Entuziazmi që u pa në Tiranën zyrtare lidhur me ftesën e Presidentit Trump për “Bordin e Paqes” ose edhe reagimet lidhur me “precedentin Maduro” në Venezuelë, tregojnë se në Tiranë, qoftë mazhoranca e qoftë opozita, pa më të voglin dyzim, kanë zgjedhur një përgjigje dhe miratim të shpejtë se çfarë kanë zgjedhur, edhe pse për arsye krejt të ndryshme dhe për pritshmëri të ndryshme nga ajo që po ndodh.
Agim BAÇI, Tiranë
“Duhet të emërtojmë realitetin. Të ndalojmë së thirruri rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla sikur ende funksionon siç reklamohet. Ta quajmë për atë që është: një sistem rivaliteti gjithnjë e më intensiv mes fuqive të mëdha, ku më të fuqishmit ndjekin interesat e tyre duke përdorur integrimin ekonomik si shtrëngim”. Kjo qe një pjesë e thirrjes që kryeministri kanadez, Marc Carney, bëri në Forumin e Davosit, duke shkundur qarqet diplomatike mbarëbotërore të cilat duken të shokuara pas krijimit të “Bordit të Paqes” nga Presidenti Trump dhe sidomos pas ngjarjeve që shkojnë sa në Gaza, Kiev, Karakas, Havana e Grenlandë. Sipas Carney-t, shumë vende duhet të pyesin veten se si duhet të orientohen politikisht tani që ka rënë “Forca e Vlerës” dhe ka hyrë në fuqi vetëm “Vlera e Forcës”.
Deklarata e Carney-t nuk ishte thjesht një ndryshim togëfjalëshi, por një logjikë që përmbys thuajse të gjitha rregullat e deritashme politike përmes së cilave liberalizmi kishte ndërtuar shumëçka. Pra, thënë shkoqur, jemi në versionin më të zhveshur të realizmit brutal që na ka sjellë historiani grek i antikitetit, Tuqididi, në atë që njihet si “Dialogu Melian”, ku Athina, si superfuqia detare e kohës, i jep Melosit të vogël një zgjedhje: nënshtrohuni ose zhdukuni! Pra, sipas Carney-t, mesazhi është i thjeshtë e i qartë edhe sot: “të fortët bëjnë ç’të munden, të dobëtit vuajnë ç’duhet”. Ky është një dialog pa asnjë dekor moral apo ligjor. Është një dialog vetëm me llogari të ftohta, ku nuk vlen më të qëndrosh sikur bota po ecën njëlloj se jemi mbi të njëjtat shina vlerash.
Këto llogari të ftohta të përballjeve të fundit të real-politikës, sidomos me çështjen e së ardhmes së Grenlandës, vunë për herë të parë në pikëpyetje marrëdhëniet tradicionale jo vetëm mes Kanadasë e SHBA-së, por edhe Britani-SHBA. Londra, Parisi, Berlini e Roma u bënë bashkë në një përballje që rrezikon ta vërë në pikëpyetje edhe të ardhmen e NATO-s, e cila, në realitet, sipas të gjithë analistëve ushtarakë në botë, pa SHBA-në është thuajse inekzistente.
Kuptim i drejtë i realpolitikës apo servilizëm bajat?
A po mendon Tirana e Prishtina zyrtare, apo edhe qarqet politike shqiptare kudo që ndodhen, se si do sillen përballë këtyre “llogarive direkte” që po ndodhin në rendin e ri politik? A kanë menduar klasat politike në Tiranë e Prishtinë se si duhet të sillen kur SHBA-BE përballen për mënyrën se si e shohin zgjidhjen e një problemi ku futet edhe sovraniteti edhe e drejta ndërkombëtare? A është e vërtetë që në tavolinën e të fortit, ne si shtete të vogla, mund të marrim politikisht dhe ekonomikisht atë që është më e mira për ne? Apo politikanët do ta përdorin pushtetin në vend të së drejtës sovrane, pa kaluar nga asnjë lloj debati mbi sjelljen tonë pas ndryshimeve në rendin global?
Entuziazmi që u pa në Tiranën zyrtare lidhur me ftesën e Presidentit Trump për “Bordin e Paqes” apo edhe reagimet lidhur me “precedentin Maduro” në Venezuelë, tregojnë se në Tiranë, qoftë mazhoranca e qoftë opozita, pa më të voglin dyzim, kanë zgjedhur një përgjigje dhe miratim të shpejtë se çfarë kanë zgjedhur, edhe pse për arsye krejt të ndryshme dhe për pritshmëri të ndryshme nga ajo që po ndodh. Aq i madh ishte entuziazmi në Tiranën zyrtare për ftesën e Trump-it, sa Kuvendi miratoi një marrëveshje ende të pafirmosur, ndërkohë që opozita, nën petkun e dëshirës për të treguar sa më shumë solidaritet me SHBA-në, votoi si përfaqësues në “Bordin e Paqes” për atë që e ka konsideruar si “të padëshiruarin e SHBA-së”.
