loader image
February 13, 2026

Neokolonializmi si erozion i sovranitetit

Sot, një vend mund ta humbasë sovranitetin jo vetëm me tanke dhe ushtri, por edhe përmes borxheve të pashlyeshme, investimeve që dëmtojnë prodhimin vendas dhe kontrollit të burimeve strategjike nga të tjerët. Globalizimi promovohet shpesh si një proces i pashmangshëm bashkëpunimi dhe përfitimi të ndërsjellë të vendeve, por në praktikë funksionon si vazhdimësi e logjikës neokoloniale. Ai ka prodhuar një rend të thellë asimetrik, ku disa shtete vendosin për rregullat e lojës, ndërsa të tjerat detyrohen t’i zbatojnë pa pasur ndikim real në vendimmarrje.

Jyxhel SPAHI, Prizren

Historia e njerëzimit është prekur thellësisht nga proceset e gjata të pushtimeve që kanë filluar shekuj më parë. Edhe pse kohët kanë ndryshuar, këto ndikime vazhdojnë edhe sot, por në forma që nuk dallohen me lehtësi nga të gjithë ne. Këta hapa rezultuan me një sistem të ri botëror në shekullin e 15-të, falë zhvillimeve teknologjike të asaj kohe dhe zbulimeve të reja gjeografike. Të gjitha këto procese janë udhëhequr nga eksploruesit spanjollë dhe portugezë, të cilët zgjeruan impaktin e tyre përtej Europës për të gjetur mundësi të reja tregtare dhe burime të reja pasurie. Kjo periudhë nuk ishte vetëm një epokë zbulimesh, por fillimi i një transformimi rrënjësor, ku toka, pasuritë e ndryshme, madje edhe vetë njerëzit, u trajtuan si mall për t’u shfrytëzuar në shërbim të fuqive perandorake. Më vonë, me fillimin e Revolucionit Industrial në Angli në shekullin e 18-të, u krijuan kushtet për lindjen e kapitalizmit si një sistem ekonomik dominues, i cili nuk synonte vetëm kontrollin e territoreve, por sidomos kontrollin e lëndëve të para dhe tregjeve globale. Në fazat e hershme, kolonializmi u ndërtua mbi forcën ushtarake dhe kontrollin e drejtpërdrejtë administrativ, ku popujt e pushtuar kanë humbur plotësisht sovranitetin dhe burimet e tyre shfrytëzoheshin nga pushtuesit. Sot, kolonializmi klasik ka përfunduar, por është duke u shfaqur me forma të reja, madje edhe më të sofistikuara, e që e ka rritur ndikimin, nën pretekstin e të drejtave të njeriut dhe integrimit global. Nga ana tjetër, fuqitë e mëdha janë duke përdorur ekonominë dhe “fuqinë e butë” për t’i orientuar politikat dhe institucionet e vendeve më pak të zhvilluara. Arsimi, media dhe proceset politike shërbejnë si mjete ndikimi, pa pasur nevojë për prani të fuqisë ushtarake, duke dobësuar në mënyrë graduale sovranitetin e shteteve.

Ky ndryshim i madh u vërejt qartë pas Luftës së Dytë Botërore, që ishte një periudhë kthese ku kolonializimi klasik mori fund, por jo për shkak se dëshira për të kontrolluar të tjerët u zvogëlua, por përkundrazi kjo dëshirë gjeti mënyra të reja për të vepruar. Meqë sundimi me forcë kushtonte shumë, fuqitë e mëdha kaluan drejt një forme kontrolli më të qëndrueshme dhe më pak të dukshme. Ato nuk përdorën më ushtarë, por përdorën fuqinë e parave dhe të tregtisë për të vazhduar pushtetin e tyre mbi ish-kolonitë. Zvogëlimi ose rënia e kolonializmit klasik nuk ishte rezultat i ndonjë qëllimi fisnik që të respektoheshin të drejtat e njeriut ose ndonjë lëvizje çlirimtare. Kur administrimi i kolonive u bë shumë i shtrenjtë, Perëndimi e kuptoi se ishte më e leverdishme të investonte para në ato vende sesa të mbante ushtri. Kështu, edhe pse vendet e kolonizuara fituan pavarësi formale, fuqitë perëndimore arritën ta ruajnë kontrollin përmes neokolonializmit, një sistem që krijon varësi strukturore dhe e reduktonte sovranitetin e shteteve në një formë kryesisht simbolike.

