loader image
November 12, 2025

Politika e Ismail Qemalit dhe e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës ndaj forcave osmane (1912-1913)

Megjithëse Qeveria e Vlorës vendosi të mbante një qëndrim asnjanës, trupat osmane vazhduan t’i shihnin shqiptarët si aleatë. Edhe shqiptarët, të gjendur përballë sulmeve të ushtrive ballkanike, u interesonte që të kishin marrëdhënie miqësore me ushtrinë osmane. Në telegramet që i dërguan armatave të Perëndimit dhe Vardarit dhe Korpusit Osman që luftonte për mbrojtjen e Janinës, ata premtuan mbështetjen e tyre kundër armiqve të përbashkët. Kjo bëri që qeveria osmane të rishikonte pozicionin e saj në raport me shtetin e ri shqiptar.

Hasan BELLO, Tiranë

Disfata që pësuan garnizonet osmane nga ushtritë ballkanike i shtyu patriotët shqiptarë të braktisnin strategjinë tradicionale të autonomisë brenda Perandorisë Osmane dhe të kërkonin pavarësi të plotë. Sipas dokumentacionit, Perandoria Osmane nuk e pengoi mbajtjen e Kuvendit të Vlorës. Megjithatë, ajo ishte kundër shkëputjes së Shqipërisë. Këshilli i Ministrave (“Meclis-i Vükelâ”) më 27 nëntor 1912 vendosi që, për të evituar shkëputjen, t’i jepte Shqipërisë autonomi administrative. Sipas tij, shqiptarët dhe osmanët duhej të bashkërendonin veprimet në interes të të dyja palëve.

Më 2 dhjetor gazeta “Ikdam”, që dilte në Stamboll, njoftoi pavarësinë e Shqipërisë, ndërsa Ismail Qemali i telegrafoi Vezirit të Madh lajmin e formimit të qeverisë provizore. Ky vendim motivohej me izolimin e plotë të Shqipërisë dhe me pazotësinë e Perandorisë Osmane për ta mbrojtur atë nga armiqtë e jashtëm. Ai e siguroi Mehmet Kamil Pashën se Shqipëria do të përpiqej që t’i ruante lidhjet fetare me Kalifatin Osman dhe të zgjidhte një organizim politik, i cili do t’i përshtatej sa më mirë me interesat e Perandorisë Osmane. Në këtë telegram, Ismail Qemali e kishte evituar me kujdes fjalën pavarësi. Po më 2 dhjetor, komandanti i Armatës së Perëndimit, Ali Riza Pasha, ia përcolli prefekturës së Vlorës një telegram të zëvendëskomandantit të përgjithshëm të ushtrisë osmane, gjeneral Nazim Pashës, i cili shkruante se: “Po merren lajme se Ju keni marrë iniciativën për të bërë një Kuvend në Vlorë, me qëllim që të shpallet pavarësia e Shqipërisë. Jemi duke marrë masa për të themeluar në Shqipëri një administratë të lidhur me qeverinë autonome, ku të përfshihen të gjitha ato vende të banuara prej shqiptarësh, ashtu si ka qenë më parë. Kjo është formë më e sigurt sesa formimi i një Shqipërie të pavarur”. Dy ditë më vonë, më 4 dhjetor, Ismail Qemali e njoftoi qeverinë osmane se, me gjithë kontributin dhe besnikërinë e shqiptarëve ndaj shtetit osman, për shkak të rrethanave, tani, ata ishin të detyruar të dilnin më vete.

Megjithëse Qeveria e Vlorës vendosi të mbante një qëndrim asnjanës, trupat osmane vazhduan t’i shihnin shqiptarët si aleatë. Edhe shqiptarët, të gjendur përballë sulmeve të ushtrive ballkanike, u interesonte që të kishin marrëdhënie miqësore me ushtrinë osmane. Në telegramet që i dërguan armatave të Perëndimit dhe Vardarit dhe Korpusit Osman që luftonte për mbrojtjen e Janinës, ata premtuan mbështetjen e tyre kundër armiqve të përbashkët. Kjo bëri që qeveria osmane të rishikonte pozicionin e saj në raport me shtetin e ri shqiptar. Për të dyja palët, tani e tutje, rëndësi kishte lufta kundër Aleancës Ballkanike. Një bashkëpunim i tillë u vu re më 5 dhjetor 1912, kur Vlora u gjend nën zjarrin e artilerisë greke. Repartet osmane i zmbrapsën këto forca para se ato të hynin në Vlorë.

