loader image
November 23, 2024

Maqedonia si m’u duk

Bllokadat e njëpasnjëshme të fqinjëve dhe mungesa e kohezionit të brendshëm janë arsye e mirë që maqedonasit t’i thirrin ndërgjegjes së tyre dhe të mendojnë se si ka mundësi që gjermanët e Zvicrës mes Gjermanisë, si shteti kombëtar i gjermanëve, dhe Zvicrës, si shtet i përbashkët me francezët e italianët, më shumë parapëlqejnë të jetojnë në Zvicër me identitet zviceran sesa të bashkohen me Gjermaninë dhe kombin gjerman, ndërsa shqiptarët në Maqedoni më shumë preferojnë të bashkohen me Shqipërinë, e cila nuk është se ka ndonjë politikë ose plan inkluziv për kombin shqiptar dhe bile ka plot paragjykime për këtë pjesë të shqiptarëve, sesa të integrohen në Maqedoninë e këtillë.  

Zeqirija IBRAHIMI, Shkup

Maqedonia mund të jetë shembulli më tipik se si mund të dështojë një shtet nëse kurdiset keq. Kur dikush e vështron sot perspektivën e Maqedonisë (nga viti 2018-të, Maqedonia e Veriut) si shtet, nuk e ka vështirë të konstatojë se ky është ndër vendet më të ndërlikuara në Ballkan, që vazhdimisht përpëlitet në bllokada nga fqinjët në rrugën euro-atlantike, me kontestime të identitetit, me fërkime të brendshme, madje edhe me konflikte. Dhe, po t’i pyesësh maqedonasit se pse ndodhë kjo, sigurisht që do të përpiqen ta shpjegojnë me terma të ”fqinjëve armiqësorë“ (qofshin fqinjë si shtete ose si kombe), ndonëse as ata vetë, por – për fat të keq – edhe opinioni shkencor, por jo vetëm, nuk është i gatshëm ta pohojë saktë se problemet që sot i dalin këtij shteti janë si pasojë e definimit të tij që nga themelimi. Një shartim i gabuar në krye të herës ka prodhuar fruta “që ta rrudhin gojën” vazhdimisht.

Por, të shkojmë me radhë!

Maqedonia mes historisë dhe gjeografisë

Pas antikitetit të Filipit II e Lekës së Madh (shek. IV p.e.s), që e ndërtuan një shtet me emrin Maqedoni (natyrisht, pa projektuar identitet kombëtar, sepse kombi është një konstrukt i modernitetit), në vitet e Mesjetës, Perandorisë Osmane, e deri në shek. XX, Maqedonia do të jetë thjesht një rajon gjeografik në Ballkan. Siç dihet nga historia, në shek. VI-VII kjo gjeografi do të popullohej nga sllavët e dyndur nga Karpatet.

”Çështja maqedonase” paraqitet në vitet e fundit të Perandorisë Osmane, kur nga ndikimi ruso-bullgar për t’ua hequr osmanëve edhe këtë pjesë të Ballkanit, krijohet një organizatë revolucionare maqedonase (në fillim – më 1893 me shkurtesë TMRO, më vonë me VMRO), që do të bënte betejë antiosmane për autonomi ose shkëputje të Maqedonisë nga osmanët dhe, sipas synimeve bullgare, për bashkim me Bullgarinë. Si e tillë, në literaturë nuk është krejt e qartë se çfarë do të ishte njësia politike, gjuhësore dhe kombëtare që mund të pavarësohej, megjithëse është fare lehtë të konstatohet se ajo ishte një organizatë që ishte krijuar dhe mbështetej nga Bullgaria dhe kishte për synim ta copëzonte Perandorinë Osmane. Në fakt, Bullgaria – e shtyrë nga prirja për ta marrë Maqedoninë deri në Ohër – si qendër të sllavizmit dhe Ipeshkvisë së Ohrit, do ta stimulonte krijimin e Maqedonisë autonome dhe të identitetit të veçantë të sllavëve të këtij regjioni, në mënyrë që kështu të krijonte kushte që ajo të ndahej nga shteti osman. Natyrisht, kësaj do i ndihmonte edhe kisha bullgare, që këtë element sllav e shihte si ”bullgarë të Maqedonisë“.

