Politika e Zogut, sidomos politika e jashtme e tij, mund të gjykohet në mënyra të ndryshme. Megjithatë, duhet të pranojmë se Parimi themelor i politikës së Zogut ishte “piemont i çështjes shqiptare ishte Shqipëria dhe jo Kosova”. Parë në aspektin se çfarë bëri Zogu për të krijuar një politikë prokosovare, duket se karakterizohet nga një dimension i zbehtë, por shikuar nga aspekti s çfarë bëri për Shqipërinë për ta shpëtuar nga kundërthëniet e brendshme, për krijimin e një shteti modern, për frenimin e helenizimit të jugut të Shqipërisë, duket se ai dha dëshmi të fuqishme shqiptarizmi në politikën e vet.
Lush CULAJ, Prishtinë
Në vitet e para pas rikthimit, politika e Zogut synonte fillimisht konsolidimin e regjimit të tij, që për situatën në ato vite do të thoshte konsolidimin e shtetit të brishtë shqiptar. Shqipëria, në kuadër të kësaj politike, u bë strehë për emigracionin politik kosovar të çdo niveli gjatë viteve 1925-1939. Më 1 shtator 1928 Zogu u shpall Mbret i Shqiptarëve. Qeveria jugosllave u përpoq që ai ta ndërronte titullin e tij në “Mbret i Shqipërisë”, por pa sukses. Kurorëzimi “Mbret i Shqiptarëve” dhe jo “Mbret i Shqipërisë”, që u referohej edhe shqiptarëve që jetonin jashtë kufijve të shtetit shqiptar, shkaktoi reagime të ashpra në qeverinë e Beogradit, e cila shihte pretendimet për t’i përfshirë nën kurorën e tij popullsinë dhe territoret shqiptare që ndodheshin në kuadër të Jugosllavisë.
Zogut iu bë presion i hapur, por i pasuksesshëm. Pasi u bind se nuk ka mbështetje ndërkombëtare, Beogradi u detyrua ta pranonte titullin e mbretit, i cili me asgjë nuk dallonte nga ata që i bartnin homologët e tij në Ballkan e gjetiu. SHBA-ja ishte ndër të parat që e njohu Zogun për mbret. Para së gjithash, Zogu arriti njëfarë uniteti të vendit, duke krijuar rend nga anarkia, por edhe pushteti i tij karakterizohej nga korrupsioni dhe nga papërgjegjësia. Atdhetarët shqiptarë, e madje edhe Mbreti vetë, e shihnin rrezikun që u kanosej nga fqinji i fuqishëm përtej Adriatikut, por rrethanat politike i detyronin të kishin një aleat të tillë. Nga ana tjetër, Jugosllavia mbante të pushtuara shumë treva dhe bashkatdhetarë tanë dhe prapë as kjo nuk i mjaftonte. Ata në vazhdimësi ngritën kurthe dhe turbullira në Shqipëri.
Politika e Zogut, sidomos politika e jashtme e tij, mund të gjykohet në mënyra të ndryshme. Megjithatë, duhet të pranojmë se Parimi themelor i politikës së Zogut ishte “piemont i çështjes shqiptare ishte Shqipëria dhe jo Kosova”. Parë në aspektin se çfarë bëri Zogu për të krijuar një politikë prokosovare, duket se karakterizohet nga një dimension i zbehtë, por shikuar nga aspekti s çfarë bëri për Shqipërinë për ta shpëtuar nga kundërthëniet e brendshme, për krijimin e një shteti modern, për frenimin e helenizimit të jugut të Shqipërisë, duket se ai dha dëshmi të fuqishme shqiptarizmi në politikën e vet.
