loader image
September 28, 2025

Nevoja për vështrim më objektiv të Ahmet Zogut

Fakti se Ahmet Zogu dhe dinastia e tij gëzon respekt nga shqiptarë që dallojnë shumë mes vete ose që për çështje të caktuara kanë mendime direkt të kundërta, është një dëshmi për natyrën poliedrike të figurës së Ahmet Zogut dhe po ashtu dëshmon se përse është e gabuar, nga pikëpamja shkencore, që të mbështetet tërësisht, e në veçanti jo të hidhet tërësisht poshtë figura e tij.

Rilind DAUTI, Shkup

Te lënda e historisë në arsimin shqip në Maqedoni të Veriut, pa dyshim, se mësohet edhe historia e shqiptarëve, megjithatë kur dihet se bëhet fjalë për arsimin publik që zbatohet në shtetin maqedonas, është e kuptueshme që përparësi do të ketë historia e Maqedonisë, ndërsa ajo e Shqipërisë nuk mësohet aq detajisht krahasuar me atë që e mësojnë nxënësit në Republikën e Shqipërisë. Kjo “mangësi” reflektohet edhe në njohjen e pamjaftueshme të periudhës midis dy luftërave botërore në shtetin e pavarur shqiptar, e që në masë të konsiderueshme si aktor politik e ka Ahmet Zogun. Megjithatë, një pjesë të mungesës në lëndën e historisë e mbulon lënda e Gjuhës dhe letërsisë shqipe, sepse pikërisht gjatë sundimit të tij u zhvillua letërsia e realizmit dhe, për më tepër, (keq)sundimi i tij shërbente si frymëzim për disa vepra letrare. Kështu, e kemi Migjenin me poezitë dhe tregimet ku përshkruhej fukarallëku i masave të gjera të shqiptarëve gjatë sundimit të Zogut, e mbi të gjitha e kemi rivalin e ashpër të Zogut, Fan Nolin, me poezitë e tij politike dhe satirike. Kur jemi te Noli, një nga tiparet që mësohet për poezitë e tij është shërbimi me orientalizma, si: “syrgjyn vdekur”, “o Bajram, bajrak i gjallë”; “vaj vatani e mjerë mileti”, “dridhet beu e zengjini”… Dhe, dy vargje që janë më relevante për këtë punim: “Triumfon Legaliteti/Dhe Laneti.”

Për ata që vetë janë më të dhënë pas historisë, “Legaliteti” është term i njohur për lëvizjen e besnikëve të Mbretit Zog gjatë Luftës së Dytë Botërore, por fakti se ky term edhe më herët qenka përdorur në kontekst të mbështetjes për të, me të vërtetë përbënte befasi. Por, siç thamë, ashtu si edhe vetë periudha e shtetit shqiptar nga 1918-1939, e mbushur me plot ngjarje, edhe aspekteve që kanë të bëjnë me figurën e Ahmet Zogut nuk u jepet kushedi sa vëmendje në arsimin publik për nxënësit shqiptarë në Maqedoni të Veriut.

Sidoqoftë, mungesën e njohurive nga arsimi formal në RMV, shqiptarët e këndejmë e zëvendësojnë përmes formave të tjera, siç janë librat e historisë, dokumentaret e emisionet debative në televizionet e Tiranës, madje edhe edicionet e veçanta të lajmeve, që mbulohen edhe me pjesëmarrjen e ndonjë mysafiri që është më i njoftuar me atë çështje. I këtillë ishte rasti i kthimit dhe rivarrimit të eshtrave të Ahmet Zogut në Shqipëri në vitin 2012, kur shpesh përflitej termi “rehabilitim”, që për ne këndej kufirit të imponuar ishte mësim se deri më tani figura e tij paska qenë e anatemuar, prandaj dhe tani po rehabilitohet. Pikërisht në një transmetim të tillë, një analist i ftuar shpesh në televizionet e atjeshme, siç është Artan Hoxha, e tha edhe një vlerësim mjaft të arsyeshëm edhe për ngjarjen antizogiste, që me atë term njihet edhe tek shqiptarët në Prishtinë dhe Shkup: që i ashtuquajturi “revolucion demokratik” i Nolit ishte thjeshtë një grushtet. Po ashtu, fakti se rikthimit të eshtrave të Zogut dhe rehabilitimit të figurës së tij i printe qeveria e Sali Berishës, PD-ja dhe analistët e afërt me të, ndërsa e majta nuk tregonte ndonjë mbështetje për këto procese, ishte edhe një mësim për ne këndej kufirit. që nuk jemi të njoftuar me të gjitha detajet e dallimeve mes ideologjive të ndryshme në shtetin shqiptar, që atje figura e Ahmet Zogut është një nga dallimet mes së djathtës dhe të majtës.