Për hir të së vërtetës, duhet të thënë se në fillim të shek. XX popullata e këtij regjioni nuk është se kishte ndonjë identitet të konsoliduar kombëtar, përveçse e ndjente veten sllave ortodokse. Prandaj, do të jenë fasada bullgare dhe serbe, varësisht nga ajo se kush ishte sunduese e këtij territori, ajo që do ta ngjyroste këtë popullatë me identitet kombëtar.

Ndonëse Bullgaria ishte mbështetëse e të a.q. “kauzë maqedonase”, ajo si e parealizuar nga luftërat ballkanike dhe humbëse në dy luftërat botërore, nuk ia doli ta përvetësojë as territorin e as popullatën e Maqedonisë. Kështu, nga një nismë ekspansioniste bullgare, Maqedonia kaloi në një projekt që do ta përvetësojë Serbia. Kjo e fundit, në vitet mes dy luftërave botërore do ta themelojë në këtë hapësirë të a.q. Banovina e Vardarit, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore mbi këta kufij këtu do të themelohet një republikë e veçantë e federatës jugosllave, që në fillim u quajt Republika Federale e Maqedonisë (deri më 1946), pastaj deri më 1963 u quajt Republika Popullore e Maqedonisë, më vonë – deri më 1991 – u quajt Republika Socialiste e Maqedonisë, nga ky vit e deri më 2018 u quajt Republika e Maqedonisë dhe nga viti 2018 e këndej quhet Republika e Maqedonisë së Veriut.

Projektimi i shndërruar në fatalitet

Ashtu siç shpjeguam më sipër, Maqedonia u krijua si njësi e veçantë politike pas Luftës së Dytë Botërore, pra nuk është kurrfarë zbulimi kur themi se ky shtet lindi me nismën e Jugosllavisë së Titos, e cila duke e projektuar një shtet të tillë, do të arrinte të menaxhonte disa çështje: do t’i shkëpuste sllavët e Maqedonisë nga bullgarët dhe nga pretendimi i Bullgarisë (duke e krijuar gjuhën standarde maqedonase, që do ta ketë epiqendrën shumë larg bërthamës së gjuhës bullgare, e cila u projektua nga bullgarishtja verilindore), do t’i qëndronte mbi kokë Greqisë, sepse Maqedonia do të ruante emrin që shtrihej edhe në territorin verior grek, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë nuk do t’i lejonte të bashkoheshin me Kosovën, për të qenë një njësi politike e bashkuar shqiptare në Jugosllavi, dhe – në anën tjetër – nuk do ia lejonte Shqipërisë të projektojë interesa shqiptare edhe mbi Maqedoninë. Me fjalë të tjera, Maqedonia do të ishte një pasqyrim i Serbisë në jug të Jugosllavisë titiste.

Dhe, ndonëse Serbia i ka pasur gjitha parakushtet për të qenë komb dhe shtet (rilindja nacionaliste serbe në shek. XIX, homogjeniteti etnik, gjuha dhe kultura serbe), Maqedonia do të duhej të menaxhonte me një varg problemesh të shtetndërtimit e kombndërtimit, që as sot nuk kanë fund. Fillimisht u desh ta krijojë një gjuhë standarde, që do të ishte e dallueshme nga bullgarishtja, pastaj u desh të konsolidohet identiteti i veçantë kombëtar dhe kjo të bëhet mbi histori e kulturë që edhe mund të jetë zhvilluar në gjeografinë e Maqedonisë së sotme, por që Bullgaria nuk do ta njohë kurrë (madje, as sot) si të veçantë, por do ta konsiderojë gjithnjë si bullgare. Kështu, edhe bllokimi i fundit i Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria në procesin e integrimit të saj në Bashkimin Europian vjen pikërisht për shkak të këtij kontestimi. Po në këtë mënyrë, Greqia – duke insistuar në distancimin e Maqedonisë nga historia antike e Maqedonisë së Lekës së Madh dhe duke kërkuar të bëhet distinksion i qartë mes Maqedonisë së sotme si shtet dhe territorit të saj të Maqedonisë – fillimisht më 1991 e detyroi Maqedoninë që në OKB të pranohet me referencën Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, ndërsa deri në vitin 2018 do ta mbajë të bllokuar për anëtarësim në NATO. Pas kësaj, me Marrëveshjen e Prespës me Greqinë (17 qershor 2018), ky shtet do tа marrë emrin “Maqedonia e Veriut”.

