loader image
October 13, 2025

Përplasja mes Fan Nolit dhe Ahmet Zogut nga fundi i vitit 1923 deri në qershor 1924

Më 10 qershor 1924, mbështetësit e Fan Nolit hynë në Tiranë. Grupimi politik i Ahmet Zogut dhe mbështetësit e tij u detyruan ta linin vendin dhe të kalonin në Jugosllavi, Itali dhe Greqi. Fan Noli me mbështetësit e tij krijuan precedentin e rrezikshëm të dëbimit nga atdheu të kundërshtarëve të tyre politikë. Me largimin e forcave të Ahmet Zogut dhe ardhjen në pushtet të mbështetësve të Fan Nolit, brenda vendit u shua opozita e organizuar politike në trajtën institucionale.

Sali KADRIA, Tiranë

Shqipëria e viteve 1923-1924 ishte kthyer në një çerdhe intrigash politike. Politika u vendos në qendër të çdo veprimtarie. Gjatë kësaj periudhe, Fan Noli dhe Ahmet Zogu qenë protagonistët kryesorë të skenës politike shqiptare. Nga viti 1920 deri në vitin 1922, të dy qenë pjesë e Partisë Popullore. Në qeverinë e Xhafer Ypit, F. Noli mbante detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme, ndërsa A. Zogu atë të Punëve të Brendshme. Mirëpo, në mesin e vitit 1922, në mënyrë të papritur, Fan Noli vendosi ta ndërpriste bashkëpunimin me Ahmet Zogun dhe doli në opozitë ndaj tij. Opozita e drejtuar nga Fan Noli deklaroi se ishte e pakënaqur nga mënyra se si po drejtohej vendi. Drejtuesit e saj dolën me pretendimin se ishin kundër drejtimit të vendit me “dorë të ashpër”. Tek krerët e opozitës u krijua mendimi se shumica e njerëzve që e kishin luftuar formimin e shtetit shqiptar, u ishin dhënë detyra të rëndësishme në administratën shtetërore. Opozita gjeti mbështetje kryesisht në mesin e popullsisë së Shqipërisë së Jugut. F. Noli mendonte se A. Zogu nuk ishte në gjendje që të kryente modernizimin e Shqipërisë sipas modelit perëndimor, por thjesht po përqendronte të gjithë pushtetin politik në duart e tij. Për sa më sipër, studiuesi kanadez Robert C. Austin mendon se qëndrimi i Fan Nolit gjatë viteve ’20 ka qenë një enigmë.
Sapo marrëdhëniet mes Fan Nolit dhe qeverisë shqiptare u acaruan, Federata Panshqiptare “Vatra” në SHBA, me në krye Faik Konicën, doli në mbështetje të opozitës në Shqipëri të drejtuar nga Fan Noli. Edhe te një pjesë e shqiptarëve të kthyer nga SHBA-ja në Shqipëri ishte formësuar mendimi se patriotët që punuan e sakrifikuan për krijimin e Shqipërisë nuk po përfilleshin fare “nga gjysmë-patriotët e rinj, të cilët sot janë në fuqi…”. Gazeta “Dielli” e datës 17 mars 1923 shkruante se shteti shqiptar kishte hyrë në një rrugë të gabuar. Drejtuesit e Federatës “Vatra” mendonin se qeveria shqiptare po mbante një qëndrim të gabuar edhe në raport me drejtuesit e lëvizjes irredentiste të Kosovës.

