Qëndresa e familjes Jashari e tejkalon heroizmin personal dhe merr përmasë kombëtare dhe universale, sepse përmes saj artikulohet një mënyrë e të qenit përballë shtypjes: të zgjedhësh lirinë edhe kur çmimi është ekzistenca fizike. Kështu, liria nuk shfaqet thjesht si mungesë e pengesave, por si akt i vetëkrijimit dhe i përgjegjësisë. Epopeja e UÇK-së, në këtë prizëm, është jo vetëm histori, por një manifest i lirisë si vetëpohim dhe si thirrje morale për brezat që vijnë.
Murat ALIU, Prilep
Të thuash “Jo”: Liria si akt vetëpohimi
Njeriu është njeri për aq sa është i lirë! Shumëkush do të kishte thënë se kjo premisë është tejet radikale, elitare dhe johumane. Por, raporti ndërmjet te qenit njeri (qenie morale) dhe lirisë është ontologjik dhe kauzal. Vetëm përmes lirisë ne shndërrohemi në qenie morale. Ne shndërrohemi në subjekt vetëm kur jemi të lirë, sido që ta kuptojmë lirinë. Në të kundërtën, mungesa e lirisë nënkupton dehumanizim, rrjedhimit një qenie-objekt. Për t’i dhënë një kontekst gjithë kësaj, duhet thënë që e gjithë historia njerëzore është një trajektore drejtë lirisë. Historia njerëzore, sipas Hegelit, është një proces drejt ndërgjegjësimit për lirinë. Sipas tij, vetëdijesimi për lirinë ndodh në mënyrë graduale. Në fillim, pra në fazën e parë, ishte i lirë vetëm despoti, pastaj, në fazën e dytë, vetëm disa qytetarë, e në fund të gjithë ishin të lirë. Faza e parë shënjon qytetërimet lindore (Kinë, Indi, Persi, etj.). Në këtë fazë, e cila llogaritet edhe si pikënisja e historisë njerëzore, sundonte vetëm despoti dhe vetëm ai ishte i lirë. Populli nuk konceptohet si subjekt autonom, por si pjesë organike e një rendi të madh kozmik dhe politik. Liria nuk është e brendshme, por e personifikuar në figurën e despotit. Prandaj, Lindja është për Hegelin qytetërimi i “lirisë së njërit”. Qytetërimi greko-roman shënjon fazën e dytë, në të cilën arrihet një përparim thelbësor: në këtë periudhë lind ideja se vetëm disa janë të lirë. Polis-i grek dhe republika romake shpikin nocionin e qytetarit, ligjit dhe pjesëmarrjes në hapësirën publike. Por, edhe në këtë fazë liria ngelet e kufizuar. Grupe të tëra, si skllevërit, gratë dhe të huajt nuk ishin të lirë; rrjedhimisht nuk ishin as njerëz. Faza e tretë, në koncepcionin e Hegelit, identifikohet me qytetërimin perëndimor modern. Vetëm në këtë fazë arrihet të artikulohet dhe përbrendësohet ideja themelore së të gjithë njerëzit janë të lirë. Në këtë fazë njeriu konceptohet mbi të gjitha si qenie morale dhe autonome. Shteti modern ose shteti-komb, në koncepcionin e Hegelit, është forma historike ku sintetizohen liria individuale dhe rendi racional institucional. Kjo është faza e “lirisë së të gjithëve”.
