshehta dhe kërkonte diplomaci nën vështrimin publik, pastaj dhe pika e fundit: krijimi i një “asociacioni të kombeve” që u realizua me emrin Lidhja e Kombeve, si dhe e drejta e vetëvendosjes që nuk u zbatua sa duhet. Më 1928 u miratua Pakti Kellogg-Briand për ndalimin e luftës si mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, që fare nuk e parandaloi Luftën e Dytë Botërore, pas së cilës u ritheksuan disa nga parimet e mësipërme në Kartën e OKB-së së vitit 1945.

Çalimet e rendit botëror

Problemi është se edhe rendi botëror i vendosur pas L2B i ka të njëjtat mangësi si rendet paraprake, disa vetëm me emër tjetër. Në vend të Koncertit të Europës, që vendoste për të tjerët pa i konsultuar ata ose që ishte i paaftë të ndërmarrë diçka për shkak të mospajtimit të shteteve anëtare, pas vitit 1945 e deri më sot e kemi Këshillin e Sigurimit të OKB-së që vendos për fatin e të tjerëve ose nuk mund të vendosë asgjë për shkak të drejtës së vetos së 5 fitimtarëve të L2B që ka mbaruar para më shumë se 8 dekadash.

Parimi i integritetit territorial e zvogëloi numrin e luftërave në mes të shteteve për zgjerim të territorit, por po ashtu shërben si mbulesë e shteteve për mohim të asaj që duhej të ishte parimi më i drejtë i rendit botëror: e drejta e vetëvendosjes. Përkundrazi, në emër të integritetit territorial dhe sovranitetit, shtetet i bëjnë të gjitha të zezat kundër një populli dhe askush nuk mund t’u përzihet me arsyetimin se ajo është çështje e brendshme. Në rast se një popullsi e shtypur vetë ngrihet në kryengritje kundër shtypjes, atyre nuk guxon t’u ndihmojë një shtet tjetër, sepse kjo përbën përzierje në punët e brendshme të atij shteti dhe luftëtarët guerilë që luftojnë për liri nuk mbrohen nga konventat e Gjenevës, sepse nuk janë ushtarë të një shteti të njohur, por janë kryengritës ose, edhe më keq, “terroristë”.

Edhe pas Luftës së Parë Botërore kur u paraqit për herë të parë, edhe pas Luftës së Dytë Botërore kur u zyrtarizua nga OKB-ja, e drejta e vetëvendosjes nuk u zbatua sa duhet dhe siç do të ishte më mirë. Këtu nuk është fjala për “përmirësimin” e ndonjë “padrejtësie” që ka qenë dhe ka shkuar, sepse askush me mend në kokë nuk mund të kërkojë revidim të disa lëvizjeve të popullsive që kanë ndodhur shumë kohë më parë. Për shembull, as shqiptari më radikal dhe folklorist nuk thotë se drejtësi do të ishte vetëm nëse “sllavët e ardhur nga Karpatet” largohen nga “Gadishulli Ilirik”. Askush nuk mund t’u kërkojë gjermanëve që të largohen nga Berlini, që është toponim sllav, dhe askush nuk mund t’u kërkojë anglezëve që ta lëshojnë ishullin e Britanisë së Madhe dhe “të kthejnë” në Gjermani nga erdhën fiset pushtuese anglo-saksone. Por, e drejta e vetëvendosjes pas Luftës së Parë Botërore nuk u zbatua as ndaj popujve që zyrtarisht ishin koloni dhe sot e kësaj dite vazhdon të mohohet për ata që janë “pjesë integrale” e territorit të ndonjë shteti, sado që u bënë pjesë e atij shteti me dhunë dhe pozita e tyre në atë shtet është e pabarabartë, diskriminuese, shtypëse dhe me shkelje të Kartës Universale të të Drejtave të Njeriut. Kështu është rasti me Serbinë, që mes viteve 1877-1913 me dhunë të jashtëzakonshme ka pushtuar vende të banuara me shqiptarë, gjatë sundimit ua ka bërë të gjitha të zezat, e pastaj, kur më 1999 dhe 2008 me mbështetjen fatlume të ndërkombëtarëve shqiptarët arritën lirinë dhe pavarësinë në një pjesë të vogël të asaj që iu mor shqiptarëve mes 1877-1913, Serbia ka fytyrë që të thirret në shkeljen e të drejtës ndërkombëtare, integritetin territorial, sovranitetin dhe mosndryshimin e kufijve. Kështu, parimi i integritetit territorial u kthye në atë që pikërisht u desh ta zëvendësonte parimin primordial të “së drejtës së pushtimit” (“right of conquest”).