Tensionimi i situatës politike më 1923

Në gjysmën e dytë të vitit 1923 në Shqipëri ndodhën zhvillime politike të rëndësishme. Zhvillimi kryesor ishte përçarja që ndodhi në mesin e vetë drejtuesve të organizatës së fshehtë politike “Krahu Kombëtar” ose “Klika”, e cila vepronte brenda “Partisë Popullore” dhe në të cilën bënte pjesë edhe Ahmet Zogu. Një grup oficerësh të “Klikës” dhe drejtues politikë të mazhorancës qeverisëse u rreshtuan kundër kryeministrit Ahmet Zogu.
Gjatë fushatës zgjedhore, të gjitha grupimet politike, si Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, grupi politik “Ora e Maleve” i Shkodrës, Federata “Vatra” dhe disa përfaqësues të “Klikës”, u rreshtuan në krah të opozitës “liberale” të drejtuar nga Fan Noli. Ato i bashkonte një pikë e përbashkët: dëshira për ta larguar nga pushteti Ahmet Zogun, të cilin e konsideronin si kundërshtarin më të fortë politik brenda vendit. Ngjarjet e mëvonshme politike dëshmuan se, përtej propagandës, synimi kryesor i drejtuesve të opozitës ishte dëshira e tyre për të marrë sa më tepër poste zyrtare.
Në shtator 1923, A. Zogu vendosi të shkëputej nga “Klika” dhe të formonte një grup të veçantë me mbështetësit e tij. Kjo e dobësoi forcën e “Partisë Popullore”. Grupimi i drejtuar nga Zogu kishte 25 deputetë. Në këto zgjedhje A. Zogu synonte të siguronte mbështetjen e popullsisë së Shqipërisë së Veriut, të një pjese të Shqipërisë së Mesme dhe asaj të Jugut. Gjatë fushatës, Ahmet Zogu u përpoq të qëndronte mbi ndarjet krahinore. Ai deklaroi se përparësi për vendin kishin disiplina dhe stabiliteti i brendshëm.
Gjatë kësaj fushate, opozita e drejtuar nga Fan Noli, e quajti veten “Partia Liberale”. Ajo shpalli programin e saj në të cilin parashikoheshin reforma të thella në vend. Fan Noli kishte bindjen se modernizimi i vendit sipas modelit perëndimor mund të arrihej vetëm përmes një qeverie të drejtuar nga elita intelektuale e Shqipërisë së Jugut. Studiuesi Robert C. Austin shprehet se ky qëndrim e vendosi Nolin në pozita të krahinarizmit.
Rezultati i zgjedhjeve dëshmoi se, nga 102 vende që kishte Asambleja Kushtetuese, blloku opozitar siguroi 39 vende, nga të cilat “Partia Liberale” e Fan Nolit arriti të merrte 21 deputetë, ndërsa grupimi politik i A. Zogut siguroi 44 vende. Në fakt, rezultati i zgjedhjeve përputhej me realitetin politik. Gjatë negociatave të zhvilluara pas zgjedhjeve, grupimi politik i drejtuar nga Ahmet Zogu arriti të siguronte 50 vende në Asamblenë Kushtetuese, pasi me të u bashkuan grupimet e deputetëve të pavarur, të drejtuar nga Kostaq Kotta dhe Eshref Frashëri. Të acaruar nga rezultati i paparashikuar i zgjedhjeve si dhe lëvizja e shkathët politike e A. Zogut me deputetët “e pavarur”, përfaqësuesit e opozitës së drejtuar nga Fan Noli filluan ta kundërshtonin rezultatin e zgjedhjeve. Madje, ata e quajtën të paligjshme qeverinë e drejtuar nga A. Zogu, meqenëse, sipas tyre, kryeministri duhej të kishte dhënë dorëheqjen derisa të formohej qeveria e re.
Meqenëse largimi i Ahmet Zogut nga pushteti, ishte e pamundur në rrugë ligjore parlamentare, përfaqësuesit e opozitës kërkuan t’ia arrinin qëllimit të tyre me mënyra të paligjshme e të dhunshme.