Shumë studiues të historiografisë shqiptare i përmbahen mendimit se Zogu i ka luftuar nacionalistët shqiptarë të lidhur me Kosovën deri në eliminim fizik. Në fakt, historia e atentateve politike në jetën e shqiptareve të viteve 20-30-të është shumë e diskutueshme. Mund të besohet se Zogu i ka llogaritur ato si mjete mbijetese, kështu që ai u është kundërpërgjigjur qartë dy herë atentateve, pas atentatit që ia bënë më 1923 para Kuvendit dhe pas atentatit që ia bënë në Vjenë më 1931. Në të dyja rastet ai ka qenë një hakmarrës i suksesshëm. Vrasja e Hasan Prishtinës është më e komentuara dhe më e dhimbshmja për nacionalistët kosovarë. Ai përpiqej që përmes atentateve ta likuidonte Zogun. Megjithatë, likuidimi i Hasan Prishtinës më 14 gusht 1933, u krye nëntë vite pas rikthimit të Zogut, kur ai e kishte bukur të konsoliduar pushtetin e brendshëm. Vrasja u krye në momentin kur marrëdhëniet shqiptaro-italiane ishin në acarim të plotë dhe ai, si udhëheqës i nacionalizmit shqiptar, mund të llogaritej nga Qeveria e Italisë si zëvendësues i mundshëm i Ahmet Zogut në Tiranë. Por, që synimi kryesor i Ahmet Zogut ishte stabilizimi i pushtetit dhe jo thjesht antipatia ose armiqësia për individë të caktuar, kjo provohet jo vetëm nga qëndrimi i tij ndaj lobit proitalian (rastet e M. Libohovës, Sh.Vërlacit, H. Prishtinës, etj.), por edhe nga veprimet ndaj lobit projugosllav në Shqipëri.
Duke mos e harruar edhe barrën e problemit të pazgjidhur kombëtar, që rëndonte mbi qeveritë e Zogut me dekretet që nxorën për vëllezërit e tyre, do të bënin që t’iu lehtësohet vuajtja mijëra muhaxhirëve të përzënë nga tokat e tyre në këtë shtet. Dekreti për dhënie tokash, si dhe ndihma në franga ari, do të fliste shumë. Legjislacioni i viteve 20-30-të, posaçërisht ai i periudhës pas vitit 1925 (Rregullore për zbatimin e ligjit mbi instalimin e emigrantëve dhe të bujqve në tokat shtetërore, 1925), i detajuar veçanërisht në Ligjin mbi Reformën Agrare të vitit 1930 (dekretuar më 3 maj 1930) dhe në Dekretligjin mbi Vendosjen e emigrantëve të vitit 1931 (2 shtator 1931) në zbatimin e së cilës (në krye të Drejtorisë për Instalimin e Emigrantëve) u caktua pikërisht një shqiptar nga Kosova, Sali Vuçiterna, ish-ministër i Punëve Botore në dy qeveri (në Qeverinë e A. Zogut, 11.05-1.09.1928 dhe të K. Kotës 5. 9. 1928-5.3.1930), ishte një dëshmi e synimit dhe e përpjekjeve të sipërpërmendura, që u konkretizua me sistemimin kryesisht në toka-prona të shtetit shqiptar, në Prefekturat e Fierit dhe Durrësit, të mijëra familjeve nga Kosova e vise tjera shqiptare në Jugosllavi, përkatësisht të mbi 20.000 të shpërngulurve nga viset shqiptare në Jugosllavi. Në vitet ’30-të, vëmendja ndaj elementit shqiptar në Jugosllavi nuk u shkëput për asnjë moment.
Qëndrimet e shtetit shqiptar, në veçanti të Ministrisë së Punëve të Jashtme, për trupin diplomatik që të hynte në lidhje dhe të përkrahte emigrantët kosovarë, e deri takimet e vetë Zogut në vitet 1930-të, 1933 etj. me krerë kosovarë, gjegjësisht emigrantë, si p.sh. me Bedri Pejanin etj., ose pritja e një delegacioni të lëvizjes kosovare në vitin 1933 dhe oferta për bashkëpunim “për hir të atdheut” etj., dëshmojnë rritjen e përpjekjeve të qeverive të Shqipërisë së asaj periudhe në të mirë të çështjes së Kosovës, duke rritur edhe bashkëpunimin me të gjithë elitën politike kosovare, brenda ose jashtë Jugosllavisë, që ishte e gatshme për një gjë të tillë. Aleanca jo fort e dukshme midis Tiranës zyrtare dhe Komitetit të Kosovës në këtë periudhë vërehet, ndër të tjera, edhe në rolin jo të vogël të Qeverisë shqiptare për botim në Konstancë (Rumani) të gazetës “Kosova” (nga maji 1932-qershor 1933) si një organ për ta sensibilizuar opinionin për çështjen e Kosovës, e gjithashtu në aktivizimin e Bedri Pejanit në delegacionet jozyrtare shqiptare në disa konferenca ballkanike etj. Edhe kjo është një dëshmi e fuqishme e mbështetjes së elementit kosovar dhe çështjes së Kosovës.
Përmendim, për shembull, rastin e tre klerikëve katolikë të arratisur nga Jugosllavia, Shtjefën Kurtit, Gjon Bisakut dhe Luigj Gashit, pas vrasjes atje të At Shtjefën Gjeçovit, si dhe dërgimin prej tyre më 1930 në adresë të sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, Erik Drynondit, të një promemorieje të detajuar për gjendjen e rëndë të shqiptarëve atje etj.
