loader image
March 31, 2026

Liria ka çmim

Ata janë që e duan jetën më shumë se çdo gjë, dhe e duan aq shumë, saqë janë gati ta japin pa marrë nga kjo botë në këmbim asgjë. Të japësh është gjithmonë më e vështirë se të marrësh. Këta shpirtra të lirë nuk mund të prangosen, nuk mund të jetojnë me kularin e padrejtësisë në qafë dhe të mos ngrihen qoftë dhe nga hiri për të sakrifikuar jetën që t’i japin shpirt jetës së atyre që mbeten pas dhe dritë kandilit të tyre që tashmë mbetet i pashuar.  

Nuredin NAZARKO, Korçë

Liria

Liria nuk është thjesht të mos jesh në burg, të mos jesh i izoluar. Liria nuk është vetëm të kesh mundësinë për të udhëtuar pa pengesa, për të folur e vepruar si të duash e çfarë të duash. Liria nuk është mundësi argëtimi. Liria është përgjegjësi. Liria është të njohësh kufijtë ku duhet të ndalosh dhe të zotërosh veten. Liria është fuqia për të zgjedhur. Liri për të zgjedhur mes të mirës dhe të keqes, mes të drejtës dhe të padrejtës, mes të vërtetës dhe të kotës. Liria lind dhe jeton me njeriun. Pa liri nuk ka as njeri. Ka vetëm qenie që frymojnë për të prodhuar e konsumuar. Qenie që kthehen në instrumente që kryejnë funksionet e përcaktuara apo të urdhëruara. Liria duhet kuptuar drejt dhe jeta në liri është jeta e vërtetë, paqe me veten, paqe me njerëzit dhe paqe me Zotin. E gjitha kjo e ka një çmim dhe çmimi është sakrificë për të drejtën.

Altari i sakrificës

Sakrifica është akt që jo gjithkush mund ta jetësojë, veçanërisht kur bëhet fjalë për të mirën e përgjithshme. Sakrifica për përfitime meskine është në rend të ditës. Sekush bën llogari për hesap të vet, por ende ka njerëz që nga koha e tyre e jetës gjejnë mundësi të jenë në shërbim të sa më shumë njerëzve, në shërbim të kombit, në shërbim të njerëzillëkut, duke sjellë në vëmendjen e shoqërisë vlerën që merr një sakrificë kur ajo nuk bëhet thjesht dhe vetëm në altarin e egos, mendjemadhësisë dhe dukjes. Altari i sakrificës nuk mund të ngrihet pa sakrifica. Që ky altar të ndriçojë dhe frymëzojë zemra njerëzish, sakrifica duhet të jetë e ndërtuar me virtyte. Njerëzit e mëdhenj sakrifikojnë në mënyra të ndryshme, rrezatojnë në mënyra të ndryshme, por ata/ato që ujitin altarin e sakrificës me gjakun e virtyteve të jetës, mbeten kandilë të pashuar në kujtesën e njerëzve që dashurojnë lirinë.

Dashuria për liri

Dy janë motivet e fuqishme që i shtyjnë njerëzit drejt sakrificave të mëdha, dashuria dhe urrejtja. Për të mirët motivi është dashuria ndaj së drejtës dhe urrejtja ndaj padrejtësisë. Për të liqtë motivi është dashuria ndaj padrejtësisë dhe urrejtja ndaj së drejtës. Qëllimi shënjon dallimin mes atyre që dhanë gjithçka për lirinë dhe mes atyre që shitën gjithçka për përfitime vetjake. Pa dashurinë për lirinë dhe urrejtjen për padrejtësinë njeriu nuk do të mund të lartësohej kurrë si qenie, nuk do të mund të tregonte kurrë se çfarë virtytesh mbart në shpirtin e tij, nuk do të mund të shfaqej kurrë me madhështinë e zemrës së tij. Njeriu është dashuria për të jetuar me dinjitet, liri dhe pa frikë në dheun që edhe pse nuk e zgjedh se ku lind, bëhet një nga dashuritë e njeriut në jetë. Dashuria për liri e bën njeriun që lirisë t’i japë dhe jetën.

Mposhtja e frikës

Frika është një nga gjendjet e vështira që përjeton njeriu. Ajo është e lidhur me humbjen e pasurisë, të afërmve, nderit, dinjitetit dhe, mbi të gjitha, jetës. Frika është gjendje në të cilën njeriu gjunjëzohet, bindet, dorëzohet, nënshtrohet. Kur frika për humbjen e jetës është prezente, njeriu mund të bëjë edhe kompromise të pabesueshme që në gjendje normale as që do t’i shkonin ndërmend. Por, për shpirtrat që dashurojnë lirinë, sepse pa liri s’ka as jetë, nuk mund të ketë nënshtrim si pasojë e gjendjes së frikës. Mposhtja e frikës është akt sublim që jo çdokush e arrin. Pa mposhtjen e frikës së humbjes së jetës dashuria për jetën nuk mund të përjetohet. Ata që zgjedhin ta japin jetën për lirinë nuk janë as të marrë dhe as movlerësues të saj. Ata janë që e duan jetën më shumë se çdo gjë, dhe e duan aq shumë, saqë janë gati ta japin pa marrë nga kjo botë në këmbim asgjë. Të japësh është gjithmonë më e vështirë se të marrësh. Këta shpirtra të lirë nuk mund të prangosen, nuk mund të jetojnë me kularin e padrejtësisë në qafë dhe të mos ngrihen qoftë dhe nga hiri për të sakrifikuar jetën që t’i japin shpirt jetës së atyre që mbeten pas dhe dritë kandilit të tyre që tashmë mbetet i pashuar.

Kolona e pestë

Pa kolonë të pestë kjo jetë nuk do të ishte interesante. Njeriu e ka kolonën e pestë brenda vetes dhe jashtë vetes po ashtu. Brenda vetes është egoja që pëshpërit për nënshtrim ndaj botës materiale. Jashtë vetes janë çirakët e së keqes, çirakët e padrejtësisë që nuk lënë rast pa u treguar të zellshëm në shërbimet e tyre ndaj padrejtësisë që bëhet ndër njerëz, në mënyrë që të gëzojnë përkohësisht të mira materiale që janë të zhdukshme dhe që tregojnë shumëçka për karakterin e kolonës së pestë. Kolona e pestë do të qëndrojë gjithmonë në pusi, ashtu si një kusar i regjur që pret kohën dhe vendin për të dhënë goditjen. Beteja me kolonën e pestë është gjithmonë e hapur dhe sfiduese. Shumë syresh bien në rrjetën e saj. Pak janë që arrijnë ta mposhtin dhe asgjësojnë. Ata/ato që e ngjitën veten në altarin e sakrificës, e fituan betejën me të para se të shkëlqenin me sakrificën e tyre sublime. Këta janë heronjtë që i shërbejnë lirisë jo vetëm deri në frymën e fundit të jetës, por edhe me vdekjen e tyre si shembull e frymëzim se si duhet të edukohen brezat që vijnë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X