Shqiptari i postkomunizmit përveç gërmadhave industriale që prodhonin mjerim, nga regjimi i shkërmoqur, ndër të tjera, trashëgoi edhe institucionet kulturore dhe historike të modeluara ideologjikisht, kur për disa dhjetëvjeçarë shqiptarët ishin edukuar me një vizion etnocentrik mbi historinë.
Elton HATIBI, Tiranë
Kur erdhën në pushtet në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, komunistët ndërmorën një akt dhune mjaft të vrazhdë në raport me rendin moral tradicional në vend. Siç kujtojnë dëshmitarët e kohës, atë ditë të fundvitit ’44, banorët e pjesës jugore të qyteti të Tiranës u lajmëruan të mbanin dritaret hapur, si masë paraprake për të mos iu thyer xhamat nga tronditja që do të sillte zhurma e plasjes. Pasi kishin përzënë repartet e fundit naziste nga kryeqyteti dhe pasi i kishin likuiduar fizikisht disa dhjetëra e dhjetëra kundërshtarë të tyre potencialë, radha u erdhi të vdekurve. Mauzoleumi i Sadie Toptanit, nënës së Ahmet Zogut, me ofiqin zyrtar “Nëna Mbretëreshë”, u hodh në erë me dinamit nga një togë partizanësh. Pa mbushur ende një dhjetëvjeçar si vepër arkitektonike e traditës funerale myslimane, ky monument modern, i realizuar nga arkitekti i njohur Qemal Butka, u rrafshua me tokën. Ngjashëm si në rastin e mauzoleumit të rrënuar në Tiranë, në Korçë u shkatërrua varri monumental i filantropit Thoma Turtulli, eshtrat e të cilit humbën gjithashtu. Më vonë, në ngjarjet dramatike antifetare që sollën shkatërrime të objekteve dhe të trashëgimisë fetare, u thye varri i At Gjergj Fishtës, pa u sqaruar ende dhe sot misteri mbi fatin e eshtrave të tij. Ndërsa në Berat, fat të trishtë patën eshtrat e një personazhi që nuk duhet të kishte të bënte fare me hakmarrjen e komunistëve. Eshtrat e funksionarit të periudhës osmane, Ahmet Kurt Pasha, thuhet se përfunduan në Osum. Por, kësaj dhune i shpëtoi, fatmirësisht, kompleksi ku ai ishte varrosur, Teqeja e bukur e Halvetinjve, ku ende dhe sot hapësira e dedikuar për prehjen e ndërtuesit të saj është e zbrazët.
Rasti i teqesë në Berat tregon se regjimi komunist, që u instalua në Shqipëri, e kishte aftësinë për të dalluar vlerat e trashëgimisë kulturore, por kjo sipas kritereve që mbështeteshin në principet ideologjike komuniste. Teqenë e ndërtuar me mjeshtëri origjinale në kompozim dhe volume, pikturuar dhe gdhendur për bukuri, përveçse nga rituali dhe orenditë, e zbrazin edhe nga prania shekullore e mbetjeve njerëzore. “Drejtësia” më në fund rivendoset edhe për paraardhësit e të shtypurve të sotëm. Megjithatë, edhe kjo “drejtësi” shoqërore e ka një kufi. Estetika dhe vlerat kulturore të objekteve të ndryshme, që tradita i ka konsideruar strehë të njerëzve ose të ideve fetare, duhen ruajtur dhe studiuar. Por, edhe këtu duhet bërë njëfarë “drejtësie” të karakterit sasior, duke i kursyer thyesës së mprehtë të tjetërsimit sa më shumë objekte në aspektin cilësor. Jo çdo objekt religjioz është mjaftueshëm i duhur për të pasur privilegjin që të mbrohet dhe t’ia vlejë të shpenzohen burime të fryra financiare. Kështu, në rrugëvenditimin e ndërtimit të socializmit në Shqipëri, autoritetet shpesh gjendeshin në këto dilemat kokëçarëse, me të vjetrën që edhe duhet prishur, edhe duhet ndrequr.
Për ironi, në prag të furisë antifetare që shkatërroi shumë monumente religjioze dhe objekte liturgjike dhe devocionale, u ngrit institucioni përgjegjës për mbrojtjen e monumenteve në Shqipëri. Studiuesit shënojnë se, në këtë kohë revolucioni, specialistët e kulturës shpesh negocionin me autoritetet politike sipas inercisë së peshës vendimmarrëse lista objektesh që hiqnin dhe shtonin monumente. Dhjetë teqe aty, i heqim disa kisha mënjanë, për të zhvendosur ato pak xhami, ku me varre përreth, e ku me hajatin e shkulur. Lista e objekteve fetare monumentale që u shkatërruan në disa etapa të revolucionit, megjithëse përmblidhet në pak rreshta, është tragjikisht mjaft e gjatë. Megjithatë, disa syresh që shpëtuan, u futën në procesin e studimit, të restaurimit dhe të mbrojtjes me ligj. Është e kuptueshme se disa prej tyre shpëtuan pikërisht për vlerat historike dhe arkitektonike që bartin. Por, në disa raste, monumentaliteti i tyre u sakrifikua në funksion të nevojës për të demonstruar fuqinë ateiste të pushtetit.
