loader image
March 28, 2024

Orientimi strategjik nuk është vetëm deklarativ

Ku janë Shqipëria dhe Kosova në kuadër të projektit të tashëm antirus të Perëndimit? Pse pikërisht në këtë kohë, në vend të një mobilizimi të plotë antirus, janë ndërmarrë veprime si ai vendimi bizar për targat, i cili i dha mundësi Serbisë dhe Rusisë të kërcënojnë stabilitetin e Kosovës dhe sigurinë e NATO-s në Kosovë? Pse duhej të implikohej një kryeministër i Shqipërisë në afera spiunazhi që e dëmtojnë Shqipërinë dhe SHBA-në?

Shkruan: Milazim KRASNIQI, Prishtinë

Jo vetëm në kohën tonë, por edhe më herët, fatet e shqiptarëve në Ballkan janë ndikuar brutalisht nga zhvillimet në skenën e madhe të politikës e të gjeopolitikës botërore e nuk janë modeluar vetëm si produkt i idealeve dhe projekteve kombëtare. E keqja tjetër është se në jo pak raste, kur kanë qenë njëfarësoj produkte të idealeve dhe projekteve kombëtare, kanë degraduar dhe kanë shkaktuar pasoja për vetë shqiptarët. Pra, alternimi ndërmjet komploteve të huaja dhe keqrreshtimeve e marrëzive të brendshme, në shumë raste e ka sjellë kombin tonë në gjendje absurde ose edhe kritike.

Katastrofat e programuara ndërmjet Berlinit, Londrës, Parisit e Jalltës si mësime për sot

Veçmas në historinë e dy shekujve të kaluar (XIX dhe XX) komplotet e Fuqive të Mëdha dhe fqinjëve armiqësorë e kanë determinuar rrjedhën dominuese të fateve tragjike shqiptare. Mund të merret si fillimi i këtij kapitulli problematik e tragjik Paqja e Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit, që erdhi si reaksion ndaj Paqes së Shën Stefanit. Vënia në tavolinë për copëtim të territoreve shqiptare, që nga ajo kohë u bë praktikë e Fuqive të Mëdha, rast pas rasti, pazar pas pazari. Brutaliteti i asaj praktike të copëtimit të trojeve shqiptare, siç ndahet një plaçkë e grabitur nga një bandë kusarësh të babëzitur, u manifestua egërsisht edhe në Konferencën e Londrës, ku gati dy të tretat e tokave shqiptare u shkëputën nga shteti i posakrijuar shqiptar. Ismail Qemal Vlora e vajtonte me këto fjalë copëtimin e trojeve shqiptare: “Më se gjysma e vendit i kalonte Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Qytetet më të lulëzuara dhe pjesët më pjellore të vendit ishin rrëmbyer. Shqipëria ishte reduktuar pothuaj në pjesët e saj më të shkreta dhe shkëmbore.” Copëtimi i trojeve shqiptare që u realizua në Londër, u rivulos pas Luftës së Parë Botërore edhe në Konferencën e Parisit (Versajës). Bile, pazaret ishin që të zhdukej tërësisht shteti shqiptar nga harta, sipas Komplotit të fshehtë të Londrës dhe kalkulimeve të llojllojshme të shteteve ballkanike, po edhe të disa Fuqive të Mëdha. Për ta penguar atë komplot, në një moment kthese historike, një shërbim çështjes shqiptare ia bëri Llav Trocki, i cili e denoncoi Traktatin e fshehtë të Londrës, duke demonstruar se Rusia bolshevike hiqte dorë nga pazaret e Rusisë cariste. Por, denoncimi nga Trocki nuk do të mjaftonte. Shqipëria londineze shpëtoi vetëm falë qëndrimit të presidentit amerikan, Vudro Vilsonit. Parimet e tij u bënë një digë kundër copëtimit definitiv të Shqipërisë dhe zhdukjes së shqiptarëve si komb. Në një memorandum, që iu dërgua Vudro Vilsonit nga Kristo Dako dhe Mihal Grameno, vlerësohej me nota optimiste e mirënjohjeje angazhimi i presidentit amerikan, gjë që nuk po e citojmë rastësisht: “Shqiptarët, besnikë të çështjes së drejtë të Aleatëve të cilët po luftojnë për triumfin e parimit të shenjtë të kombësisë dhe ndenjës besnikë të Shteteve të Bashkuara, po gëzohen duke dëgjuar zërin fisnik edhe duke mësuar kërkimet e Presidentit V. Vilson për mbrojtjen e kombësive të vogla.” Pra, ky memorandum ishte demonstrim i një orientimi strategjik shpëtimtar për Shqipërinë, në kuadër të një konfuzioni jo të vogël, që i shoqëronte delegacionet shqiptare në Paris. Orientimi në frymën e atij memorandumi do të duhej të ishte dominues jo vetëm atëherë, po edhe në ditët tona, kur qeveritë shqiptare në Tiranë e në Prishtinë, po luajnë lojëra hileqare në raport në SHBA-në. Duke provuar ta kuptojmë dhe zbërthejmë këtë lojëra të sotme hileqare e të rrezikshme të Tiranës e të Prishtinës, ne mund ta kompletojmë pamjen tragjike jo vetëm të komploteve antishqiptare, po edhe të veprimeve kundërhistorike të vetë shqiptarëve, në raste të caktuara. Si njëfarë ndërkëmbimi tragjik këtu hyn edhe ajo që ndodhi në Konferencën e Jalltës, pra komploti i jashtëm dhe marrëzia e brendshme. Edhe pse fuqitë që u mblodhën në Jalltë po proklamonin një rend të ri më të drejtë, ato vetëm sa e bënë edhe më barbare ndarjen dhe amputimin e shqiptarëve nga rrjedhat e historisë europiane. Ai rend i miratuar në Jalltë u shndërrua në një ndarje bllokiste të botës, e cila prodhoi trauma të rënda për mbarë njerëzimin e, sigurisht, edhe për kombin e masakruar shqiptar. Për komplotin e Jalltës kundër shqiptarëve nuk kishte një Trocki që ta denonconte, sepse aty po vendoste pasuesi i Trockit dhe, në fakt, vrasësi edhe i Trockit. Ndërsa në karrigen e Vilsonit ishte një Ruzvelt i sëmurë, i cili mezi priste të kthehej në atdhe dhe të vdiste. Ndërsa shqiptarët, duke pompuar përçarjen kombëtare, vetëm sa u dhanë edhe më shumë arsye armiqve që t’i injoronin. Për çka na duhen këto sekuenca të historisë tragjike të dy shekujve të kaluar? A na hyjnë në punë sot? Në fakt, këto u evokuan që të na hyjnë në punë për sot, për keqrreshtimet që po bëjnë sot dy qeveritë tona.