Qëndrimi i Qeverisë së Vlorës ndaj trupave osmane që ndodheshin në territorin shqiptar del qartë edhe në një telegram që Ismail Qemali ia drejtoi prefektit të Beratit, Azis Pashë Vrionit. “Qëllimi ynë kryesor, – shkruante ai, – është që të shpëtojmë atdheun nga kthetrat e armikut, të ruajmë nga rreziku i shfarosjes tepricat e ushtrisë dhe ta forcojmë atë për t’u përleshur me armikun. Kjo për ne është çështje jetësore; dhe njëkohësisht një detyrë e shenjtë për komandantët e armatave”.

Ky bashkëpunim mes Qeverisë së Vlorës dhe forcave osmane kishte disa arsye. Në radhë të parë ai lidhej me rrezikun që i kanosej territorit shqiptar. Elita politike shqiptare i shihte armatat osmane si garanci kundër depërtimit të ushtrive ballkanike. Një arsye tjetër ishte se drejtuesit kryesorë të reparteve osmane ishin oficerë shqiptarë. Ky ishte një faktor i rëndësishëm që do të ndikojë jashtëzakonisht për vendosjen e raporteve informale mes tyre dhe Qeverisë së Vlorës.

Komandanti i trupave osmane në Gjirokastër, Zija Pashë Mati, kërkoi nga Ismail Qemali, jo si komandant osman, por si një shqiptar që e kuptonte se me kë lidheshin interesat e ardhshme të Shqipërisë, të largonte pengesat e zyrës dhe të nëpunësve telegrafikë të Vlorës, që i vështirësonin operacionet e ushtrisë osmane. Kjo kërkesë gjeti mbështetje të plotë nga Ismail Qemali, i cili i shkruante Zija Pashës se ishte e vërtetë dhe se çdo shqiptar e kishte kuptuar se e ardhmja e Shqipërisë mund të sigurohej me fitoren e ushtrisë osmane. Prandaj, ai kërkoi mirëkuptimin e tyre se vështirësitë e korrespondencës ose të zyrës telegrafike nuk ishin të qëllimshme. Madje, nëpunësit e kësaj zyre e kishin si prioritet që t’u jepnin rëndësi telegrameve të ushtrisë osmane. Por, sipas Ismail Qemalit vështirësitë dhe vonesat vinin për shkak se alfabeti i telegrameve duhej ndërruar nga ai osman në alfabetin frëng.

Komanda e Armatës së Perëndimit e informoi Shtabin e Përgjithshëm se ajo kishte mbajtur një qëndrim të butë ndaj Qeverisë së Vlorës dhe për këtë kërkoi udhëzime të mëtejshme. Shtatmadhoria iu drejtua për sqarim qeverisë osmane, e cila e miratoi vazhdimin e kësaj politike.

Korrespondenca e qeverisë osmane me kryetarin e Qeverisë së Vlorës lidhur me ndihmën që duhej t’u jepej forcave osmane që ndodheshin në krahinat e Shqipërisë e konfirmon faktin se midis dy qeverive ekzistonte një komunikim i hapur. Kjo do të vihet re në mbështetjen logjistike dhe furnizimet që Stambolli kërkoi të dërgonte drejt brigjeve shqiptare në ndihmë të reparteve osmane që gjendeshin të shpërndara në brendësi të territorit shqiptar.