Një mënyrë tjetër se si e drejta e vetëvendosjes u përçudnua pas Luftës së Dytë Botërore, përpos faktit se të gjitha fuqitë koloniale europiane fillimisht u përpoqën që këto koloni t’i mbajnë me dhunë, është fokusi te kufijtë zyrtarë në vend të atyre sado natyrorë ose shtrirjes së popullsive të ndryshme. Sepse, me të drejtën e vetëvendosjes erdhi pavarësia e kolonive sipas kufijve të vizatuar nga alleshvereshet e fuqive koloniale e që këta kufij brenda mbanin popullsi të larmishme ose haptazi të armiqësuara ose çanin mespërmes popujve e fiseve të njëjta. Për këtë arsye, këta kufij vazhdojnë sot të jenë faktorë jostabiliteti ose dhune vdekjeprurëse. Nëse kufijtë e kolonive janë vizatuar në atë mënyrë thjesht nga pakujdesia, kjo kokëfortësi që assesi mos të preken kufijtë ekzistues zbatohet edhe te rasti i shumë ish republikave sovjetike që Stalini ua ka vizatuar me dashakeqësi “përçaj dhe sundo” të paramenduar mirë.

Dekolonizimi, në parim, është zhvillim i mirë, por mënyra se si u bë dhe në kontekstin e rendit botëror që u vendos, la pasoja negative edhe për një arsye tjetër: një grumbull shtetesh që pavarësinë e kanë fituar si ish koloni, nuk i plotësojnë kriteret e shtetësisë, sepse nuk kanë autoritet në tërë territorin e shtetit, kanë qeveri rivale mes vete, shpesh nuk kanë as sovranitet të vërtetë, nuk e dinë as sa popullsi permanente kanë dhe prapëseprapë njihen si shtete, sepse njëherë e dikur e kanë fituar anëtarësinë në OKB dhe u vazhdon subjektiviteti ndërkombëtar përderisa në sallën e Asamblesë së Përgjithshme, atje në Menhetën, e kanë një ulëse të rezervuar. Ky subjektivitet i pakontestuar nga askush, duke mos pasur nevojë të dëshmojnë “raison d’etre”, pastaj ka çuar në përtaci zhvillimore, në vend se ta zhvillojnë shtetin dhe për të ngritur ushtri të aftë për ta mbrojtur atë mirëqenie që qytetarëve ua ka mundësuar pavarësia. Përkundrazi, kjo “rehati”, në garancinë e subjektivitetit ndërkombëtar, ka lindur edhe korrupsion te sunduesit, që të hyrat publike, e madje edhe ndihmat nga jashtë, i kanë përvetësuar ose çuar kot, si rasti i diktatorit Zhan-Bedel Bokasa i Republikës së Afrikës Qendrore, i cili më 4 dhjetor 1977 për një ditë e ka shpenzuar 1/3 e buxhetit shtetëror në ceremoninë e kurorëzimit të tij si Perandor i Afrikës Qendrore.

Kështu, përpos mangësisë se në “xhunglën”, që sipas teorisë realiste janë marrëdhëniet ndërkombëtare, nuk ka mekanizëm për zbatimin e drejtë dhe konsistent të “vlerave”, “parimeve”, rregullave, e madje edhe të marrëveshjeve të nënshkruara, rendi aktual botëror ka mangësi logjike edhe në pjesën që arrin të zbatohet, në mos edhe në vetë aspektin normativ. Diçka është menduar për të mirë, por është keqpërdorur me paramendim (si rasti i Serbisë në raport me shqiptarët), diçka vetvetiu ka dhënë rezultate anësore negative (si rasti i shteteve që dikur kanë qenë koloni).

