Arsimimi ose shkollimi në kuptimin e sotshëm modern u paraqit si nevojë për të njohur parimet, synimet dhe idealet e botës së re. Në një rrafsh më praktik, arsimimi dhe shkollimi lindi si nevojë për t’u përballuar dhe për t’u dhënë përgjigje sfidave të shumta që i imponoi kjo botë.
Murat ALIU, Prilep
Ideja e arsimimit dhe shkollimit është ide qytetëruese
Ideja e arsimimit masiv është një nga prurjet kryesore të filozofisë iluministe dhe paradigmës së modernitetit dhe, si i tillë, ky fenomen përbën thelbin e botës moderne, pa të cilin vështirë që do të mund të funksionojë ajo. Në thelb të idesë së arsimimit masiv ose përndritjes së shoqërisë qëndron ideali iluminist i “perfeksionimit” dhe arritjes së nivelit më të lartë të “pjekurisë” së individit dhe shoqërisë. Që nga fillimi i epokës së iluminizmit, ideja e arsimimit ishte e ndërthurur në mënyrë të pazgjidhshme me idenë e shkollimit. Kështu, ideja e arsimimit dhe shkollimit synonte ta formësojë individin dhe shoqërinë që ta përvetësojnë dhe praktikojnë jetën racionale shoqërore; rrjedhimisht, t’i përbrendësojnë idealet e botës së re, që sapo kishte filluar të krijohej. Iluministët e përhapën idenë se nëpërmjet arsimimit dhe shkollimit gjithçka është e mundur: se mund të krijohet vërtet një lloj i ri i individit, plotësisht i lirë nga ndërhyrjet e jashtme.
Ideja e arsimimit të masave të gjëra është në një marrëdhënie kauzale me idenë e qytetërimit. Ideja e qytetërimit u përpunua dhe u artikulua në Europë paralelisht me lindjen e iluminizmit. Kësisoj përndritja e “popullit” siç shpreheshin një plejadë e tërë filozofësh iluministë, synon ngritjen e individit dhe të shoqërive në nivelin e “qytetërimit”. Të qenit i qytetëruar nënkupton të ndërmarrësh një përpjekje të vështirë dhe të vazhdueshme për t’i transformuar qeniet njerëzore nëpërmjet edukimit dhe arsimimit. Siç shprehej Diderot-i: “Të edukosh një komb do të thotë ta qytetërosh atë. Ta shkatërrosh dijen do të thotë ta reduktosh kombin në gjendjen primitive të barbarizmit”. Ideja e qytetërimit në Europë u formulua dhe artikulua si antitezë e nocionit të barbarizmit, kaosit, të shëmtuarës, biologjikes dhe të natyrshmes. Në këtë kuptim projekti qytetërimor përbën një përpjekje për ta çliruar individin dhe shoqëritë nga instinktet biologjike dhe një përpjekje për ta shpënë individin dhe shoqërinë drejt një gjendjeje “njerëzore”. Prandaj, edhe duke u nisur nga kjo, Frojdi argumenton se qytetërimi ka të bëjë me shtypjen e instinkteve primitive dhe shtazore të njeriut. Ideja e qytetërimit është e lidhur ngushtë me konceptin e kohës/historisë lineare. Kësisoj, për dallim nga botëkuptimi antik i kohës ciklike, bashkë me iluminizmin, koha/historia u konceptua si diçka që rrjedh në mënyrë lineare dhe progresive. Ideja e progresit u imponua nga iluminizmi dhe nënkuptonte se njeriu është një qenie në bërje e vazhdueshme dhe është një qenie e orientuar drejt “përsosmërisë absolute”. Iluministët argumentojnë se historia fillon nga pika zero dhe përparon drejt një qëllimi të caktuar. Thënë përmbledhurazi, arsimimi ose shkollimi, në kuptimin e sotshëm modern, u paraqit si nevojë për të njohur parimet, synimet dhe idealet e botës së re. Në një rrafsh më praktik, arsimimi dhe shkollimi lindi si nevojë për t’u përballuar dhe për t’u dhënë përgjigje sfidave të shumta që i imponoi kjo botë. Lindja e kapitalizmit, industrializmit, revolucionet në fushën e politikës, kulturës dhe sferave të tjera të jetës i parashtruan kërkesat e tyre të posaçme për krijimin e profesioneve të shumta, të cilat kërkonin njerëz me arsimin të kualifikuar.