Kështu, Ministria e Luftës në Stamboll vinte në dijeni Ismail Qemalin se, për shkak të bllokadës së flotës greke, furnizimi me ushqim i Armatës së Perëndimit dhe forcave osmane në Janinë do të bëhej me anë të anijeve që do të ankoroheshin në afërsi të grykëderdhjeve të lumenjve Shkumbin dhe Seman. Prandaj, ajo kërkoi nga Qeveria e Vlorës të merrte masa, duke caktuar persona përgjegjës për kontrollimin e këtyre pikave, sinjalizimin e anijeve për t’u shkarkuar, si dhe transportimin e ushqimeve te garnizonet osmane. Edhe komandanti i forcave osmane në Fier, kolonel Ali Avniu, kërkoi ta dinte mendimin e Qeverisë së Vlorës lidhur me anijet osmane me drithë që do të vinin në grykën e lumit Seman. Për këtë operacion sekret, ai theksonte se Qeveria e Vlorës ishte vendosur në dijeni nga Ministria e Luftës në Stamboll.

Përballë një rreziku të madh, siç ishte ai që vinte nga aleanca e vendeve ballkanike, më 20 dhjetor 1912 Ismail Qemali i shkruante komandës osmane se “i çmonte me mirënjohje shërbimet e ushtrisë dhe ngadhënjimet e saj të korrura në Janinë kundër grekëve, ngjadhënjime prej të cilave shpëtonte nga sulmi i armikut pjesa jugore e Shqipërisë”. Ai e shpjegoi edhe qëndrimin e qeverisë së tij përballë Europës, i cili synonte ndalimin e armatave armike që ishin futur në territoret e Shqipërisë; të provonte ekzistencën e unitetit kombëtar kundër armiqve që pretendonin se te shqiptarët ishte utopi ekzistenca e një lëvizjeje kombëtare; dhe të merrte pjesë në konferencën e ardhshme si një komb i lirë e i formuar.

Duke pasur parasysh se Konferenca e Ambasadorëve në Londër ende nuk kishte përcaktuar një status përfundimtar lidhur me Shqipërinë, Ismail Qemali, si një diplomat me përvojë, i bënte të ditur kësaj komande se shqiptarët dëshironin që forma përfundimtare e regjimit në Shqipëri mos t’i shkaktonte dëm sovranitetit që Perandoria Osmane mendonte të siguronte në Rumeli. Sipas tij, nuk duhej të mendohej aspak se shqiptarët do të ndiqnin një rrugë në kundërshtim me interesat e përgjithshme osmane. Por, nga ana tjetër, ai kërkonte nga qeveria osmane që edhe ajo të mos e pengonte Shqipërinë në masat që kjo ishte e detyruar të ndërmerrte për t’i shpëtuar dorës robëronjëse të armikut. “Sot, – shkruante Ismail Qemali,qëllimi ynë është t’i sigurohet Shqipërisë një jetë politike dhe një trajtim ndërkombëtar të barabartë me atë që gëzojnë kombet e Ballkanit”.

Në fakt, me krijimin e Qeverisë së Vlorës, mjaft nacionalistë shqiptarë mendonin se nuk ishte e nevojshme qëndresa kundër pushtimit grek, sepse, sipas tyre, Shqipëria ishte një shtet i lirë dhe i pavarur, i cili dëshironte të jetonte në paqe me të gjithë fqinjët, e në radhë të parë me grekët. Sipas Eqrem Bej Vlorës, ata niseshin nga bindja e dyshimtë se shqiptarët mjafton të qëndronin asnjanës përballë marshimit të popujve të tjerë të Ballkanit dhe do ta fitonin miqësinë e armiqve të Perandorisë Osmane e kështu mund të siguronin ekzistencën e Shqipërisë. Duke qenë vërtet një masë paraprake e detyruar nga rrethanat në të cilat ndodhej Qeveria e Vlorës, kjo ishte në të njëjtën kohë edhe një propagandë e volitshme që u shkonte për shtat armiqve, e që i solli dëme të mëdha Shqipërisë. Ismail Qemali, i cili e kishte kuptuar rrezikun që i kanosej vendit nga ushtritë greke, i shkruante komandantit osman se: “Mbrojtja dhe disiplina e armatës së Janinës do të thotë, t’i vihet pritë aspiratave greke që duan të na shtypin, e prandaj presim se si duhet të përpiqemi e ç’këshilla e komunikime duhet të bëjmë. Këtë formë qeverimi duhet ta mbajmë, se kështu e do interesi politik derisa të mblidhet Konferenca (ndërkohë ajo ishte mbledhur – H.B.) dhe Europa të marrë një vendim të prerë mbi sovranitetin osman në Shqipëri e mbi shtetin shqiptar. I lutemi Shkëlqesis s’uaj të pranoni këtë realitet dhe t’i çmoni rastet e padëshiruara të lindura nga një mendim i kundërt”. Pasi shprehte dëshirën për solidaritet reciprok, Ismail Qemali kërkoi që të tërhiqej çdo urdhër i dhënë komandave e trupave osmane që gjendeshin në territorin shqiptar, i cili do të prishte gjendjen ekzistuese.