(S)a jemi sot lojalë ndaj Perëndimit

E para, na hyjnë në punë për të tentuar ta kuptojmë se a kanë qenë elitat politike shqiptare të atyre kohëve, kur ato ngjarje ndodhën, të orientuara në mënyrën e duhur apo kanë qenë të orientuara gabimisht? Kjo është me rëndësi parësore edhe për sot. Natyrisht, në një tekst të këtillë, përgjigje në këtë pyetje nuk mund të jepet. Por, rezultati fatal i atyre ngjarjeve për kombin tonë është dëshmi se ato elita nuk kanë arritur të legjitimohen e të imponohen si elita kombëtariste shqiptare, as në rastin e Kongresit të Berlinit, as në Konferencën e Londrës, as të Versajës e as në Luftën e Dytë Botërore. Angazhimet, përpjekjet, kontributet e shumë atdhetarëve tanë janë evidente, por rezultatet kanë qenë dëshpëruese. Pra, pikërisht ajo përvojë e hidhur e tyre mund të na hyjë në punë për sot, kur qeveritë e Tiranës dhe të Prishtinës nuk po japin prova të vërteta dhe të sinqerta të lojalitetit ndaj Perëndimit. Kjo mund të thuhet veçmas pas agresionit rus kundër Uurainës, kur u formua një front i gjerë i Perëndimit kundër Rusisë. Shqipëria dhe Kosova janë deklaruar qartë si pjesëtare të këtij fronti të madh antirus. Por, veprimet që kanë pasuar, veçmas në Kosovë, ua kanë vështirësuar punën aleatëve perëndimorë edhe në Ballkan e edhe në frontin e Ukrainës. Kësodore, vendimi arrogant i Albin Kurtit që të zbatojë një vendim për targat në veriun e Kosovës, i minoi të gjitha të arriturat e deriatëhershme në integrimin e serbëve të veriut të Kosovës. Përkundër kërkesave eksplicite të SHBA-së që ajo çështje të shtyhej për dhjetë muaj, Albin Kurti e filloi zbatimin, me çka vuri në rrezik stabilitetin e vendit dhe sigurinë e KFOR-it. Konfuzionin që u krijua e shfrytëzoi Serbia, e cila nxiti të gjithë punonjësit serbë të sektorit publik që ta braktisnin punën dhe të vendosnin barrikada në rrugë. U panë edhe banda të armatosura ndanë barrikadave. Pati indikacione të involvimit të shërbimeve ruse dhe të organizatës terroriste ruse “Vagner.” E tëra përfundoi me një disfatë të politikës së qeverisë së Kosovës në veri dhe me rritjen e rrezikut nga konfliktet e armatosura ndërmjet qeverisë dhe grupeve terroriste serbe e mercenarëve rusë. Deesklaimi i kësaj krize mori shumë energji të diplomacisë amerikane dhe të asaj të Brukselit, duke i defokusuar nga presioni mbi Serbinë, për të vendosur sanksione ndaj Rusisë. Derisa po shkruhet ky tekst ende janë evidente pasojat e atij vendimi të gabueshëm të qeverisë Kurti. Humbja e ndjesisë për realitetin dhe devijimi i orientimit strategjik në këtë rast ka qenë evident. Pasojat mbetet të shihen në fund të procesit që po vazhdon në Bruksel.