Kanti, në reflektimet e tij mbi historinë universale, pohon se vetë natyra e shtyn njerëzimin drejt një rendi juridik dhe universal, ku liria e secilit bashkëjeton me lirinë e të tjerëve. Kanti, për dallim nga Hegeli, nuk është i mendimit se historia dosmosdoshmërisht e realizon lirinë, porse ekziston një lëvizje racionale drejt historisë qe e shtyn njerëzimin drejt realizimit të lirisë si autonomi morale dhe juridike. Pikënisja e Kantit është një qasje antropologjike. Sipas tij, njeriu ka një prirje “asociale shoqërore” (unsocial sociability). Ai ka nevojë për të ndërvepruar me të tjerët, sepse vetëm brenda shoqërisë ai arrin ta zhvillojë arsyen edhe potencialet e tij. Nga ana tjetër, njëkohësisht, ai ka prirje egoiste që e çojnë drejt konflikteve, dëshirës për dominim dhe rivalitet. Pikërisht ky tension, sipas Kantit, është motori i historisë. Dialektika, pra konflikti dhe antagonizmi, nuk është devijim nga historia, por një mekanizëm përmes të cilit natyra e detyron njerëzimin të ndërtojë institucione që e kufizojnë arbitraritetin dhe e garantojnë lirinë. Sigurisht, ky institucion është shteti. Por, në mendimin e tij, këtë liri e siguron vetëm shteti juridik – vetëm shteti kushtetues që vepron sipas ligjit racional dhe jo sipas vullnetit arbitrar.
Albert Kamy (Alvert Camus), në veprën e tij epokale “Njeriu i revoltuar”, përdor njërën nga shprehjet më sublime që ilustron thellësisht kërkesën e brendshme të qenies njerëzore për liri, duke thënë se: “Njeriu është e vetmja krijesë që refuzon të jetë ajo çka është” (Camus, 2017, f. 27). Për Kamynë, ky refuzim është baza e vetëdijes për veten si qenie morale, baza e revoltës, rrjedhimisht baza e kërkesës për liri. Vetëdija për liri, thotë Kamy, “lind bashkë me revoltën” – pra atëherë kur qenia njerëzore thotë “Jo”. Të thuash “jo” nuk nënkupton vetëm të mohosh, por është një akt që nënkupton edhe afirmimin e vlerave personale dhe të përgjithshme, kjo ngase kur njeriu thotë “jo” ndaj një padrejtësie, imponimi apo autoriteti, ai gjithashtu pohon diçka që e sheh si të drejtë dhe të vlefshme – një “po” ndaj diçkaje që ia mban dinjitetin dhe lirinë. Kjo është ideja e revoltës që e zhvillon Kamyja: rebelimi është refuzimi i një realiteti të pajtuar, por në të njëjtën kohë është afirmimi i një qenësie që kërkon të mos reduktohet në objekt ose në një kusht pa liri. Ai gjithashtu e shqyrton nëse ky refuzim mund të çojë thjesht në shkatërrim ose në krijimin e një vlere të re që i jep kuptim jetës njerëzore, duke e bërë revoltën një veprim që nuk është vetëm negativ, por edhe pozitiv në kërkim të drejtësisë dhe autonomisë. Kafsha, sipas Hegelit, “zotëron një ndërgjegje të atypëratyshme të botës së jashtme, një ndjenjë të vetes, por jo ndërgjegjen e vetvetes, që e dallon njeriun. Ky i fundit nuk lind me të vërtetë, veçse prej çastit kur vetëdijesohet për vetveten si një subjekt njohës. Ai është pra kryesisht vetëdije e vetes. Vetëdija për ta pohuar veten duhet të dallohet nga çka nuk është ajo. Njeriu është krijesa që, për të pohuar qenien dhe ndryshimin e tij, mohon” (Camus, 2017, f.185). Kafsha, duke qenë e zhytur në natyrën e saj, e ka të pamundur mohimin e vetes, ndërsa njeriu, përmes vetëdijesimit, mund të thotë “jo” ndaj asaj që është, ndaj rolit të dhënë ose rendit ekzistues dhe pikërisht përmes këtij mohimi ose refuzimi ai e afirmon veten si subjekt i lirë.