Një argument tjetër se Maqedonia është një projektim i Serbisë është edhe referendumi për pavarësi, i mbajtur më 8 shtator 1991, kur pyetja (e parafrazuar) ishte “A jeni për Maqedoninë si shtet të pavarur dhe sovran, me mundësi për bashkim me ndonjë nga republikat e ish Jugosllavisë?”, që nënkupton se ajo mbetet e hapur ndaj fqinjit të saj verior deri në masën e mundësisë për bashkim me të. Përtej kësaj, edhe mënyra se si ajo është sjellë e si sillet me shqiptarët në të, lë shumë për të argumentuar se ajo është një shartim serb.

Megjithatë, këto probleme për të nuk kanë fund. Tema më е rëndësishme në Maqedoni, në kuptim të organizimit të brendshëm, është sovraniteti. Duke u ndërtuar sipas modelit të Serbisë, Maqedonia do ta projektojë veten në preambulë të kushtetutës si “shtet i kombit maqedonas” dhe minoriteteve të tjera (që herë do të quhen “kombësi”, herë “pakica kombëtare”, herë “bashkësi etnike”), por gjithnjë do të insistohet që shteti të jetë një njësi “monoetnike me disa pakica”, kjo në kundërshtim me realitetin demografik, i cili në vitin 2021 pasqyron një komunitet shumicë (maqedonasit) me 54 për qind, një shumicë të dytë (shqiptarët), që tashmë del me 30 për qind, dhe një grup pakicash që shkojnë nga 0.5 (vllahë) deri në 4% (turq). Përkundër këtij realiteti, ajo do të insistojë me kushtetutë, madje edhe në kohën që po e shkruajmë këtë tekst, se “Maqedonia është fryt i përpjekjes së maqedonasve për shtet kombëtar”, se maqedonasit janë bartës të sovranitetit dhe se këtu jetojnë edhe “pjesë të popullit” shqiptar, turk, rom… Dhe, derisa në kushtet e Jugosllavisë këtë edhe e ka menaxhuar me forcën e pushtetit (sigurisht, duke prodhuar diskriminim etnik në arsim, kulturë, media etj.), në kushte të pluralizmit dhe ndryshimit të ekuilibrave të fuqive brenda e jashtë kjo qasje do të bëhet e paqëndrueshme dhe, madje, do të prodhojë brishtësi të këtij shteti, që më 2001 do të kulminojë edhe me konflikt ndëretnik shqiptaro-maqedonas, i cili do të përfundojë me Marrëveshjen e Ohrit (13 gusht 2001).

Në të vërtetë, duke qenë një projeksion serb, gjithë nacionalizmi maqedonas do të ndërtohet mbi armiqësinë me shqiptarët dhe me bullgarët. Dhe, ndonëse me këta të fundit nuk ka pasur mundësi përplasjeje, sepse nuk i ka njohur si komunitet i brendshëm, andaj armiqësia ka qenë nga distanca, qëndrimi ndaj shqiptarëve e ka bërë Maqedoninë një shtet tejet të thyeshëm dhe të paqëndrueshëm. Kështu, maqedonasit nuk u besojnë shqiptarëve dhe i konsiderojnë si “e keqja e domosdoshme”, “sabotues, zhvatës dhe shfrytëzues të shtetit”, e deri në kualifikime ofenduese për “të paurbanizuar” e “të paqytetëruar”, ndërsa shqiptarët – nga ana tjetër – e shohin Maqedoninë si “shtet i ndërtuar mbi paradigmën e diskriminimit të shqiptarëve”, si “shtet armiqësor”, madje edhe si “shtet i përkohshëm”, sepse ata jetojnë me ëndrrën e Shqipërisë etnike, ndërsa kombin maqedonas e pranojnë publikisht, por në vete e mendojnë si një bashkësi të re dhe të paqëndrueshme.

