Që nga viti 1996 janë zbuluar 94 varre masive dhe 336 lokacione sipërfaqësore të ndërlidhura me gjenocidin në Srebrenicë dhe me krimet e tjera përreth në korrik të vitit 1995. Një sasi e madhe e eshtrave të viktimave të gjenocidit u gjetën në disa varre masive dytësore dhe terciare, gjë që flet se sa për politikën e cila e hartoi dhe e zbatoi gjenocidin, ishte e rëndësishme që të fshiheshin faktet dhe vetë e vërteta për shtrirjen e saj. Akoma kërkohen rreth 1.000 viktima të gjenocidit. Kërkimi vazhdon…
Muamer XHANANOVIQ, Sarajevë*
Kontinuiteti i shkatërrimit të Bosnjë e Hercegovinës dhe i shoqërisë boshnjake kulmin e arriti gjatë periudhës së agresionit kundër Republikës së Bosnjë e Hercegovinës nga fillimi i vitit 1992 e deri në fund të vitit 1995. Bosnja lindore është përcaktuar si një nga qëllimet strategjike të projektit serbomadh, që u theksua si “qëllimi i tretë strategjik i popullit serb” në Bosnjë dhe Hercegovinë, të cilin krimineli i luftës, Radovan Karaxhiq, e shpalli haptazi në seancën e 16-të të vetëshpallur të “Kuvendi i Popullit Serb në Bosnjë dhe Hercegovinë” më 12 maj 1992 në Banja Llukë. Qëllimet strategjike ishin: “Qëllimi i parë strategjik është ndarja nga dy bashkësitë e tjera nacionale, ndarja e shtetit… Qëllimi i dytë strategjik është korridori ndërmjet Semberisë dhe Krajinës… Qëllimi i tretë strategjik është hapja e një korridori në lugina e lumit Drina, përkatësisht eliminimi i Drinës si kufi mes dy botëve… Qëllimi i katërt strategjik është vendosja e kufijve në lumin Una dhe Neretva… Qëllimi i pestë strategjik është ndarja e qytetit të Sarajevës në pjesën serbe dhe myslimane, si dhe vendosja e secilës prej këtyre dy pjesëve të pushtetit efektiv shtetëror dhe të një shteti konstituiv… Qëllimi i gjashtë strategjik është dalja e Republikës Serbe të BeH-së në det”. Pasi që Karaxhiqi i lexoi këto synime, i pari që e tërhoqi vëmendjen në seancë për faktin se ato mund të realizoheshin përmes gjenocidit, ishte Ratko Mlladiqi, i cili po atë ditë dhe në atë seancë u emërua në krye të ushtrisë së “Republikës Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës”, gjegjësisht “Republika Srpska” (RS), siç u riemërtua gjatë vitit 1992.
Qëllimet strategjike nënkuptonin përfundimisht thyerjen e mënyrës në të cilën shoqëria boshnjake ekzistonte për shekuj. Objektivat e parë dhe të tretë strategjikë nënkuptonin “spastrimin etnik” të boshnjakëve të Bosnjës lindore, përkatësisht të Podrinjes boshnjake dhe bashkimin e dy “tokave serbe”, ashtu siç e përsëriti Radovan Karaxhiqi në seancën e 33-të të Asamblesë së vetëshpallur të RS-së, që u mbajt në korrik të vitit 1993: “… sepse rëndësia e Drinës për Republikën Srpska dhe për popullin serb është e madhe dhe, përfundimisht një nga qëllimet strategjike, që Drina të mos jetë kufi, atë e kemi miratuar këtu në këtë Kuvend”.
Idetë gjenocidale të Karaxhiqit u mbështetën nga përfaqësuesit politikë të partisë SDS në nivele lokale, që në fakt ishin faktor shumë i rëndësishëm në zbatimin e tyre. Në mesin e muajit mars të vitit 1992, gjegjësisht pesëmbëdhjetë ditë para fillimit të agresionit, në seancën e 11-të të Kuvendit të vetëshpallur të Popullit Serb në Bosnjë dhe Hercegovinë, udhëheqësi politik i popullit serb në Srebrenicë, Goran Zekiq, vuri në pah rrezikun nga, gjoja, “shtypja graduale e natalitetit” nga pala boshnjake. Zekiqi deklaroi: “…të gjitha negociatat do të vazhdojnë më tej, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina do të ekzistojë si një entitet i njohur ndërkombëtarisht, ku marrëveshjet e brendshme do të zgjasin për dhjetë vjet. Të mos arrihet asnjëherë, e ata me natalitetin e tyre gradualisht do t’i shtypin territoret tona, kështu që ne do të gjendemi në një situatë të vështirë”.