Personalitete të ndryshme nga Kosova, në këtë kuadër, që plotësonin kriteret e cilësive dhe natyrisht që ishin besnikë e dëshironin të shërbenin në administratën e Shqipërisë u emëruan në poste të ndryshme civile e ushtarake (mund të evidentohen rastet e Sali Vuçiternit, nipit të Isa Boletinit, Tafil Boletini etj.) dhe patën detyra me rëndësi në administratën shqiptare. Të tjerët, si Ali Riza Kosova, Hysni Peja, Mehmet Delia etj., patën detyra po kaq të rëndësishme në ushtrinë e xhandarmërinë shqiptare etj. Në këtë kuadër, personalitete të elitës shqiptare nga Kosova, që jetonin në Jugosllavi, patën mbështetje në mënyrë të ndryshme nga qeveritë shqiptare. (Rasti i Ferhat Dragës, i cili familjarisht ishte i garantuar se do të kishte përkrahjen e Shqipërisë, madje edhe financohej për të mos u penguar në përpjekjet për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Jugosllavi). Këtë e dëshmon edhe Ambasada e Shqipërisë në Beograd më 23 mars 1936, e cila i raportonte ministrit të Jashtëm, Asllani, se Ferhat Draga, për shkak të mosdërgimit të shpërblimeve mujore të caktuara me kohë, ndodhej në një gjendje të vështirë financiare. “Duke marrë parasysh shërbimet me plot rreziqe që është duke kryer, ju lutemi të keni mirësinë dhe të ndërmjetësoni ku duhet për dërgimin e pagesës për shërbimet e muajve janar-mars 1936.” Në të njëjtën periudhë kohore, raportet mes mbretit Zogu dhe Mustafa Ataturkut nuk ishin të mira. Ferhat Draga u nxit nga shteti shqiptar që të shfrytëzonte lidhjet personale për të dërguar deri në kabinetin e Ataturkut shqetësimin e shqiptarëve për Konventën e njohur turko-jugosllave të shpërnguljes së vitit 1938. Kjo përpjekje diplomatike e pati efektin e vet, sepse u mor premtimi nga Ataturku se do të ndikonte që ajo Konventë të mos ratifikohej dhe shqiptarët të mos dëboheshin prej saj.
Vlen për t’u theksuar se në gjysmën e dytë të viteve 30-të, veçanërisht gjatë vitit 1938, vit i cili në arenën ndërkombëtare karakterizohet nga lakimi gjerësisht i çështjes së minoriteteve dhe të drejtave të tyre (kulmi i trajtimit, pavarësisht nga spekulimet e shteteve fashiste, u bë në mbledhjen e Munihut), Zogu e shfrytëzoi edhe interesimin italian për ta gjallëruar irredentizmin te shqiptarët dhe i la hapësirë rigjallërimit të Komitetit të Kosovës në Shqipëri, pa llogaritur aktivizimin në këtë drejtim të nëpunësve të tij të besuar me origjinë nga Kosova.
Qëllimi i shtetit shqiptar për ruajtjen e Kosovës shqiptare, në pritje të koniunkturës së favorshme ndërkombëtare, që do të lejonte korrigjimin e padrejtësive të bëra në forumet ndërkombëtare të njohura të viteve para e pas Luftës së Parë Botërore, e përcaktoi edhe veprimtarinë diplomatike dhe ekonomike të qeverive shqiptare të viteve 20-30-të, veçanërisht të periudhës 1925-1939, për të penguar shpërnguljen e shqiptarëve nga viset e veta në Jugosllavi. Këtu do të duhej përmendur veprimtaria e përfaqësive diplomatike shqiptare, veçanërisht në Shkup – kryekonsullata, në Manastir – konsullata, në Beograd – ambasada, në Selanik – konsullata, në Stamboll etj.