Duke qëndruar mbi definicione të këtilla dhe mbi perceptime kaq të kundërta mes vetë popujve që jetojnë në të, gjithsesi të detyruar për të ndërtuar shtet të përbashkët, Maqedonia vazhdon të jetë një shtet i brishtë, i kontestuar, me plot linja të çarjes dhe me mungesë të perspektivës zhvillimore dhe integruese.

Maqedonia në syrin shqiptar

Para disa ditësh presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deklaroi se “ai (e kishte fjalën për Albin Kurti) dëshiron që të sundojë edhe në Maqedoni, duke e mundur BDI-në dhe Ali Ahmetin”, me çka edhe një herë e përdëftoi brengën e tij për atë se kush qeveris në Maqedoni.

Dhe, derisa Serbia e di se çfarë do nga Maqedonia, madje edhe shtetet e tjera fqinje e dinë mirëfilli këtë, të vetmit që nuk e kanë idenë se çfarë Maqedonie duan janë shqiptarët.

Për politikën zyrtare të Tiranës Maqedonia e Veriut është një vend fqinj, me të cilin nuk ka asnjë kontest të hapur, madje as në raport me çështjet që për shqiptarët e këtij shteti kanë qenë problematike. Për fat të keq, Shqipëria jo rrallë ka dëshmuar mungesë ekstreme të informacionit kundrejt Maqedonisë së Veriut, veçmas për tema që kanë të bëjnë me shqiptarët këtu. Fjala bie, kryeministri Edi Rama, por jo vetëm, më 2018 mburrej se “gjuha shqipe u bë zyrtare në Maqedoni”, duke përdëftuar mungesë bazike të informacionit për statusin e gjuhës shqipe në këtë shtet. Madje, më shumë se kaq, për shqiptarët e Maqedonisë vazhdon të mbetet irrituese kur “shteti amë” i quan shqiptarët “maqedonas” dhe kur këtë emërtim e përdor edhe për akademikët, artistët, shkrimtarët e sportistët shqiptarë në Maqedoni.

Përtej kësaj, në kujtesën kolektive, bile rrallë edhe në atë akademike, vështirë gjen mendje që e di diskriminim që e kanë vuajtur shqiptarët e Maqedonisë në kohën e ish Jugosllavisë, qoftë përmes kufizimit të natalitetit, shpërnguljes së dhunshme në Turqi, persekutimeve, përndjekjeve e kufizimit të arsimit shqip e të kulturës shqiptare, e deri te rrënimi i mureve të shtëpive me paragjykimin banal se aty fshihen organizime antishtetërore. Prandaj, ata edhe habiten me shqiptarët e Maqedonisë që irritohen kur i quajnë “maqedonas”, ndërsa lidershipi i Shqipërisë gjithnjë ka shfaqur dashamirësi, miqësi, madje edhe aleancë, me lidershipin maqedonas pa e vënë asnjëherë ujin në zjarr për problemet shqiptare në këtë shtet. Ka ndodhur problemi i themelimit të UT-së më 1994, kur u vra një shqiptar, ka ndodhur problemi i flamurit në Gostivar më 1997, kur u vranë disa shqiptarë dhe u burgos kryetari i Komunës, ka ndodhur lufta e vitit 2001, por lidershipi shqiptar i Tiranës nuk e ka prishur “muhabetin” me drejtuesit maqedonas të politikës në Shkup.

Në anën tjetër, Kosova – qoftë si klasë politike, ekonomike, por edhe populli vetë – duke pasur të kaluar të përbashkët në ish Jugosllavi, ka më shumë informacion për shqiptarët e Maqedonisë, por ata të zënë me hallet e veta të shtetndërtimit nuk është se mund të bëjnë diçka më shumë. Në të vërtetë, shqiptarët e Maqedonisë kanë qenë të përfshirë gati në të gjitha lëvizjet në Kosovë, që nga themelimi i LDK-së, e deri te lufta e viteve 1998/99. Madje, edhe vetë heroi kombëtar Adem Jashari një kohë është strehuar pikërisht në Shkup.

