loader image
September 28, 2025

Periudha e ndritur e Mbretërisë së Shqiptarëve

Shteti shqiptar u shpall më 1912; u definua (monarki) më 1913; u zhduk gjatë Luftës së Parë Botërore; rifilloi aty ku nisi më 1920; më 1924 shkoi në prag të luftës civile; më 1939 u zhduk nga harta si shtet sovran; më 1943-1944 u zhvillua, më në fund, lufta civile e tentuar disa herë; pas luftës civile, të cilën e fitoi grupi i kontrolluar nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, për gjysmë shekulli shteti shqiptar u zhyt në periudhën më të errët të tij.

Çelo HOXHA, Tiranë  

Kur fuqitë europiane i ndanë territoret e Ballkanit si tortë, shqiptarët nuk kishin shumë miq mes tyre. Për këtë arsye, trojet shqiptare u masakruan: gjysma iu la shtetit shqiptar, gjysma tjetër iu nda shteteve fqinje. Ndërkohë që patriotët shqiptarë punonin për ngritjen e shtetit, fqinjët e Shqipërisë zhvilluan dy luftëra, të cilat njihen si luftërat ballkanike, për t’i marrë territor njëri-tjetrit. Në lidhje me Shqipërinë, plani afatshkurtër i shteteve fqinje, të cilat ishin krijuar dekada më herët, ishte grabitja e territoreve shqiptare; plani afatgjatë, pasi nuk e ndalën dot krijimin e tij, ishte pengimi i fuqizimit të tij. Një Shqipëri e dobët ishte varianti më i pranueshëm për ta.

Shteti shqiptar u shpall më 1912; u definua (monarki) më 1913; u zhduk gjatë Luftës së Parë Botërore; rifilloi aty ku nisi më 1920; më 1924 shkoi në prag të luftës civile; më 1939 u zhduk nga harta si shtet sovran; më 1943-1944 u zhvillua, më në fund, lufta civile e tentuar disa herë; pas luftës civile, të cilën e fitoi grupi i kontrolluar nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, për gjysmë shekulli shteti shqiptar u zhyt në periudhën më të errët të tij: shteti shqiptar 1944-1991 ishte shteti ideal për dashakeqët e tij, i varfër dhe i pafuqishëm, i paftë për të qenë faktor në rajon ose për t’u bërë pengesë e politikave shoviniste të fqinjëve. Ajo periudhë prodhoi, veç të tjerave, edhe politikanin servil, pa dinjitet, që vazhdon të drejtojë dhe sot. Në të gjithë këtë histori shtetërore tragjike ka një periudhë dallon: periudha 1925-1939, e cila është e identifikuar me kontributin personal të një njeriu: Ahmet Zogu.

Zogu hyri në skenën politike 1920, në moshën 25-vjeçare, kur Kongresi e Lushnjës e emëroi ministër të Brendshëm. Në kohën e Kongresit, Shqipëria ishte një vend pa ushtri, pa polici, i dominuar nga grupet e armatosura lokale, i pasigurt. Me kontributin e Ahmet Zogut, qeveria e dalë nga Kongresi u zhvendos nga Lushnja në Tiranë dhe që atëherë Tirana ka vazhduar të jetë kryeqyteti i Shqipërisë pa asnjë ndërprerje.

Karriera politike e Ahmet Zogut njohu veç ngritje: Kryeministër (02.12.1922-25.02.1924), President i Republikës (1925-1928) dhe Mbret i Shqiptarëve (1928-1939). Gjatë periudhës së dominuar prej Ahmet Zogut u ngritën institucionet e shtetit shqiptar, duke nisur thuajse gjithçka nga themelet: me ligjet, burimet njerëzore, mjediset e punës. Zogu zgjidhi çështjen e kufijve me fqinjët, krijoi shtetin ligjor dhe e konsolidoi vetëdijen kombëtare. Në historinë e Shqipërisë, Ahmet Zogu është i vetmi kryetar shteti ndaj të cilit janë kryer disa atentate, në të cilat gërshetoheshin shumë interesa, shqiptare dhe të huaja; luftë për pushtet personal, por dhe luftë për dominim rajonal.

Më 1939, Italia fashiste e sulmoi ushtarakisht Shqipërinë dhe kështu fati i Shqipërisë dhe shqiptarëve mori rrokullimën. Nga një shtet sovran, Shqipëria u kthye në njësi autonome e mbretërisë së Italisë. Pushtimi nuk zgjati, por pasojat ishin të rënda për shtetin shqiptar, institucionet u dobësuan, e humbën autoritetin dhe efikasitetin, sepse shiheshin si instrumente të një pushtimi të huaj. Gjendja e pushtimit krijoi terrenin për organizimin e forcave malinje, kauza e të cilëve kishte legjitimitet moral si çdo kauzë që përdor si argument çështjen e çlirimit kombëtar. Shkurt, pushtimi i italian i Shqipërisë i dha legjitimitet lëvizjes komuniste, të cilën qeverisja e Mbretërisë e kishte ndaluar me ligj, dhe në fillim të vitit 1939-të, rreth dy muaj para pushtimit, i kishte dhënë një goditje përfundimtare, duke dënuar me vendim rreth 60 komunistë. Me ndihmën e të huajve, komunistët morën pushtetin më 1944 dhe çfarë bënë: u sollën me popullin shqiptar më egër se ushtria pushtuese italiane.

