loader image
October 24, 2025

Poetika e “demiurgut të shqipes”

Poezia e Nolit është parë edhe në optikën e ligjërimit politik, një poetikë që realisht mbruhet nga ky ligjërim. Një ndër qasjet substanciale, e njohur edhe si qasje imanente, është ajo e Mitrush Kutelit mbi poetikën e Nolit. Duke folur mbi poezinë e Nolit, Mitrush Kuteli thekson se fiziologjia specifike e vjershës noliane është jo tuli, po muskuli dhe eshtra.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë

Fan S. Noli mbetet një figurë poliedrike, një emër i papërsëritshëm në letrat shqipe, në kulturën shqiptare si dhe në traditën e mendimit politik shqiptar. Në figurën e Nolit gërshetohen sentimente të shumta krijuese të cilat mbrujnë një univers të jashtëzakonshëm letrar dhe kulturor. Për shkak të pjesëmarrjes në jetën politike në Shqipërinë e vitit 1924, edhe krijimtaria e tij letrare dhe përgjithësisht eseistike do të determinohet nga ky jetëshkrim i tij, që vjen dhe reflektohet në gjithë produksionin e tij letrar dhe kulturor, duke përfshirë edhe introduktet në përkthimin e autorëve të përbotshëm.

Kohëve të fundit nuk janë të paktë studiuesit që e kanë analizuar krijimtarinë letrare, por edhe introduktet në optikën e diskursit politik, të kultivuar gjatë tërë kohës nga Fan Noli edhe si figurë politike.

Esencat e formësimit të poetikës noliane

Studiusja Dhurata Shehri vë në dukje se kurthi i ligjërimit politik, që shndërrohet në diskurs politik, tek Noli sundon edhe poezinë e tij. “Ligjërimi poetik i ‘Albumit’ duhet parë si vazhdim i diskursit të tij politik. Lakmus të këtij diskursi janë: përdorimi i vetës së dytë, i urdhërores, i dëshirores etj., tregues gramatikorë tipikë për ligjërimin e diskursin politik. Noli mbetet një poet që flet e shkruan si politikan – në fakt edhe figurat ‘akustike’ të poezisë së tij e ‘tradhtojnë’ këtë qëllimshmëri”, thekson studiuesja Shehri.

Pikërisht në linjë me këtë trajtim të diskursit politik në poezinë e Nolit, studiuesja Elvira Lumi, në analizën diskursive “Fan Noli poet politik apo i ‘dilemave të rastit’?”, thekson se diskursi politik, duke iu referuar ideve dhe strukturës poetike, lidhet me retorikën, me fjalorin greko-romak, me filozofinë, psikologjinë, etikën dhe estetikën, që gjen shprehje edhe në poezi politike. Sipas saj, shembujt më të mirë të poezisë politike janë kur poeti përfshihet me pasion në lëvizjet historike të kohës dhe zë një vend të caktuar në kohën kur jeton dhe krijon.

“Nisur nga poezia dhe rrethanat historike, Noli na paraqitet një lider politik, udhëheqës fetar dhe gjeni i republikës së letrave. Përcaktimi si poet politik nuk na duket “i sforcuar” por natyral dhe dialektik, sepse lidhet me vendin që zë Noli në historinë politike të shtetit shqiptar, bindjet dhe idetë e tij mbi revolucionin dhe pasojat e përshtypjet që la ky revolucion në poezitë dhe në studimet e veta”, thekson studiuesja Lumi. Sipas saj, edhe Çabej pohon për Nolin se nuk është e rastit për një poet ku përpjekjet për liri sociale e politike dhe konfliktet e brendshme shpirtërore janë ndërthurur në një mënyrë si moskund në literaturën botërore që ai përkthen.