Ballkani si negacion i lirisë dhe pohim i dhunës
Ballkani, për një kohë të gjatë, me apo pa të drejtë, është identifikuar me veçori të tilla si dhuna, prapambeturia, autoritarizmi, primitivizmi etj. Ndërkaq, në fillim të shekullit XX, ky përfytyrim për Ballkanin – pra për popujt e tij – sipas Maria Todorovës, në Perëndim jo vetëm që u përforcua diskursivisht, por u institucionalizua dhe u formalizua konceptualisht përmes shpikjes dhe përdorimit të termave “ballkanizëm” dhe “ballkanizim”. Termi ballkanizim, jo vetëm që ka kuptimin e fragmentimit të njësive politike të mëdha dhe të paqëndrueshme, por është edhe sinonim i një gjendjeje tribale, primitive, shënjon prapambeturinë dhe barbarinë (Todorova, 2013, f. 15). Mark Mazower, në librin e tij Ballkani: Nga rënia e Bizantit deri më sot, argumenton që aty kah fillimi i shekullit XX shprehja Ballkan nuk shënjonte vetëm një hapësirë gjeografike, ashtu siç kishte ndodhur para shekullit njëzet, por përdorej si nocion i ngarkuar me kuptime negative. Kur përmendej Ballkani, në imagjinatë zgjonte imazhet e dhunës, barbarisë dhe primitivitetit. Kështu gazetari Harry de Wind, në pyetjen se pse librin e tij të botuar në vitin 1907 e kishte pas titulluar Europa e Egër, sigurisht duke iu referuar Ballkanit me këtë emër, ishte përgjigjur se ky përkufizim ose ky mbiemër i përshkruan më së miri vendet midis Adriatikut dhe Detit të Zi, karakteristikë kryesore e të cilave është mosekzistenca e ligjit. Rebecca West, në udhëpërshkrimin e saj Black Lamb and Grey Falcon, shkruan se “kur përmendet Ballkani, nuk më vjen në mendje asgjë përveç barbarisë” (Mazower, 2017, fv. 29-33). Madje, Robert Kaplan, tek libri i tij Fantazma e Ballkanik, shkon aq larg sa të thotë se nazizmi mund të ketë një zanafillë ballkanike. “Në bujtinat e Vjenës, një truall pjellor i mërive etnike aq i afërt me botën sllave të jugut, u moleps me urrejtje Hitleri” (Todorova, 2013, f. 177). Së këndejmi, historia postimperiale e Ballkanit është, siç argumenton Oliver Jens Schmitt, në masë të madhe histori e dhunës (Schmitt, 2021, f. 12).
Pa asnjë dyshim e gjithë kjo paradigmë ose diskurs i prodhuar në Perëndim për Ballkanin dhe popujt ballkanik mund të jetë një ekzagjerim i imagjinatës perëndimore për rajonet dhe popujt jashtë bazenit kulturor dhe qytetërimor të tyre. Thënë ndryshe, një pjesë e kësaj dijeje, paradigmeje ose diskursi për realitetin ballkanik mund të mos jetë i vërtetë; mund të jetë pjellë e imagjinatës perëndimore. Por, do të ishte gabim që gjithë kjo dije, e mishëruar në punime shkencore, letërsi e publicistikë të prodhuar për Ballkanin, të kategorizohet si thjesht “një shpifje”, diçka që nuk përkon me realitetin në Ballkan. Ballkani, së paku që me luftërat ballkanike, pa asnjë dyshim shënjon një hapësirë gjeografike dhe sociologjike të mohimit të lirisë, qoftë asaj individuale ose kolektive. Pas luftërave ballkanike, por edhe më herët se ato, Ballkani, duam apo s’duam ta pranojmë, ishte një hapësirë kulturore e qytetërimore krejtësisht e kundërt me atë të Europës. Udhëtarja dhe shkrimtarja angleze, Edith Durham, këtë fakt e ilustron duke shkruar që: “Masat ballkanase jetojnë jetën e kohëve të kaluara aq shumë sa ne të Perëndimit e kemi të vështirë t’i kuptojmë. Është një tokë e mbuluar me shtresa perandorish të vdekura, popuj që ndjekin njeri-tjetrin, ndërlikohen me njeri-tjetrin, ngrihen dhe rrëzohen, gjatë shekujve të mugët e barbarë, të përlyer e të vezulluar me shkëlqimin e madhështive të kohëve të moçme, duke u munduar secili për vete, në përpjekje të egra për ekzistencë (…)” (Durham, 2009, f. 18).
