loader image
February 20, 2026

Nga zbehja e sovranitetit te ngritja e shteteve grabitqare

Pavarësisht nga madhësia e shteteve, ndërtimi i kapaciteteve dhe qëndrueshmëria do të jetë një faktor vendimtar në lundrimin gjeopolitik. Dhe, jo vetëm për shtetet e Ballkanit, por për të gjitha shtetet që nuk kanë nevojë të projektojnë forcë dhe të zgjerohen në territore të reja. Por, meqenëse gjeopolitika dhe marrëdhëniet ndërkombëtare janë fusha të nxehta dhe të vështira, ne gjithmonë duhet të pyesim nëse kaosi mund të sjellë një rend tjetër në të cilin shtetet mund të sillen më mirë. Deri atëherë, shtetet dhe shqiptarët në Ballkan duhet të veprojnë bazuar në një strategji të kujdesshme duke menaxhuar situatën pa histeri dhe emocione.

Selim IBRAIMI, Uashington

Në muajt e fundit, ka pasur një dilemë të madhe se pse sovraniteti dhe integriteti territorial i shteteve nuk po respektohen në një kohë kur kemi ligje dhe organizata ndërkombëtare.

Sistemi Westfalian (1648), siç dihet, u bë forca kryesore lëvizëse e shteteve për më shumë se tre shekuj. Sovraniteti i shteteve dhe integriteti territorial ishin çështjet kryesore në të gjitha luftërat dhe traktatet e paqes; tani gjithçka ka ndryshuar. Ligjet dhe normat ndërkombëtare, duke filluar nga ligjet humanitare, nuk janë shumë të rëndësishme, pasi shtetet e mëdha vendosin për ekzistencën e shteteve të tjera pa zë në çështjet botërore. Kur flasim për sovranitetin, tradicionalisht i referohemi “një autoriteti suprem të shtetit mbi çështjet e brendshme”. Që nga tre dekadat e fundit, me luftërat për territore, burime natyrore dhe për shkak të globalizimit dhe multipolaritetit, sovraniteti dhe integriteti kanë ndryshuar gjithmonë sipas interpretimeve të shteteve që duan të aneksojnë territore të reja. Pra, kushdo që ka forcën, ka sovranitet. Shtetet e tjera të dobëta detyrohen t’i pranojnë rregullat e shteteve të mëdha. Sipas filozofit gjerman Friedrich W. Hegel (1770-1831), “ne nuk mund t’i kuptojmë kombet, ngjarjet dhe njerëzit pa një kontekst historik”. Për Hegelin, historia njerëzore është udhëtimi i vetëdijes drejt lirisë së vetëdijshme përmes racionalitetit më të lartë. Ky racionalitet, argumenton ai, arrihet si nga mendja njerëzore, ashtu edhe nga organizatat politike. “Në fund të fundit, pasi të jemi bërë racionalë, ne do t’i përmbahemi organikisht rregullave dhe rregulloreve pa asnjë detyrim.” Në shekullin e 20-të politologu gjermano-amerikan Hans Morgenthau (1904-1980) vuri në dukje se veprimet shtetërore synojnë të ruajnë, demonstrojnë ose rrisin pushtetin. Por, sot është e pashmangshme të mos pajtohemi me idetë e tij, sepse për t’i çmontuar iluzionet morale e ligjore në kaosin shumëpolar, Morgenthau na kujton “se politika, ashtu si shoqëria në përgjithësi, qeveriset nga ligje objektive që i kanë rrënjët në natyrën njerëzore. Parimet morale universale nuk mund të zbatohen në veprimet e shteteve në formulimin e tyre abstrakt universal”. Nga Hegeli dhe Morgenthau mund të nxjerrim mësime për ngjarjet e sotme, veçanërisht pas veprimeve të SHBA-së dhe ngritjes së Kinës. SHBA-ja, gjatë shekujve 18, 19 dhe 20, u dha përparësi ndërhyrjeve ushtarake, pushtimit të territoreve të reja ose, sipas kritikëve, shpërfillje të plotë të së drejtës ndërkombëtare. Ky grup nuk përfshin vetëm SHBA-në, por edhe vende të tjera, si Kina, Rusia, Serbia, vende nga Lindja e Mesme, etj. Ndryshimet në politikën ndërkombëtare e kanë bërë të pashmangshme që sovraniteti të ruhet. Historikisht, fuqitë botërore, kur kanë arritur kulmin e fuqisë së brendshme dhe të jashtme, për sa i përket projeksionit të forcës, nuk kanë vepruar gjithmonë si fuqi racionale. Shtetet në këtë fazë kanë tendencë ta harrojnë të drejtën ndërkombëtare, të drejtën humanitare, sovranitetin, etj. E vetmja gjë që ata kuptojnë është përdorimi i forcës së fundit për të ndërhyrë ose për të filluar një luftë për burime dhe pozicione. Lëvizja e fundit e SHBA-së në Venezuelë tregon më shumë se si përdoret forca dhe si shtetet e tjera me aftësi ushtarake, si SHBA-ja, do ta përdorin atë, duke filluar nga Rusia, Kina dhe fuqi të tjera. Meqenëse situata është e ndërlikuar me kërcënimet për të pushtuar Grenlandën, nga ana tjetër, atmosfera e re i jep Rusisë në frontin lindor, të vazhdojë të pretendojë më shumë territore në Ukrainë. Bazuar në atë që SHBA-ja po kërkon në Grenlandë, Rusia në Ukrainë, Kina, me kërcënimet ndaj Tajvanit, nuk do të shohim ditë më të mira në këtë aspekt të zbatimit të së drejtës ndërkombëtare, respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve.