Nga përplasja politike drejt luftës vëllavrasëse

Ngjarja kryesore që u bë shkak për precipitimin e situatës politike në Shqipëri, në gjysmën e parë të vitit 1924, nuk ishte vrasja e Avni Rustemit, siç shkruhet qëllimisht nga historiografia komuniste shqiptare, por atentati më 23 shkurt 1924 i Beqir Valterit ndaj kryeministrit shqiptar Ahmet Zogu. Ky akt shënoi pikënisjen e kalimit nga përplasja politike drejt luftës vëllavrasëse në Shqipëri. Po ashtu, ky akt e detyroi një pjesë të drejtuesve politikë të vendit të dorëzoheshin si “të arratisur politikë” në duart e shteteve që punonin kundër interesave kombëtare të shqiptarëve dhe të shtetit të tyre, duke krijuar një precedent të rrezikshëm në historinë e shqiptarëve. Për më tepër, më vonë, kur grupi politik i Fan Nolit erdhi në krye të qeverisë, i akuzoi ata si “të shitur” te Jugosllavia dhe se me “ndihmën” e jugosllavëve e “sulmuan” shtetin shqiptar, duke “harruar” me dashakeqësi faktin se ishin vetë ata që gatuan këtë pështjellim dhe luftë vëllavrasëse, thjesht për të marrë në duart e tyre pushtetin politik në Shqipëri. Dëbimi i kundërshtarëve politikë vijoi pa ndërprerje në vitet e mëvonshme, veçanërisht gjatë viteve të regjimit komunist në Shqipëri, duke krijuar një situatë mjaft të rrezikshme, e cila u shfrytëzua nga armiqtë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Gazeta “Tirana”, duke publikuar zhvillimet e procesit të hetimit ndaj Beqir Valterit, i cili kishte qenë anëtar i shoqërisë “Bashkimi”, shkruante se ky i fundit kishte pohuar që Avni Rustemi e kishte nxitur atë për ta ndërmarrë këtë akt. Ky fakt konfirmohet disa vite më vonë edhe nga Mustafa Kruja, i cili ishte një nga drejtuesit kryesorë të opozitës dhe ishte mjaft i informuar për zhvillimet politike në kampin e kundërshtarëve politikë të Ahmet Zogut.
Më 25 shkurt 1924, A. Zogu dha dorëheqjen nga detyra e kryeministrit. Mirëpo, opozita nuk u mjaftoi që kundërshtari i tyre kryesor dha dorëheqjen, por ajo doli edhe kundër qeverisë së drejtuar nga Shefqet Vërlacit, të cilën e etiketoi me përbuzje si “qeveri e bejlerëve”. Madje, gazeta “Politika” e paralajmëroi Shefqet Vërlacin, Iljaz Vrionin, Myfid Libohovën dhe Ahmet Zogun se do të vinte dita kur bijtë e popullit shqiptar “do t’i nxjerrën jasht Shqipëris, si dikur ia u bëri Turqia Princërve e Sulltanve”. Kjo deklaratë dëshmonte qëllimin që kishin drejtuesit e opozitës.
Vrasja e dy qytetarëve amerikanë në afërsi të Mamurrasit, më 6 prill 1924, e thelloi më tej paqëndrueshmërinë politike brenda vendit. Opozita e drejtuar nga Fan Noli e akuzoi Ahmet Zogun se qëndronte pas këtij akti. Me sa dukej, ky atentat ishte organizuar nga qeveria jugosllave kundër profesorit Eugene Pittard, i dërguar nga Lidhja e Kombeve për të shpërndarë ndihmat në ushqime për banorët e Shqipërisë së Veriut, të prekur nga “zia e bukës”. Qëllimi i qeverisë jugosllave ishte që përgjegjësinë për vrasjen e tij t’ia linte qeverisë shqiptare dhe vendi të përfshihej nga një valë trazirash të brendshme.
Më 20 prill 1924 Avni Rustemi, ish-themelues i shoqërisë “Bashkimi”, u plagos në Tiranë dhe dy ditë pas atentatit vdiq në spitalin e Tiranës. Kjo ngjarje u shfrytëzua nga forcat e opozitës shqiptare për fillimin e lëvizjes kryengritëse. Halim Xhelo u shpreh se “që prej tre vjetësh Ahmet Zogolli sundon Shqipërinë… dhe asht ba ma i keq se Esadi [Pasha]…”. Gjatë ceremonisë së varrimit të Avni Rustemit në Vlorë opozita e trajtoi vrasjen e tij si krim të organizuar nga qeveria shqiptare kundër një patrioti dhe të gjithë atdhetarëve. Oratorë të ndryshëm gjatë fjalës së tyre i nxisnin njerëzit që morën pjesë në varrim që t’i rrëmbenin armët kundër qeverisë.