Sado që lajmet nga bota që i marrim në kohë reale mund të na krijojnë përshtypje se ka shumë luftëra, statistikisht jetojmë në kohëra shumë më paqësore se më parë. Ato konflikte për të cilat dimë, shumë rrallë janë në mes dy apo më tepër shteteve. Në të shumtën e rasteve kemi të bëjmë me luftëra civile, kryengritje separatiste dhe militantë me motive ideologjike. Ato luftëra që janë bërë në mes shteteve nuk kanë rezultuar as me ndryshimin e kufijve, e aq më pak me shuarjen e subjektivitetit të atij shteti. Për shembull, as “kauboji” nga Teksasi, Xhorxh Bush, nuk përdorte retorikë xhingoiste, por luftën kundër Irakut e nisi me pretekstin e “luftës parandaluese”, kurse menjëherë pas invazionit të Irakut, më 2004 Bushi e nisi procesin e rikthimit të “sovranitetit” të Irakut.

Shtetet që e shkelin sovranitetin e shteteve tjera, e bëjnë atë me pretekstin e vetëmbrojtjes dhe eliminimit të kërcënimit ose me pajtimin formal të ndonjë qeverie të dobët që mezi mbahet në pushtet. Edhe SHBA-ja, që është superfuqia e pakontestueshme, nuk ka ndërmarrë aksione ushtarake me arsyetimin “sepse unë jam i fortë dhe s’ka kush më ndalë” dhe këto të kenë rezultuar me aneksim të ndonjë pjese të territorit. Shpesh edhe shpjegimi “i vërtetë” i ndonjë aksioni ushtarak, ai i përvetësimit të resurseve, nuk duket bindës. Për shembull, për Irakun masat e gjera thonë se u bë për t’ia marrë naftën. Por, nëse analizojmë me kujdes, autoritetet kukulla post Sadam të Irakut, nga dhjetëra fusha të naftës, vetëm dy ua kanë dhënë me koncesion kompanive amerikane dhe vështirë se përfitimet për Amerikën nga këto dy fusha të jenë më të mëdha se shpenzimet e Amerikës për rindërtim të Irakut.

Te rasti i Afganistanit argumenti i resurseve është edhe më i dobët. Invazioni i Afganistanit u bë me arsyetimin se talibanët e strehojnë Bin Ladenin dhe Al-Kaedën, që mund ta shfrytëzojë Afganistanin për përsëritje të sulmeve terroriste kundër Perëndimit. Por, në vitet e njëpasnjëshme që pasuan, SHBA-ja nuk kishte ide se cili është qëllimi përfundimtar i pranisë së tyre atje dhe miliardat që shpenzonin për “Republikën Islamike” të atjeshme. “Të drejtën e shkollimit për vajzat afgane”, për këtë të rrijmë? Pikërisht kjo mungesë e dobive konkrete për interesat kombëtare amerikane ishte arsyeja kryesore përse edhe para se të bëhet president, Xho Bajdeni ishte ithtar i largimit nga Afganistani, dhe më 2021 atij i ra hise tërheqja, por që procesin e vuri në lëvizje Donalld Trampi gjatë mandatit të parë.

Fundi i justifikimeve

Përpos kur vjen puna te Izraeli, që mbështetja të cilën ia jep Amerika nuk arsyetohet me interesin që nxjerr prej saj, Donalld Trampi, më shumë se çdo president tjetër, është i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë në reduktimin thjesht në marrëdhënie transaksionale edhe të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Në fushatën zgjedhore të vitit 2016, pastaj dhe pasi mori mandatin, këtë e nisi nga NATO. Meqenëse shumica e shteteve europiane nuk shpenzojnë as 2 për qind të BPV në mbrojtje, nuk e meritojnë mbrojtjen tonë. Po atëherë nisi të merret edhe me pabarazinë në bilancin tregtar me shtetet tjera, edhe pse jo aq sa te mandati i dytë që ka ndërmarrë masa të ashpra në këtë drejtim.