Shkaqet dhe rrethanat e dhunës në Ballkan, pas gjysmës së dytë të shekullit nëntëmbëdhjetë dhe gjatë gjithë shekullit XX, mund të kenë qenë të ndryshme, por ndër arsyet kryesore që prodhuan këtë dhunë ishte struktura heterogjene kulturore dhe etnike e Ballkanit. Në shekullin XIX në mesin e popujve ballkanikë lindi ideja e nacionalizmit dhe e krijimit të shteteve kombëtare. Ndërkaq, siç dihet, nacionalizmi është një parim a ideologji që kërkon përputhjen e njësisë politike me atë etnike (Gellner, 2010). Por, duke qenë se struktura demografike dhe realiteti sociologjik ishin aq heterogjen, krijimi i shteteve të pastra etnike duke anashkaluar dhunën dukej i pamundur. Shtetet si Serbia, Greqia dhe Bullgaria ia mësyn misionit që, përmes dhunës, spastrimeve etnike, asimilimeve dhe metodave të tjera çnjerëzore të krijojnë shtetet e tyre kombëtare. Kësaj logjike gjenocidale i ndihmoi edhe natyra e nacionalizmit në Ballkan; nacionalizmi në Ballkan është nacionalizëm etnik. Ky biçim nacionalizmi në thelb është autoritar, jodemokratik, irredentist dhe është i prirë që kombin ta perceptojë mbi të gjitha si një entitet kulturor. Mitet janë karakteristika kryesore e këtij nacionalizmi. Kësisoj, mitet nga e kaluara dhe të formuar brez pas brezi ishin faktor kyç që stimuluan dhunën, okupimin dhe gjenocidet ndaj popujve tjerë në Ballkan, kjo për faktin se pothuajse të gjithë popujt e Ballkanit, duke marrë për të mirëqena mite të shumta pretendojnë pronësinë historike ndaj territoreve të popujve tjerë. Rasti më eklatant është miti i Kosovës, i fabrikuar në Serbi nga elitat intelektuale dhe politike të shekullit nëntëmbëdhjetë sipas së cilit Kosova është djepi i Serbisë.
Okupimi dhe pushtimi i trojeve shqiptare, të ngelura jashtë Shqipërisë së vitit 1912-të, lindi në një kontekst politik dhe sociologjik që përligjte dhunën dhe mohimin e ekzistencës së tjetrit. Pushtimi i Kosovës dhe i trojeve tjera shqiptar nga Serbia në vitin 1912, masakrat, vrasjet dhe dhunimet ndaj shqiptarëve gjatë gjithë shekullit njëzet janë rrjedhime të pashmangshme të modernitetit politik te Ballkanit. Moderniteti në Ballkan nuk u përjetua si një mundësi lirie, njohje të tjetrit si qenie morale, por si mohim i tij. Popujt e Ballkanit, si duket, i përvetësuan vetëm pasojat negative të modernitetit – nacionalizmin agresiv, racizimin, autoritarizmin etj.
