loader image
November 21, 2024

Mitet serbe për Kosovën dhe përkundja e tyre në rrëfimin publik shqiptar

Kisha serbe ka qenë një strehë e ngrohtë e gatitjes së paranojës revanshiste serbe ndaj fqinjëve që në shek. XIX dhe vazhdon të luajë rol parësor në frymëzimin e idesë së hakmarrjes për humbjen e Kosovës dhe çlirimin e saj të plotë nga “turqit” dhe, më pas, në shek. XX, nga shqiptarët.

Ardian MUHAJ, Shkodër

Mitet serbe për Kosovën janë tashmë temë e debatuar në qarqet e diskutimit publik shqiptar. Mirëpo, prania e tyre si temë debati apo diskutimi nuk garanton trajtimin e tyre ashtu sikurse do të duhej dhe sikur e meritojnë. Në fakt, problematika e pranisë së miteve serbe jo vetëm në debatin tonë publik, por edhe përbrendësimi i tyre në nënvetëdijen tonë, është i tillë dhe në përmasa të tilla që depërtimi dhe gangrenizimi i këtyre miteve në organizmin tonë të mendimit ka marrë përmasa që është e paktë të konsiderohen shqetësuese. Përgjigja jonë ndaj miteve të tyre të njohura dhe ndaj mutacioneve të tyre në ligjërimin tonë akademik e publik ka qenë e pamjaftueshme për të ndalur rrjedhën e këtij depërtimi dhe mutacioni të vazhdueshëm.

Theksimi i rëndësisë së kësaj çështjeje në studimet shqiptare dhe në ligjërimin publik është i domosdoshëm, duke qenë se këto mite shërbejnë jo vetëm si paradigma historike, por sepse kanë frymëzuar dhe legjitimuar gjenocidin serb mbi shqiptarët. Këto mite mbeten ende mite funksionale, pasi situata aktuale politike ndikohet prej tyre. Duke sfiduar këto mite, mund të krijojmë një kuptim më të saktë të historisë dhe të parandalojmë përdorimin e mëtejshëm të tyre si instrumente të manipulimit politik në dëm të shqiptarëve.

Ajo që bie në sy në strukturën e mitologjisë politike serbe, në përgjithësi, është se Kosova zë vend qendror si hapësirë gjeografike, edhe pse mitologjia politike serbe është më e gjerë dhe i prek sidomos shqiptarët në përgjithësi.

Kryemiti: Beteja e Kosovës në 1389

Miti i parë që ia vlen për t’u zbërthyer është gurthemeli i megamashtrimit serb, pra Beteja e Kosovës në vitin 1389. Fakt është që nuk ka të dhëna historike për të mbështetur ekzistencën e një beteje të tillë në përmasat e pretenduara. Edhe pse ka pasur një ngjarje, natyra e ngjarjes, nga pikëpamja historike, mbetet krejtësisht e panjohur, pasi nuk ka të dhëna të kohës që të na ndihmojnë ta kuptojmë atë në tërësi. Beteja e Kosovës, siç e njohim sot, është një mit politik shumëdimensional i ndërtuar në mënyrë të strukturuar për t’u shërbyer interesave politike të Serbisë.

Ideja kryesore, së cilës i shërben ky mit, është se serbët janë kontribuuesit më të mëdhenj në historinë e kësaj hapësire dhe se janë mbrojtësit e kryesorë të këtyre trevave. Popujt e tjerë, si kroatët, shqiptarët, boshnjakët, duhet ta pranojnë këtë rol udhëheqës të serbëve në historinë e rajonit dhe, për rrjedhojë, edhe rolin e tyre udhëheqës në politikën e kësaj hapësire. Mospranimi i kësaj hierarkie krijon kësisoj arsyetim për agresion.

Duke qenë kryemiti politik i tyre, serbët investojnë shumë mund e mjete për ta shpaluar. Festimet megalomane që sillen rreth këtij miti, sidomos në vite jubilare. sikurse ishte viti jubilar i gjashtëqindvjetorit në vitin 1989, që për vëzhguesit e jashtëm duken të palogjikshme, në fakt kanë një logjikë të fortë shoviniste dhe triumfaliste, që merr përmasa konkrete kërcënimi dhe agresioni ndaj shqiptarëve dhe popujve të tjerë në rajon. Askund tjetër bashkërendimi mes politikës, kishës dhe akademisë serbe nuk arrin të jetë kaq i fortë. Kisha serbe ka qenë një strehë e ngrohtë e gatitjes së paranojës revanshiste serbe ndaj fqinjëve që në shek. XIX dhe vazhdon të luajë rol parësor në frymëzimin e idesë së hakmarrjes për humbjen e Kosovës dhe çlirimin e saj të plotë nga “turqit” dhe, më pas, në shek. XX, nga shqiptarët.