Një Botë e Re pa të drejtën ndërkombëtare

Në praktikë, shtetet kryesisht i referohen gjeopolitikës si një mjet për t’i rritur përfitimet dhe për të siguruar një pozicion pa marrë parasysh të drejtën ndërkombëtare. Këtu, sovraniteti, si në rastin e Venezuelës, Grenlandës ose Ukrainës, është jashtë diskutimit. Pse? Në realitet, shtetet në një botë shumëpolare shpesh i anashkalojnë normat dhe etikën. Në një situatë komplekse globale, shtetet që pretendojnë të jenë demokratike, së bashku me ato autokratike, janë ndër shkelësit e sovranitetit, duke pretenduar se e bëjnë këtë në emër të ruajtjes së paqes dhe interesit kombëtar. Në fakt, shtetet e lartpërmendura i shkelin të gjitha ligjet për të arritur objektiva të caktuara. Qeveritë e shteteve që ne tashmë i njohim, nuk i marrin parasysh ligjet ndërkombëtare që vetë i kanë nënshkruar disa dekada më parë. Prandaj, do të jetë e vështirë të parandalohen skenarë të tillë në politikën ndërkombëtare, pavarësish sistemeve politike. Pavarësisht rajonit gjeografik, do të ndodhin veprime që prekin sovranitetin dhe shkelin integritetin territorial, si nga shtetet demokratike, ashtu edhe nga ato me regjime autoritare. Nuk ka nevojë të thuhet shumë këtu; ligji ndërkombëtar, humanitar dhe i të drejtave të njeriut është shkelur dhe shkelur për një kohë të gjatë dhe kjo u provua së fundmi në Gaza. Ironia është se e njëjta “sëmundje” po përhapet nga ish-shtetet imperialiste pa përjashtuar të tjerët. Deri diku, Europa ka ndjekur një linjë të promovimit të së drejtës ndërkombëtare, duke dështuar në hapësirën ish-jugosllave në vitin 1991, por krahasuar me shtetet e tjera, ajo ka një besueshmëri të zbehtë në fushën e promovimit të vlerave dhe normave të së drejtës ndërkombëtare dhe ruajtjes së sovranitetit shtetëror. Lëvizjet në emër të kërcënimeve të jashtme dhe të sigurisë shërbejnë si shkas për t’u zgjeruar nga aspekti territorial. Rënia e idesë së sovranitetit tani ka marrë një formë më konkrete. Ditë më parë, kongresmeni amerikan Randy Fine nga Partia Republikane e prezantoi Aktin e Aneksimit dhe Shtetësisë së Grenlandës, një projektligj që ia lejon presidentit të SHBA-së Donald Trump t’i gjejë mjetet e nevojshme për ta aneksuar Grenlandën. “Duke e blerë Grenlandën, ne do t’i pengonim kundërshtarët tanë të kontrollonin rajonin e Arktikut dhe do të siguronim krahun tonë verior nga Rusia dhe Kina”. Nga lëvizjet e fundit, shihet se rreziku po u afrohet edhe vetë shteteve demokratike. Në këtë drejtim, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha: “Nëse Kina sulmon Tajvanin, ata kurrë nuk do ta bëjnë vetëm. Ata do ta detyrojnë Putinin të na sulmojë”. Edhe pse rastet e lartpërmendura janë të një niveli global, Ballkani Perëndimor dhe shqiptarët janë gjithashtu të prekur nga shkelja e së drejtës ndërkombëtare, ku çështjet potencialisht të hapura me Serbinë do të kërkojnë vëmendje të veçantë.