Idetë e lartpërmendura dhe parandalimi i “shtypjes graduale të natalitetit” boshnjak mund të realizohet vetëm me zbatimin e planit gjenocidal, gjë që u realizua në vitet në vijim. Doli se ishte e nevojshme që aty ku serbët ishin pakicë, të manifestohej dhe të kryheshin format më brutale të krimit për t’i arritur qëllimet politike serbe. Një nga provat për këtë janë rezultatet e regjistrimit të popullsisë të vitit 1991 në Srebrenicë dhe në mbarë Podrinjen e Bosnjës, e pastaj vijojnë mënyrat, metodat dhe format e krimeve të kryera kundër boshnjakëve në ato zona në periudhën 1992-1995, si dhe rezultatet e regjistrimit të popullsisë në vitin 2013.
Sipas regjistrimit të vitit 1991, në zonën e Srebrenicës jetonin 36.666 banorë, nga të cilët boshnjakë/myslimanë 27.572 ose 75.2 për qind, serbë 8.315 ose 22.7 për qind, kroatë 38 ose 0.1 për qind, jugosllavë 380 ose 1 për qind dhe të tjerë 361 ose 1 për qind.
Sipas regjistrimit të vitit 2013, në zonën e Srebrenicës jetojnë 13.409 banorë, nga të cilët 7.248 ose 54.1 për qind janë boshnjakë, 6.028 ose 45 për qind janë serbë, 16 ose 0.1 për qind janë kroatë dhe 117 ose 0,8 për qind të tjerë. Duke i analizuar rezultatet e këtyre dy regjistrimeve të popullsisë, arrijmë në të dhënat se në zonën e komunës së Srebrenicës ka 23.257 banorë më pak.
Ky numër pothuajse është i barabartë me zvogëlimin e numrit të boshnjakëve si pasojë e drejtpërdrejtë e gjenocidit të kryer nga fillimi i vitit 1992 e deri në korrik të vitit 1995. Të dhënat e njëjta paraqiten edhe në mbarë territorin e Bosnjës lindore, përkatësisht të Podrinjës së Bosnjës, ku boshnjakët – edhe pse deri në fillim të agresionit ishin popullsi shumicë – në numrin më të madh të komunave sot janë pakicë absolute, gjë që në mënyrën më të mirë tregon se deri në çfarë mase janë realizuar qëllimet e lartpërmendura “strategjike” ose gjenocidale!
Në fakt, në Srebrenicë, ashtu si në pjesët e tjera të Bosnjës Lindore, që nga prilli i vitit 1992 është zbatuar plani gjenocidal serbomadh për zonat “etnikisht të pastra”. Dominimin në përqindje të popullsisë boshnjake në zonën e “qëllimit strategjik serb” liderët serbomëdhenj nuk mundnin ta toleronin. Pasuan krime masive dhe brutale anembanë vendbanimeve boshnjake në mbarë komunat e Podrinjës. Pas marrjes së Srebrenicës, në prill, nga forcat e APJ-së dhe bashkëpunëtorët e tyre në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe pas instalimit të pushtetit serb, një numër i madh i boshnjakëve u vranë dhe u keqtrajtuan, ndërsa pronat e tyre u plaçkitën dhe u dogjën.
Pasi që boshnjakët arritën ta çlironin Srebrenicën më 9 maj të vitit 1992, kjo zonë u sulmua vazhdimisht për tre vitet e ardhshme. Situata katastrofike humanitare, mjekësore dhe e sigurisë u rëndua edhe më tej në tremujorin e parë të vitit 1993, atëherë kur forcat e Ushtrisë së RS-së dhe ushtrisë jugosllave i vunë nën kontrollin e tyre enklavat e Podrinjes të Kamenicës, Cerskës dhe Konjeviq Polje, me çka u shkaktua avancimi shtesë i ushtrisë serbe më afër Srebrenicës, si dhe arritja e mijëra civilëve të rinj boshnjakë në enklavën e Srebrenicës.