Lëvizjen kryengritëse e drejtonte një “Komision Administrativ i Përkohshëm” i ngritur në Vlorë, i drejtuar nga Fan Noli, i cili ishte ngarkuar edhe për punët e jashtme. Në përbërje të tij ishin Sulejman Delvina për punët e brendshme, Kostë Paftali për ato botore dhe Mustafa Tragjasi për çështjet financiare.
Qeveria shqiptare nuk e pranoi kërkesën e drejtuesve të opozitës që Asambleja Kushtetuese dhe qeveria të zhvendoseshin nga Tirana. Në këtë situatë të ndezur politike pati përfaqësues të tjerë në radhët e opinionit publik, të cilët mbajtën një qëndrim të arsyeshëm ndaj këtyre zhvillimeve politike. Në një shkrim të gazetës “Tirana”, të datës 4 maj 1924, u bëhej thirrje shqiptarëve që të tregonin kujdes, pasi vdekja e Avni Rustemit po përdorej për rrëzimin e një qeverie të ligjshme. Madje, ajo shtroi para publikut pyetjen se “nga vrasja e të ndyerit Avni Rustem, a mos duhet vallë të përmbyset gjithë Shqipëria?”
Edhe “Gazeta e Korçës” shkruante se shqiptarët nuk duhej të harronin se në periudhën më të vështirë për Shqipërinë (viti 1920), kur Ahmet Zogu “merte vdekjen ndër sy, e lëvdonim, duke i thënë se ish i mirë, atdhetar”, ndërsa kur ai erdhi në krye të qeverisë, bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë dolën me “lloj-lloj propagandash që A. Zogu është i lik, po bëhet Esat i dytë, po sjell çkatërimin e shtetit”. Duke analizuar deklaratat e opozitës, se Shqipërisë i kishin ndodhur mjaft të këqija nga A. Zogu, kjo gazetë shtronte pyetjen: “Vallë vetëm ky [politikan] i ka vepëruar (bërë) gjithë këto të liga e të mira, apo me shokë?”. Me këtë pyetje retorike, ata nënkuptonin se shumica e drejtuesve të opozitës aktuale, duke aluduar për Fan Nolin dhe pasuesit e tij, qenë bashkëpunëtorë me Ahmet Zogun në “Partinë Popullore”, dhe se ata ishin pjesë e qeverive të krijuara në Shqipëri që nga viti 1920. Prandaj, arritjet dhe dështimet e Shqipërisë nuk mund t’i faturoheshin vetëm një politikani, por të gjithëve së bashku.
Edhe diaspora shqiptare në Rumani doli kundër kërkesave të parashtruara nga opozita. Ata mendonin se ndryshimi i kryeqytetit të shtetit shqiptar, si dhe i vendit të mbledhjes së Asamblesë Kushtetuese, nuk mund të caktohej nga disa krerë të opozitës, por kjo çështje duhej të vendosej nga populli ose nga të gjithë përfaqësuesit e tij. Ata mendonin se, edhe në aspektin moral, opozita nuk po vepronte në mënyrë të ndershme. Në vend që opozita të bashkëpunonte me qeverinë për gjetjen e fajtorëve të krimit, ajo “i kanosej asaj dhe i kërkonte të jepte dorëheqjen”. Pikëpamjes se vendi ndodhej në një gjendje të rëndë, për shkak se qeveria shqiptare përbëhej nga “bejlerë”, shqiptarët e Rumanisë shpreheshin se qysh nga Kongresi i Lushnjës e deri në këtë moment në krye të qeverive që erdhën në krye të pushtetit në Shqipëri ka patur jo vetëm “bejlerë, por edhe demokratë, popullorë, opinga, nacionalistë dhe ekstremistë. Por, asnjëra nuk mundi ta përmirësojë gjendjen t’onë…”.
Në rrethanat e krijuara, një grup oficerësh të ushtrisë shqiptare u rreshtuan përkrah opozitës. Mihal Grameno pohonte se në vend që drejtuesit e ushtrisë së shtetit shqiptar të fokusoheshin në mbrojtjen e atdheut nga rreziku i jashtëm, ata u përfshinë në batakun e politikës së brendshme. Ndërkohë, në fillim të qershorit 1924, “Komisioni Administrativ i Përkohshëm”, i ngritur në Vlorë nën drejtimin e Fan Nolit, deklaroi se “trupat vullnetare të formuara në Vlorë” ishin të vendosura “të marshonin kundër kryeqytetit…”.