Gjeneza e eksploatimit: Korporatat dhe perandoritë

Për ta kuptuar më mirë këtë fenomen, duhet parë dallimet ndërmjet këtyre kolonive, ngase çdo fuqi e madhe ndoqi rrugën e vet për ta rritur ndikimin mbi shtetet tjera. Britania, ndryshe nga shtetet e tjera, nuk e kishte në plan të parë pushtimin e territoreve sesa ndërtimin e institucioneve dhe marrëdhënieve ekonomike që siguruan kontroll afatgjatë për interesat e Britanisë. Në thelb të kësaj strategjie ishin kompanitë koloniale në bashkëpunim me shtetin, të cilët, përpos detyrës së aktorit tregtar, ishin edhe në rolin e instrumentit politik dhe financiar. Me fjalë të thjeshta, kompanitë dhe shteti kishin bashkuar interesat politike, tregtare dhe financiare nën petkun e kolonializmit. Kjo lidhje e afërt ndërmjet shtetit dhe kompanive i dha kolonializmit një formë që sot kjo shfaqet me fytyra të ndryshme, por më së shumti na shfaqet përmes korporatave ose kompanive ndërkombëtare. Në të kaluarën, këto kompani nuk ishin thjesht operatorë ekonomikë, por ato kishin ushtri, gjykata dhe valutën e vet, duke treguar kështu se kompanitë private shpeshherë, përpos impaktit ekonomik, janë po aq të fuqishme sa që janë vendimtar sa pushteti politik. Shembulli i Belgjikës në Kongo tregon fytyrën më brutale të kolonializmit. Aty, pasuritë natyrore si kauçuku dhe goma u shfrytëzuan përmes terrorit sistematik dhe dhunës ekstreme, me qëllim të furnizimit të industrisë automobilistike europiane që po rritej me shpejtësi në atë kohë. Këto burime natyrore, të përfituara përmes degradimit shoqëror dhe njerëzor të miliona individëve afrikanë, kontribuoi për financimin e projekteve të mëdha infrastrukturore në Europë. Ndërkohë, për popullsinë lokale ajo solli pasoja të rënda dhe plagë të pashëruara që zgjasin edhe sot. Përkundër asaj që kanë ndryshuar metodat e eksploatimit, thelbi mbetet i njëjtë, pra mineralet e çmuara të Afrikës vazhdojnë të jenë themel i mirëqenies së ekonomive të zhvilluara. Ky shfrytëzim brutal nuk ishte thjesht një incident historik, por një strategji e menduar mirë, e cila synonte pasurimin e vendeve të zhvilluara, duke u lënë vendete e kolonizuara të zhytura në varfëri kronike dhe destabilitet.

Në shekullin e 20-të dhe 21-të, hegjemonia nuk është zhdukur në tërësi, por ka marrë një formë të re, duke vazhduar të shohë Lindjen dhe rajonet e pasura me naftë e minerale si vende me potencial shfrytëzimi dhe tregje të gatshme. Revolucioni Industrial i ka mundësuar Europës, e më pas edhe Shteteve të Bashkuara, të hartojnë strategji të dominimit global, duke përdorur epërsinë e njohurive për të zbatuar politika imperialiste që shpesh përfunduan në konflikte botërore. Neokolonializmi i sotëm nuk e shfrytëzon fuqinë ushtarake për të kufizuar sovranitetin e vendeve, por ai shfaqet në forma të tjera që shpeshherë edhe mund të ketë edhe më shumë ndikim sesa kolonializmi klasik. Shtetet mund të duken të pavarura, por vendimmarrja për buxhetin, burimet natyrore dhe zhvillimi i vendit mbeten nën mëshirën e vendeve më të forta, të cilat dita-ditës varfërohen, pavarësisht pasurive që zotërojnë. Në fakt, këtu nuk bëhet fjalë për mungesë zhvillimi, por për një zhvillim të kontrolluar nga të tjerët. Këto vende janë ndërtuar për të funksionuar si vende nga të cilat sigurohen burime të lëndës së parë për tregun global, ndërsa përfitimet reale grumbullohen diku tjetër.