Mbretëria Shqiptare dha kontribut të çmuar në favor të çështjes kombëtare për Kosovën edhe në fushën e arsimit. Mund të vlerësohet pa hezitim që politika e sipërpërmendur e diplomacisë shqiptare, e drejtuar nga Mbreti Zog, por edhe e dikastereve të tjera të qeverisë shqiptare në favor të elementit shqiptar në Jugosllavi, ishte për t’u vlerësuar lart. Edhe përkundër mundësive të kufizuara që kishte në periudhën në fjalë, shteti shqiptar u përpoq të ndikonte për ta frenuar politikën e spastrimit etnik në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare në Jugosllavi, për t’u ardhur në ndihmë familjeve të shpërngulura, për të arsimuar dhe formuar me ide kombëtare elemente të brezit të ri kosovar, si dhe për të kultivuar sa më masivisht në viset shqiptare nën sundimin e huaj ndjenjat më të mira për “shtetin amë” dhe besimin se ai nuk i kishte braktisur.
Në periudhën midis dy luftërave botërore, çështja e Kosovës dhe e trevave të tjera shqiptare në Jugosllavi vazhdoi të jetë gjithmonë e gjallë dhe e pranishme, si për shkak të ruajtjes së strukturës etnike shqiptare në këto territore, e që i dallonte ato në mënyrë të dukshme nga popullata sllave e shtetit jugosllav, ashtu edhe të këmbënguljes së shqiptarëve për të realizuar aspiratat e tyre për t’u çliruar nga zgjedha e huaj e për t’u bashkuar me shtetin e pavarur shqiptar. Zogu ishte një politikan brilant dhe një patriot kontribuues deri në vitin 1924. Më pas e bjerri patriotizmin dhe shkëlqimin duke i zëvendësuar këto tipare me cilësitë e një burri të vërtetë shteti nga viti 1924 e deri më 1933. Pas vitit 1936 filloi rënia e tij. Nëse shihet më me vëmendje, duket sikur në fund të viteve ’30-të, pavarësisht kërcënimit italian, Zogu e kishte konsumuar suksesin qeverisës. I kishte mbetur pak nga frymëzimi i rinisë, i ishte zbehur idealizimi që e kishte bërë djaloshin e ri faktor për krijimin e shtetit shqiptar.
Italia dhe Jugosllavia do ta kenë të përbashkët politikën e nënshtrimit ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, me të vetmin ndryshim se Roma shtrirjen e saj në hapësirën shqiptare e lidhte me qenien e shtetit shqiptar të mbikëqyrur prej saj, ndërsa Beogradi synonte copëtimin e Shqipërisë në shumë pjesë, në mënyrë që ai të mos bëhej fare, sepse vetëm ashtu ndihej e sigurt. Gjithashtu mund të konkludohet se Italia e dëshironte një Shqipëri nën tutelën e saj të plotë, por nuk kishte plane për t’i zhdukur shqiptarët nga etnia e tyre siç kërkonte dhe vepronte Beogradi. I vetëdijshëm për rolin dhe rëndësinë e Italisë dhe të Jugosllavisë për çështjen shqiptare, si dhe për mundësitë e ndikimit të saj prej tyre, por po ashtu i vetëdijshëm se për t’u mbajtur dhe mbrojtur kishte përherë “xhokerin” tepër të fuqishëm anglez, të siguruar nga koncesionet që u kishte dhënë firmave britanike në fushën e naftës dhe të resurseve të rëndësishme natyrore të vendit, Zogu do të sillet me shkathtësi dhe natyrisht për të nuk ishte punë e lehtë pa vështirësi. Por, cilat veprime mund të konsiderohen jonacionaliste dhe cilat nacionaliste që i përshkruhen politikës të Zogut?
Veprime dhe sjellje politike të regjimit zogist kundër nacionalizmit shqiptar në burimet e shkruara shqipe konsiderohen: ngritja kundër qeverisë së Hasan Prishtinës, ngase asaj i frikësoheshin se do t’i fuste në luftë me Jugosllavinë (1921); përpjekja për heqjen e mandatit të deputetëve të Kosovës nga grupi parlamentar i tij më 1921; braktisja e çështjes së Kosovës për shkak të normalizimit të marrëdhënieve me Jugosllavinë (1922); shkarkimi i nëpunësve kosovarë nga administrata shtetërore pas protestave jugosllave (1923); zhbërja e Zonës Neutrale të Junikut (1921-1923) në bashkëpunim me ushtrinë serbe, me sugjerimin ndërkombëtar dhe për hir të qetësisë në Shqipëri; ndihma për kthimin në pushtet nga qeveria jugosllave (1924) ndonëse sinjali erdhi nga Anglia; ndërprerja e veprimtarisë së Komitetit të Kosovës, ndonëse ai në një formë ishte jofunksional (1925); kërkimi i ndihmës ekonomike nga Serbia (1925). Profili jonacionalist i presidentit Zogu, e më vonë i Mbretit Zog, është zanafilla e gati të gjitha pushteteve politike në Shqipëri ndaj çështjes kombëtare.
