Noli ishte edhe njeri i veprimit politik. “Kryeministri me fyell” është vlerësuar dhe kritikuar si politikan. Ai u angazhua politikisht në kohën e përplasjeve të mëdha shoqërore, kur historia çmendurisht ngjiste në skenë personazhe tragjikomike, prej të cilëve varej fati i kombit. Për Nolin është thënë se Shqipërinë e pa si idealist dhe dëshironte ta ndryshonte si realist. Por, Noli si politikan ishte utopist.
Salajdin SALIHU, Tetovë
Kur shkruajmë për personalitete madhore, emrat e të cilëve janë të gdhendur në pllakat e historisë, rrezikojmë ta teprojmë me epitete të bukura. Por, s’ka asnjë teprim kur themi se Fan Stilian Noli është ndër figurat më të shumanshme dhe më erudite në sistemin tonë kulturor.
I diplomuari në universitetet prestigjioze amerikane, u shqua si poet, përkthyes, publicist, klerik, muzikolog, historian dhe politikan.
Noli luajti bukur me violinën e gjuhës. Ai na la një krijimtari letrare shumëpërmasore dhe shumështresore, e cila komunikoi, komunikon dhe do të komunikojë me lexuesin shqiptar.
Si poet, ai huazoi motive e figura nga mitologjia dhe librat e shenjtë, siç janë: Marathonomaku, Moisiu, Krishti, Shën Pjetri, Baraba apo Kirenari dhe, nëpërmjet tyre, aludoi te zhvillimet e kohës së tij.
Noli ky i dashuruar pas gjuhës, që shënoi fjalë edhe nga plakat e Bostonit, e pasuroi sistemin tonë kulturor me kryeveprat e gjenive të letërsisë botërore, si: Khajami, Shekspiri, Servantesi, Ibseni, Ibanjezi. Përktheu edhe poezi të Gëtes, Hajnes, Hygosë, Longfellout, Posë, Bodlerit, Verlenit etj.
Noli u shqua edhe si kritik letrar, veçanërisht me introduktat e tij.
Si historian dha kontribut të madh me monografinë për Skënderbeun. Nëse Marin Barleti solli një Skënderbe të idealizuar, Noli mëtoi të sillte për lexuesin një Skënderbe sa më real.
Noli drejtoi disa revista, kurse si publicist shkroi për tema aktuale, sociokulturore, politike, gjeopolitike dhe historike. Me Nolin si publicist mund të mos dakordohesh për diçka, por gjithsesi do t’ia pëlqesh stilin e të shkruarit, sepse është i qartë dhe i thellë.
Noli ishte edhe orator i veçantë, që rrëmbehej nga dalldia e poetit, madje edhe kur mbante fjalime në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, siç ishte fjalimi në Lidhjen e Kombeve.
Noli ishte themeluesi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, pasurues i fondit të botimeve religjioze, por edhe shqipëruesi i terminologjisë kishtare.
Themelimi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare ishte domosdoshmëri, për sa kohë që shtetet ballkanike, nëpërmjet kishave të kombëtarizuara, synonin shkombëtarizimin e shqiptarëve ortodoksë, një shqetësim që e patën shprehur edhe rilindësit shqiptarë.
Noli ishte edhe njeri i veprimit politik. “Kryeministri me fyell” është vlerësuar dhe kritikuar si politikan. Ai u angazhua politikisht në kohën e përplasjeve të mëdha shoqërore, kur historia çmendurisht ngjiste në skenë personazhe tragjikomike, prej të cilëve varej fati i kombit.
Për Nolin është thënë se Shqipërinë e pa si idealist dhe dëshironte ta ndryshonte si realist. Por, Noli si politikan ishte utopist.
Noli u shpall kryeministër i Shqipërisë më 17 qershor 1924. Sipas Robert Elsie-s, “programi i tij njëzetpikash për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, përfshirë reformën agrare, doli se qe tepër i nxituar e tepër idealist për një vend të prapambetur e pa tradita parlamentare”.
Noli do të kujtohet edhe si njëri nga drejtuesit e komunitetit shqiptar në SHBA, një komunitet që dha kontribut të madh për pavarësinë e Shqipërisë, por edhe si njëri nga drejtuesit e “Vatrës” së lavdishme.
Nëse veprimet e Nolit si politikan mund të kontestohen dhe të kritikohen, si shkrimtar e përkthyes ai do të mbetet përgjithmonë në Olimpin e kulturës shqiptare.