Granatimet dhe operacionet në Srebrenicë vazhduan edhe në periudhën në vijim. As shpallja e Srebrenicës si “zonë e sigurt” nga OKB-ja, në prill të vitit 1993, nuk ndihmoi. Statusin e këtillë (si zonë të mbrojtura nga OKB-ja), përveç Srebrenicës, në fillim të majit të vitit 1993 e morën edhe Zhepa, Sarajeva, Bihaqi, Gorazhda dhe Tuzla. Ironia është se krimet më të mëdha dhe më masive në këto zona janë kryer që nga ajo kohë e deri në fund të agresionit, pra nën mbrojtjen dhe praninë e forcave ndërkombëtare dhe mbrojtjen e OKB-së.
Më 8 mars të vitit 1995, në Direktivën nr. 7, ku kishte nënshkruar Radovan Karaxhiqi, përcaktohet qartë strategjia e RS-së në lidhje me “zonat e sigurta” në Bosnjën lindore. Ndër të tjerat, në të, Korpusi i Drinës (Drinski Korpus) i Ushtrisë së RS-së u urdhërua që sa më parë të kryejë ndarjen e plotë fizike të Srebrenicës dhe Zhepës, ashtu që “përmes aktiviteteve luftarake të përditshme të planifikuara, të krijojë kushte të pasigurisë totale, jotolerancës dhe mungesës së shpresës për jetë të mëtejshme të banorëve në Srebrenicë dhe Zhepë”.
Në fillim të korrikut të vitit 1995, duke u mbështetur në Direktivat 7 dhe 7/1, është urdhëruar: “Me një sulm të befasishëm të ndahen dhe ngushtohen plotësisht enklavat e Srebrenicës dhe Zhepës, të përmirësohet pozicioni taktik i forcave në thellësi të zonës dhe të krijohen kushte për eliminimin e enklavave”. Operacioni i Ushtrisë së RS-së, me emrin e koduar “Krivaja-95”, filloi më 6 korrik, ndërsa forcat serbe në Srebrenicë hynë më 11 korrik të vitit 1995.
Gjatë pasdites dhe mbrëmjes së 10 korrikut të vitit 1995, një numër i konsiderueshëm civilësh u vendosën në bazën e OKB-së në Srebrenicë. Komandanti i batalionit holandez, Thom Karremans, i informoi autoritetet civile në Srebrenicë për sulmet e supozuara në shkallë të gjerë të NATO-s mëngjesin e ardhshëm më 11 korrik! Boshnjakët nuk besonin se kjo do të ndodhte dhe për këtë arsye në orët e mbrëmjes të 10 korrikut – në pjesën veriperëndimore të enklavës, midis fshatrave Shushnjari dhe Jagliqi – u grumbulluan nga 10.000 deri në 15.000 boshnjakë, kryesisht burra. Prej aty ata formuan një kolonë e gjatë dhe ata filluan të marshojnë në drejtim të Tuzlës. Sipas disa vlerësimeve, kolona ishte dhjetë kilometra e gjatë. Ai ishte “marshi vdekjes”, sepse forcat e URS-së vepruan ndaj kolonës së njerëzve me mjete të ndryshme. Burrat që do t’u dorëzoheshin forcave të URS-së, që u gjetën në rrugë, u robëruan dhe më pas u morën në grupe për t’u pushkatuar. Nga bisedat e përgjuara duket qartë se forcat e URS-së kishin informacione të shpejta për këtë kolonë dhe se kanë qenë të njohur me drejtimin në të cilin lëvizte kolona. Civilë të tjerë, kryesisht gra, fëmijë dhe të moshuar, filluan të lëvizin drejt bazës kryesore të OKB-së në Potoçari (2 km në veri të Srebrenicës).
Në ditën e nesërme, më 11 korrik, deri në orën 16:00 pjesëtarët e Batalionit Holandez të OKB-së evakuuan 4.000 deri në 5.000 civilë të mbetur nga baza e OKB-së në Srebrenicë, në bazën në Potoçari. Forcat e ushtrisë së RS-së e okupuan Srebrenicën, ndërsa Mlladiqi para kamerave televizive në Srebrenicë deklaroi: “Ja ku jemi më 11 korrik 1995 në Srebrenicën serbe. Në prag të një feste tjetër të madhe serbe, ia dhurojmë këtë qytet popullit serb. Dhe, më në fund erdhi momenti, pas kryengritjes kundër dahijve, t’u hakmerremi turqve në këto territore”. Më pas, ai (krimineli i luftës Ratko Mlladiq) i urdhëroi forcat e ushtrisë së RS-së që të niseshin për në Potoçari.
