loader image
January 8, 2025

Për Dijetarin Ibrahim RUGOVA!

Kryetari nuk ka mohuar se është mysliman, por çdoherë të huajve u thoshte se shqiptarët janë myslimanë simbolikë. Ka pasur marrëdhënie të ngushta dhe komunikim permanent me Vatikanin. Kryetari ka qenë me mish e shpirt kundërshtar i regjimeve pushtuese serbe, por ka respektuar popujt e tyre. I ka luftuar dhe kritikuar regjimet e tyre jodemokratike. Ka preferuar marrëdhënie të mira me grekët, duke potencuar çdoherë se Ballkani historikisht ka qenë “shkom” me tri këmbë: romak-ilir-helen, kurse për ish-Jugosllavinë thoshte se duhet të ekzistojë balanca serbo-kroate-shqiptare, përndryshe nuk do të ketë qetësi.

Shkruan: Adnan MEROVCI, Prishtinë*

Mos gaboni të mendoni se RUGOVA ishte njeri i butë. Jo, përkundrazi. Ai ishte njeri shumë i ashpër dhe i zjarrtë. Këtë atribut e ndrynte brenda. Kishte aftësi që në publik ose në rreth të shfaqej si engjëll. RUGOVA kishte një shpirt agresiv kundër së keqes dhe të padrejtës. Kishte atribute rrezatuese. Ai fliste pak, fliste shkurt, fliste thjesht, por njëkohësisht edhe fliste saktë, kuptueshëm, pranueshëm dhe thellë.

“Doktori i fjalëve”, siç e quante ai veten, kishte edhe një sens të veçantë për humor, por nuk e aplikonte shpesh. Ai kishte një emër domethënës “Ibrahim” ose “Brahim”, siç e quante vetëm nëna e tij, Sofa, dhe një mbiemër për lakmi, RUGOVA. Sa mirë tingëllonte ky mbiemër kur shqiptohej nga të huajt në Paris, Bruksel, Bon, Oslo, Romë, Vatikan, Lisbonë, Madrid, Bernë, Sofje, Shkup, Beograd, Amsterdam, Athinë, Ankara, Uashington, Tiranë, Kopenhagë, Stokholm etj.!

Kryetari dukej i prajshëm, por çdoherë ka pasur një zjarr të ndezur brenda. Nuk i ka shpëtuar asnjë detaj pa e vërejtur. I njihte njerëzit dhe karakteret e tyre. Ai i bënte njerëzit të ndiheshin të mëdhenj. Shpesh në llogari të njerëzve të tij të përditshëm ka favorizuar të panjohurit, veti kjo e njerëzve që dëshirojnë të prezantohen si të mirë. Ka qenë i vetëdijshëm që me misionin e tij prej prijësi politik të Kosovës, duke luftuar për lirinë e të tjerëve, ia pati cenuar lirinë vetvetes. Ai çonte një jetë të mbyllur private kabinetike në shtëpinë e tij vetëm me familjen e ngushtë dhe me njerëzit më të afërt.

Nuk mbahet mend që RUGOVA të ketë komentuar as me një shkronjë kritikat e ardhura nga të tjerët, si nga Prof. Rexhep QOSJA, Adem DEMAÇI, Bujar BUKOSHI, Mehmet KRAJA, Ismail KADARE etj.

Dijetari RUGOVA, fliste për “Dardhat turshi”, “Darkën e Lamës”, ”Karrocën Ilire”, “Akulloret me tomël”, “Mullinjtë e ujit”, “Qenin e Sharrit” e shumë e shumë margaritarë të tjerë, me të cilët shpesh kritika ironizonte, duke i thënë se po merret me gjëra utopike dhe të rendit të dytë.

Në projektin dhe filozofinë e tij politike, Kryetari fuste jo shpesh risi, por megjithatë shquhej me ndryshime të ngadalshme në retorikën e tij komunikuese. “Kosova e pavarur dhe neutrale”, ishte motoja e tij.

Në prezencën e tij nuk ka lejuar të flitet keq për të huajt dhe qeveritë e tyre. Sidomos kur njerëzit flisnin me ton kritik për Amerikën. RUGOVA, ai i qeti dhe i urti, reagonte pa pardon, duke mos lejuar tema të tilla. Thoshte se neve nuk na takon të flasim keq për Amerikën dhe Europën. “Amerikanit për Amerik, ose europianit për Europë i takon të flasë çka të dojë, edhe t’i kritikojë, t’i poshtërojë etj., por neve nuk na takon në asnjë mënyrë, i kemi miq dhe kemi nevojë për ta”.

Ai thoshte: “Demokracia e don stupcin te dera”, duke e menduar “stupcin” si sundim të ligjit.