Nga një rast edhe më aktual ishte cirku medial i mbulimit dhe komentimit të mosmarrëveshjeve martesore të pretendentit aktual të fronit dhe (ish) bashkëshortes së tij. Përskaj ngazëllimit me fatkeqësinë e tjetrit dhe tonit përqeshës që ja “edhe në një familje mbretërore ndodhin përleshje të tilla mes çiftit”, nga mbulimi medial rastisi të mësohet edhe një detaj interesant për monarkinë e Zogut. Një ekspert i familjes mbretërore tregoi se martesa e princit aktual me një grua shqiptare është diçka që bie ndesh me traditën e familjes mbretërore shqiptare, sepse në kohën e Ahmet Zogut qenka vendosur një rregull që djemtë e familjes mbretërore mund të martohen vetëm me gra të huaja. Arsyeja për këtë është se familja mbretërore u takon të gjithë shqiptarëve dhe i biri i mbretit të gjitha gratë shqiptare i ka motra! Ndonëse familjet e tjera europiane gjithashtu kanë ndalesa për martesa, si ajo kundër martesave morganatike (të një fisniku me një person të rëndomtë), ai rregull që e paska vendosur familja mbretërore në kohën e Ahmet Zogut përbën një rregull skajshmërish të çuditshëm, për mos të thënë pretencioz, që është vështirë për t’u besuar se edhe ulemaja e KMSH-së, që ishte maksimalisht e nënshtruar ndaj mbretit, e ka marrë seriozisht një fiksion të tillë ligjor, ashtu që t’i lejojnë gratë të dalin pa havale para mbretit dhe pasardhësve meshkuj të tij, me të cilët gratë shqiptare e paskan “të ndaluar” martesën.

Përderisa librat, media e shtypur dhe ato radiodifuzive janë të dobishme, sot një dallim tepër të rëndësishëm e bën interneti, qoftë dhe një postim i shkurtër nga ndonjë historian ose kushdo tjetër që e njeh më mirë historinë e Mbretnisë Shqiptare të kohës së Zogut. Në këtë kontekst, duke dashur ta mbrojë patriotizmin e Ahmet Zogut, një zogist e theksonte faktin se Ahmet Zogu nuk ia dha vetes titullin “Mbret i Shqipërisë”, por Mbret i Shqiptarëve, me demek që të përçojë mesazh se është mbret edhe i shqiptarëve të Kosovës dhe viseve tjera. Nuk mohohet se ajo të ketë qenë një ndër arsyet përse Ahmet Zogu ka vendosur për atë formulim dhe që për dallim nga rregulli i lartpërmendur për martesat, një formulim i tillë për titullin e mbretit kishte precedent në Europë, duke i cilësuar si monarki popullore (p.sh., si sot e kësaj dite që mbreti në Bruksel quhet “Mbreti i Belgëve” e jo i Belgjikës), por shumë më shumë se titulli i tij “Mbreti i Shqiptarëve”, konsiderata e Ahmet Zogut për shqiptarët jashtë kufijve të imponuar ishte riintepretimi specifik i traditës së monarkive europiane, ku trashëgimtari i fronit njihet si princi ose princesha e një territori specifik të shtetit, si te monarkia britanike që është Princi i Uellsit. Ndërkaq te rasti i monarkisë së Zogut, trashëgimtari i fronit e kishte titullin e një territori që monarkia në fjalë nuk kishte sovranitetit mbi të, më saktë, trashëgimtari i fronit e kishte titullin “Princi i Kosovës”.

Përskaj “Legalitetit” dhe zogistëve tjerë në Republikën e Shqipërisë, interneti e ka zbuluar tek shqiptarët në Maqedoninë e Veriut një popullaritet të çuditshëm për dinastinë zogiste te ithtarët e paktë të të ashtuquajturës Republika e Iliridës (p.sh. i sheh duke e bërë atë përshëndetjen zogiste me dorën në gjoks) dhe hetohet një romantizim më i kuptueshëm për sundimin e Ahmet Zogut tek shqiptarët në RMV, që kanë qëndrim negativ mbi rolin e Islamit tek shqiptarët, kurse sundimi i Ahmet Zogut në Mbretninë Shqiptare perceptohet me pozitivitet, diçka siç e perceptojnë kemalistët qeverisjen laicizuese të Ataturkut në Republikën e Turqisë. (Siç është ndalesa e ferexhesë, që u bë nga të dy këta udhëheqës në shtetet përkatëse.)