Botëformimi i Nolit në asnjë rast nuk mund të kuptohet i njëtrajtshëm dhe nuk mund të determinohet vetëm nga një përmasë. Përkundrazi, ai mbetet shumëdimensional, me një receptim të gjerë mbi letërsinë e përbotshme, mbi autorët modernë, të cilët i përkthen dhe i interpreton në formë parateksti, të pagëzuara tashmë si “introdukte”, që përfaqësojnë gjithë konceptin letrar dhe estetik të Nolit.

Introduktat e Nolit përbëjnë një korpus të veçantë brenda veprimtarisë së tij letrare, përkthimore dhe kritike, duke u vendosur në kufirin mes letërsisë, eseistikës dhe kritikës estetike. Ato nuk mund të konsiderohen thjesht si parathënie teknike për veprat e përkthyera, por më tepër mbeten diskurse programatike, që shpalojnë njëkohësisht horizontin kulturor, vizionin estetik dhe kredon e autorit.

Tashmë është theksuar nga studiues të vëmendshëm se Noli në mënyrë të natyrshme i strukturon introduktet në rangun e një teksti autonom letrar. Në to, informacioni i nevojshëm mbi autorin dhe veprën shndërrohet në një reflektim filozofik mbi fatin e artit dhe mbi marrëdhënien e tij me universin njerëzor e kombëtar.

Nga ana konceptuale, Noli shfaqet në introduktet si një erudit interkulturor. Ai vendos autorët që prezanton në dialog të hapur me tradita të tjera letrare, duke ndërtuar një hapësirë krahasimtare. Në këtë pikë, Noli i paraprin asaj që sot do ta quanim intertekstualitet dhe interkulturalitet.

Pa diskutim, studimi i Fan S. Nolit mbetet një ndër sfidat më interesante të kritikës letrare shqiptare, për shkak të ndërthurjes së fuqishme mes estetikës, historisë, politikës dhe përmasës biblike në krijimtarinë e tij. Në këtë fushë, Mitrush Kuteli ka ofruar një nga qasjet më origjinale, duke e parë veprën e Nolit përmes një metode imanente, pra të përqendruar në strukturën e brendshme të tekstit.

Poetika e Nolit në optikën e kritikës së Kutelit

Tashmë është theksuar nga studiuesit e kritikës së Kutelit se qasja e tij mbetet thellësisht imanente, pra qasje e brendshme mbi letërsinë. Ai zhvillon një analizë kritike që ka për objekt veprën, konstruksionin e saj të brendshëm, edhe pse paraprakisht në shumë raste do të na japë edhe elemente biografike dhe bibliografike.

Kuteli shfaq konceptin e tij mbi formën si esencë dominuese në poezi. Sipas tij “sa e sa mund të kenë mendime të nalta mbase edhe hyjnore, sa e sa mund të kenë ndjenja të thella e të kthjellta. Sa e sa mundin të ndjejnë e të shijojnë shpirtërisht bukuritë e jetës dhe të natyrës – gazin e ditës, magjinë e mbrëmjes, ose misterin e natës, – sa e sa mundin të përpushin vepra të nalta, por të gjithë këta dyke mos patur mundësinë e brendshme t’i shprehin këto ndjenja e mendime të veshura me veshjen e poezisë, pra të formës nuk janë vjershëtorë” .

Kuteli tashmë me këtë formulim kritik e ka përcaktuar statusin e poetit dhe njëkohësisht edhe të poezisë si gjini letrare. Pikërisht ky formulim, si asnjëherë më parë, në shkrimtarinë kritike shqiptare, afishon një qasje krejtësisht tjetër mbi poezinë, atë të formës, që mbetet një qasje tërësisht moderne për kohën dhe në rezonancë me teoritë moderne për studimin e letërsisë, që tashmë ishin shfaqur, sidomos formalizimit rus. Ka shumë elemente në analizimin e poezisë së Lasgushit, që na bën të hamendësojmë se Kuteli kishte njohuri për qasje të reja në studimin e letërsisë që ishin kryekëput të brendshme.