Sfidat dhe pasojat për shqiptarët në Ballkan

Rasti i Kosovës u vu në provë edhe një herë në Banjskë vitin 2023, kur Serbia dhe përfaqësuesit e saj serbë në Kosovë përdorën forcën e armatosur për të sulmuar dhe për t’u shkëputur nga Kosova. Veprimi serb kundër Kosovës lidhej me sovranitetin dhe territorialitetin e saj. Sjellja serbe ishte dhe do të jetë e njëjtë me atë të vendeve të tjera që kërkojnë territore të reja ose ndërhyjnë për të ndryshuar regjimet. Në terma realë, në një mjedis kaq të brishtë, shtetet, përfshirë Serbinë, mund të përdorin serbët në veri të Kosovës për të minuar sovranitetin e Kosovës, dhe jo vetëm në Kosovë. Tashmë, Serbia, përmes ndikimit të saj të butë dhe përdorimit të sovranitetit digjital, ka ndikuar indirekt në sovranitetin e Maqedonisë së Veriut, Republika Srpskës dhe vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit. Në këtë kontekst, shqiptarët në këtë situatë të re ndërkombëtare dhe rajonale do të kenë nevojë për më shumë punë në fushën e punëve të jashtme. Së pari, Shqipëria, pavarësisht përparimit në fushën demokratike dhe përafrimit me standardet e BE-së, po tregon mangësi në koordinim me pjesët e tjera shqiptare. Në kohë të trazuara, veçanërisht në Ballkan, shqiptarët duhet ta ndryshojnë qasjen dhe qëndrimin e tyre hap pas hapi ndaj çështjes shqiptare përmes proceseve të hapura për të ndryshuar statusin, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Preshevë. Nuk mund të ketë akuza për ndërhyrje në punët e brendshme nëse Shqipëria, brenda kornizës së legjitimitetit territorial dhe historik, merr një qasje të ndryshme ndaj shqiptarëve në Ballkan. Por, deri më tani nuk ka pasur asnjë hap serioz nga Shqipëria. Në këtë pasiguri globale, shqiptarët do të kenë një status të papërcaktuar me fuqitë e mëdha. Shqiptarët do të vazhdojnë të mbeten të shpërndarë dhe pa ndikim në rajon, duke qenë pre e ndërhyrjeve të faktorëve të huaj. Nuk ka dyshim në planin afatshkurtër dhe afatgjatë se, pavarësisht atmosferës ndërkombëtare dhe ndryshimeve në marrëdhëniet dhe sjelljet e shteteve, Shqipëria dhe Kosova do të ndjekin qasje të ndryshme. Shqipëria, si anëtare e NATO-s, ka më pak gjasa të mbështesë një panshqiptarizëm të tillë. Kosova nuk ka interes të bëjë më shumë për shqiptarët në shtetet e tjera në Ballkan. Kosova realisht ka nevojë për ndihmë për të rivendosur marrëdhëniet me shtetet që e njohën në vitin 2008. Si Shqipëria, ashtu edhe Kosova, janë në një lloj konsolidimi. Dhe, kur bota po dridhet, është e vështirë për qeveritë në Prishtinë dhe në Tiranë të ndërmarrin përpjekje dhe veprime të tilla në Ballkan. Në detaje, Shqipëria varet nga forcat e NATO-s dhe ka bërë shumë pak në mbrojtje dhe strategji të tjera për të vepruar në kohë në krizat rajonale dhe globale. Kosova, gjithashtu nën mbikëqyrje ndërkombëtare, ka shpenzuar miliona dollarë për të ndërtuar mbrojtje, por ende nuk ka ofruar një strategji të mirë për të luftuar në rast të një aventure ushtarake nga Serbia në veri të Kosovës. Do të jetë e vështirë të përballesh me një Serbi që, në dy dekadat e fundit, është armatosur nga Kina, shtetet e Lindjes së Mesme, Rusia dhe vetë Perëndimi. Në të gjitha skenarët, pavarësisht nga madhësia e shteteve, ndërtimi i kapaciteteve dhe qëndrueshmëria do të jetë një faktor vendimtar në lundrimin gjeopolitik. Dhe, jo vetëm për shtetet e Ballkanit, por për të gjitha shtetet që nuk kanë nevojë të projektojnë forcë dhe të zgjerohen në territore të reja. Por, meqenëse gjeopolitika dhe marrëdhëniet ndërkombëtare janë fusha të nxehta dhe të vështira, ne gjithmonë duhet të pyesim nëse kaosi mund të sjellë një rend tjetër në të cilin shtetet mund të sillen më mirë. Deri atëherë, shtetet dhe shqiptarët në Ballkan duhet të veprojnë bazuar në një strategji të kujdesshme dhe ta menaxhojnë situatën pa histeri dhe emocione.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X