Mekanizmat e varësisë: Borxhi dhe teknologjia

Një nga mekanizmat kryesorë të këtij sistemi modern është rritja e varësisë përmes formave të ndryshme. Njëri nga këto është varësia financiare përmes borxhit ndërkombëtar. Me fjalë të thjeshta, neokolonializmi ka për qëllim të dobësojë ekonomikisht vendet e caktuara, duke përdorur instrumente nën pretekstin e ndihmave për zhvillim, por në të vërtetë kjo krijon varësi afatgjate dhe vështirësi për të kthyer borxhin. Në praktikë, këto kredi, në emër të mbështetjes ose “ndihmës për zhvillim“, shpesh vënë sovranitetin ekonomik të shteteve në një formë varësie të pakthyeshme. Kushtet e këtyre financimeve i detyrojnë qeveritë të zbatojnë politika të hartuara nga të tjerët, duke kufizuar hapësirën e tyre vendimmarrëse dhe duke dobësuar kontrollin për shfrytëzimin e të mirave ose burimeve të këtyre vendeve. Kjo varësi ndaj vendeve më të fuqishme bën që qendra e vendimmarrjes ekonomike të zhvendoset nga institucionet legjitime kombëtare drejt qendrave globale të fuqisë, ku interesat e kompanive ndërkombëtare dhe fuqive të mëdha vendosen mbi nevojat sociale të popullsisë vendase. Borxhi shndërrohet në një prangë që i detyron qeveritë t’i shkurtojnë buxhetet për arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë, duke e orientuar politikën publike pothuajse ekskluzivisht me qëllim të shlyerjes së obligimeve ndaj kreditorëve të huaj. Ndërkohë, kapitali zhvendoset atje ku fuqia punëtore është e lirë dhe kontrolli shtetëror është thuajse minimal, duke e dobësuar kështu gradualisht aftësinë e shtetit për ta mbrojtur mjedisin, sigurinë publike dhe sovranitetin e vet ekonomik.

Sot, neokolonializmi nuk ndien nevojë për fuqi ushtarake, ngase ai shfaq ndikimin përmes teknologjisë, patentave dhe industrisë kulturore. Monopoli mbi teknologjinë dhe shkencën kontribuojnë që vendet periferike (më pak të zhvilluara) të jenë në një prapambetje të kontrolluar, duke e bërë varësinë të duket si zhvillim. Ky dominim pranohet shpesh pa rezistencë, sepse cilësohet si diçka e pashmangshme. Pasojat e neokolonializmit duken në pabarazi të thella, konflikte të vazhdueshme dhe procese të papërfunduara të pavarësisë reale politike. Sipas Kwame Nkrumahut, neokolonializmi funksionon lehtësisht, pikërisht sepse nuk shihet lehtë. Ai krijon një rend ku sovraniteti humbet pa zhurmë, përmes mekanizmave të butë të “fuqisë së mençur”. Me fjalë të tjera, trashëgimia koloniale vazhdon të jetë e pranishme si në institucionet e dobëta shtetërore, ashtu edhe në shoqëri, ku normalizohet varësia si fenomen. Neokolonializmi nuk vepron vetëm përmes ekonomisë. Ai depërton edhe në sfera të kulturës së vendeve, duke ndryshuar identitetin dhe duke formësuar mendësinë e shoqërisë vendase në favor të vlerave dhe politikave që i shërbejnë qendrës së pushtetit. Kur një popull pranon se kultura e tij është inferiore, këtu neokolonializmi nuk ka më nevojë të imponohet. Ai pranohet vullnetarisht, shpeshherë i maskuar në emër të civilizimit, reformës apo progresit.

