Arsimi është lënë të rrjedhë ngjashëm me një përrockë fshati dredha-dredha, me kanalizim që derdhet në të, me breg të tejndotur. Në rastin e një përrocke të tillë fshati, nëse e mban hundën si gjoja i çuditur tek ecën ndanë saj, kjo ndodh ngase shtiresh se po çuditesh pse po kutërbon.
Milazim KRASNIQI, Prishtinë
Rezultatet e dobëta të nxënësve tanë në testin PISA mund ta çudisin vetëm atë që shtiret si i çuditur dhe injorantët, që nuk e kuptojnë realitetin. Përndryshe, nuk ka vend për t’u çuditur me një gjendje të cilin e dimë edhe pa na e vizatuar të tjerët. Në fakt, ne të gjithë e dimë se arsimi në shkollat tona është me shumë mungesa, me shumë dobësi, me shumë improvizime, me shumë korrupsion politik dhe me politika arsimore primitive. Ne të gjithë e dimë rëndësinë e arsimit, por në të njëjtën kohë e dimë se arsimit nuk i është dhënë kurrfarë përparësie në kuadër të politikave qeveritare e shtetërore. Arsimi është lënë të rrjedhë ngjashëm me një përrockë fshati dredha-dredha, me kanalizim që derdhet në të, me breg të tejndotur. Në rastin e një përrocke të tillë fshati, nëse e mban hundën si gjoja i çuditur tek ecën ndanë saj, kjo ndodh ngase shtiresh se po çuditesh pse po kutërbon. Përndryshe, përrocka sado e vogël, mund të ishte e pastër dhe, madje, e bukur, po të mos ishte ndërhyrja mizore e njerëzve. Analogjia e këtillë, ndonëse nuk më pëlqen aspak, fatkeqësinë është e logjikshme. Prandaj në vend se të shtiremi si gjoja të çuditur, a ta mbajmë hundën mbyllur, duhet të fillojmë ta mendojmë si kemi ardhë në këtë pikë dhe si mund të dalin prej kësaj shtjelle asgjësuese.
Pasojat e goditjeve neokoloniale në liri
Arsyetimin e vetëm që mund ta kenë ata që duan të arsyetohen e kanë në faktin që ky degradim i arsimit tonë nuk ka filluar sot, sepse i ka rrënjët thellë në periudhat e qeverisjeve të kaluara dhe më tej në periudhat e errëta të okupimit e sundimeve të huaja. Ky arsyetim nuk e zvogëlon përgjegjësinë e qeverisë së tashme, por e kontekstualizon përgjegjësinë e saj për tërë këtë gjendje. Ashtu edhe mund ta ndihmojë që ta hartojë një strategji, për të dalë nga kjo gjendje e mjerë.
Po ta ndjekim kronikën e degradimit të arsimit tonë, në të kundërtën e lëvizjes së orës, pra nga momenti i tashëm e drejt të kaluarës, mund ta kuptojmë rrugëtimin dhe oscilimin e këtij degradimi të dhimbshëm. Ja si mund të ndiqet kjo kronikë e hidhur dështimi: qeveria Kurti e pati shpall prioritet arsimin, por me vetë faktin që emëroi ministre Arsimi një militante partie pa asnjë vizion për arsimin, u gjet në kundërthënie me vetveten. Reformat serioze në arsim mund t’i bëjnë personalitetet me integritet, me kompetencë akademike të lartë e me vizion të qartë politik, jo aparatçikët entuziastë partiakë. Aq më tepër që u trashëgua një gjendje e keqe në tërë sistemin e arsimit. Kjo për arsye se qeveritë pararendëse ndoqën më shumë linjën strategjike të trasuar nga prezenca civile ndërkombëtare, pa provuar të shkëputeshin efektivisht prej saj. Fjala vjen, ligji mbi arsimin e lartë, që nga pakoja e Ahtisarit, mbeti i paprekur. Ndërsa në vitet e para pas çlirimit, politikat arsimore ishin në duart e UNMIK-ut, i cili që nga fillimi instaloi një politikë tipike neokolonialiste. Zyrtarët e lartë të arsimit ishin të huaj, që kishin ardhur në Kosovë për paga të larta e për aventura në karrierë, në një ambient që për ta ishte ekzotik. Si simbol i tyre në fushën e arsimit mbahet mend Mihael Daksneri, i cili ishte ministër Arsimi dhe rektor i Universitetit të Prishtinës në të njëjtën kohë(!). Daksneri, më vonë, sa mbaj mend, e mbrojti disertacionin në Universitetin e Prishtinës, pra aty ku kishte qenë rektor, pa e pasur gradën doktor shkence! Reformat e filluara prej tij synonin deshqiptarizimin e shkollës shqipe, me theks te Universiteti i Prishtinës. Fryma e tillë e deshqiptarizimit të programeve shkollore e universitare, e rekrutimit të personave të përshtatshëm, duke u shtrirë vit pas viti, prodhoi pasoja konkrete. Kur politika arsimore dhe institucionet arsimore kaluan nën varësinë e vendasve, ishte krijuar një klimë dhe një insfrastrukturë që po e zbatonte konceptin neokolonial mbi arsimin tonë. Akomodimi i shumë njerëzve në atë kornizë ishte i lehtë, shkaku i favoreve që ajo ofertë ofronte. Bile edhe sot, disa OJQ me rrënjë tek koncepti neokolonial, kanë ndikime të forta në arsim, veçmas në Universitetin e Prishtinës. Absurdi shkon deri në atë pikë saqë ato OJQ ndikojnë edhe në zgjedhjen dhe avancimin e mësimdhënësve! Në ndonjë rast presionet e tyre shantazhuese e denoncuese duken edhe si vazhdimësi e presioneve që ushtronte administrata e dhunshme serbe në vitet e tetëdhjeta kundër profesoratit shqiptar në universitet. Natyrisht, këto OJQ edhe më tutje financohen e inkurajohen nga të huajt, ndërsa qeveritë e hanë turpin me bukë përballë tyre.