Historinë e shqiptarëve dhe mentalitetin e tyre RUGOVA e ka parë me sy shumë real. Ai thoshte: “Derisa historikisht sllavët çdo mahallë të tyre e bënë shtet, shqiptarzinjtë pretendonin një shtet të madh që nuk arritën ta bëjnë kurrë”.

Në takimet me të huajt fliste për plantacionet e rrushit në Rahovec, mineralet e shumta të Kosovës dhe kapacitetet burimore energjetike të thëngjillit. Shpesh thoshte se Kosova mund të prodhojë energji elektrike për gjysmën e Europës.

I rriste gjërat kur bëhej fjalë për resurset e Kosovës. Ka qenë djathtist i përbetuar. E ka dashur jetën dhe luksin racional.

RUGOVA ka qenë njeri i natës. Ka ndejt zgjuar deri vonë natën, sidomos vikendeve. Kur flisnim ose e përmendnim bukën e kallamojt thoshte: “Mos ndillni fukarallak”. Brenda 24 orësh ka pirë mbi 20 kafe turke pa kajmak.

RUGOVA kurrë nuk ka folur për tema të seksit. Në raste të tilla e ulte kokën, duke dashur t’i bënte të tjerët të shpreheshin lirshëm.

Pasion e ka pasur koleksionin e mineraleve të ndryshme të Kosovës, që ai i quante “gurë”. Pati bërë një dhomë-galeri me gurë. Çdoherë, pas çdo takimi, në shtëpinë e tij në “Velani”, mysafirët i fuste në këtë dhomë, duke i shpërblyer me gurë. Varej nga vetë mysafiri se cilën copë do t’ia dhuronte. Kuptohet, përparësi kishin mysafirët e huaj. Kohëve të fundit i pata sjellë me thasë gurë opali, në copa të mëdha, dhe pastaj i copëtonim me një çekan që ai e mbante posaçërisht për këtë arsye. Vdisja duke qeshur kur e merrte atë çekan dhe i copëtonte gurët e mëdhenj, duke i mbledhur pastaj grimcat e vogla, të cilat prodhoheshin nga goditjet e tilla dhe i vendoste në dhomën e posaçme të gurëve.

RUGOVA i ka dalluar dhe ka çmuar njerëzit me qytetërim dhe ata me ambicie aristokrate shpirtërore. I ka vlerësuar vetëm atributet dhe fisnikërinë e mirëfilltë fshatare. E kritikonte ndjenjën dhe logjikën e fukarasë, siç shprehej shpesh.

Kryetari nuk ka mohuar se është mysliman, por çdoherë të huajve u thoshte se shqiptarët janë myslimanë simbolikë. Ka pasur marrëdhënie të ngushta dhe komunikim permanent me Vatikanin.

Kryetari ka qenë me mish e shpirt kundërshtar i regjimeve pushtuese serbe, por i ka respektuar popujt e tyre. I ka luftuar dhe kritikuar regjimet e tyre jodemokratike.

Ka preferuar marrëdhënie të mira me grekët, duke potencuar çdoherë se Ballkani historikisht ka qenë “shkom” me tri këmbë: romak-ilir-helen, kurse për ish-Jugosllavinë thoshte se duhet të ekzistojë balanca serbo-kroate-shqiptare, përndryshe nuk do të ketë qetësi.

RUGOVA e ka dënuar fashizmin, por nuk i ka favorizuar sloganet antifashiste në dobi të partizanëve komunistë. Thoshte: “Gjermanët i kemi dajë” dhe vazhdonte me sloganin gjerman: ”Iliro, Ariano”.

Kryetari shumë rrallë, pothuaj asnjëherë, nuk i ka ngritur dy gishta gjatë përshëndetjes me qytetarë të rastit. Ai ka bërë një ngritje të ngadaltë të krejt dorës. Me këtë disi donte të ishte ndryshe nga të tjerët. Disi donte t’i ikte atributit prej revolucionari.

Ai ia ka lënë një amanet Ismail KADARESË ta shkruajë një roman për ilirët, duke u shprehur: “I kam thënë Ismailit ta shkruajë një roman për ilirët. Është shkrimtar i madh dhe e kish shkri, sikur ta kishte shkruar një roman të tillë”.

Kryetari ka qenë trim intelektual dhe me karakter ultra të fortë. Ka pasur kujtesë për njerëz, por nuk është hakmarrë kurrë.

RUGOVA ka pasur një pamje të veçantë. Ka qenë vital dhe ka pasur trup proporcional. Ka ecur shpejt me hapa të mëdhenj. Ndonjëherë e kisha vështirë ta arrija duke ecur, një hap të cilin unë nuk munda kurrë ta arrija, për ta kuptuar më vonë se RUGOVA ishte çdoherë një hap para të tjerëve. Mendoj se edhe sot, edhe shumë kohë në të ardhmen, hapi i rrallë i RUGOVËS do të jetë larg hapave tanë të shpeshtë. Thënë ndryshe, ne duhet të mos jemi viktimë dhe peng i mosarritjes së hapit të RUGOVËS. Le ta përcjellim atë! Motoja jonë, jo edhe për kohë të shkurtër, do të jetë “Në hap me RUGOVËN”.