Pasojat e neokolonializmit janë të thella, natyra e fshehtë dhe e sofistikuar e këtij sistemi e bën jashtëzakonisht të vështirë provimin juridik në kuadër të së drejtës ndërkombëtare. Ironikisht, aktorët që i përcaktojnë standardet e krimit dhe përgjegjësisë globale janë pikërisht të njëjtët që përfitojnë nga ky sistem, duke i lënë shtetet e prekura vetëm si spektatore në forumet ku vendoset për fatin e tyre. Sot, një vend mund ta humbasë sovranitetin jo vetëm me tanke dhe ushtri, por edhe përmes borxheve të pashlyeshme, investimeve që e dëmtojnë prodhimin vendas dhe kontrollit të burimeve strategjike nga të tjerët. Globalizimi promovohet shpesh si një proces i pashmangshëm bashkëpunimi dhe përfitimi të ndërsjellë të vendeve, por në praktikë funksionon si vazhdimësi e logjikës neokoloniale. Ai ka prodhuar një rend të thellë asimetrik, ku disa shtete vendosin për rregullat e lojës, ndërsa të tjerat detyrohen t’i zbatojnë pa pasur ndikim real në vendimmarrje. Në këtë kontekst, sovraniteti shtetëror reduktohet në një formë kryesisht formale, më shumë simbolike sesa instrument real i vetëvendosjes. Me fjalë të tjera, sovraniteti i një vendi nuk humbet brenda natës. Ai gërryhet ngadalë, përmes shumë marrëveshjeve ndërkombëtare që, njëra pas tjetrës, e zhveshin shtetin nga autoriteti mbi ekonominë, ligjin dhe ndoshta edhe territorin.

Sovraniteti i kushtëzuar i Kosovës

Sot, Kosova njihet si shtet i pavarur, por jo si shtet plotësisht sovran. Pavarësia e saj, e fituar me shumë sakrifica dhe me një çmim të rëndë ndaj popullatës së këtij vendi, ende vazhdon të mbetet e kufizuar për shkak të presioneve dhe mbikëqyrjes ndërkombëtare që i ngjan gjithnjë e më shumë neokolonializmit modern.

Masat e BE-së ndaj Kosovës dhe pezullimi i dialogut strategjik nga SHBA-ja nuk duken vetëm si sinjale diplomatike, por më tepër si instrumente politike disiplinuese. Të gjitha këto duhet të shihen si mesazhe të qarta për ne. Thënë ndryshe, vendimet e institucioneve të Kosovës janë të pranueshme vetëm për aq kohë sa përputhen me interesat dhe pritjet e qendrave të jashtme. Ky nuk është partneritet i barabartë, por marrëdhënie vartësie. Përkundër asaj që gati rreth dy dekada kemi shtetësi, Kosova vazhdon të shihet si projekt i papërfunduar. Mandati i EULEX-it deri në vitin 2027 është një tjetër dëshmi e hapur se sovraniteti i vendit është në pikëpyetje. Nga ana tjetër, drejtësia dhe siguria, si dy shtyllat themelore të çdo shteti, mbahen ende nën mbikëqyrje të të huajve, duke e reduktuar autoritetin e brendshëm në këto dy fusha themelore. Ky realitet e shndërron pavarësinë e Kosovës në një dekor politik, jo në një fuqi të vërtetë vendimmarrëse.

Po ashtu edhe rasti i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është një nga shembujt më domethënës të mënyrës se si sovraniteti i Republikës së Kosovës është qitur në pazar për t`u negociuar dhe kushtëzuar në emër të integrimeve euro-atlantike. Përkundër asaj që marrëveshja u shoqërua me kundërshtime të ashpra publike dhe politike për humbjen e mbi 8 200 hektarësh tokë, përfshirë kullota, burime ujore dhe hapësira tradicionalisht të shfrytëzuara nga komunitetet lokale. Për shumë qytetarë të vendit, ky proces u vlerësua jo si kompromis i barabartë ndërmjet dy shteteve, por si dorëzim territorial nën presion.