Epopeja e UÇK-së si pohim i lirisë kolektive
Epopeja e UÇK-së dhe martirizimi i një familjeje të tërë, me dhjetëra anëtarë, për hir të lirisë, përbën një nga kapitujt më sublimë të historisë moderne, jo vetëm të shqiptarëve, por edhe më gjerë. Ky akt guximi dhe sakrifice është shprehja më e pastër e kërkesës për liri, dinjitet dhe pavarësi, pavarësisht çmimit të lartë që u pagua. Në këtë kuptim, ajo nuk është vetëm një moment historik, një çast i kristalizimit të vetëdijes kombëtare. Vetëdija kombëtare dhe aspirata për shtet të pavarur e bartin në vetvete edhe vetëdijen dhe kërkesën për liri, pasi pavarësia nuk është thjesht status juridik, por shprehje e vullnetit për të qenë subjekt i historisë. Qëndresa e familjes Jashari është simbol i lirisë radikale: një zgjedhje e vetëdijshme për të mos u nënshtruar edhe kur përballë qëndronte zhdukja fizike. Sakrifica dhe martirizimi i tyre nuk përfaqësojnë vetëm një akt heroik, por një afirmim të dinjitetit njerëzor dhe të identitetit kolektiv. Këtu individi dhe komuniteti bashkohen në një akt ekzistencial të lirisë, ku rezistenca bëhet mënyrë e të qenit dhe e të shpërfaqurit në histori. Së këndejmi, përmes qëndresës dhe martirizimit, familja Jashari jo vetëm e pohon vetveten si subjekt, por njëkohësisht e pohon identitetin kolektiv të një populli. Përmes epopesë dhe luftës së UÇK-së, shqiptarët e Kosovës thanë “ne ekzistojmë” si përballë gjithë botës, ashtu edhe përballë vetë dhunuesit, Serbisë. Ky është një akt i hyrjes në histori si subjekt, jo si objekt i saj; është momenti kur qenia shndërrohet në vetëdije dhe vetëdija në veprim.
Në filozofinë e Jean-Paul Sartre-it, kur një njeri bën një zgjedhje për vetveten, ai njëkohësisht propozon një model veprimi për njerëzimin, për të tjerët. Veprimi individual ka dimension normativ dhe pedagogjik: ai bëhet shembull i mundshëm për t’u ndjekur. Në këtë kuptim, qëndresa e familjes Jashari e tejkalon heroizmin personal dhe merr përmasë kombëtare dhe universale, sepse përmes saj artikulohet një mënyrë e të qenit përballë shtypjes: të zgjedhësh lirinë edhe kur çmimi është ekzistenca fizike. Kështu, liria nuk shfaqet thjesht si mungesë e pengesave, por si akt i vetëkrijimit dhe i përgjegjësisë. Epopeja e UÇK-së, në këtë prizëm, është jo vetëm histori, por një manifest i lirisë si vetëpohim dhe si thirrje morale për brezat që vijnë.
Epopeja e UÇK-së, për të satën herë, konfirmoi një parim dhe të vërtetë që historia moderne e ka dëshmuar shpesh: liria dhe shndërrimi i një cope territori në atdhe kanë kërkuar sakrificë dhe martirizim. Sot, të gjitha shtetet e pavarura në botë janë ngritur mbi gjak dhe flijim, sepse procesi i krijimit të shtetit ka qenë rrallëherë paqësor, sidomos në epokën e modernitetit, kur lindi nacionalizmi dhe u formësua ideja e shtetit-komb. Ndonëse kjo qasje mund të duket e ashpër, madje irracionale ose militariste, realiteti historik tregon se liria kolektive, veçanërisht në epokën e nacionalizmit, ka qenë e shtrenjtë dhe shpesh ka kërkuar sakrificë deri në vetëmohim fizik. Kjo nuk do të thotë se dhuna është vlerë në vetvete, porse proceset e çlirimit dhe të themelimit të shteteve kanë qenë të ndërthurura me konflikte, përplasje dhe flijime. Nga ky fakt, shqiptarët në përgjithësi mund të nxjerrin një mësim të rëndësishëm: krijimi i shtetit, në një aspekt, kërkon edhe mobilizim emocional. Ai shpesh mbështetet mbi mite themeluese, simbole, kujtesë kolektive dhe narracione që e forcojnë ndjenjën e përkatësisë dhe solidaritetit. Por, në të njëjtën kohë, udhëheqja dhe ndërtimi i shtetit kërkojnë racionalitet, institucione funksionale dhe përgjegjësi politike. Pra, nëse themelimi i shtetit mund të ushqehet nga energjia emocionale dhe mitike, drejtimi i tij duhet të mbështetet mbi arsyen, ligjin dhe maturinë. Vetëm nëse dimë ta udhëheqim shtetin sipas parimeve racionale, vetëm nëse arrijmë të krijojmë një shtet të drejtë, demokratik dhe bashkëkohor, sakrifica e familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit do të fitojë kuptim.