Kryetari ka bartur flokë të gjata dhe jo fort të paluara. Kur i thosha se duhet t’i krehë flokët, më thoshte: “Le, Adnan, se shqiptarët duhet ta kenë kryetarin e gagjarreltë”.

RUGOVA ka qenë njeri shumë i mençëm dhe i thellë, i ka kuptuar situatat dhe i ka njohur njerëzit. Nuk është marrë me menaxhime të përditshme. I ka lënë gjërat të rrjedhin vetë. Shpesh ka pasur të drejtë, por ndonjëherë edhe iu ka hakmarrë ky stil.

Kryetari ka qenë si katalizator i vlerave të tyre individuale dhe ka ditur t’i afirmojë mirë këto vlera kolektivisht. RUGOVA ka pasur një autoritet impozant. Të gjithë i janë nënshtruar këtij autoriteti. Krejt kërkesat dhe parashikimet e Kryetarit në dekadën e fundit të shekullit 20-të sot janë realitet.

RUGOVA ka kërkuar dhe ka punuar për pavarësi dhe demokraci të Kosovës me një ndërmjetësim ndërkombëtar si fazë kalimtare – protektorat i përkohshëm; ka kërkuar NATO-n dhe administratën ndërkombëtare.

RUGOVA ka paraparë ndërtimin e rrugës Durrës-Merdar, si komunikim ndërmjet shqiptarëve të munguar me shekuj. Ai për herë të parë këtë e përmendi rrugë në vitin 1993 dhe e quante “Rruga Prishtinë-Prizren-Lezhë”. Krejt kërkesat dhe parashikimet e tij po i shijojmë sot, parashikime dhe kërkesa këto që për shumëkënd ishin utopike në kohën kur ai për herë të parë i thoshte dhe me një ritëm të urtë dhe të kuptueshëm i përsëriste publikisht.

Kryetari ka qenë njeri kontrovers dhe i pakuptueshëm për miopët dhe paragjykuesit. Mund të them se atij nuk i ka shpëtuar as detaji më i vogël pa e vërejtur, por ka pasur qëndrimin e atillë që nuk është marrë me imtësi.

RUGOVA ka qenë njeri me ORË, ka pasur ORËN e rëndë. Pa marrë parasysh a e ke takuar për herë të parë apo të 10-të, ai të ka bërë të ndihesh i afërt. Këtë njeriu nuk mund ta improvizojë. E ka ose s’e ka. Ai e ka pasur. Çdoherë u drejtohej njerëzve në emër, veti kjo që i bënte njerëzit të ndiheshin të afërt, andaj i përvetësonte aty për aty. Në bisedë ka qenë popullor dhe shumë i qartë. Gjërat i shpjegonte kuptueshëm. Ka ditur t’i bëjë edhe dallimet ose divergjencat ideologjike, partiake dhe politike që i kanë pasur njerëzit e caktuar dhe pas bisedës që kishte me ta, ndryshonte çdo gjë. Pas takimeve të tilla, disa njerëzit thoshin se kanë pasur krejt bindje tjetër për RUGOVËN.

Kryetari ka qenë njeri modern dhe shumë trendi. Ka përcjellë rrjedhat botërore të artit, kulturës, muzikës dhe, kuptohet, politikës.

Shumica, Ibrahim RUGOVËN e quajnë udhëheqës, Kryetar, prijës, lider etj. Mendoj se RUGOVA ka qenë edhe diçka tjetër. Ai i ka tejkaluar përmasat e atributeve të tilla. RUGOVA ka qenë ideolog, filozof, dijetar, udhëheqës shpirtëror, njeri profetik, njeri i mbërrimë. Kjo e ka dalluar shumë nga paraardhësit dhe do ta dallojë për një kohë shumë ta gjatë edhe nga pasardhësit e tij politikë.

Pas daljes nga burgu, Adem DEMAÇI për RUGOVËN do të deklaronte: “Ibrahim RUGOVA i takon asaj shtrese të inteligjencies shqiptare me qëndrime dhe orientim europian, me orientim botëror, orientim humanist, kështu që nuk pati se si të ndodhte as nuk mund të ndodhte ndryshe, përveç që Ibrahimi të ishte ky që është, të paktën sa e njoh e sa e shoh veprimin e tij, pra të ishte e të jetë në shërbim të interesave të popullit. Po në shërbim të popullit duke u përpjekur për një sistem demokratik, për një sistem shumëpartiak, e humanist, jo në dëm të popujve të tjerë, por gjithnjë duke pasur parasysh se edhe interesi i popujve të tjerë është që edhe shqiptarët duhet ta vendosin demokracinë”.