Demarkacioni ishte si në një kusht politik, i lidhur drejtpërdrejt me liberalizimin e vizave dhe avancimin në rrugën euro-atlantike. Me një fjalë, mund të thuhet se integriteti territorial, si një çështje thelbësore për vendin tonë, u trajtua si monedhë shkëmbimi, duke krijuar perceptimin se Kosova u detyrua të zgjedhë mes territorit dhe integrimit. Ky vendim ka thelluar hendekun mes pavarësisë formale dhe sovranitetit real, duke treguar edhe një herë se vendimmarrja shtetërore shpesh zhvillohet brenda një kornize të diktuar nga jashtë, e që është një simbol i neokolonializmit politik, ku shteti i ri, si Kosova detyrohet të pranojë humbje konkrete sovrane për të përmbushur kritere që nuk aplikohen në mënyrë të barabartë ndaj të gjithëve.

Në këtë kontekst, mund të thuhet se Kosova shfaqet si shembulli tipik i hendekut mes pavarësisë formale dhe sovranitetit real. Neokolonializmi i shekullit 21 nuk ka nevojë për fuqi ushtarake ose administrata klasike. Ai funksionon përmes presioneve të ndryshme, përfshirë edhe atë diplomatik, mbikëqyrjes institucionale, kushtëzimit financiar dhe ndikimit informativ. Kosova, fatkeqësisht, është një nga shembujt më të qartë të këtij modeli. Pa dyshim që kjo situatë ka krijuar varësi institucionale, në të cilën vendimmarrja e brendshme shpesh kushtëzohet nga të tjerët, duke e dobësuar potencialin e Kosovës për vetëqeverisje reale dhe për ndërtimin e një sovraniteti funksional.

Rruga drejt sovranitetit

Si përfundim, mund të themi se neokolonializmi nuk mund të sfidohet me raporte, mandate dhe mbikëqyrje të pafundme, por me shtet funksional. Kosova duhet të kalojë nga varësia drejt një sovraniteti të plotë, ku drejtësia dhe siguria ushtrohen nga institucione të pavarura e pa mbikëqyrës të jashtëm. Fuqia dhe legjitimiteti i pushtetit burojnë pikërisht nga vullneti i popullit dhe nuk mund të delegohet nga qendrat e huaja diplomatike. Një shtet nuk mund të ketë sovranitet të vërtetë nëse proceset ligjore administrohen nën mbikëqyrje të vazhdueshme të të huajve. Për sa kohë që vendimet merren nga mbikëqyrja e ndërkombëtarëve, të cilët flasin në emër të institucioneve vendore, pavarësia mbetet vetëm në letër. Në këtë kontekst, ekzistimi i më shumë se disa partnerëve strategjikë nuk është luks diplomatik, por domosdoshmëri për të shmangur kapjen e shtetit nga një qendër e vetme ndikimi.

Në esencë, sovraniteti i vërtetë qëndron mbi aftësinë për kontrollimin e burimeve strategjike, veçanërisht energjinë dhe minierat. Pa këtë kontroll, pavarësia ekonomike mbetet vetëm si iluzion. Një shtet që mbështetet në ndihma të kushtëzuara, si rasti i Kosovës, dhe kredi të dhimbshme strukturore, nuk është i lirë, por mund të cilësohet më shumë si varësi.