Hakmarrja e një historie lokale të hidhur
Ndoshta goditjet e atij projekti neokolonial nuk do të ishin aq të rënda sikur arsimi të kishte pasur një zhvillim dhe funksionim normal në vitet e deceniet e mëhershme, në kohën kur Kosova ishte brenda federatës jugosllave. Siç dihet, në vitet e nëntëdhjeta arsimi shqip në Kosovë pasi u shpall i jashtëligjshëm, pati kaluar në ilegalitet, i dëbuar nga objektet shkollore dhe i mbetur pa financim shtetëror. Mbajtja e mësimit nëpër shtëpi private, përfshirë edhe garazha, pa libra e pa mjete konkretizimi të mësimit, vit pas viti shkaktoi degradimin e arsimit. Dhjetë gjenerata nxënësish e studentësh kanë dalë në tregun e punës me diploma të marra në ato kushte mësimi tërësisht të improvizuar, jonormal. Me gjasë ato gjenerata sot janë në kulmin e karrierës, jo vetëm në arsim, po edhe në politikë, në ekonomi, në shëndetësi, gjë që nuk mund të jetë pa një ndikim mbi gjendjen tonë në të gjithë sektorët, pra edhe mbi arsimin. Ndërsa vitet e tetëdhjeta, pas demonstratave të vitit 1981, kanë qenë vite të presionit e represionit mbi arsimin shqip, veçmas mbi Universitetin e Prishtinës, i cili në dokumentet zyrtare partiake e shtetërore jugosllave ishte emërtuar si “çerdhe e nacionalizmit shqiptar.” Diferencimet ideo-politike dhe përndjekjet policore e dëmtuan zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe në Kosovë, i cili kishte marrë një hov zhvillimi në vitet e shtatëdhjeta. Ndërsa përtej viteve të shtatëdhjeta, që ishin vite disi më normale në jetën shoqërore të Kosovës, ishte periudha e represionit të regjimit Tito-Rankoviq, i cili ndër të tjera kishte provokuar shpërnguljen masive me dhunë të mbi 230.000 shqiptarëve për në Turqi.
Një vezullim të arsimit shqip në Kosovë kishte pasur në vitet e okupimit fashist, por ai kishte zgjatur vetëm katër-pesë vite. Në fakt, efekti i arsimit në vitet e okupimit fashist kishte qenë shpëtimtar për arsimin në gjuhën shqipe për arsye se ua kishte hequr nga dora serbëve kartën, sipas së cilës shqiptarët nuk donin të kishin shkolla në gjuhën shqipe, gjë që serbët e kishin deponuar si qëndrim zyrtar shtetëror në Ligën e Kombeve. Entuziazmi i shqiptarëve për shkollën shqipe, në vitet e okupimit fashist, e kishte demantuar atë gënjeshtër, mbi të cilën ishte ndërtuar politika serbe për të mos lejuar mësimin në gjuhën shqipe në asnjë nivel të arsimit.
Përtej asaj kohe pushtimi të rëndë serb, kishte qenë sundimi i gjatë osman, gjatë të cilit nuk kishte pasur ndonjë vizion lidhur me rëndësinë e arsimit në tërë shtetin osman, e lëre më në periferinë e tij. Vetëm pas reformave të Tanzimatit dhe formimit të Vilajetit të Kosovës, në vitin 1877, ishte ngritur një rrjet shkollash fillore e të mesme, por edhe ato vetëm më gjuhën osmane. Përfundimi është se veçmas shqiptarët e Kosovës dhe ata që patën mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë së vitit 1912, kanë pasur një përvojë të rëndë e të hidhur me arsimin në gjuhën shqipe që kur mbahet mend, prandaj as nuk është krijuar ndonjë histori suksesi e shkollës shqipe, as ndonjë një traditë e qëndrueshme e familjeve arsimdashëse, as gjenerata mësuesish të suksesshëm e as literaturë e standardeve të larta pedagogjike e didaktike, as tradita librash të mire shkollorë. Me këtë histori të hidhur e me këto kushte të këqija nuk mund të ketë rezultate të mira as sot. Por, sot mund të kishte përpjekje më ngulmuese për tejkalimin e këtij handikapi të rëndë nga historia qindravjeçare. Fatkeqësisht, përpjekje ngulmuese nuk ka.