Politizimi i arsimit fajtori kryesor i degradimit të sistemit arsimor
Raporte dhe rangime të ndryshme nga institucione vendore e ndërkombëtare dëshmojnë që sistemi edukavio-arsimor në Republikën e Maqedonisë së Veriut, por jo vetëm, një kohë të gjatë gjendet në një gjendje të mjerueshme. Treguesi i fundit ishin rezultatet PISA-s, të cilat edhe njëherë e dëshmuan nivelin e degradimit të sistemit arsimor. Arsyet për këtë mund të jenë të shumta. Dikush e adreson fajin në përgatitjen e ulët profesionale të pedagogëve, dikush tjetër në papërshtatshmërinë e kurrikulave dhe programeve arsimore, të tjerë theksojnë kushtet e pavolitshme dhe pagat e ulëta të pedagogëve nëpër institucionet arsimore, ndërsa një pjesë tjetër fajin ua përshkruajnë edhe prindërve, të cilët në të shumtën e rasteve janë indiferentë kundrejtë aktiviteteve të fëmijëve të tyre. Të gjithë këta, pak a shumë, ndikojnë që sistemi ynë arsimor të gjendet në këtë gjendje në të cilët është. Por, është një e vërtetë tjetër – se të gjitha këto janë pasojë dhe jo shkaku në vetvete. Në qendër të degradimit pothuajse total të sistemit arsimor qëndron politizimi i tij. Politizimi ose partizimi i institucioneve arsimore është sëmundja kronike dhe disi e pashërueshme e sistemit tonë arsimor, së paku në këto 30 vjetët e fundit. Që nga fillimi, politika, në mungesë të kapaciteteve intelektuale dhe profesionale për të ofruar një vizion përparimtar e qytetërues për shtetin dhe shoqërinë, instalimin e kulturës klientaliste e pa si instrumentin më të lehtë për të siguruar “legjitimitet” dhe pushtet politik. Klientalizmi buron nga një vetëdije ahistorike (ku besnikëria dhe nënshtrimi, e jo kompetenca, është përcaktuese për sigurimin e legjitimitetit politik) dhe nga paaftësia e politikës për të ndërtuar një shtet dhe shoqëri konform zhvillimeve dhe trendeve bashkëkohore. Politika ose shteti, duke (keq)përdorur situatën e rëndë ekonomike të qytetarëve, nivelin e ulët të vetëdijes shoqërore dhe mungesën e ekonomisë së bazuar në tregun e lirë, si dhe mungesën e një kapitalizmi të mirëfilltë, arriti të krijojë dhe imponojë imazhin e punëdhënësit, rrjedhimisht shpërtimtarit në këmbim të votës. Në këmbim të votës, pushteti bën shpërndarjen e të mirave materiale dhe të shërbimeve tjera. Për ta thënë shkurt, klientalizmi është një strategji e pushtetit për të korruptuar të shpirtin dhe mendjen e qytetarëve. Kapja ose okupimi i institucioneve arsimore dhe shndërrimi i tyre në filiala partiake ka qenë dhe akoma është prioriteti kryesor i politikës. Prapa insistimit që me çdo kusht të kontrollohen institucionet arsimore qëndrojnë tri arsye kryesore: së pari politika akumulon vota, së dyti institucionet arsimore, veçmas institucionet e arsimit të lartë, e plotësojnë imazhin e munguar të politikës/politikanëve si njerëz të progresit/modern/intelektual dhe, së treti, nëpërmjet kontrollit të institucioneve arsimore, veçmas universiteteve, politika arrin ta kontrollojë dhe parandalojë rrezikun që mundë t’i vijë nga aty. Sepse, supozohet që zëri dhe mendimi kritik buron pikërisht nga institucionet e larta arsimore.
