Me deklarimin e papritur të Ramës se projekti “Ballkani i Hapur” mbyllet, mbaroi edhe karagjozllëku dhe tendenca e tij shfrenuese për t’i bërë karshillëk Procesit të Berlinit, duke i dëmtuar ndjeshëm raportet ndërshqiptare Kosovë-Shqipëri… “Ballkani i Hapur” nuk pati mundësi ta bëjë edhe më të voglin hap përpara, siç mund të ishte lehtësimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve në situata emergjente ose, më saktë thënë, heqja e kontrolleve kufitare ndërmjet shteteve që bënin pjesë në këtë proces – Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Serbia.
Shkruan: Sevdail DEMIRI, Kumanovë
Nisma me përmasa diletante “Ballkani i Hapur” e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në sinkroni me kryetarin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u mbyll me zero efekte pozitive për rajonin dhe me plus efekte negative për shqiptarët. Gjatë këtyre viteve sa u glorifikua dhe u promovua me pompozitet ky projekt inert nga tandemi Rama-Vuçiq, por edhe u kritikua ashpër si asnjë projekt tjetër ballkanik, realisht nuk u arrit gati se asgjë më shumë sesa ishte paraparë në kuadër të mekanizmit europian i njohur si “Procesi i Berlinit”, i filluar para një dekade, pas hyrjes së Kroacisë në BE. Që nga ajo kohë ishte paraparë që vendet e Ballkanit perëndimor edhe gjatë kohë do të duhej të presin para sportelit të BE-së, prandaj ishte projektuar ky proces, si një trajektore që duhej të ndiqej nga këto vende derisa të bëhen gati për të hyrë nën çatinë e madhe europiane.
Tani, me deklarimin e papritur të Ramës se projekti “Ballkani i Hapur” shpallet i mbyllur, mbaroi edhe karagjozllëku dhe tendenca e tij shfrenuese për t’i bërë karshillëk Procesit të Berlinit, njëkohësisht duke i dëmtuar ndjeshëm raportet ndërshqiptare Kosovë-Shqipëri.
“Ballkani i Hapur” me kufijtë e mbyllur!
Dështimi i këtij projekti të nisur pa mbështetjen e plotë të bashkësisë ndërkombëtare dhe pa ujdinë e gjysmës së shteteve të Ballkanit Perëndimor sërish nxori në pah faktin se këtu asnjë proces nuk mund të realizohet objektivisht nëse nuk e shtyjnë përpara Gjermania dhe SHBA-ja. Ato janë lokomotivat e të gjitha zhvillimeve rajonale dhe ndërkombëtare të botës perëndimore deri në përpikëri dhe iniciativat kokë më vete të krerëve të caktuar ballkanikë as që kanë ndonjë impakt.
Betejat e Edi Ramës me mullinjtë e erës gjatë këtyre viteve nuk bënë asnjë ndryshim më të vogël në cilësinë e jetesës së ballkanasve, veç asaj që ishte e paraparë me Procesin e Berlinit. Në fakt, tandemi Rama-Vuçiq po mundoheshin t’i përvetësonin përfitimet e Procesit të Berlinit përmes një riemërimi si “Ballkani i Hapur”, por që në realitet nuk pati asnjë përfitim serioz.
“Ballkani i Hapur” nuk pati mundësi ta bëjë edhe më të voglin hap përpara, siç mund të ishte lehtësimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve ose, më saktë thënë, heqja e kontrolleve kufitare ndërmjet shteteve që bënin pjesë në këtë proces – Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Serbia. Për shembull, tani gjatë verës bëhen kolona kilometrike në vendkalimin kufitar ndërkombëtar Tabanoc (mes Preshevës dhe Kumanovës), ku më së shumti vuajnë qytetarët shqiptarë të këtyre dy qyteteve fqinje. Për shkak të lidhjeve të ngushta farefisnore dhe nevojave të ndryshme për komunikim, ata duhet të presin me orë të tëra në kufi, në këtë vapë të madhe, pa asnjë përparësi kalimi. Kjo në mënyrë plotësuese e rëndon jetën e qytetarëve, e sidomos të atyre të Preshevës, të cilët për shkak të këtyre barrierave kufitare, këndej me Kumanovën e andej me Gjilanin, gjithnjë e më tepër po i braktisin vatrat e tyre.
Premtimi disadekadësh për hapjen e vendkalimit të ri kufitar mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në mes fshatrave Llojan-Miratoc, assesi të funksionalizohet, përskaj faktit që rregullisht bëhen premtime, rëndom para fushatave zgjedhore. Hapja e tij do ta relaksonte shumë raportin e lëvizjeve mes shqiptarëve të Preshevës e Kumanovës, ashtu siç ndodhi vite më parë me hapjen e vendkalimit të ri kufitar mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës në Bellanoc-Stançiq. Por, ja që “Ballkani i Hapur” i Ramës, Vuçiqit e Zaevit (Kovaçevskit), nuk arriti të bëjë asnjë hapje të vetme serioze ndërmjet shteteve respektive.