Në këtë këndvështrim përkujtimi i humbjes së Kosovës në Betejën e Kosovës bëhet me synimin e çimentimit politik të idesë së pasjes së Kosovës përpara humbjes së saj në 1389. Përmes kësaj logjike, pushtimi i Kosovës në vitin 1912 nënkuptonte një “kthim” në gjendjen e periudhës para humbjes së atdheut të marrë me dhunë.

Çubrilloviqi, madje, përgatiti një traktat të hollësishëm për shfarosjen dhe dëbimin e shqiptarëve nga Kosova, i nisur nga mllefi që kishte ndaj qeverisë së Beogradit që nuk kishte qenë efektive në përmbushjen e plotë të këtij objektivi. Po ashtu, një numër i madh akademikësh serbë, duke përfshirë edhe nobelistë, si I. Andriq, janë paraqitur gjithnjë si të pakënaqurit dhe kritikët më të mëdhenj për mospërmbushjen e këtij objektivi të synuar përmes mitit politik.

Edhe pse shteti i Lazarit, humbja e të cilit vajtohet vazhdimisht, nuk ishte një shtet i mirëfilltë dhe as ndonjë shembull i shtetit për t’u pasur zili dhe, madje, as nuk humbet dhe as nuk zhduket në 1389, miti politik e ka fiksuar vitin 1389 si datë të shkëputjes së madhe.

As ideologjia komuniste nuk ia doli ta davarisë lëmshin shovinist serb që mbështillet rreth vitit 1389. Edhe përpara viteve 1980, kur Millosheviqi e politizoi në skaj këtë mit, që në vitet 1950-të qeveria komuniste serbe kishte ngritë një monument të madh për humbjen e Kosovës. Karakteri thellësisht politik i këtij kryemiti serb u shpalos në mënyrë teatrale me rastin e 600-vjetorit, ku nuk ka sesi të mos bjerë në sy angazhimi i Kishës Ortodokse Serbe për t`i bartur eshtrat e Lazarit nëpër të gjitha “tokat serbe” në Jugosllavi, duke përfunduar në ceremoninë e Fushë Kosovës, ku pretendohet se morën pjesë një milion serbë.

Miti i parë i nënrenditur kryemitit: Aleanca Ballkanike e Mesjetës

Në shqyrtimet dhe shtjellimet e akademizmit tonë, që herë pas here është përpjekur t’i kundërvihet mitologjisë serbe për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi, vërehet një mangësi fatale dhe që e dëmton që në zanafillë përpjekjen. Në përgjithësi, kryemiti serb i Betejës së Kosovës përpiqet të zhbëhet, duke theksuar dhe përforcuar nënmitin e tij ose goditet trungu me degën e vet. Rezultati i kësaj dihet dhe është e pritshme: trungu nuk goditet dhe as nuk pritet me degën e vet, por vetëm sa ledhatohet. Kështu nuk synohet të zhbëhet krejt miti serb i kësaj beteje, por të korrigjohen disa aspekte të tij. Pra, ndërkohë që serbët e theksojnë mitin e përballjes së tyre me osmanët, akademizmi ynë shkon vetëm deri tek ledhatimi se “edhe ne” ishim pjesë e, gjoja, aleancës ballkanike në krah dhe, natyrisht, nën udhëheqjen serbe. Pra, ndërkohë që serbët theksojnë me të madhe se ishin vetëm ata, ne me gjysmë zëri pohojmë se ishim edhe ne. Madje, arrihet deri aty sa të kërkohet që edhe shqiptarët të marrin pjesë në manifestimet e përkujtimit dhe jo vetëm serbët. Pra, në vend që të zhbëhet miti serb, kërkohet qepja e tij me ndonjë shtojcë shqiptare.

Mirëpo, vetë ekzistenca e mitit është në thelb kundër shqiptarëve dhe jo kundër tjetërkujt. Millosheviqi duke mbajtur fjalim përpara turmës së njerëzve në Fushë Kosovë, pa asnjë ekuivok, mes tjerash theksoi: “Vetëm tani, pas gjashtëqind vjetësh, padrejtësitë që i janë bërë popullit serb në të kaluarën po fillojnë të korrigjohen”.

Miti i dytë i nënrenditur kryemitit: Kosova është fjalë serbe

Miti i dytë, që edhe kur përpiqemi ta kundërshtojmë në fakt e ledhatojmë kryemitin, është nocioni se Kosova është fjalë serbe. Ky është një mit që është përvetësuar nga studimet shqiptare, të cilat kanë pranuar etimologjinë sllave të fjalës dhe janë përpjekur ta shmangin, duke iu referuar një identiteti të mëhershëm si Dardania. Vetë përpjekja për të ringjallur një emërtim që është lënë në harresë nga vetë shqiptarët mijëvjeçarë më herët është dëshmi e kompleksimit nga agresiviteti i pretendimit serb mbi emërtimin Kosovë. Megjithatë, një analizë jo thjesht gjuhësore e fjalës e vë në dyshim serioz origjinën etimologjike sllave të fjalës Kosovë dhe, sidomos, barazimin e termave sllavisht si fjalë ekskluzivisht serbe.