Në vijim të kësaj politike Ismail Qemali kërkoi nga Komandanti i Korparmatës V në Berat, Mehmet Sait Pasha, që të merrte në konsideratë zonën neutrale që arrinte deri në bregdet. Kjo zonë përfshinte një perimetër i cili do t’i siguronte Qeverisë së Vlorës një sovranitet të kufizuar, por të sigurt për të ushtruar veprimtarinë e saj. Ky kompromis rezultoi i suksesshëm për shqiptarët. Kundrejt kësaj kërkese, Mehmet Sait Pasha kërkoi informacion nga Ismail Qemali mbi sasinë e municionit dhe të çadrave ushtarake që ndodheshin në kazermat osmane të Vlorës.

Ajo që del qartë në dokumentacionin e kohës është fakti se në gjirin e forcave të Armatës së Perëndimit dhe të Vardarit, të dislokuara në brendësi të territorit shqiptar, lidhur me qëndrimin ndaj Qeverisë së Vlorës ishin profilizuar dy rryma: njëra ishte më e butë dhe për të bashkëpunuar me faktorin shqiptar, ndërsa tjetra, për shkak të sjelljes agresive të disa shqiptarëve ndaj reparteve osmane, ishte më armiqësore. Kjo bëri që një pjesë e tyre të ankoheshin në komandat respektive kundër Sait e Mahmut Hajretin Pashës se këta kishin bashkëpunuar me shqiptarët, duke i lënë të lirë të ngrinin flamurin e tyre kombëtar e, për rrjedhojë, duke shkaktuar shfarosjen e ushtarëve nga uria. Ky qëndrim e shtyu Aziz Pashë Vrionin dhe disa personalitete të elitës politike shqiptare që të kërkonin nga Qeveria e Vlorës mbledhjen e taksave, për t’u ardhur në ndihmë reparteve osmane. Ndërkaq kryetari i Komisionit të Mbrojtjes Kombëtare të Delvinës, Mehmet Ali Pasha, kërkoi nga Ismail Qemali që, për të ndihmuar Armatën e Perëndimit, e cila po përballonte sulmin e forcave greke në postat e Qarrit, Rritres e Kolonjës, ishte e domosdoshme që brenda katër-pesë ditëve të dërgoheshin atje për t’u bashkuar me forcat osmane batalionet e rezervistëve të Beratit, Mallakastrës, Skraparit, Tepelenës, Përmetit, Leskovikut, Kolonjës e Gjirokastrës. Sipas tij, kjo do t’i ndihmonte trupat osmane, që, në bashkëpunim me shqiptarët, të shpartallonin forcat greke.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi disa personalitete shqiptare u dërguan në krahinat ku kishin influencë për të bindur popullin shqiptar që t’u vinte në ndihmë forcave osmane me ushqime dhe vullnetarë. Ky bashkëpunim u shtri edhe për oficerët që dezertonin nga fronti i Janinës. Në një telegram që zëvendësvaliu ia dërgoi Ismail Qemalit, i kërkoi të merrte masa, për të frenuar këtë problem me pasoja të rrezikshme për të dyja palët.

Nga ana tjetër, Komandanti i Korparmatës V, Ali Riza Pasha, i deklaroi prefektit të Beratit, Aziz Pashë Vrioni, se ashtu si Ismail Qemali ishte i mendimit se politika greke synonte aneksimin e Janinës. Prandaj, për të tërhequr vëmendjen e ushtrisë osmane dhe për të ngjallur panik në popull, Athina kishte gjasa të dërgonte forca në brendësi të territorit shqiptar. Për këtë arsye, ai kërkoi bashkëpunimin me Qeverinë e Vlorës dhe të gjithë shqiptarët.