Acarimi i raporteve ndërshqiptare
Në anën tjetër, projekti i promovuar nga dyshja ballkanike Rama-Vuçiq vetëm sa i përkeqësoi raportet ndërshqiptare, konkretisht ato mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Kosova asnjëherë nuk u pajtua që të jetë pjesë e një procesi të stimuluar nga Serbia, me pretendimet ekonomike për qasje më të lehtë në Detin Adriatik. Dhe, aq më pak ishte dakord të jetë pjesë e një projekti paralel me atë të Bashkimit Europian (Procesi i Berlinit), i cili shihej krejtësisht i panevojshëm për momentumin historik.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që në komentet e para për “Ballkanin e Hapur” ishte shprehur shumë qartë, duke thënë se problemi kryesor në Ballkanin Perëndimor është mosballafaqimi i Serbisë me të kaluarën kriminale, duke shkaktuar katër luftëra të përgjakshme. Pra, ishte thellësisht alogjike dhe e pandershme që të bëhet një pakt zhvillimor-tregtar me një shtet, mbi kurrizin e të cilit rëndojnë miliona jetë të viktimave të pafajshme civile. Pikërisht duke u nisur nga këto parime, këtij projekti nuk iu bashkëngjitën gjysma e shteteve ballkanike joanëtare të BE-së (Kosova, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi), të cilat nuk dëshironin të binin lehtë në kurthet e Serbisë, ashtu siç kishte rënë kryeshoumeni i Shqipërisë, Edi Rama.
Eskalimi i mosdurimit mes Ramës dhe Kurtit u shpërfaq me rastin e anulimit të njëanshëm nga ana e Ramës të mbledhjes së paraparë mes dy qeverive, pas tensioneve shqiptare-serbe në veri të Mitrovicës, e që u vulos me rastin e injorimit total që i bëri Kurti Ramës gjatë vizitës së këtij të fundit në Prishtinë. U krijua një opinion i përgjithshëm se asnjëherë më keq nuk kanë qenë raportet ndërshtetërore në mes të dy shteteve shqiptare në Ballkan. Dhe, kjo sigurisht i faturohej fajit të Ramës, i cili për shkak të miqësisë së thelluar me armikun numër një të Kosovës, presidentin serb Vuçiq, kishte filluar ta thumbojë shpeshherë hapur në publikë sivëllain e tij Kurti. Dhe, dukej se ky do të ishte edhe momenti vendimtar, i cili do ta fundoste projektin e Ballkanit të Hapur, ku Serbia synonte të bëhej protagoniste kryesore. Tanimë jo që ishin bindur t’i bashkoheshin asaj nisme puro-serbe, por edhe ishin shtuar arsyet që të vihej seriozisht në pikëpyetje fati i atij procesi. Kështu, derisa Kosova e kishte betonuar pozicionin e saj, edhe dy shtetet tjera nuk kishin dhënë asnjë sinjal pozitiv se ishin të interesuara për të qenë pjesë e procesit të “Ballkanit të Hapur”. Në këtë mënyrë edhe u përmbys ky projekt me shumë dilema dhe pikëpyetje pa përgjigje.
Pastrimi me krimin dhe korrupsionin
Në realitet, problemet në Ballkanin Perëndimor të mbetur nën këmbët e BE-së nuk kanë të bëjnë me çështje emrash, nocionesh apo neologjizmash, por me një mentalitet të pistë, që quhet krim dhe korrupsion! Nëse vendet tona nuk i marrin seriozisht raportet ndërkombëtare për gjendjen emergjente me këto fenomene të liga që e kanë kapluar shoqërinë tonë, është e pamundur që të ecin përpara proceset me efekte pozitive. Nëse nuk pastrohet skena politike nga figurat e kontaminuara nga krimi e korrupsioni, neve nuk na bën fajde as “Ballkani i Hapur”, as Ballkani i Mbyllur, as Europa e as Amerika.
Lufta Rusi-Ukrainë paraqet moment të volitshëm për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, meqë kjo është në interes të botës demokratike për forcimin e sigurisë ndërkombëtare. Prandaj, mënyra e sjelljes së faktorit politik shqiptar duhet të jetë shumë e kujdesshme që të mos shkaktojë efekte negative në pozicionin tonë karshi botës. Meqë tani është në pyetje zgjidhja finale e problemit të Kosovës, politika shqiptare duhet të tregojë ndjeshmëri dhe kompaktësi absolute kur vjen në shprehje çështja jonë kombëtare, gjithnjë duke pasur në vëmendje edhe fatin e shqiptarëve të mbetur nën Serbi e Mal të Zi. Vetëm në këtë mënyrë do të mund t’u sigurojmë të ardhme më të mirë brezave që do të vijnë pas nesh.