RUGOVA shquhet me një fakt: ishte i vetmi Kryetar legjitim i zgjedhur me vota të drejtpërdrejta në 10-vjetëshin para luftës që njëkohësisht nuk kishte ushtri, polici, gardë, televizion, radio, shërbime të mirëfillta, liri lëvizjeje etj., por ishte lideri më i popullarizuar dhe më i qëndrueshëm që e mban mend historia. Shpesh thoshte: “Unë e kam Zotin dhe Adnanin që kujdeset për mue dhe kam popullin që më përkrah dhe më beson”.

Me kalimin e kohës ne do ta kuptojmë RUGOVËN ose do ta kuptojmë si nuk e kemi kuptuar më parë, siç do thoshte shkrimtari i madh Dritëro AGOLLI: “Mendoj se ne nuk e kemi kuptuar aq mirë RUGOVËN. Unë e kam kritikuar për anën paqësore të drejtimit të tij, kam bërë edhe ironi me shallin e tij, dhe tani ndjej njëfarë pendese që në atë kohë nuk e kam kuptuar aq shumë. Por, tani unë kam kuptuar që nuk kam pasur të drejtë”.

Janë evidente analogjitë ndërmjet Hasan PRISHTINËS dhe Ibrahim RUGOVËS. Analogji mund të shihen edhe mes Pjetër BOGDANIT dhe Ibrahim RUGOVËS.

Dr. RUGOVA ishte njeri me moral dhe forcë shëndetësore që nuk e kisha takuar më parë. Asnjëherë nuk është ankuar se i dhemb kund. Ka qenë më i qëndrueshmi shëndetësisht nga njerëzit që i kishte afër. Unë kështu e njoha z. RUGOVA dhe nuk dua ta njoh ndryshe. Vetëm kjo është e vërteta, e cila ekziston dhe nuk ka nevojë të sajohet. Populli thotë “Flamat vijnë nga Zoti”. Askush më tepër nuk e zinte n’gojë Zotin se vetë RUGOVA. Tani pyes veten: pse brengoseshim aq shumë për shëndetin e z. RUGOVA kur ai është vetë shëndeti?.

Fjala e RUGOVËS drejtuar publikut për shëndetin e tij është ndër aktet më heroike, morale dhe njerëzore të një burrë shteti. Kjo i tejkalon suazat personale. Ky veprim është njohje e Zotit dhe respekt për qytetarët e Kosovës. Me këtë gjest z. RUGOVA ka treguar trimërinë dhe urtësinë e një eruditi. Unë i përulem këtij gjesti të Dijetarit RUGOVA.

Kryetari ndërroi jetë më 21 janar 2006. Ceremonia mortore ishte një ngjarje, por më së paku ishte varrim. Ishte kjo një ngjarje e rrallë në Europën moderne. Shumë burrështetas, nga mbarë bota, do t’ia kishin zili RUGOVËS për një ceremoni të tillë. Secili do ta dëshironte që një ngjarje e përafërt me këtë t’i përcillte edhe ata. Ceremonia dhe prania e një numri marramendës të burrështetasve të huaj në varrimin e tij i ka dy shpjegime. E para, me prezencën e tyre, ata shprehnin respektin dhe ndjenjën falënderuese për RUGOVËN, dhe, e dyta, me prezencën e tyre donin të shfajësohen nga vonesa e pranimit formal të pavarësisë së Kosovës, për të cilën RUGOVA cilësohej si më i merituari. Nëse u vonuan politikisht, ata donin të zinin atë çka kishte mbetur për t’u zënë e ajo ishte pastrimi i ndërgjegjes për një detyrim që kishin ndaj RUGOVËS, e ajo ishte pavarësia e Kosovës, të cilën ai nuk e përjetoi për së gjalli. Kjo konfirmohet fort edhe me vizitat e mëvonshme të liderëve të mëdhenj të botës, si: Bill KLINTON, Toni BLER, Xho BAJDEN, Havier SOLANA etj., të cilët me vlerësimet e tyre për RUGOVËN ua prezantonin shqiptarëve se kush kishte qenë lideri i tyre.

Ta duash RUGOVËN nuk është çështja. Ta njohësh atë është esenca.

RUGOVA e kaloi kohën e tij dhe ai bëri dhe la atë që duhej ta bënte dhe ta linte. Nganjëherë them se më mirë që ndërroi jetë dhe e mori Zoti më herët. Kam frikë që nuk do ta kishim ditur ta çmonim vlerën e tij dhe do të zbeheshim para historisë.

*Autori ka qenë ish-sekretar në Zyrën e Presidentit RUGOVA

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X