Për t’i qëndruar paradigmës së filozofit britanik Ernest Gellner, shprehur që në titullin e librit të tij mjaft interesant “Plough, Sword and Book“, komunistët shqiptarë e farkëtuan regjimin e tyre duke u angazhuar në të tre sferat e veprimtarisë njerëzore. Duke e përqendruar këtë paradigmë në fushën e trashëgimisë kulturore, ata së pari shpallën veten e tyre “pronar” të çdo forme trashëgimie. Ose, po t’i qëndrojmë leksikut të kohës, me shtetëzime dhe sekuestrime, “zotëruesi” i ri i gjithçkaje materiale me vlerë tash e tutje do të jetë “populli”. Ende pa u çliruar mirë kryeqyteti, u zhdukën materialet dhe objektet historike të depozituara në ambientet e Bankës Kombëtare. Gjithashtu, të njëjtin fat, po t’i referohemi kujtimeve të Eqrem bej Vlorës, patën dhe arkat me libra, dokumente dhe antikuare të familjes Vlora, materiale që ishin paketuar për t’u transportuar në arratinë politike të humbësve të luftës. Prishjen dhe tjetërsimin e monumenteve dhe objekteve historiko-kulturore, ndërkaq, e shoqëroi riinterpretimi i vlerave dhe i pranisë së tyre ose një proces më i shtrirë në kohë, ai i rishkrimit të historisë. Vizioni revolucionar për ta ndryshuar njëherë e përgjithmonë historinë njerëzore ishte shtysa e gjithë veprimtarisë së studiuesve dhe shkrimtarëve të regjimit. Megjithatë, brenda kufijve të kësaj ndërmarrjeje transformuese kishte gjithashtu një hapësirë rehabilitimi.
Në artikullin e saj të titulluar “Between future and eternity: a Soviet conception of heritage”, studiuesja Julie Deschepper e sheh fazën e parë të revolucionit në raport me trashëgiminë kulturore si një situatë paradoksi, atë të dialektikës së shkatërrimit dhe mbrojtjes. Çdo ngjarje e madhe në histori, ashtu siç ishte dhe Revolucioni i Tetorit në Rusi, nuk mund të konsiderohet e tillë pa shkatërrimin e domosdoshëm të monumentalitetit ideologjik të pushtetit që po përmbysej. Referencë për këtë veprimtari revolucionare bolshevike është sigurisht Revolucioni Francez, ku disa nga shembujt më mbresëlënës të stilit gotik ose të pallateve të aristokracisë u rrënuan përfundimisht me çfarë përmbanin brenda. Shkatërrimi është shprehje e përbuzjes që ka masa revolucionare ndaj monumentalitetit, po aq dhe një shprehje e injorancës mbi vlerën njohëse në raport me të shkuarën. Gjithashtu, ajo ishte një valvul shfryrëse e urrejtjes gjeneracionale ndaj ideologjisë së pushtetit që po zhbëhej. Megjithatë, në anën tjetër të paradoksit qëndron vendosmëria e menjëhershme e autoriteteve revolucionare për ta marrë në mbrojtje trashëgiminë kulturore nga vala goditëse e revolucionit. Përveç si mbrojtës të trashëgimisë historike dhe kulturore në terma praktikë, kjo sjellje kontradiktore e revolucionarëve, që në idetë e tyre janë brumosur me principin për të shkatërruar të vjetrën, për të ndërtuar të ardhmen, qasja e autoriteteve të reja është dhe një instrument pushteti. Në këtë frymë lind dhe “miti i trashëgimisë kulturore”, edhe pse revolucionari aktiv nuk njeh asnjë pengesë për ta përmbushur misionin e tij, njëkohësisht është i ndërgjegjshëm për vlerën e madhe të çdo libri të vjetër, objekti artizanati apo veçantie arkitektonike, si pasuri që do t’i trashëgohet brezave të ardhshëm.