Krahas krimeve të organizuara dhe persekutimeve të boshnjakëve nga Srebrenica, vazhduan përgatitjet për realizimin e operacioneve në “zonën fqinje të sigurt” të OKB-së, në Zhepë, ku ushtria serbe, përkatësisht Korpusi i Drinës (Drinski Korpus) përgatiti një operacion të koduar “Stupçanica-95”. Situata në dhe rreth bazës së OKB-së në Potoçari më 11 dhe 12 korrik ishte katastrofike. Ishte vapë e madhe, nuk kishte ujë, ushqim, ilaçe, as nuk ishin siguruar kushte elementare higjienike. Disa gra lindën, disa njerëz vdiqën, disa kryen vetëvrasje ose tentuan të vetëvriteshin, përreth bazës janë dëgjuar të shtëna, ndërsa gratë janë abuzuar seksualisht deri më 13 korrik.
Më 12 korrik një numër i madh autobusësh dhe kamionësh u përgatitën për shfarosjen e organizuar të popullatës civile nga Potoçari në drejtim të Kladanjit, territor ky nën kontrollin e forcave ushtarake ligjore të BeH-së. Atë ditë, rreth orës 12:00 filluan të largohen autobusët e parë nga baza e OKB-së. Përveç Ratko Mlladiqit, atë ditë në Potoçar ishin të pranishëm edhe shumë oficerë të lartë ushtarakë të ushtrisë serbe. Aty ishte edhe policia komunale e Republikës Srpska dhe njësia e Policisë Speciale të RS-së.
Dëbimi i organizuar i popullsisë vazhdoi edhe në ditën e 13 korrikut, ndërsa përfundoi në orën 20:00 të asaj dite. Para se të vendosej popullata nëpër automjete, aty u bë një ndarje e organizuar te meshkujve deri në 60 vjeç, si dhe e djemve më të rritur. Një numër i madh i grave dhe vajzave raportuan për përdhunime dhe mizori të tjera të kryera nga pjesëtarët e ushtrisë serbe dhe të ushtrisë së RS-së. Burrat dhe djemtë që u ndanë u dërguan në “shtëpinë e bardhë”, e cila ndodhej pranë bazës së OKB-së. Tanimë aty kishin filluar vrasjet. Gjatë kalimit të autokolonës për në Kladanj, autobusët u ndaluan dhe disa burra u nxorën jashtë dhe u pushkatuan.
Ndaj kolonës, që ecte në këmbë në “marshin e vdekjes”, ushtarët serb vazhdimisht gjuanin me granata, hidhnin bomba dore, vendosnin prita gjatë rrugës etj. Një numër i madh i civilëve boshnjakë u vranë në pyjet përreth, ndërsa shumica dërrmuese iu dorëzuan forcave të ushtrisë serbe. Shpeshherë, me qëllim për t’i mashtruar boshnjakët, forcat ushtarake serbe përdornin transportues dhe autoblinda të UNPROFOR-it, bartnin pajisje dhe uniforma me flamurin e OKB-së dhe kështu duke i mashtruar u bënin thirrje njerëzve për t’u dorëzuar. Duke menduar se kjo do të garantonte sigurinë e tyre, një numër i madh i civilëve boshnjakë u dorëzuan!
Në ditët në vijim, pas 11 korrikut të vitit 1995, sipas një plani të hartuar qartë, boshnjakët u robëruan dhe u dërguan në vendet e caktuara më parë për pushkatim dhe likuidim fizik. Në gjenocidin gjatë muajit korrik të vitit 1995 u vranë të paktën 8.372 boshnjakë, nga të cilët 694 ishin fëmijë. Pas Srebrenicës në fund të korrikut, forcat ushtarake serbe vunë nën kontrollin e tyre “zonën e sigurt” – Zhepën.