Pasojat e politizimit të arsimit mund të jenë të shumta. Pra, përveç që ky sistem arsimor prodhon kuadro pothuajse analfabetë funksionalë (p.sh. ashtu siç na dëshmojnë rezultatet të testimeve të PISA-s) dhe kuadro të paafta për t’u përgjigjur ndaj kërkesave të tregut të punës, ky sistem po ashtu prodhon individë konformistë e të nënshtruar. Instalimi i kulturës së konformizmit e nënshtrimit dhe desubjektivizimi i “individit” dhe “mbytja” e mendimit kritik, mbase është “krimi” më i madh që bën politika nëpërmjet politizimit të sistemit arsimor. Sepse, siç thuhet shpesh, ajo “e vret ardhmërinë e një kombi”.
“Epoka jonë është epoka e kritikës”, thoshte Kanti ose “gjithçka duhet të kritikohet”, thoshte Dideroti. Nevoja për të formësuar një individ dhe shoqëri që mendon në mënyrë kritike dhe autonome mund të ketë ekzistuar në të gjitha epokat historike, por kjo nevojë shndërrohet në imperativ në shoqëritë demokratike. Pikërisht në këtë pikë shteti dhe institucionet arsimore kanë dëshmuar plotësisht. Ajo që sot sistemi arsimor prodhon është një individ me mendje të robëruar, që me apo pavetëdije i nënshtrohet plotësisht ideologjisë dominuese të shtetit, ideologjisë së partisë dhe të gjitha formave tjera të ideologjive antiqytetëruese që manifestohen nëpërmjet gjuhës apo diskursit. Duke qenë kështu, ky individ dhe kjo shoqëri është e prirë të përligjë ose të heshtë para të gjitha fenomeneve të liga dhe padrejtësive që ndodhin në shoqëri, e që kryesisht prodhohen nga politika. Heshtja dhe konformizmi është vlera më sublime që sot mbizotëron në shoqërinë tonë. Dhe, jorastësisht, sot pothuajse me gishta mund të numërohen njerëzit të cilët flasin hapur dhe e zhvillojnë mendimin kritik kundrejt “tragjedisë” që po na ndodh. Për ta parë këtë realitet, mjafton t’i hedhim një sy nivelit të universiteteve tona dhe rolit që luajnë këto universitete. Në parim, universitetet dhe, në përgjithësi, institucionet arsimore do të duhej të ishin qendrat kryesore të “kryengritjes”, qendra prej ku do të buronte mendimi kritik dhe qendrat e rezistencës kundër përpjekjeve për nënshtrim. Në fakt, ajo që sot e shohim është një pasivitet absolut, madje edhe një nënshtrim i plotë i institucioneve arsimore ndaj politikës. Ndërkaq politika, duke ditur që ka siguruar heshtjen dhe nënshtrimin e shoqërisë, veçmas klasës prej të cilëve pritet kritika, e që kryesisht është shtresa e arsimuar dhe e shkolluar, ia ka siguruar komoditetin vetes për një qeverisje kryesisht të korruptuar.