Me formë, Kuteli nënkupton një gamë të gjerë elementesh të brendshme të poezisë, që ai i dekodon deri në imtësi, duke shpërfaqur kështu një njohje të thellë teorike, por edhe një sens të pashoq për ta artikuluar në diskurs kritik që është në korelacion me veprën që analizon. Ne fillojmë me formën, precizon Kuteli, duke përmbledhur me këtë fjalë fjalorin, përfytyrimet, rimën, ritmin, fonologjinë e stilin e përgjithshëm.

Në po këtë lartësi analize të brendshme të poezisë do të jetë edhe gjatë procedimit kritik të poezisë së Nolit dhe të Emineskut, që realisht shfaqen si studime mbi poetikën e këtyre dy autorëve. Edhe në aspektin teorik, studimi dallon nga kritika, për shkak se lejon që të jepen edhe elemente nga biografia e shkrimtarit dhe elemente tjera plotësuese që mundësojnë një interpretim sa më të thellë të një poetike të caktuar.

Pikërisht duke u nisur nga kjo qasje e brendshme, Kuteli me zgjuarsi analizon dhe interpreton poezinë, duke kaluar edhe në përmbajtjen e poezive (kuptimin), si një dimension tjetër që nuk vijnë veçse pas formës. Kështu, për poezinë e Nolit do të shprehet se “ është esencialisht vjershë politiko-patriotike”. Vetëm pasi ta ketë përcaktuar gjithë kuadrin e interpretimit, Kuteli, me forcën e diskursi origjinal kritik futet në analizën e vargut, në metrikë, në gjithë atë teori që e nënkupton vargu, por edhe në koncepte filozofike dhe estetike që nëpërduken në diskursin e tij kritik. Kjo qasje që bën Kuteli duket shumë e përafërt me ndarjen dhe me formulimet që i bëjnë Rene Wellek dhe Austin Warrren për “studimin e aspekteve të brendshme të letërsisë”. Të gjitha këto elemente të studimit të aspekteve të brendshme të letërsisë janë të pranishme në diskursin kritik të Kutelit.

Kuteli do të shkojë më larg në ngjizjet e parme të vargut, të semantikës dhe të gjithë peizazhit që shfaq një poezi e caktuar. Dhe, nuk do të gabojë, sepse për shembull poezia e Nolit, pashmangshmërisht do të ndërlidhet me momente nga biografia e tij, e cila ia jep forcën dhe, në raste të skajshme, i jep “një fërtymë mallkimesh apokaliptike” .

Gjatë analizimit të poezisë së Nolit, Kuteli do të shfaqë edhe fragmente të qasjes psikoanalitike. Duke e ndërlidhur me biografinë politike të Nolit, gjatë analizës të vjershës “Shën Pjetri mbi mangall” dhe “Moisiu në Mal”, Kuteli vë në dukje: “Dhe sëkëndejmi, ay torturim i brendshëm, njëkohësisht dostoewcky-ain dhe poe-an dhe përmi këto të dyja, nolian” .

Fan S. Noli, thekson Kuteli, sjell në letrat e shqipes një stil individual, të tijin, një vibracion energjik, një verb violent me shprehje metaforike të forta, që rrokullisen njëra pas tjetrës.

Dhe, ashtu e kuptonte kritikën, Kuteli, si analizë dhe gjykim. Këtë paralajmërim mbi konceptin e tij na e thotë kur e shpjegon kritikën e Nolit: “Sado të forta që shfaqen vetiu fytyrat e librave-si pozitivitet ashtu edhe negativitet-ato mund të fitojnë më shumë relief e mbase jetë kur i shpjegojmë leçitësit. Edhe kësaj pune i përvishet vetë Noli dyke hyrë në valle si kritik letrar në kuptimin e analistit dhe gjykonjësit” .