Që nga viti 1996 janë zbuluar 94 varre masive dhe 336 lokacione sipërfaqësore të ndërlidhura me gjenocidin në Srebrenicë dhe me krimet e tjera përreth në korrik të vitit 1995. Një sasi e madhe e eshtrave të viktimave të gjenocidit u gjetën në disa varre masive dytësore dhe terciare, gjë që flet se sa ishte e rëndësishme për politikën, e cila e hartoi dhe e zbatoi gjenocidin, që të fshiheshin faktet dhe vetë e vërteta për shtrirjen e saj. Rreth 1.000 viktima të gjenocidit akoma kërkohen . Kërkimi vazhdon…
Sipas Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Den Haag, si dhe gjykatave nacionale, ndër tjerash, krimet e kryera u gjykuan si gjenocid ndaj boshnjakëve. Gjithë udhëheqja politike dhe ushtarake e të a.q. Republika Srspka të vetëshpallur u gjykua para Gjykatës Ndërkombëtare. Udhëheqësit politik dhe ushtarak të RS-së, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, përveç dënimeve të përjetshme, u dënuan edhe për gjenocid kundër boshnjakëve. Para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Serbia u gjykua si bashkëpërgjegjëse, sepse nuk e parandaloi gjenocidin ndaj boshnjakëve në dhe përreth Srebrenicës në korrik të vitit 1995, si dhe për atë që nuk i dënoi kryerësit e gjenocidit.
Fatkeqësisht, tridhjetë vjet pas fillimit të agresionit dhe kryerjes së gjenocidit ndaj boshnjakëve, aspiratat serbomëdha në drejtim të zgjerimit të kufijve të saj në territoret në perëndim të lumit Drina akoma nuk kanë të ndalur. Gjithashtu, procesi gjenocidal nuk është ndalur dhe është në fazën e tij të fundit – fazën e mohimit. Gjenocidi mohohet në nivel lokal, rajonal dhe ndërkombëtar.
Miratimi i Vendimit nga Valentin Inzko, përfaqësuesi i lartë i atëhershëm në Bosnjë dhe Hercegovinë, i cili në mesin e vitit 2021 e miratoi Ligjin për Ndryshimet në Kodin Penal të Bosnjë dhe Hercegovinës, që ndër të tjerave e ndalonte mohimin e gjenocidit dhe lavdet për kriminelët e dënuar, fatkeqësisht nuk e ndaloi paraqitjen e këtyre dukurive. Glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe stimulimi i mohimit të gjenocidit të kryer kundër boshnjakëve është politikë e shumicës qeverisëse dhe dominuese të strukturave opozitare të pushtetit në Republikën e Serbisë dhe entitetit më të vogël serb në Bosnjë, Republika Srpska.
Ata pushtetarë pa dyshim se nuk e pranojnë faktin se në RS, në zonat e vizatuara “të tyre”, jetojnë pjesë më të vogla të pakicave boshnjake dhe kroate. Ata, në çdo mënyrë, veprojnë dhe porosisin se nuk ka jetë të përbashkët dhe se nuk duan të ndërtojnë paqe, por shpërbërje të mëtejshme të shoqërisë boshnjake dhe shkëputje të atij entiteti. Në muajt e fundit, elitat politike nga Serbia dhe Republika Srpska kanë bërë përpjekje të konsiderueshme për ta parandaluar miratimin e Rezolutës për Gjenocidin në Srebrenicës, e cila u votua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Me këtë akt ata e vërtetuan se revizionizmi historik dhe mohimi i gjenocidit janë më të rëndësishëm për ta sesa çdo përballje e sinqertë me të kaluarën dhe ndërtimi i paqes në rajon.
Ata as sot e kësaj dite nuk i braktisin idetë separatiste dhe “qëllimet strategjike”. Injorimi i vendimeve dhe qëndrimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, injorimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe i veprimeve antikushtetuese, mospërfillja dhe mohimi i sovranitetit të Bosnjë dhe Hercegovinës, lavdërimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe festimi i “9 janarit 1992”, janë vetëm disa nga aktivitetet të cilët i organizojnë, i zbatojnë dhe i mbështesin strukturat politike të Republika Srpska-s brenda entitetit boshnjak, edhe atë me një rol të fuqishëm dhe vendimtar të Beogradit zyrtar.
*Autori është drejtor në Institutin për Hulumtimin e Krimeve Kundër Njerëzimit dhe të Drejtës Ndërkombëtare, Universiteti i Sarajevës.