Pa dyshim se zgjedhja në krah të SHBA-së, për faktorin shqiptar ka qenë vendimtare përballë shumë hezitimeve europiane për zgjidhje të ndryshme. Por, njëkohësisht, nuk mund ta kesh shpallur prioritet integrimin në BE dhe të mos e ndjekësh, të paktën, me vëmendje se si këto vende kanë qëndrime të ndryshme për mënyrën se si po kërkohet menaxhimi i disa prej konflikteve të sotme.
Kush mund të arsyetojë ndryshe?
Kur ankthi dhe mjegulla mbi mënyrat e zgjidhjes së konflikteve shtohet, të gjithë rrezikojmë të gjendemi përballë skenarëve ogurzezë. Nëse rikthehemi te Tuqididi, ai nuk kalon asnjë version zgjidhjeje të realitetit politik nga ngushëllimi, por nga nevoja për ta lexuar realitetin dhe për t’u përgatitur që goditja mos të të lërë pa frymë. Por, a mund të jemi kaq të qetë mes një politike që nuk debaton realisht mbi të ardhmen, e që në vend të atdheut mund ta zgjedhë lehtësisht pushtetin personal?
Por, nëse politika zgjedh mbijetesën e vet dhe jo të shoqërisë, jo të interesit kombëtar, cila mbetet zgjidhja? A mund të besojmë se ndryshimin politik mund ta sjell “Gjenerata Z”, një gjeneratë që prej vitesh ndodhet mes asaj që njihet si “dëshpërimi kulturor”, sidomos mes një pamundësie të këtij brezi për të dalluar gënjeshtrën nga e vërteta? Jo se e besojnë më kollajshëm brezat e mëparshëm, por për “Gjeneratën Z”, ky dallim është edhe më i vështirë për shkak të politikës së spektaklit që ka përfshirë, prej dekadash, komunikimin politik.
Ndërkaq, “Politika e stabilokracisë”, që rrezikon të jetë edhe më e përhapur tashmë që rendi global po tronditet, mund ta ngurtësojë edhe më shumë arsyetimin për ndryshime, duke rrezikuar që të shkojmë zyrtarisht drejt asaj që njihet si “demokraci elektorale”, ku partitë konkurrojnë, por ndryshimi është i vështirë ose i pamundur, kjo për shkak të tolerimit që u bëhet atyre që kontribuojnë për stabilokracinë. Pra, në një realitet të tillë mund të kemi një funksionim demokratik edhe më të largët se sa ajo që kanë ëndërruar shqiptarët në Tiranë e Prishtinë kur e kanë menduar Europën.
Prishtinë-Tiranë, nevoja për lëvizje të koordinuara
Në këtë debat lidhur me pasojat e një rendi që po ndryshon, për Kosovën mund të vijë edhe një çështje më e fortë si zgjidhje – forcimi i demokracisë apo i kapaciteteve mbrojtëse? Duke parë se Beogradi ka vijuar ta ushqejë politikën e përplasjes me Prishtinën, duke zvarritur gjithnjë e më shumë arritjen e marrëveshjeve të kërkuara nga BE-ja e SHBA-ja, kjo tronditje e rendit botëror mund ta shtojë urinë e Serbisë për zgjatjen e konfliktit. Në këtë kontekst, përfshirja e Prishtinës në “Bordin e Paqes”, më shumë se sa kontribut për zgjidhjen e konflikteve, duket si një mbrojtje nga konflikti i vazhdueshëm me Serbinë, që përmes politikës së “provokimit të vazhdueshëm” ka tentuar t’i përçajë qëndrimet, si në Bruksel, ashtu edhe në SHBA. “Pjesëmarrja ne Bordin e Paqes nga Kosova do ta përmirësojë pozitën e Prishtinës në zyrën e Trump”, shkruante profesori i Universitetit “John Hopknis”, Daniel Server. Sipas tij, firmosja nga Prishtina për pjesëmarrje në këtë bord i jep pikë Kosovës, sidomos kur kemi parasysh bllokimin që i bën Rusia për t’u njohur si anëtare me të drejta të plota në OKB.
Ndërkaq, në kontekstin e fortë të ndryshimeve në këtë rend global, e sidomos mes përballjes së politikës SHBA-BE, mes Tiranës dhe Prishtinës nuk lejohet asnjë dualizëm. Në këtë kontekst, diplomacia e Tiranës dhe Prishtinës duhet të zgjedhë me kujdes çdo hap, për të mos lejuar që aleancat e ardhshme të anojnë nga siguria e Beogradit për të provokuar Prishtinën ose për të bllokuar përpjekjet për arritjen e marrëveshjeve të orientuara nga Brukseli.
Leksionet e Tuqididit, tashmë të kthyera në tavolinën e shumë shteteve, duhet të lexohen nën dritën e realitetit të sotëm politik, duke mos neglizhuar asgjë që nesër mund të jetë fatale për faktorin shqiptar në rajon.