Çka mund të bëhet tash e tutje?
Mungesën e seriozitetit dhe të vizionit të qeverisë aktuale për t’i përmirësuar politikat qeveritare mbi arsimin e ilustron edhe rasti i bllokimit të ligjeve dhe iniciativave ligjore të Ministrisë së Arsimit nga një grup deputetësh të partisë në pushtet, LVV. Këto ditë ata kanë bllokuar nismat ligjore në Kuvend dhe kanë deklaruar se nuk e ndërrojnë qëndrimin e tyre bllokues, derisa ministria Nagavci ta largojë Urdhërin Administrativ, që i penalizon vajzat me shami në shkolla. Albin Kurti dhe LVV-ja e kanë fituar një numër të madh të votave pikërisht me premtimin se do ta shfuqizonin atë urdhër administrativ. Premtimet e tyre për këtë çështje dhe për liritë dhe të drejtat fetare kanë bërë që një numër i konsiderueshëm i hoxhallarëve dhe besimtarëve muslimanë ta votojnë LVV-në, edhe pse nga aspekti thjesht ideologjik ky ishte një absurditet, sepse është absurditet rasti kur një rrymë konservatore e voton masivisht një parti qartësisht të majtë. Mosmbajtja e premtimit elektoral tash ka sjellë bllokimin e ligjeve mbi arsimin. (Atë urdhër administrativ e ka pas miratuar ish ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, i PDK-së, prandaj edhe nga kjo anë mbetet e pakuptueshme pse mbrohet me aq insistim një vendim i ish ministrit të PDK-së nga ministrja e LVV-së dhe nga qeveria Kurti. Në fakt duket se është kërkesë-presion i të huajve.)
Sidoqoftë, edhe ky rast dëshmon se sa energji harxhohet në tema margjinale, në tema të panevojshme. Në vend se qeveria Kurti të kishte një lëvizje të fortë për hartimin e politikave qeveritare që e ndryshojnë gjendjen në tërë sistemin e arsimit, ajo i riciklon problemet e vjetra të prodhuara nga fryma neokoloniale. Preokupimi i LVV-së me simbolika, me rivalitete fjalamujtas, me propagandë, nuk krijon hapësirë për reforma. Brenda këtij preokupimi me simbolika e me inate ishte edhe menaxhimi i keq i fillimit të vitit shkollor, veçmas shpërndarja e librave. Ndërsa trajtimi i mësuesve dhe arsimtarëve në grevën e vitit të kaluar ka qenë brutal nga ana e qeverisë, gjë që ka shkaktuar ftohje, dëshpërim dhe refuzim, i cili manifestohet edhe në procesin e mësimdhënies. Edhe shtypja e librave shkollorë me preferenca tipike klienteliste dhe korruptive, e qeverisë Kurti, nuk është dalluar nga qeveritë e kaluara, të cilat e patën instaluar praktikën klienteliste dhe korruptive për hartimin dhe botimin e librave shkollorë. Rrjedhimisht, librat shkollorë, me shumicë, janë të dobët dhe e vështirësojnë të kuptuarit. Po u jap një përvojë personale: librat për letërsinë shqipe të klasave 9,10, 11 e 12 i ka hartuar i njëjti autor dhe ato me decenie janë të njëjtat. Meqë jam marrë me to për shumë vite (për formulimin e testeve për provim pranues në fakultet), e di që ato nuk janë fare të përshtatshme për atë moshë të nxënësve. Një ish student i letërsisë më ka thënë se ato kanë qenë ligjëratat e atij profesori për studentët, të cilat pastaj i ka konvertuar si libra shkollorë. Për një libër të matematikës më është thënë se ka qenë i kopjuar nga një libër shkollor në gjuhën serbe dhe meqë në librin serbisht rezultati ishte gabim, po ai rezultat ishte edhe në librin e autorit shqiptar. Por, në librin serbisht kishte një korrigjim të rezultatit të detyrës në fund të librit, ndërsa autori shqiptar nuk kishte denjuar fare ta përfshinte atë korrigjim në libër. Këto praktika improvizimesh e plagjiaturash janë masive në librat shkollorë. Nxënësit vuajnë nga këta libra të papërshtatshëm, të dobët, të vjedhur, të pasaktë. Rrjedhimisht, nuk e kuptojnë atë që lexojnë dhe ashtu bëhen në analfabetë funksionalë. Prandaj rezultati në PISA është ky që është. Rezultati është një shoqëri që nuk e ka prioritet edukimin dhe arsimin e nxënësve e studentëve. Prandaj edhe qeveritë që vijnë e shkojnë vetëm e ndjekin atë disponim kronik antidituri, atë disponim patologjik antiarsimim të shoqërisë, e cila nuk po mësohet me përgjegjësitë e saj në liri.