Në pikat kryesore, regjimi i pushtimit italian dhe regjimi komunist shqiptar ishin të ngjashëm. Armiku kryesor i tyre ishte shteti shqiptar i krijuar nga Ahmet Zogu. Të dy regjimet u vendosën me anë të ushtrisë dhe, më vonë, morën karakter civil. Të dy regjimet kishin armik kryesor nacionalizmin – shumë nacionalistë që u internuan nga regjimi i pushtimit italian u vranë, u burgosën ose u internuan nga regjimi komunist. Të dy regjimet bënë një gjë identike: sekuestruan pasuritë e mbretit Zog dhe rrethit të afërm tij – në fletoren zyrtare të vitit 1943 dhe 1945 gjenden vendimet e sekuestrimit të pasurisë së tij nga dy regjime të ndryshme. Elita politike shqiptare e pushtimit italian dhe ajo e regjimit komunist kërkuan bashkimin me një fuqi të huaj: të parët kërkuan bashkimin e kurorës me Italinë, të dytët kërkuan bashkimin Shqipërisë me Jugosllavinë, si republikë e shtatë e saj. Të dyja këto projekte dështuan, për shkak se Italia kapitulloi më 1943 dhe Jugosllavia u prish me Bashkimin Sovjetik më 1948, ndërsa meqë regjimi komunist shqiptar kaloi në anën e Bashkimit Sovjetik, që do të thoshte se tani e pas do ta lëpinte çizmen e tij. Në departamentin e statistikave të vrasjes së shqiptarëve, regjimi fashist i pushtimit është inferior ndaj regjimi komunist: regjimi fashist vrau më pak se 300 persona gjatë katër viteve që zgjati, ndërsa regjimi komunist zgjati 45 vjet, por vetëm në katër vitet e para vrau mbi 10 herë më shumë. Këto detaje, që mund të duken jashtë teme, por i solla për të parë se cilët ishin ata që e urrenin Ahmet Zogun dhe pse.

Në rastin e pushtimit fashist gjërat ishin të qarta. Shteti italian ishte fuqi botërore, e cila, si fuqitë e tjera europiane dhe në konkurrencë me to, kërkonte të zgjerohej dhe për këtë e aneksoi Shqipërinë. Ishte e natyrshme që Mbreti i Shqipërisë, mbrojtësi i sovraniteti të vendit, por dhe i fronit të tij, të ishte pengesa e tyre, armiku i tyre madje. Për këtë qëllim, ata e sulmuan me ushtri, e përzunë nga pushteti, ia shkatërruan bazën ekonomike.

Në rastin e komunistëve gjërat janë pak më të errëta. Ata urrenin një njeri që punonte për të mirën e shtetit shqiptar, prej të cilit, si shtetas shqiptarë, përfitonin edhe ata. Problemi është se komunistët shqiptarë ishin shqiptarë teknikisht, por thelbi i tyre ishte i huaj. Ideologjia komuniste ishte e huaj, e ardhur nga Moska, organizimi i tyre politik u bë me urdhër nga Moska, ndërsa organizatorët ishit komunistët jugosllavë. Në thelb, komunistët shqiptarë, veç e veç ose bashkërisht në partinë e tyre, ishin një entitet i huaj në raport me interesat e kombit shqiptar. Ahmet Zogu, si përfaqësues i  kombit, ishte pasqyra ku komunistët shikonin veten dhe nuk u pëlqente hiç ajo që shihnin. Për këtë arsye ata hodhën baltë të pamasë mbi të për gati gjysmë shekulli, ndërsa një pjesë vazhdojnë t’i bien fyellit në të njëjtën vrimë. Lexoni profilin e Ahmet Zogut në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave (1985), që të shikoni se si Akademia e përshkruan Zogun dhe kontributin e tij në histori me terma “antipopullor” e “antikombëtar”, e akuzon  si grabitës të popullit e të arkës së shtetit, madje e akuzon dhe se “me politikën kapitulluese [Zogu] i hapi rrugën pushtimit fashist të vendit, që u krye më 7 prill 1939”. Urrejtja e komunistëve për politikanin shqiptar, të cilit nuk ia zhbënë dot trashëgiminë, pavarësisht sa u munduan, ishte aq e madhe sa, përmes Akademisë së Shkencave, artikulonin edhe gjëra irracionale. Mbreti i Shqiptarëve, duke pasur pushtet të trashëgueshëm, ishte personi më pak i interesuar që Shqipëria ta humbiste sovranitetin dhe të bëhej koloni e një shteti tjetër. Sikur asgjë të mos ndërronte regjimi i pushtimit, veç të bënte bashkimin e kurorës shqiptare me atë italiane, siç edhe e bëri, Ahmet Zogu ishte i vetmi shqiptar që do të mbetej pa punë.

Shpifjet e komunistëve kanë qenë të atij niveli saqë thanë se Zogu u hoqi shulat armëve që ushtria shqiptare të mos i bënte rezistencë pushtimit italian. E vërteta është krejt ndryshe, por historianët e Akademisë së Shkencave nuk shkruanin bazuar në punë kërkimore arkivore, se përndryshe do kishin gjetur dokumentet që dëshmojnë përgatitjet për qëndresë të armatosur ndaj pushtimit. Vetëm pak ditë më parë, historiania Enriketa Papa publikoi të dhëna nga raportet e legatës italiane në Shqipëri që informonte Romën se ushtria shqiptare kishte marrë urdhra të fortifikonte portet dhe pikat e mundshme të një zbarkimi ushtarak të huaj.

Shkurt, Mbretëria e Shqiptarëve (1928-1939) është periudha më e ndritur e shtetit shqiptar, koha kur shteti shqiptar ishte vërtet sovran dhe zhvillohej në harmoni me interesat kombëtare.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X