Kriza e leximit dhe instikti i mbijetesës
“Pse nuk lexojmë?” është një dilemë që preokupon pak njerëz në epokën e digjitalizimit masiv ose, siç thot Habermasi, në epokën ku “të gjithë flasin e askush nuk dëgjon (lexon).” Sot, shumëkush flet që digjitalizimi masiv, shndërrimi i gjithë hapësirës në ekran dhe shndërrimi i çdo cepi në burim informacioni është njëra nga arsyet kryesore e krizës së leximit, që është një fenomen globalë. Kjo është e vërtetë, pasi që çdo informacion që ne na duhet e fitojmë vetëm me një klikim në telefon ose ndonjë pajisje tjetër. Sidoqoftë, ky shkrim nuk ka për qëllim ta analizojë këtë fenomen, i cili vërtet është interesant dhe, sipas të gjitha gjasave, ndikon ndjeshëm në shpërfilljen e librit kryesisht nga të rinjtë. Megjithatë, do të kishte qenë një qasje reduksioniste që krizën e leximit, të paktën tek ne, ta kufizosh vetëm me digjitalizimin masiv. Do të ishte një qasje që rrezikon të shpërfillë një sëre faktorësh të tjerë të rëndësishëm që ndikojnë në këtë fenomen e që kryesisht janë faktorë kulturorë dhe historikë. Në thelb, kriza e leximit dhe, në përgjithësi, indiferenca ndaj dijes buron nga një vonesë e jona historike dhe nga një gjendje psikologjike e mosarritjes së tejkalimit të biologjikes ose instinktit të mbijetesës. Është një traditë së paku 2500-vjeçare në mendimin filozofik, pra që nga Aristoteli, Ibn Halduni, e deri tek dijetarët e sotëm, të cilët pohojnë se shoqëritë që udhëhiqen nga institkti i mbijetesës është e pamundur të shfaqin interes për dijen. Në popull, ky fenomen shpeshherë përshkruhet me frazën “shkenca ose dija është luks”. Dhe, në të vërtetë, shoqëritë të cilat nuk e kanë kaluar stadin e luftës për mbijetësë, nuk mund të prodhojnë dije, kulturë dhe art. Rrjedhimisht, nuk mund ta kultivojnë kulturën e leximit. Kësisoj kultura e leximit dhe, në përgjithësi, dashuria për librin/dijen është e lidhur ngusht me tejkalimin e instiktit/luftës për mbijetesë. Kultura e leximi është e lidhur ngusht me idenë e krijimit të shoqërisë së “qytetëruar”. Por, në kontekstin tonë, shprehja “luftë për mbijetesë” nuk ka për qëllim ta përshkruajë një gjendje të mungesës së kushteve dhe mjeteve elementare për jetesë, por ka për qëllim të përshkruajë një gjendje mendore ose vetëdije e cila pothuajse gjithçka e redukton në biologjiken. Është mënyrë e të menduarit, është kulturë që në nënvetëdije refuzon, përçmon dhe, madje, urren gjithçka që del jashtë kornizave të nevojave biologjike. Shoqëritë e tilla maksimumi që mund të shprehin interes është interesi për imagjinaren. Ndërkaq, imagjinarja nuk është e shkëputur nga oreksi biologjik. Përçmimi ndaj leximit dhe dijes (këtu me dije para së gjithash nënkuptojmë filozofinë në kuptimin e gjërë të fjalës), ashtu siç në librin e tij E Pafilozofuara, autori, Hysamedin Feraj, argumenton, është një kulturë e ngulitur historikisht thellë në vetëdijën shqiptare. Feraj argumenton se fillet e kulturës së përçmimit të filozofisë tek shqiptarët gjenden qysh tek ilirët. Në këtë kontekst, përçmimi për filozofinë tek shqiptarët paraqitet si një tipar i përhershëm, konstant dhe i vijueshëm ndër shekuj. Kështu, të prirë gjithmonë nga instinkti për të ngelë gjallë, shqiptarët nuk kanë arritur të prodhojnë as filozofi, as art, as kulturë, as mirëqenie ekonomike e sociale dhe më në fund as shoqëri civile dhe shtet të mirëfilltë.