Për vendet e vogla, dalja nga neokolonializmi vjen nga veprime të koordinuara me forcim institucional, pavarësi financiare dhe ruajtje të burimeve strategjike. Tentativa të tjera mund të cilësohen si vetëmashtrim politik dhe vazhdim i varësisë. Kjo rrugë kërkon zgjuarsi, guxim politik dhe vizion për të rrënuar statusquonë e varësisë, duke bërë përpjekje për të larguar mbikëqyrjen e përhershme, por me dije, teknologji dhe ekonomi prodhuese. Me fjalë të tjera, mund të themi se erozioni i pavarësisë nuk është fatalitet, por ai nuk ndalet pa vetëdije shoqërore dhe pa një udhëheqje që zgjedh interesin kombëtar mbi rehati­në e kujdestarisë së huaj, sepse pavarësia e vërtetë nuk jepet si favor, por ajo ndërtohet çdo ditë nga një shtet që qëndron mbi këmbët e veta.

Bibliografia:

Aktaş, Ü. (2023, Tetor). Yeni sömürgecilik. Gjetur në Independent Türkçe: https://www.indyturk.com/node/668361/t%C3%BCrki%CC%87yeden-sesler/yeni-s%C3%B6m%C3%BCrgecilik

Akyıldız, Y. (2019). SÖMÜRGENİN GÜCÜ MODERN DEVŞİRMELER VE DÖNEKLER. Uluslararası Hakemli Sosyal Bilimler E-Dergisi, 44-56.

Altınbaş, D. (2011). İnsanlığa karşı suçlar ve yeni sömürgecilik. Uluslararası Suçlar ve Tarih, 33-76.

CFR Education. (2023, February 14). Gjetur në CFR Education: https://education.cfr.org/learn/reading/what-colonialism-and-how-did-it-arise#:~:text=Raw%20Materials%3A%20Colonies%20provided%20access,Saharan%20Africa%20and%20Southeast%20Asia

Çalışkan, E. (2022). İngiliz Sömürge Şirketlerinin Sömürge Siyasetindeki Rolü: Doğu Hindistan Şirketi, Kraliyet Afrika Şirketi, Virginia Şirketi Örnekleri. Ulisa: Uluslararası Çalışmalar Dergisi, 107-120.

Demir, A. (2011). Sömürge Devletlerinin Kullandığı Sömürgecilik Araç ve Metotları Vaka Analizi: Belçika Krallığının Kongo’daki Sömürge Dönemi. Güvenlik Stratejileri.

İrge, F. (2005). Gelişmiş kapitalizm eşliğinde yeni sömürgecilik. Trakya Üniversitesi Sosyal Bilimler Dergisi, 59-88.

İşler, A., & Savaş, A. R. (2018). 20. YY. Uluslararası Güç Odağında Ortadoğu ve Batı Ülkelerinin Gelişmişliğine Tarihsel Bir Bakış. Bitlis Eren Üniversitesi Sosyal Bilimler Enstitüsü Dergisi, 757-772.

Kural, M. (2023, Qershor 2). Perspektif. Gjetur në https://perspektif.eu/2023/06/02/somurgecilik-bitti-hosgeldin-yeni-somurgecilik/

UNU International Institute for Global Health. (2024, May 3). Gjetur në UNU International Institute for Global Health: https://unu.edu/iigh/blog-post/what-we-mean-colonialism-coloniality#:~:text=Colonialism%20and%20the%20process%20of,The%20terms%20are%20also

Yıldırım, M. ( 2021). Frantz Fanon, Siyah Deri Beyaz Maskeler Üzerine Bir İnceleme. Kültürel Çalışmalar ve Medya Dergisi, 212-217.

https://www.reuters.com/world/eu-lift-sanctions-kosovo-release-financial-aid-von-der-leyen-says-2025-12-18/

https://gazetashqiptare.al/2025/06/19/rusia-sulmon-perendimin-ne-gjuhen-shqipe-dhe-konteston-sovranitetin-e-kosoves-portali-rrjetit-pravda-afro-3-mije-artikuj-permbajtje-proruse-dhe-proserbe/

https://telegrafi.com/en/the-narrative-of-fake-news-about-Kosovo-and-external-influences/

https://frontonline.net/gjykata-speciale-shkele-sovranitetin-e-kosoves-perdore-termin-kosove-dhe-metohi-ne-dokumentin-e-saj/

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X