Nga ana tjetër, pikërisht fakti se sundimi i Ahmet Zogut përfshin edhe transformime shoqërore me uljen e rolit të fesë islame, e bën të pazakontë romantizimin e sundimit të tij dhe rritjen e popullaritetit për Zogun te shqiptarët në Republikën e Shqipërisë, tek të cilët Islami luan rol jetësor dhe identitar. Arsyet për këtë duhet të shpjegohen nga ata që mbajnë një qëndrim të tillë, por një hamendje e bazuar është ndjenja e të qenit të papërfaqësuar nga klasa aktuale politike, që e stis identitetin musliman të shqiptarëve, ndërsa Ahmet Zogu i bën krenarë thjesht sepse ishte i pari dhe i fundit mbret musliman i shqiptarëve i cili, përpos vetes, i promovonte edhe motrat e tij me emra tipikë muslimanë (princeshat Senije, Ruhije, Maxhide dhe të tjerat). Po ashtu, nga koha më e afërt me ne, qarkullon një video-incizim nga viti 1997 i trashëgimtarit të Ahmet Zogut, Princit Leka, që përshëndetjes islame të një hoxhe i përgjigjet me plot gojë “alejkum selam”, gjë që është e paimagjinueshme të bëhet nga ndonjë zyrtar i sotëm shqiptar.

Cilado të jetë arsyeja, fakti se Ahmet Zogu dhe dinastia e tij gëzon respekt nga shqiptarë që dallojnë shumë mes vete ose që për çështje të caktuara kanë mendime direkt të kundërta, është një dëshmi për natyrën poliedrike të figurës së Ahmet Zogut dhe po ashtu dëshmon se përse është e gabuar nga pikëpamja shkencore që të mbështetet tërësisht, e në veçanti jo të hidhet tërësisht poshtë figura e tij.

Nga koha relativisht e gjatë e të qenit aktor i rëndësishëm politik (edhe para se të bëhet mbret), janë disa gjëra që i merren për mëkat dhe përsëriten pa u analizuar në mënyrë kritike. Një nga ato e që është në veçanti kontestuese për Ahmet Zogun tek shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, të cilët më së shumti e kanë ndjerë pushtimin serb, është argumenti se Ahmet Zogu erdhi në pushtet me ndihmën e serbëve. Por, edhe po të jetë kështu, atëherë çfarë të themi për komunistët e Enver Hoxhës, që edhe nëse marrja e pushtetit prej tyre nuk mund t’i atribuohet ndihmës së sivëllezërve serbë dhe malazezë, është e ditur se afërsia e komunistëve shqiptarë me ata jugosllavë u reflektua maksimalisht në mënyrë negative për shqiptarët e Maqedonisë dhe Kosovës. A thua “borxhi” i Ahmet Zogut ndaj serbëve që e paskan sjellë në pushtet ka qenë më i dëmshëm për shqiptarët këndej kufirit sesa, fjala bie, Masakra e Tivarit, ëë ishte vetëm një episod nga dëmet e shumta që ua solli shqiptarëve të kësaj ane aleanca e komunistëve të Enver Hoxhës me shokët ideologjikë serbë, malazezë dhe maqedonas?