Në veprën ‘Estetika’ të Kroçes (1902) shumë fuqishëm pohohet uniteti i veprës së artit, njëkohësisht forma dhe përmbajtja. Kroçe e hedh poshtë idenë se mund të ekzistojë çfarëdo përmbajtje që mund të abstrahohet, prandaj thotë: “Procesi estetik, pra është në formë, dhe nuk është asgjë tjetër përpos formë. Mirëpo, gabimisht do ta kuptonim Kroçen nëse e konsiderojmë ‘formalist’. Këto nocione ai përdorë krejtësisht në kuptime të kundërta nga kuptimi tradicional”.

Në konceptin estetik të Kroçes, thekson Wellek, “forma” është shprehje e “intuitës”, që është edhe një nocion tjetër për veprën letrare. Por, sipas tij, veprën letrare duhet patjetër qartësisht ta kuptojmë si një ndodhi e brendshme. Bile Kroçe e pranon se ajo që ai quan formë mund të kuptohet si përmbajtje: “Çështja është vetëm terminologjike, duhet artin ta prezantojmë si përmbajtje apo si formë, me një kusht që gjithnjë të kuptohet se që përmbajtja është formuar, ndërsa forma e përplotësuar, se ndjenjat janë formësuar si ndjenja, ndërsa trajta një trajtë që ndjehet”.

Kuteli vlerën e një vepre letrare e sheh në korrelacion me permanencën, me këtë konstantë vlefshmërie që i qëndron kohës. Pikërisht në këtë linjë mendimi e analizon poezinë e Nolit “Hymni i Flamurit”. “E veçuar nga këto të gjitha mbetet ajo vjersha lapidare e kushtuar Flamurit, me të cilën fillon përmbledhja ‘Mall e brengë’. Ne e quajmë ‘Hymn i Flamurit’, këtë monolit të qëndrimit dhe të permanencës shqiptare, ball’ për ballë me kombet e tjerë që iu patnë derdhur si rrebeshe, gjatë historisë, kësaj toke e këtij populli ”, vë në dukje Kuteli.

Gjuha për Kutelin mbetet një dimension vendimtar. Në diskursin e tij kritik krijimtaria për më tepër shihet si gjuhë, si transponim gjuhësor dhe vibrim i brendshëm që përcakton vlerën e poezisë. Binomi gjuhë-komb gjithnjë do të shfaqet në ligjërimin e tij kritik, në një formë origjinale, gërshetuar me forcën e konceptit të tij estetik dhe kultivimit të një narracioni prej shkrimtari. Duke folur mbi poezinë e Nolit, Kuteli thekson: “Fiziologjia specifike e vjershës noliane është jo tuli, po muskuli dhe eshtra. Nuk është kontemplativ, pasiv, pritës,- po buçitës, sulmonjës, dërmonjës. Vargu i tij, nuk është vizual, po auditiv. I drejtohet, pra, veshit, -jo syrit”.

Një deshifrim estetik i fjalës artistike, i saktë dhe në përputhje me opusin krijues të Nolit. Një përkufizim i “verbit” të tij, në esencat e përdorimit të gjuhës, në ato thellësi ku ngjizet vargu nolian. Një interpretim paradigmatik i gjuhës poetike që do të mbetet një lloj aksiome interpretimi për shumë kohë.

Dhe më pas, po në këtë sens të artikulimit dhe të interpretimit të gjuhës poetike noliane, Kuteli lëshohet në përkufizime literare, por që gjithnjë mbeten në funksion të zbërthimit të “verbit” në krijimtarinë e Nolit i pandashëm nga njësia kombëtare. Për Kutelin Noli mbetet “demiurg i shqipes”. “Dhe veshit i drejtohet jo me ondulacione lirike, me shushullime të ëmbla-po me arsenal bubullimash e vrungullimesh si një grumbull barut-hanash që marrin zjarr e buçasin njëra më fort se tjetra ose si ajo zhurma e qerres të Zotit Shëndëlli nëpër fushat e qjellit, kur fillon shtërgata” .

Sipas Kutelit, vjersha e Nolit, në botën e arkitekturës, ajo nuk u përngjan pjesave të rrumbulla, po çipeve të mprehta, sepse “Noli nuk gëdhend në mermer, po në krastë. Nuk limos me daltë, po pret me sëpatë e me çekan të rëndë”.