Aziz Pasha i shkruante Ismail Qemalit se, për të përballuar këtë goditje, ishte duke organizuar forca popullore. Në funksion të kësaj politike, ai kërkoi që dy-tre djem pashallarësh shqiptarë që gjendeshin në Vlorë të niseshin drejt Beratit, për të motivuar qëndresën e armatosur, ndërsa kleri mysliman i këtij qyteti organizoi një miting ku i bëri thirrje popullit që të merrte armët dhe të nisej në drejtim të Skraparit e Tomorricës, për të mbrojtur kufijtë e atdheut nga forcat aneksioniste greke. Ky bashkëpunim erdhi edhe për shkak të qëndrimit që Stambolli vendosi të mbante ndaj shtetit të ri shqiptar. Kështu, Namik Delvina njoftoi Emin Beun në Lushnjë se “Në një telegram shifër që u muar sot nga Sadareti (Kryeministria e Perandorisë Osmane – H.B.) thuhet se Stambolli po përpiqet për formimin e një Shqipërie”. Një fakt i tillë konfirmohet nga memorialistika dhe ditarët e komandantëve osmanë që janë botuar vitet e fundit. Megjithatë, informacioni që kemi deri sot ende nuk na lejon të përcaktojmë me saktësi se deri në çfarë shkalle shtrihej kjo “përpjekje”.

Bashkëpunimi i shqiptarëve me trupat osmane ndryshonte në varësi të oficerëve e komandantëve, origjinës dhe përvojës që ata kishin pasur me shqiptarët. Kështu, një komunikim i ngushtë ekzistonte midis Ismail Qemalit dhe Halil Bej Leskovikut, nga i cili kryetari i qeverisë provizore në kushtet e një izolimi të plotë kërkonte informacion mbi bisedimet e Perandorisë Osmane me Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve.

Bashkëpunimi i Qeverisë së Vlorës me trupat osmane në thelb kishte mbrojtjen e territoreve nga agresioni grek. Por, në mesin e elitës shqiptare lidhur me strategjinë që duhej ndjekur ndaj politikës aneksioniste të Greqisë kishte dy qasje: e para ishte për organizimin e një qëndrese të armatosur nëpërmjet forcave vullnetare dhe bashkëpunimit të tyre me repartet e ushtrisë osmane, ndërsa e dyta, ku bënte pjesë edhe Ismail Qemali, kishte pikëpamje tjetër. Në një letër, drejtuar Azis Pashë Vrionit, ai shkruante se: “Mbrojtja jonë, sot, më tepër se ushtarake, është diplomatike. Shqipëria ska dëshirë të luftojë me asnjë shtet. Pra, që Greqia të luftojë në tokë të Shqipërisë dhe të derdhet më kot gjithë ky gjak. Qëllimi kryesor i Greqisë është të shtjerë në dorë Janinën, e pra ska për të dashur të çojë ushtarë në një vend që ska për ta shtënë kurrë në juridiksionin tokësor të sajin, për më tepër duke qenë të përqendruara kaq ushtri otomane në Kalibaç. Një argument në këtë rast e formon Vlora, të cilën megjithëse është e çelur në çdo anë, Greqia ska bërë ndonjë tentativë për ta shkelur”. Nga kjo letër kuptohet qartë filozofia politike e Ismail Qemalit. Ai ishte i vetëdijshëm se Qeveria e Vlorës dhe shteti i sapokrijuar shqiptar nuk i kishte mundësitë për t’u përballur me forcat greke. Prandaj mbrojtja e çështjes shqiptare duhej fokusuar vetëm në aspektin diplomatik. Kjo pikëpamje dhe mungesa e vullnetit për organizimin e forcave vullnetare kundër andartëve grekë do të shkaktojë kritika kundër tij.

Marrëdhëniet e Qeverisë së Vlorës me trupat osmane vijuan të ishin normale edhe në muajt e parë të vitit 1913. Ismail Qemali e shihte praninë e tyre si garanci kundër avancimit të ushtrisë greke. Një raport i tillë u përforcua më 29 janar 1913, kur qeveria osmane deklaroi se e njihte pavarësinë e Shqipërisë dhe kërkoi që flamujt e të dyja vendeve të ngriheshin pranë njëri-tjetrit. Por, sipas një ish oficeri osman, Qeveria e Vlorës nuk e mori seriozisht këtë deklaratë.