Në vigjilje të zgjedhjeve të vitit 2020, natyra transaksionale e marrëdhënieve ndërkombëtare i kushtoi me impiçmentin e parë, kur u zbulua se për ndihmën për Ukrainën, të aprovuar nga Kongresi, lëshimin e fondeve Zelenskit ia ka kushtëzuar me një “favor” – të hetohet çështja e kompanisë “Burisma”, ku gjoja ka indikacione për korrupsion të djalit Hanter dhe Xho Bajdenit, që të shfrytëzohet për diskreditim të këtij të fundit në fushatën për zgjedhjet presidenciale.

Gjatë mandatit të Bajdenit, kur më 2022 ndodhi pushtimi direkt i Rusisë ndaj Ukrainës, dhe SHBA-ja e zbatoi obligimin kontraktual nga viti 1994 për ta mbështetur Ukrainën në rast sulmi, kjo ndihmë për Ukrainën ishte veprim shumë jopopullor te mbështetësit e Trampit. Pjesërisht edhe vet ai ishte kundër, por kur u bë president, nuk është se i ndërpreu ndihmat. Në vend të ndërprerjes, ishte përpjekja për të fituar diçka mbrapsht nga ajo mbështetje, që SHBA-ja t’i eksploatojë metalet e rralla të Ukrainës.

Sinqeriteti për qëllimet thjeshtë të interesit i ka shprehur edhe në veprime tjera të politikës së jashtme. Ka shkuar aq larg, sa i ka urdhëruar forcat detare amerikane t’i konfiskojnë anijet në ujëra ndërkombëtare, madje edhe në ujërat sovrane të një shteti tjetër, duke vepruar si piratët në versionin më primordial: atë të zbatuar nga anijet shtetërore në vend të fenomenit të mëvonshëm të “privatierëve” që plaçkisnin në dobi të një shteti, por që zyrtarisht nuk ishin të qeverisë së atij shteti, ashtu që të kenë mbulesë për të ikur nga përgjegjësia, sepse sikur të ishte anije zyrtarisht e një shteti, pirateria mund të ishte shkas lufte. Pasi që e grabitën presidentin e Venezuelës me akuza të sforcuara për gjoja tregti me drogë, Trampi ishte shumë transparent dhe krenar se naftën e Venezuelës tashmë e kontrollon ai. Si plaçka e luftës për të cilën vendosnin mbretërit në konfliktet e dikurshme të njerëzimit. Dhe, në llogaritë zyrtare të qeverisë amerikane i publikuan fotografitë e presidentit me duar të lidhura e shikim të mbuluar, si në lashtësi që udhëheqësit e zënë rob i nxjerrnin në paradë të poshtërimit publik.

Te rasti i Grenlandës, Trampi si pretekst e përmend edhe gjoja rrezikun se mos po e merr Kina apo Rusia, një skenar që s’ka pse të analizohet se sa joreal është që të ndodhë, por para së gjithash është i sinqertë në arsyen kryesore përse ia ka vënë syrin: Grenlanda është vitale për interesat kombëtare amerikane, kurse Danimarka nuk ka të drejtë ta mbajë atë vetëm pse para 500 vitesh e kanë ngulur aty një flamur. Pra, shembje e pathyeshmërisë së integritetit territorial dhe kthim në rregullat primordiale të marrëdhënieve ndërkombëtare, që nëse një territor aktualisht është i yti, nuk do të thotë se përgjithmonë duhet të ngelet ashtu. Nëse nuk ke fuqi të mjaftueshme ushtarake dhe aleatë besnikë që të të vijnë në mbrojtje, nuk e ke të garantuar përgjithmonë sigurinë e territorit.