Më 10 qershor 1924, mbështetësit e Fan Nolit hynë në Tiranë. Grupimi politik i Ahmet Zogut dhe mbështetësit e tij u detyruan ta linin vendin dhe të kalonin në Jugosllavi, Itali dhe Greqi. Fan Noli me mbështetësit e tij krijuan precedentin e rrezikshëm të dëbimit nga atdheu të kundërshtarëve të tyre politikë. Me largimin e forcave të Ahmet Zogut dhe ardhjen në pushtet të mbështetësve të Fan Nolit, brenda vendit u shua opozita e organizuar politike në trajtën institucionale. Për shkak të kësaj lëvizjeje të armatosur, deputetët u shpërndanë dhe, në këto kushte, Asambleja Kushtetuese e ndërpreu veprimtarinë e saj. Ndërkohë, deputetët e grupimit politik të Fan Nolit, që e morën pushtetin me forcë, nuk përbënin shumicën e Asamblesë.
Lidhur me ndryshimin politik të qershorit të vitit 1924 ka patur mendime të ndryshme. Disa studiues e kanë quajtur këtë ngjarje politike si “Revolucioni i Qershorit i vitit 1924”, pasi, sipas tyre, ajo pati një mbështetje të gjerë. Tajar Zavalani shprehet se cilësimi i saj si “revolucion”, nuk është një përcaktim i drejtë. Ai mendon se revolucioni ndodh kur i gjithë populli ngrihet dhe lufton me armë për ta rrëzuar një regjim të caktuar, me qëllim që të krijojë një formë të re shoqërore, shtetërore, të ndarjes së pasurisë, punimit të tokës, industrisë, arsimit dhe të kulturës. Mirëpo, sipas tij, asnjë nga këto kushte nuk u realizua në Shqipërinë e vitit 1924.
Eqrem Bej Vlora shkruan se fjala “revolucion demokratik” ishte e huaj dhe nuk përshtatej me mendësinë e popullit shqiptar. Sipas tij, populli shqiptar nuk pati ndonjë motiv me rëndësi, që të ngrihej kundër qeverisë shqiptare.
Andon Beça dhe Anton Logoreci janë shprehur se kjo lëvizje ishte një “grusht shteti”, i organizuar nga “oficerët e pakënaqur të ushtrisë” të cilët u mbështetën nga drejtuesit e opozitës. Në fakt, vetë Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi deklaronin në shtypin e asaj kohe se ata kishin kryer një “grusht shteti”.
Në përfundim duhet theksuar se ngjarjet e pranverës së vitit 1924, më tepër se asnjëherë tjetër, dëshmuan papjekurinë, egoizmin dhe intrigat e skajshme të klasës politike shqiptare. Nëse këto veçori analizohen me kujdes nga studiuesit, do të vihet re se ato kanë ndikuar vazhdimisht në dobësinë e shtetit shqiptar.

Përfundime:

1. Pavarësisht emrave të elitës politike shqiptare të kësaj kohe, përplasjet mes tyre ishin në thelb luftë për pushtet politik. Prandaj, njësia matëse që vlerëson vendin që zënë figurat politike të kësaj periudhe në historinë e Shqipërisë mendojmë se duhet të jetë kontributi që ata dhanë për zhvillimin, stabilizimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar.
2. Ndryshimi thelbësor mes Ahmet Zogut dhe Fan Nolit, në aspektin e drejtimit politik të vendit, ishte: a) A. Zogu kërkonte vendosjen e rendit dhe të qetësisë, çarmatosjen e popullsisë si parakushte të domosdoshme për stabilizimin e brendshëm politik, me mendimin se vendosja e rendit dhe e qetësisë brenda vendit do ndikonte në hapjen e perspektivave për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit drejt krijimit të një shteti modern. (b) Fan Noli mendonte të kundërtën e konceptit politik që kishte A. Zogu; Noli mendonte se pa vendosur në Shqipëri një sistem demokratik si dhe pa i eliminuar shkaqet që çonin në destabilizimin e brendshëm politik, nuk mund të krijohej një shtet modern shqiptar.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X