Në vijim të kësaj politike, më 11 shkurt 1913 Porta e Lartë e urdhëroi komandën e forcave osmane në Lushnjë që, krahas flamurit osman, të ngrinin edhe flamurin shqiptar. I pyetur nga kjo komandë, Aziz Pashë Vrioni kërkoi mendimin e Ismail Qemalit, megjithëse i përmbahej pikëpamjes se nga ky akt tani nuk kishte asnjë përfitim. Ismail Qemali dhe autoritetet shqiptare, nё pamundёsi pёr t’i pёrmbushur nevojat e ushtrisё osmane, u treguan tё gatshёm të ndihmonin me sa mundnin.

Marrëdhëniet e Qeverisë së Vlorës me armatat osmane u kushtëzuan nga kapaciteti i kufizuar i krahinave shqiptare për të mbajtur me drithë këto forca. Lushnja, Fieri, Berati dhe Mallakastra ishin mbushur me ushtarë osmanë, nevojat e të cilëve, sipas Azis Pashës, mund të përballoheshin vetëm për një muaj. Kjo bëri që kryetari i shtatmadhorisë, Remzi Beu, t’i kërcënojë autoritetet shqiptare të Lushnjës, me urdhër të Xhavid Pashës, se nëse nuk mblidheshin taksat e luftës dhe drithërat e nevojshme për ushtrinë, ai do të krijonte një detashment prej 200 ushtarësh për t’i mbledhur ato me forcë. Në disa qytete dhe fshatra të Shqipërisë së Jugut u shtuan incidentet mes popullsisë vendëse dhe ushtrisë osmane. Pas rёnies sё Janinёs, nё mars 1913, kёtyre forcave do t’u bashkohen edhe reparte tё tjera tё shpartalluara tё ushtrisё osmane, qё u tёrhoqёn nga pёrparimi i grekёve, nё pritje pёr t’u nisur drejt Stambollit.

Me pёrjashtim tё Vlorёs, nё krahinat e tjera ku kishte ushtri osmane, gjatё kohёs kur ato qёndruan atje, ekzistoi njёfarё pushteti i fyfishtë: ai i Qeverisё sё Vlorёs dhe pushteti ushtarak osman.

Në pranverë të vitit 1913, Qeveria e Vlorës filloi të ndiqte një politikë afrimi me Stambollin. Në një intervistë që Ismail Qemali dha për gazetën italiane “Giornale d’Italia”, ai deklaroi se marrëdhëniet e Shqipërisë me Perandorinë Osmane ishin krejt paqësore. “Në Vlorë, – deklaroi ai, –  kemi marrë një njoftim zyrtar të Vezirit të Madh, i cili e njeh pavarësinë e Shqipërisë dhe të drejtën që të kemi flamurin tonë”. Sipas tij, qeveria osmane e kishte njoftuar mytesarifin e Beratit se ajo tani e njihte pavarësinë shqiptare dhe kishte kërkuar nga autoritetet ushtarake që kishin mbetur në Shqipëri ta respektonin flamurin shqiptar.

Në kujtimet e komandantit të Armatës së Vardarit, gjeneral Zeki Pasha, i cili në këtë periudhë ishte i dislokuar në Fier, shkruan se më 27 prill 1913 nga qyteti i Vlorës kishin mbërritur 500 tonë ushqime. Kjo tregon për bashkëpunimin e nëndheshëm midis forcave osmane dhe Qeverisë së Vlorës, me kusht që ata ta respektonin perimetrin e kontrolluar prej saj.

Megjithatë, vijuan rastet kur individё tё ndryshëm vrisnin ushtarёt osmanë pёr t’u grabitur armёt. Sipas Eqrem Bej Vlorës: “Trupat osmane nuk u hakmorrёn pёr kёto keqtrajtime edhe pse ato do tё kishin qenё nё gjendje tё rrezikonin ekzistencёn e Qeverisё sё Pёrkohshme, nëse udhёheqёsit e tyre tё kishin dashur tё vinin nё kandarin e sё drejtёs dhe tё sё padrejtёs tё gjitha veprimet e popullsisё dhe autoriteteve shqiptare”. Kjo del qartë edhe në një telegram të komandantit të Armatёs sё Vardarit për Qeverinё e Vlorёs.