Pasi hodhën në erë me dinamit dhe rrënuan me kazma e makineri objekte arkitektonike të pashembullta ose dhe komplekse të tëra urbane, si pazaret tradicionale të qyteteve shqiptare, regjimi komunist u kujdes që diçka nga çfarë mbeti nga historia në qytete ta konsiderojë si “monument kulture”. Rastet më konkrete për këtë përkujdesje ndaj trashëgimisë kulturore janë shpallja e qyteteve të Beratit dhe të Gjirokastrës “qytete-muze”. Me kompozime urbane unike, këto dy qytete të formësuar në shekuj janë shembuj të mirë të trashëgimisë kulturore mesjetare shqiptare. Të zhveshur tashmë nga aktiviteti ekonomik i pazareve shekullore dhe të mpirë plotësisht nga atmosfera fetare, këto qytete-muze u shndërruan në vitrina të një identiteti të gjymtuar urban. Një vizitor ditor i këtij tip muzeu të hapur do të admironte veçantitë e arkitekturës, urbanistikës dhe peizazhit, por do ta ngryste natën në hoteleritë e zymta socialiste, ndërtuar pranë komplekseve urbane të muzeifikuara. Gjithashtu dhe shijet kulinare tradicionale të reduktuara do të rezultonin të unifikuara në bazë të racionalitetit të ekonomisë socialiste. Sakaq, edhe banorët e këtyre qyteteve jetonin një realitet të dyfishtë, banonin në shtëpi të shekullit XIX dhe punonin në komplekse industriale të funksioneve të ndryshme, të privuar nga zejtaritë dhe produktet lokale tradicionale. Dhe, në aspektin kulturor dhe shpirtëror, transformimi ishte i ngjashëm që nga veshjet dhe zakonet e deri te folklori i censuruar dhe fshirja e ritualit fetar nga jeta publike. Revolucioni kishte penetruar në rrugicat e kalldrëmta, duke hyrë derë më derë për të transformuat zemrën e qytetit, ndërsa fasada celebrohej si rezultat i gjenisë popullore shqiptare. Ky mumifikim i këtyre qendrave urbane, i realizuar në komunizëm, është dëshmia më autentike e këtij moderniteti të vrazhdë, kukulla të ngjyrosura bukur që spërdridhen nga gishtat e aktorit që i “jetëson” nga brenda.
Këto dëshmi urbane të historisë, bashkë me kështjellat heroike dhe muzetë e ideologjizuar ishin shembujt konkretë të institucionalizuara për t’iu paraqitur brezave të rinj të shqiptarëve. Megjithatë e gjithë kjo dëshmi materiale kërkonte një interpretim të duhur sipas kostumit ideologjik. Historiografia zyrtare shqiptare, me dozat e nevojshme të një kokteji ideologjik nacional-komunist, në funksion të narrativës së madhe të qëndresë së popullit shqiptar, shfrytëzonte çdo detaj të mundshëm që ndihmonte interpretimin zyrtar. Prania në këto qytete-muze, pranë monumenteve të ndryshme me rekuizitat e çdollojshme që i shoqëronin, kërkonte një mundim të konsiderueshëm mendor për të përputhur ndjesinë faktuale të përjetuar, me narrativat që mësoheshin në shkolla dhe më tej. Në kushtet e një izolimi ekstrem që shoqëroi vendin, ky monumentalitet dhe historia që e shoqëronte u shndërruan në një instrument efikas ideologjik për t’i dëshmuar dhe mësuar publikut veçantinë e popullit shqiptar, i cili, siç deklaronte ish-lideri komunist, e ka çarë rrugën e tij në histori me shpatë në dorë. Kështu, qëndresa ndaj të huajve, me stacionet e ndryshme të mobilitetit në histori, gjithmonë me armë në dorë, u shndërruan edhe në parullën më të fuqishme propagandistike: “në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën”. Pra, mbrojtja dhe ndërtimi, dy aktivitetet e destinuara për revolucionarin, ishin trashëguar nga brezat e mëparshëm, me ndryshimin e vetëm që këto breza nuk kishin qenë të vetëdijshëm për karakterin e tyre identitar. Këtë ua mësoi partia, duke u shembur kisha dhe xhamia.
Shqiptari i postkomunizmit përveç gërmadhave industriale që prodhonin mjerim, nga regjimi i shkërmoqur, ndër të tjera, trashëgoi edhe institucionet kulturore dhe historike të modeluara ideologjikisht, kur për disa dhjetëvjeçarë shqiptarët ishin edukuar me një vizion etnocentrik mbi historinë. Në kushte mbijetese dhe në sfidën për t’iu përshtatur në mënyrë të gjithanshme funksionimit në një realitet të ri, paaftësia e shqiptarëve për ta rikonceptuar trashëgiminë e tyre kulturore, rrjedhimisht dhe interpretimin mbi historinë, dëshmon në njëfarë mase vazhdimësinë ideologjike të mbjellë nga regjimi i kaluar. Shqiptari i ri, në raport me trashëgiminë historike dhe kulturore, mishëron personazhin në metafora kafkjane që na e risjell Hannah Arendt në “Between past and future”, ku dikush ka ngecur në një ngushticë ndërmjet dy vetëve që e luftojnë, njërin që e shtyn nga pas, drejt tjetrit që e pengon dhe mbrohet. Siç duket, shqiptari i ri bën sikur e mbron trashëgiminë e tij vetëm kur i nevojitet për të përfituar ekonomikisht, për turizëm ose për të përshtatur ndonjë restorant në majat e kështjellave, por e lufton paskrupull atë duke i vënë flakën shtëpive tradicionale për të ndërtuar ose, sërish, kur rimodelon qendrat e qyteteve dhe shpall të padenjë ndonjë fragment muri osman ose bizantin. Fundja, a nuk jemi bijtë e “popullit me shpatë në dorë”, që në një moment rebelimi me trashëgimlënësin, ia nxorëm eshtrat sërish nga varri monumental?!