Mirëpo, pavarësisht klasifikimit të zogizmit si vijë e antinacionalizmit shqiptar, për çfarë mund t’i bëhen dhe i janë bërë vërejtje të shumta, për t’i vlerësuar dy anët e medaljes duhet vlerësuar veprimet politike zogiste që përkojnë me logjikën e nacionalizmit shqiptar, si: rezistenca e armatosur ndaj ushtrive pushtuese serbe më 1913; kontributi për mbajtjen dhe mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës 1920; futja e qytetit të Shkodrës nën administratën e Qeverisë së Lushnjës; kontributi në protestën dërguar Konferencës së Paqes në Paris, ku kërkohej Shqipëri etnike; lufta kundër intervencionit jugosllav më 1920; mashtrimi i jugosllavëve më 1925; neni i pestë i paktit sekret me Italinë më 1925: “Nëse operacionet e përbashkëta (shqiptaro-italiane kundër Mbretërisë SKS) do të përfundojnë me marrje të kompensimeve territoriale, Italia detyrohet t’ia japë Shqipërisë territoret e banuara me popullsi në të cilat shumica flet shqip”; protesta në Lidhjen e Kombeve ndaj caktimit të kufijve me Greqinë për shkak të njëanshmërisë në dëm të Çamërisë më 1925; demaskimi i kundërshtimit të politikës projugosllave të dhëndrit të tij, Cena Beu, më 1927; caktimi i mëvonshëm i përfaqësuesve diplomatikë në Beograd, të dëshmuar kombëtarisht, si Rauf Fico, Tahir Shtylla etj; këmbëngulja e përhershme për reciprocitet marrëdhëniesh me Greqinë dhe letra drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve lidhur me këtë problem në prill 1928; ngritja e po këtij problemi në Këshillin e Lidhjes së Kombeve në qershor 1928, ku qeveria zogiste paralajmëroi për reciprocitet sjelljen e njëjtë ndaj minoritetit grek në Shqipëri; emërtimi “Mbret i Shqiptarëve”, trajtimi i emigrantëve kosovarë dhe çamë shumë mirë në suaza të mundësive, ngritja e çështjes së minoriteteve shqiptare në Jugosllavi dhe Greqi në konferencat ballkanike, etj. Gjithashtu, brenda Shqipërisë Zogu kultivoi një frymë nacionaliste dhe një edukatë kombëtare që ndikoi në vendosjen e Kosovës në memorien historike të shqiptarëve si një pjesë natyrale e kombit shqiptar.
Ahmet Zogu dëshironte të shfaqej si një mbret perëndimor dhe nuk mund të mohohet se ai e synonte sinqerisht një oksidentalizëm të vendit të tij. Bashkëkohësi, kundërshtari dhe përfaqësuesi diplomatik i tij në SHBA, Faik Konica, do të shprehej për të: “Pavarësisht se a e duam apo e urrejmë, Zogu mbetet një karakter çuditërisht enigmatik, gjysmëhero dhe gjysmëpalaço, i cili për një kohë të gjatë do të jetë tërheqës si për koleksionarin e çudirave historike, si për studiuesin e psikologjisë”. Ndërkaq atë Zef Pllumi, një person që i jetoi të dy regjimet do të theksonte: “Regjimi i Zogut ishte më i miri i regjimeve të këqija në Shqipëri.”
Përfundim: më 1 shtator 1928 Zogu u shpall Mbret i shqiptarëve. Qeveria jugosllave u përpoq që Zogu ta ndërronte titullin e tij në “Mbret i Shqipërisë”, por pa sukses. Zogu ishte frymëzuesi dhe shpirtdhënësi i Shqipërisë moderne. Shteti shqiptar, gjatë viteve 1925-1939, u bë strehë për emigracionin politik kosovar të çdo niveli. Qeveritë e Zogut përpiqeshin ta mbanin të gjallë frymën kombëtare atje dhe të pengohej, sa të ishte e mundur, politika e terrorit, e shpronësimit, e shpërnguljes dhe e kolonizimit sllav të viseve shqiptare. Zogu ishte një politikan brilant dhe një patriot kontribuues deri në vitin 1924. Më pas, nga viti 1924 e deri më 1933, e bjerri patriotizmin dhe shkëlqimin duke i zëvendësuar këto tipare me cilësitë e një burri të vërtetë shteti. Pas vitit 1936 filloi rënia e tij.