Vepra për Kutelin nënkupton permanencën (përhershëmërinë), e cila pa diskutim që ndërlidhet me gjuhën si dimension i pandashëm. Për Kutelin, Fan. S. Noli “sjell në letrat e shqipes një stil individual, të tijnë, një vibracion energjik, një verb violent me shprehje metaforike të forta, që rrokullisen njëra pas tjatrës”.

Dhe gjithë analiza përmbyllet pikërisht me këtë permanencë gjuhësore. “E paravështrojmë se në gjuhën e tij kanë për të shkojtur, në të arthmen, shumë poetë e shkrimtarë shqiptarë” .

Interkulturaliteti, analiza krahasimtare

Gjatë analizës së tij letrare të vjershës së Nolit “Moisiu në Mal”, Kuteli shfaq edhe një dimension tjetër në kritikën e tij, atë të analizës krahasimtare. Ai “Mosiun” e Nolit e krahason me “Moise” të Alfred de Vigny.

Nëpërmjet një analize të hollë dhe konceptuale, Kuteli paraqet dallimet mes këngëtimit poetik të dy krijuesve për të njëjtën temë biblike: “Afrohen që të dyja këto vepra-poemi i Alfred de Vigny-ut dhe vjersha e Nolit-sepse kanë si lëndë një rrëfim biblik; ngjitja e Mosiut në Mal, për të folur me Zotin. Largohen njëra nga tjatra përmjet tonit, përmjet shvillimit e përmjet përfundimit” .

Dhe më pas gjatë kësaj analize krahasimtare, Kuteli ndalet në strukturën e brendshme të ndërtimit të poezisë, në pamjet që ofrojnë secila. Kuteli thekson se “ndryshimi midis tyre pra është substancial – si trajtim, si koncepcion dhe si ton”.

Po gjatë analizës së poezisë së Nolit “Moisiu në Mal” mund të vërejmë edhe analizë krahasimtare që ndërlidhet me elemente të intertekstit: “Karakteristikë e saj, e sidomos e gjithë vjershave të Nolit, është pikërisht përsëritja e tingujve, e fjalëve, e shprehjeve – mjet i aftë ky për të krijuar një atmosferë dhembje, torture e nervoziteti dhe të cilin e ka mësuar nga ay mjeshtri i mbaruar i dhembjes që është Edgar Allan Poe” .

Kuteli do ta përdorë analizën krahasimtare edhe gjatë analizës së dy elegjive kushtuar Bajram Currit dhe Luigj Gurakuqit, të cilat i quan edhe si “vjersha binjake”. Pikërisht këto dy elegji do t’i krahasojë me pjesë nga vepra “Jul Qesari” e Shekspirit: “Një ushëtimë e larguar, si intencion, mund t’i afrojë me fjalimin e Mark Antonit nga vepra Jul Qesari e Shakespeare-it. Largohen sojesh përmjet mënyrës indirekte që e përdor Shakespeare-i për lartësim gradual të fytyrës qesariane dhe mënyrës direkte, me sulm katilinar, që e përdor Noli. Stil e mjet diplomatik, përtej; sulm heroik, këndej” .

Në profilin e tij si kritik letrar, Kuteli shpërfaq një njohje të thellë të letërsisë së përbotshme, një njohje të thellë të veprave konkrete, duke evidentuar fragmente, detaje, koncepcione, tonaliteti, të cilat më pas i përdorën në analizën e tij krahasimtare. Sigurisht, të gjitha këto nënshtresa përkimesh, por edhe këngëtimesh të ngjashme, Kuteli i kundron pikërisht në vijën e botëformimit letrar të Nolit, të përkthimeve të tij, të cilat shfaqen tashmë si frymëzime në krijimet e tij tërësisht origjinale, njashtu siç i përcakton në kritikën e tij Kuteli poezinë e Nolit.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X