Megjithatë, për shqiptarët që jetojnë në Maqedoni ky shtet është zgjatim i politikës serbe ndaj shqiptarëve në Jugosllavi. Sipas tyre, jo pa argumente empirike, gjithçka që ka bërë Serbia kundrejt shqiptarëve në Kosovë, e ka bërë edhe Maqedonia kundrejt shqiptarëve këtu. Se nacionalizmi antishqiptar në Maqedoni nuk pushon as këto ditë janë kujdesur disa prindër maqedonas në një komunë të rrethit të Velesit (në Çashkë), të cilët nuk lejojnë që në shkollën ku mësojnë fëmijët e tyre të mësojnë edhe fëmijët shqiptarë, ndonëse në aspektin demografik shqiptarët aty janë mbi 50%.

Jemi në vitin 2024, pra në shekullin XXI, në prag të hapjes së negociatave për aderim në BE, në Maqedoni kemi kryeministër teknik shqiptar, disa ministra shqiptarë, por antishqiptaria si lajtmotiv i nacionalizmit maqedonas është po ajo që ka qenë që nga ikja e osmanëve prej këtyre trojeve. Ky tipi i nacionalizmit i ka shkaktuar dy barrikada: shqiptarët janë barrikaduar nga frika e maqedonasve, të gatshëm gjithnjë për ofensivë, ndërsa në anën tjetër janë barrikaduar maqedonasit, që jetojnë gjithnjë me drojën se mos ua marrin shtetin shqiptarët.

Se cili është realiteti mes shqiptarëve e maqedonasve këtë e ka përshkruar më së miri regjisori Millço Mançevski në filmin “Para shiut” (1994), ku një fshat shqiptar dhe një fshat maqedonas jetojnë me frikën se kush do të gjuajë i pari. “Po shtohen si lepuj, do të na vërshojnë he nënën atyre…”, është fjalia që e thotë një maqedonas për fqinjët shqiptarë në këtë film, me të cilin më së miri pasqyrohen istikamet dhe paragjykimet mes këtyre dy popujve në Maqedoni.

Në anën tjetër, shqiptarët vazhdojnë të sillen ndaj këtij shteti si “një shtet i huaj”, sepse “ata një ditë do të bashkohen me shtetin amë”. Një ëndërr e shprehur edhe nga politikanë të lartë, gjë që sa flet për subkoshiencën e shqiptarëve të këtij vendi, se pakkush prej tyre e sheh të ardhmen e kombit të tij aty, po aq flet edhe për faktin se shqiptarët kurrsesi nuk e shohin këtë shtet si atdheun e tyre.

Serbia e Vogël apo Zvicra e Ballkanit?

Ndonëse shembuj të këtillë ka plot dhe historianët, gazetarët e artistët kanë regjistruar pa fund paragjykime të ndërsjella, e përbashkëta e krejt atyre është paradigma e frikës nga tjetri, mosnjohja, urrejtja dhe dëshira për dominim. Është kjo paradigmë që, në fakt, e ka bllokuar Maqedoninë. Duke qenë në shek. XXI dhe në rrugë të mbarë për integrim në BE. Maqedonia e Veriut ka realitet demografik me 45% popullatë që dallohet nga kombi shumicë (prej të cilëve 30% janë shqiptarë), ndërsa maqedonasit vazhdojnë ta ruajnë paradigmën se ata janë bartës të sovranitetin, se Maqedonia është shtet kombëtar i kombit maqedonas, se simbolet e shtetit u përkasin atyre, se gjuhë zyrtare ose kod i vetëm i komunikimit të shtetit është vetëm maqedonishtja, se organet e sigurisë nuk bën të ndahen me shqiptarët etj. Kjo nënkupton se ndonëse kanë ndryshuar rrethanat, maqedonasit vazhdojnë të sillen sikur jemi në vitin 1945 dhe nuk duan të binden se shteti i projektuar atëherë tashmë është jofunksional. Pretendimi për të qenë një mini-Serbi në jug të Ballkanit, veçmas kundrejt shqiptarëve, por edhe bullgarëve, e ka bërë këtë shtet të brishtë dhe jostabil.