Armiqësia ndaj vetvetes

Rasti me targat nuk është rasti i vetëm kur elitat tona qeveritare dinë ta humbin orientimin strategjik në Kosovën e pasluftës së vitit 1999. E kanë humbur edhe në vitin 1999, fill pas çlirimit të vendit, kur nuk u bashkuan në një përfaqësi, siç pati kërkuar sekretarja Ollbrajt. E kanë humbur në vitin 2004, kur vendi përfundoi në anarki dhe konflikt edhe me KFOR-in amerikan. E kanë humbur edhe në vitin 2014-2016, kur nuk miratua demarkacioni me Malin e Zi. Pra, elita jonë është bërë recidiviste në refuzimin e këshillave amerikane. Kjo është njëfarë armiqësie ndaj vetvetes.

Në një rast tjetër kam theksuar se humbjen e drejtimit në kthesa historike elitat tona dhe kombi ynë e ka provuar edhe në kohë e raste të tjera. Fjala vjen, afrimi i tepruar i Ahmet Zogut me Italinë fashiste krijoi pretekstin për pushtimin fashist në vitin 1939. Lëvizja antifashiste nacionalçlirimtare, e identifikuar me Partinë Komuniste, u shndërrua në kukull të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, me gjithë pasojat që ky devijim dhe deformim prodhoi për Shqipërinë dhe për mbarë kombin tonë shqiptar. Përkrahja e luftës civile greke, nga ana e regjimit komunist të Shqipërisë, po ashtu ishte një veprim i pamoralshëm dhe strategjikisht i gabueshëm. Edhe kalimi i Shqipërisë hoxhiste në përqafimin maoist po ashtu është një nga episodet bizare të këtyre devijimeve kronike hileqare e antikombëtare. Në këto devijime të rënda strategjike bie edhe votimi në Kuvendin e Prizrenit në vitin 1945 për bashkimin e Kosovës me “Serbinë federale”, si dhe votimi nga deputetët shqiptarë të Kosovës i suprimimit të autonomisë në vitin 1989. Besoj se në këtë spektër devijimesh të palavdishme tashmë futet tashmë edhe afera e kryeministrit Edi Rama me agjentin e FBI-së, Çarls MgGonigal. Implikimet e një kryeministri në afera të atilla ka rrezik që të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë në sytë e sponsorit kryesor të çështjes shqiptare. Por, kjo mbetet të shihet se si do të zhvillohet, fillimisht si proces gjyqësor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hierarkia e re në arkitekturën e NATO-s –prapë pa ne?

Ajo që është urgjente sot është të kuptuarit e ndryshimit dramatik që ka sjellë lufta në Ukrainë dhe që nuk lë hapësirë për aventura e sjellje të papërgjegjshme. Në ndihmën ndaj Ukrainës, Perëndimi po demonstron një aleancë funksionale kundër Rusisë, ku disa aktorë po dalin më shumë në sipërfaqe dhe po e fuqizojnë pozitën e tyre. Entuziazmi dhe kontributi i tyre do të krijojë hierarki të re të relevancës brenda taborit të Perëndimit. Fjala vjen, Polonia tashmë është imponuar si një shtet me qëndrim të fuqishëm antirus në aleancën e NATO-s. Fuqizimi i Polonisë me armatime të reja, me pranimin e miliona refugjatëve, po e shndërron Poloninë në një lider brenda NATO-s. Po ashtu, shtetet baltike janë diferencuar si shtete të vendosura në këtë kauzë dhe kanë fituar respektin e gjithë Aleancës. Ndërsa Austria e sidomos Hungaria janë kompromentuar në sytë e aleatëve dhe të opinionit demokratik botëror për kalkulimet hileqaret dhe egoiste që po bëjnë. Me siguri edhe kjo do të ketë ndikim në imazhin dhe në pozitën e tyre në aleancën e Perëndimit.

Këtu shtrohet pyetja kryesore e këtij teksti: ku janë Shqipëria dhe Kosova në kuadër të projektit të tashëm antirus të Perëndimit? Pse pikërisht në këtë kohë, në vend të një mobilizimi të plotë antirus, janë ndërmarrë veprime si ai vendimi bizar për targat, i cili i dha mundësi Serbisë dhe Rusisë të kërcënojnë stabilitetin e Kosovës dhe sigurinë e NATO-s në Kosovë? Pse duhej të implikohej një kryeministër i Shqipërisë në afera spiunazhi që e dëmtojnë Shqipërinë dhe SHBA-në? Po e mbyll me pyetje, sepse përgjigjet për këto ekscese në orientimin tonë strategjik atlantik duhet t’i japin qeveritë tona aktuale. Ato që e kanë bërë ngatërresën e panevojshme. Siç dinin të bënin ngatërresa të panevojshme edhe pararendësit.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X