Përtej këtyre shpekulimeve teorike dhe me qëllim për ta kontekstualizuar këtë fenomen, kjo krizë dhe indiferencë ndaj librit ka të bëjë me zhvendosjen dhe përmbyesjen e pothuajse të gjitha vlerave qytetërimore dhe njerëzore (çfarëdo që nënkuptojmë me këto vlera). Por, për ta zhvendosur analizën në një rrafsh tjetër dhe per t’iu përgjigjur pyetjes se pse nuk lexojmë, së pari duhet parë pse duhet të lexojmë. Një përgjigjie e përgjithësuar do të ishte që, së pari, njerërzit lexojnë për ta përndritur veten me qëllim për ta kuptuar dhe shpjeguar botën ku jetojnë. Këta njerëz leximin nuk e kanë mjet, por qëllim në vetvete. Së dyti, njerëzit lexojnë për t’u përgaditur profesionalisht dhe në mënyrë meritore dhe të ndershme të ushtrojnë dhe aftësohen në profesionet e tyre. Tani, duke qenë kështu, në një shoqëri ku arritjet në jetë janë të lidhura me të qenurit servil e besnik ndaj autoriteteve, me të përligjurit e korrupsionit, klientalizmit, hipokrizisë etj., pse një njeri do duhej të zgjidhte një rrugë të ndershme dhe të mundishme, siç është leximi për relizimin e qëllimeve të tij. Ky fenomen i përmbysjeve të vlerave në të njejtën kohë i ka përmbysur edhe idealet e shoqërisë. Në një shoqëri ku idealizohet politikani i pasuruar brenda natës, biznesmeni i cili pasurinë e ka bërë po në mënyrë të kriminalizuar, anëtarët e estradës të cilët nuk prodhojnë asgjë, përveçse një kitch dhe perversitet etj., ekzistenca e idealit për dijen dhe librit është e pamundur dhe e panevojshme. Për më tepër, ajo që duket në horizont sot është ekzistenca e një dëshirë patologjike për pushtet dhe pasurim të shpejtë. Shkurt, libri dhe leximi paraqitet si nevojë në kushte të shteti dhe shoqërisë ku mundi dhe puna shpërblehet, qoftë ky shpërblim si një kënaqësi shpirtëore ose si formë e përfitimit material. Ajo që sot idealizohet dhe gati është shndërruar në idhujtari është e gjitha në nivelin e biologjikes.
Përjetimi i teknologjisë si qytetërim është lajthitje, e vetmja rrugë kthimi kah filozofia
Në shoqëritë e vonuara, ku procesi i modernizimit nuk buron nga dinamikat e brendshme të shoqërisë, por është një imponim nga jashtë, një imponim brutal, moderniteti, rrjedhimisht qytetërimi, kryesisht përjetohet si teknologji. Ndjesia e të qenurit bashkëkohor, nëpërmjet përvetësimit dhe përdorimit të teknologjisë, ka ndikuar që ne si shoqëri të shpërfillim dhe, madje, të sillemi me përçmim ndaj mendimit social, veçmas filozofisë, artit dhe letërsisë, që janë fusha të cilat e orientojnë individin drejt parimeve dhe idealeve që e tejkalojnë biologjiken. Atëherë, pse shoqëritë, të cilat disi kanë ngelur në “mes të rrugës”, siç është kjo e jona, shprehin një indiferencë dhe përçmim ndaj filozofisë dhe shkencave të tjera shoqërore dhe, nga ana tjetër, me një zell të madh e përvetësojnë teknologjinë?! Kjo ndodh për dy arsye: së pari teknologjia e krijon imazhin e të qenurit bashkëkohorë (kjo bashkëkohësi është sipërfaqësore, pa asnjë esencë) dhe, së dyti i plotëson orekset biologjike, të cilat manifestohen në forma të ndryshme. Ndërkaq, nga ana tjetër, meqenëse filozofia, arti, letërsia etj., janë përjetime abstrakte dhe operojnë në nivelin e konceptuales, ato janë të privuara nga aftësia e plotësimit të orekseve biologjike. Duke qenë kështu, ato përjetohen si të panevojshme dhe utopike, sepse shpirti i provincialit përçmon gjithçka që është në nivelin e abstraktes dhe konceptuales.
Për ta përmbledhur, ajo që pretendohet të thuhet në këtë pikë të analizës është të vihet në dritë një lajthitje e madhe, sipas së cilës përvetësimi dhe përdorimi i teknologjisë mund t’i zëvendësojë shkencat e lartpërmendura. E vërteta është se tekonologjia nuk na ndihmon shumë në ndërtimin e një shoqërie dhe shteti të ngritur mbi vlerat, siç janë demokracia, shteti ligjor, meritokracia, liria, barazia etj. E vetmja rrugë për të krijuar një shtet dhe shoqëri ku sado pak do të mbisundojnë këto vlerat qytetëruese, kalon nëpërmjet filozofisë, artit dhe letërsisë. Sepse, ndërtimi i një shteti dhe shoqërie funskionale është i ndërlidhur në nocionet si liria, barazia, dialektika, demokracia, individualizmi etj. Të gjithë këto janë objekt i studimit të filozofisë dhe shkencave të përafërta me të. Që këtu derivohet nevoja për kthim tek filozofia.