Pa dyshim, SHBA-ja e Trampit nuk është e vetmja që po ndërmerr veprime të cilat kujtojnë kohërat e kaluara të marrëdhënieve ndërkombëtare, sepse para SHBA-së me Grenlandën, ishte Izraeli me rrafshnaltën e Gollanit që aneksimin e arsyeton me interesin kombëtar, pa hyrë këtu edhe në një grumbull shkeljesh tjera të së drejtës ndërkombëtare. Pastaj, i kemi hakerët rusë, kinezë, iranianë dhe koreano-veriorë që e sulmojnë infrastrukturën civile të Perëndimit, duke mos i kursyer as spitalet. Kina e plaçkit pronësinë intelektuale të Perëndimit, ndërsa Perëndimi ndërmerr masa protekcioniste kundër mallrave kineze. Rusia ndërmerr luftë për territore kundër Ukrainës, ua bombardon qytetet dhe fëmijët ukrainas i kanë grabitur për vete si në të kaluarën kur te robërit e luftës nuk bëhej dallim mes ushtarëve dhe civilëve, por madje merreshin edhe fëmijët. Nga ana tjetër, midis qyteteve të bukura të Europës, si Praga, Varshava dhe Budapesti, u ekspozuan pajisjet ruse, të cilat ukrainasit arritën t’i marrin si trofe, si në lashtësi, kur ekspozohej plaçka e luftës me krenari dhe përqeshje për armikun, ashtu që edhe fëmijët e paktë europianë që kanë lindur, të mund t’i shohin makineritë ku ndonjë rus 19-vjeçar i rekrutuar me detyrim, e ka gjetur vdekjen duke u djegur për së gjalli.

Futurizmi primordial

Meqë e nisëm me zhanrin fantastiko-shkencor, tani do ta mbyllim me nënzhanrin “opera hapësinore” (“space opera”). Krijimet e tilla shpesh paramendojnë një të ardhme edhe më të largët, ku zhvillimi teknologjik dhe udhëtimi më shpejt se drita është i qasshëm për të gjithë. Por, përskaj këtij optimizmi për zhvillimin teknik, është edhe një dimension pesimist, duke paramenduar zbatimin e të gjitha gjërave që sot mund të duken anakronike, e lëre më që të ndodhin në një të ardhme mijëra vjet në të ardhmen: robotë që shërbejnë si ushtarë në luftëra për resurse, ushtarë me pushka laserike, por të marrë me dhunë nga familja dhe u shërbejnë civilizimeve militariste, luftëra tejyjore, planete që rebelohen kundër perandorëve multiplanetarë, plaçkitja e anijeve kozmike nga piratët hapësinorë dhe marrja e udhëtarëve si skllevër dhe konkubina… Ky nënzhanër që spekulon me të ardhmen e largët është alegori edhe për realitetin bashkëkohor dhe të ardhmen e afërt: zbulimet shkencore dhe përparimi teknologjik nuk i përjashtojnë konfliktet ndërkombëtare, sepse tek njerëzit ende ekzistojnë instinktet primordiale të tribalizmit, luftës për territore dhe resurse, të dominimit, të lakmisë për pushtet dhe pasuri.

Pa dyshim, përvoja e secilit prej nesh na ka mësuar se në botë ka edhe njerëz jashtëzakonisht bujarë, të mirë dhe të drejtë. Dhe, kjo nuk ndodh vetëm në marrëdhëniet ndërpersonale të individëve, por edhe në ato që kanë të bëjnë me të qenit në anën e drejtë të historisë së popujve. Megjithatë, shumë shqiptarë janë në një rehati të rrezikshme, duke besuar në një utopi të kozmopolitizmit dhe mbrojtjen e përhershme nga të tjerët. Nevojitet një shok-terapi për t’i kthjellur në realitet, ashtu që të jenë të përgatitur për çdo eventualitet. Për shembull, në shumë krijime futuristike të dala para vitit 1991, e që ngjarja ndodh shumë kohë pas vitit 1991, figuron si subjekt ekzistues edhe Bashkimi Sovjetik, sepse askujt nuk ia merrte mendja që do të shembej ai shtet gjigand. Ndërkaq, shqiptarët, që tërë mbështetjen e kanë vendosur te NATO, nuk do të dinë të gjenden netëve të errëta në rast se një ditë ndodh e paimagjinueshmja dhe më nuk do të jetë NATO që t’u bëjë dritë. Shenjat e para për një skenar të tillë distopik tashmë kanë dalë në pah, së paku prej një dekade më parë, kur aleancën më të fuqishme që njeh bota, e vendosi në pikëpyetje dikush që as autorit më kreativ të historive alternative nuk do t’ia merrte mendja se do të arrijë të bëhet udhëheqësi i shtetit më të fuqishëm që e njeh historia.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X