Po ashtu si ngjarje e lidhur me Luftën e Dytë Botërore, ndonëse ka ndodhur pak më herët se fillimi zyrtar i saj, është ikja e Ahmet Zogut nga Shqipëria si rezultat i pushtimit italian më prill 1939. Sado që në shikim të parë kjo duket qyqarllëk, kështu kanë vepruar shumica e monarkëve europianë kurshteti i tyre pati fat të njëjtë. Nga monarkitë e shumta që më 1940-1941 u pushtuan nga Gjermania hitleriane, nëpër kryeqytetet përkatëse ngelën vetëm Mbreti i Danimarkës dhe Leopoldi famëkeq i Belgjikës, që pas bëmave në Kongo, turpit të tij ia shtoi edhe bashkëpunimin me okupatorin nazist. Ndërkohë, ishin edhe plot 5 monarki të tjera që familjet mbretërore iu evakuuan jashtë shtetit si rezultat i pushtimit gjerman: Norvegjia, Nederlanda, Luksemburgu, Greqia dhe Jugosllavia. Përpos Karagjorgjeviqëve të kësaj të fundit, të gjitha familjet mbretërore u rikthyen pas luftës dhe ikja gjatë luftës nuk iu mor si arsyetim për delegjitimim të sovranitetit në shtetet përkatëse, siç i merret kjo Ahmet Zogut. Madje, shumë shqiptarë për diskreditim të Zogut e përmendin edhe detajin që kur ka ikur nga Shqipëria, e paska marrë me vete një arkë të mbushur me flori. E çka është dashur të bëjë? T’ua lërë pushtuesve italianë që ta marrin si plaçkë lufte?!

Sado që është e pakontestueshme se italianët ishin pushtues, shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoni e kanë një përvojë pozitive nga ajo kohë, sepse pikërisht nën protektoratin italian, më 1941, Mbretnija Shqiptare u zgjerua që të përfshijë pjesë të shumta të tokave të banuara me shqiptarë në Kosovë dhe Maqedoni. Por, kjo periudhë zgjati shkurt dhe si rezultat i afërsisë së komunistëve shqiptarë me ata jugosllavë, më 1944, Tokat e Lirueme ranë sërish nën Jugosllavi. Nga ana tjetër, sado që për nga sasia janë të pakrahasueshme, hera e parë dhe e fundit që në mënyrë të përhershme shteti shqiptar e zgjeroi sipërfaqen nga ajo e caktuar më 1913 ishte më 1925 kur Republika Shqiptare nën Ahmet Zogun e shkëmbeu Manastirin e Shën Naumit për shumëfish më shumë territor rreth Liqenit të Ohrit. Por, çuditërisht, këtë këmbim territoresh ku dukshëm më shumë ka fituar shteti shqiptar shumë shqiptarë ia marrin për kusur Ahmet Zogut! Sipas logjikës së tyre, një manastir me emrin e një shenjtori sllav vlen më shumë se toka pjellore, burimi me ujë të pijshëm, vija më e gjatë në Liqenin e Ohrit që mundëson më shumë peshkim dhe turizëm veror, pozita më e mirë për mbrojtjen e kufirit, si edhe popullsia aktive që i paguan tatim shtetit shqiptar!

Për arritjet, huqjet, gabimet ose dështimet e Ahmet Zogut nevojitet studim objektiv, duke e kontekstualizuar në rrethanat e kohës dhe nëse në ato rrethana ka mundur të bëjë diçka më mirë dhe më shumë. Për shembull, një nga arritjet më të befasishme në Mbretninë Shqiptare të Ahmet Zogut është transporti komercial ajror brenda Mbretërisë! Në shikim të parë një arritje e jashtëzakonshme e modernizimit, por të tjerë mund ta relativizojnë se ata që kanë mundur t’ia lejojnë vetes një luks të tillë ishin të paktë, ndërsa masat e gjera të shqiptarëve mbijetonin në mjerim të skajshëm.

Nga koha e Zogut kanë mbijetuar pamjet e tij me uniformë, shpatë dhe medalje, siç bëjnë mbretërit europianë, si dhe foto e incizime nga ato ballot mbretërore që edhe sot shkaktojnë shkëlqim të syve tek shumë shqiptarë. Por, a thua sa i kishin hije këto pompozitete “a la franga” përderisa në Mbretninë Shqiptare mungonin kushte elementare për mirëqenien e njerëzve? Nga ana tjetër, nëse nisemi nga kjo logjikë, shtrohet pyetja nëse edhe sot duhet të bëhen pritje protokollare e të shtrohen darka shtetërore përderisa vende-vende shqiptarët ende nuk kanë ujësjellës dhe kanalizim! Pradaj për Ahmet Zogun nevojiten vështrime objektive që nuk nisen dhe nuk u përmbahen disa argumenteve të palogjikshme dhe jokonzistente, si edhe klisheve të imponuara nga ideologjia e tejkaluar. Nga ana tjetër, tek zogistët dhe të tjerët, që mahniten me të, nevojitet realizëm më i madh se sa thellë shkonte imazhi i Zogut prej modernizuesi dhe sa realisht meriton admirim mbretërimi i shkurtër në mbretërinë e vogël të tij.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X