Kjo është arsyeja që qysh më 2014, përmes organizimit politik që e kishim artikuluar që atëherë me Lëvizjen Besa, u thamë maqedonasve se Maqedonia ka nevojë për një ridefinim. Ndonëse ky propozim u satanizua dhe u sulmua nga politika nacionaliste maqedonase, edhe ata sot e shohin se ky shtet vështirë shkon kështu. Bllokadat e njëpasnjëshme të fqinjëve dhe mungesa e kohezionit të brendshëm janë arsye e mirë që maqedonasit t’i thirrin ndërgjegjes së tyre dhe të mendojnë se si ka mundësi që gjermanët e Zvicrës mes Gjermanisë, si shteti kombëtar i gjermanëve, dhe Zvicrës, si shtet i përbashkët me francezët e italianët, më shumë parapëlqejnë të jetojnë në Zvicër me identitet zviceran sesa të bashkohen me Gjermaninë dhe kombin gjerman, ndërsa shqiptarët në Maqedoni më shumë preferojnë të bashkohen me Shqipërinë, e cila nuk është se ka ndonjë politikë ose plan inkluziv për kombin shqiptar dhe bile ka plot paragjykime për këtë pjesë të shqiptarëve, sesa të integrohen në Maqedoninë e këtillë.

Mund të duket utopike, sepse ashtu edhe e patën interpretuar këtë propozim dashakëqijtë, por ideja jonë politike ka qenë që Maqedonia duhet ta ndryshojë paradigmën mbi të cilën është ndërtuar. Ajo duhet të ridefinohet si shtet qytetar, njësoj si Zvicra, ku identiteti shtetëror do të jetë mbietnik dhe do t’i përfshijë të gjithë (me emrin, simbolet, si dhe me definimin kushtetues të bartësit të sovranitetit), ndërsa kombet të jenë niveli i dytë i organizimit shtetëror, që mund të jenë të organizuara edhe sipas modelit zviceran ose edhe si dy kombe bartëse të sovranitetit binacional, gjithsesi duke i respektuar të drejtat e pakicave në vetëqeverisjen lokale. Kjo paradigmë nënkupton se ashtu siç është shteti i ndarë nga religjioni, Maqedonia duhet të krijojë distancë të barabartë nga të gjitha kombet, për ta ushqyer kështu identitetin e përbashkët shtetëror kundrejt identiteteve kombëtare maqedonase, shqiptare, turke etj.

Nëse do të bëhej kjo, shqiptarët nuk është se do të kishin ndonjë interes për t’u bashkuar me Shqipërinë, sepse në vend se të jenë periferi e Tiranës, ata do të ishin bërthama e Shkupit. Përveç kësaj, rruga e integrimit europian, drejt së cilës po shkojmë, edhe ashtu parashikon eliminim të kufijve, ashtu që shumë shpejt shqiptarët do të jenë bashkë si të gjithë gjermanët në zonën shengen, por që nuk do të kenë nevojë për t’u mbledhur të gjithë në shtetin e përbashkët.

Sado që mund të duket ide utopike, kemi ekzemplarë në Europë se kjo ka funksionuar dhe, e dyta, kjo – sipas nesh – është mundësia e vetme për ta zgjidhur nyjën gordiane të funksionalizimit të Maqedonisë. Në të kundërtën, insistimi në nacionalizmin shtet-komb, të prodhuar sipas modelit serb, si dhe insistimi për ta mbajtur të pandryshuar monopolin mbi sovranitetin e shtetit, prodhon vetëm  probleme dhe bllokada, që nuk i mundësojnë perspektivë këtij shteti.

Gjendja e sotme e Maqedonisë i ngjan një përroi në të cilin ka rënë një shkëmb dhe për shkak të tij uji është ndalur dhe nuk rrjedhë. Andaj ka dalë nga shtrati dhe nuk i bën dobi as vetes e as mjedisit. Që të zhbllokohet rrjedha nuk mjafton të hiqen vetëm disa gurë të vegjël ose disa mbeturina që janë grumbulluar mbi përrua, por do të duhet të gjendet dhe të hiqet pikërisht shkëmbi bllokues. Derisa maqedonasit, por edhe shqiptarët, ta kuptojnë këtë, Maqedonia do të vazhdojë të notojë nga njëra bllokadë në tjetrën.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X