Miti i tretë i nënrenditur kryemitit: në mesjetë serbët ishin shumicë në Kosovë

Miti i tretë për t’u diskutuar është ideja se në mesjetë serbët ishin shumicë në Kosovë. Mund të argumentohet lehtë dhe qartazi se ky është një mit i ndërtuar plotësisht për arsye politike dhe se nuk ka të dhëna serioze historike mbi të cilat të mbështetet. Të dhënat demografike për atë kohë nuk disponohen dhe krijimi i një “fakti” historik bazuar në toponime dhe emra njerëzish nuk është një metodë serioze historike. Ka të dhëna të mjaftueshme të kohës që tregojnë se Kosova nuk ishte habitat i tyre dhe, përgjithësisht, ishte e huaj për serbët. Mirëpo, sërish kundërshtimi i këtij miti shpaloset më shumë si ledhatim sesa si kundërshtim.

Për më tepër, dobësisë së kundërshtimit i është shtuar edhe prirja e disa segmenteve shoqërore për ta akomoduar dhe celebruar si të vërtetë, ngaqë i shkon për mbarë idesë së osmanët ua rikthyen Kosovën shqiptarëve si habitat etnik pas kërcënimit për asimilim nga shteti mesjetar serb. Sado i bukur t’i duket dikujt ky supozim, problem i tij i madh është se nuk ka bazë dhe nuk dëshmohet si fakt historik. Pushteti politik i shtetit mesjetar serb nuk është fakt i mjaftueshëm për të supozuar se edhe përbërja etnike e Kosovës ishte joshqiptare. Mirëpo, aspekti kryesor që e ledhaton kryemitin serb është se shkon pikërisht tek ideja ose kryeideja serbe e marrjes së Kosovës me dhunë prej tyre dhe si rrjedhojë tek e drejta e tyre për të vënë në vend drejtësinë e mohuar për shekuj, pra rikthimin dhe ripushtimin serb të Kosovës dhe dëbimin e shqiptarëve.

Miti i katërt i nënreditur kryemitit: epoka e artë serbe dhe humbja e saj më 1389

Në fjalimin e tij në jubileun e 600 vjetorit në Fushë Kosovë, Millosheviqi rikujtonte madhështinë e popullit serb, duke thënë se “nuk na lejohet të harrojmë se dikur kemi qenë ushtri e madhe, e guximshme dhe krenare” dhe se “para gjashtë shekujsh Serbia këtu, në Fushë Kosovë, e mbrojti me trimëri jo vetëm vetveten, por mbrojti edhe Europën”. Ky është versioni serb i mitit pothuajse të kudondodhur në Europën Lindore të “antemurale christianitatis” ose mburojës së krishterimit. Në këtë rast serbët nënkuptojnë se në Kosovë ata u sakrifikuan për të mbrojtur Europën dhe, si rrjedhojë, edhe e parashtrojnë pretendimin se Europa u ka borxh për këtë.

Miti i pestë: shqiptarët kolonizuan Kosovën gjatë periudhës së sundimit osman

Miti i pestë, që e përforcon kryemitin, është pretendimi se shqiptarët e kolonizuan Kosovën gjatë periudhës së sundimit osman. Ky është miti bazë që lidhet me të gjitha mitet e tjera dhe i ka legjitimuar politikat shfarosëse të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe më gjerë. Serbia ka ndërtuar një strategji shtetërore për spastrimin etnik të shqiptarëve dhe kolonizimin e territoreve të tyre me kolonë serbë bazuar në këtë mit.

Si përmbledhje e shkurtër, mund të thuhet se mitologjia politike serbe është, natyrisht, shumë më e gjerë dhe përfshin mite të tjera, por ajo që duhet vënë në dukje është rëndësia e kësaj çështjeje në studimet shqiptare dhe në ligjërimin publik, duke qenë se këto mite shërbejnë jo vetëm si paradigma historike, por sepse kanë frymëzuar dhe legjitimuar gjenocidin serb mbi shqiptarët. Këto mite mbeten ende mite funksionale, pasi situata aktuale politike ndikohet prej tyre. Për fat të keq, duhet thënë gjithashtu se nuk ka asnjë strategji nga elita shqiptare për t’i zbërthyer ato, veçanërisht në tryeza diplomatike.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X