Ismail Qemali kishte komunikim të vazhdueshëm edhe me kryekomandën e trupave osmane që drejtohej nga Halil Pashë Leskoviku. Por, ai ishte i kujdesshëm që këto marrëdhënie të mos komprometonin politikën e shtetit të pavarur shqiptar. Kështu, kërkesën e H. Leskovikut për të dërguar një grup kalorësish, që të tërhiqnin një sasi mielli që do të vinte me anije në skelën e Vlorës, Ismail Qemali e quante fantazi. Një gjë e tillë ishte e pamundur për t’u realizuar për shkak se jo vetëm që mungonin mjetet e transportit, por se ky veprim mund të diktohej prej Greqisë dhe Italisë. Kjo, thekson ai, do të shkaktonte djegien e Vlorës nga armiku. Sipas Ismail Qemalit, gjendja e ushtrisë dhe e këtij vendi të vogël nuk mund të duronte këto lloj incidentesh.

Një qëndrim i tillë u kundërshtua nga Halil Leskoviku, me arsyetimin se ushtritë osmane, të dislokuara në Berat, Gjirokastër dhe në disa qytete të tjera të Shqipërisë nuk e kishin penguar ngritjen e flamurit shqiptar, ndërkohë që po të dëshironin mund ta ndalonin me një iniciativë të vogël. Sipas tij, vajtja në Vlorë e 5 ose 10 kalorësve nuk duhej keqkuptuar nga autoritetet shqiptare. Megjithatë, Ismail Qemali insistoi në mosdërgimin e kësaj kompanie ushtarësh, sepse kjo do të shkaktonte mësymjen e grekëve. Ai ishte dakord që të dërgohej vetëm një nëpunës, të cilit Qeveria e Vlorës do t’i jepte ndihmën e saj për të transportuar miellin në rast se vinte. Me një ton dëshpërimi, Ismail Qemali i shkruante Halil Pashës të hiqte dorë nga kjo kërkesë.

Ky telegram e bindi Halil Pashën, i cili në përgjigjen që ia dërgoi Ismail Qemalit shkruante: “iu dha leje për të ardh në Vlorë vetëm një nëpunësi. Veçanërisht, ju lutemi që të siguroni që korrespondenca midis Armatës së Perëndimit dhe Stambollit të mos pësojë asnjë lloj pengese. Ju puth duart”. Ky qëndrim e forcoi klimën e bashkëpunimit mes palëve. Ismail Qemali i shkruante Halil Pashës se ai vazhdonte të mbante kontakte me Sadriazamin (Kryeministrin – H.B.), por duke mos pasur shifra telegrafike këtë e realizonte me anë të Janinës, gjë e cila shkaktonte humbje kohe dhe se telegramet e hapura kalonin nga Austria dhe Italia, çka sipas tij nuk ishte oportune. Për të mbajtur kontakte direkte me Stambollin, ai kërkoi nga kryekomanda osmane dërgimin e një nëpunësi të posaçëm së bashku me një shifrant special.

Shqipëria ishte e rrёnuar nga lufta, vёshtirёsitё ekonomike nuk mund tё pёrballonin nevojat e ushtrisё osmane, e cila ishte katandisur si mos më keq. Ajo, sipas dëshmitarëve të kohës: “Ishte njё ushtri e babёzitur dhe e shkatёrruar. Ushtarёt ishin si skelete tё verdhё. Ata çdo gjё e blenё dhe nuk u dёgjua gjёkundi qё u rrёmbye kjo apo ajo plaçkё… Me tё vёrtetё mbahet mend si njё lavdёrim i madh pёr njё ushtri e cila kish njё gjendje tё tillё tё mjerueshme dhe nuk trazonte asgjё. Ushtarёt largoheshin me lot nё sy e me dorё nё zemёr, por pa rrёmbyer asgjё”.

 

 

 

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X