loader image
April 1, 2026

Letër lamtumirëse dhe falënderimi

Shkruan: Ismail SINANI

Do të doja që asnjëherë të mos vija në situatë që ta shkruaja këtë letër, por ja që ligji i kësaj bote nuk po u anashkaluaka edhe në këtë rast, sepse çdo fillim e paska edhe mbarimin e tij.

Kur në vitin 2011, bashkë me dy miqtë e mi, Zeqirija Ibrahimin dhe Afrim Gashin, e patëm filluar projektin e mendimit politik shqiptar, revistën mbarëkombëtare “Shenja”, nuk e kishim ditur se do të arrinim deri këtu ku jemi sot: plot 180 muaj e 180 numra; mbi 20.000 faqe tekst e mbi 5.500 artikuj. Atëbotë e patëm filluar me një rrëfim antologjik për milingonën, e cila siç na shpjegohet nëpër legjenda, kishte vendosur të zgjedhë anë mes fikjes së zjarrit, në të cilin mbreti Nemrud e kishte pas hedhur profetin Ibrahim, në njërën anë, dhe indiferencës, në anën tjetër. E në pyetjen e shoqeve të saja se “pse përpiqesh ta shuash zjarrin kur dihet se ti nuk mund të bartësh as një pikëz ujë?!”, milingona e kishte dhënë përgjigjen antologjike, e cila ka qenë edhe kryefjala jonë në këto vite: “Historia do ta mbajë mend se në cilën anë kam qenë unë”.

Edhe ne, për këto 180 muaj, kemi qenë dhe jemi të vetëdijshëm se kemi hedhur ndoshta vetëm një pikëz ujë në “fikjen e zjarrit”, por të paktën, atë që mund ta themi me mburrje, është fakti se e kemi ditur se në cilën anë të historisë kemi qenë.

Të nderuar bashkëpunëtorë të revistës mbarëkombëtare “Shenja”,

Në këtë maratonë intelektuale, ne, bashkë me ju, jemi përpjekur që të hedhim dritë mbi çdo fenomen politik që ka kapërcyer në këtë nënqiell. Kemi bërë përpjekje maksimale t’i ndriçojmë anët e errëta të historisë, të cilat janë fshehur në sirtarët e regjimit të vjetër. Jemi munduar t’u japim dritë kaheve gjeopolitike të shqiptarëve dhe kemi insistuar me ngulm që brezat e së ardhmes të dinë për gjenocidin që e kemi përjetuar në shekullin e kaluar. Kemi bërë çmos që të ndihmojmë në regjistrimin e mbamendjes kolektive, të çdo nisme me rëndësi jetike për shqiptarët e që do të mund të analizohej thellë e më thellë nga brezat që do të vijnë.

Në këtë rrugëtim të gjatë nuk kanë munguar as esetë që e kanë shpërfaqur shpirtin e thellë njerëzor… nuk kanë munguar as temat që deri më sot askush nuk e ka marrë guximin që t’i trajtojë. Sipas nesh, kemi krijuar një arkiv të kujtesës sonë intelektuale në këtë një dekadë e gjysmë.

Pa dyshim, ajo që na ka bërë të ndjehemi shumë krenarë ka qenë fakti se revista jonë u bë një tribunë, ku “e djathta” dhe “e majta” e autorë nga të gjitha proviniencat politike e ideologjike, kanë mundur “të ulen” në një “tavolinë” e ta shprehin mendimin e tyre shlirë, pa ekuivoke dhe pa kurrfarë kompleksesh. Thjesht, secili ka mundur ta thotë të vërtetën e tij.

Të nderuar,

Nuk dua të tingëlloj modest, por e kam patjetër t’ju falënderoj nga zemra për këtë bashkëpunim kaq të sinqertë e kaq të hapur. Kjo revistë nuk do të mund të arrinte këtu pa angazhimin tuaj vetëmohues. As pa idenë fillestare të Afrimit dhe Zekës, të cilët pas angazhimit politik në vitin 2014, mua ma lanë si amanet të shenjtë, kurse vet u detyruan të shkëputen nga kjo revistë. Një falënderim ia kam borxh edhe Latif Mustafës për angazhimin dhe kontributin e tij në një periudhë të caktuar të këtij udhëtimi, si dhe Nuridin Ahmetit e Festim Rizanajt nga Prishtina dhe kryetarit të Fondacionit “Alsar” në Tiranë, Mehdi Gurra, i cili me përkushtimin më të madh është kujdesur për shpërndarjen e revistës në mbarë Shqipërinë. Përjetësisht do t’u jem falënderues. Nuk mund ta harroj edhe kontributin estetik të Halil Berishës, Rromir Imamit e Bunjamin Murtezit, si dhe të drejtorit të Shtypshkronjës “Fokus Print”, Imer Gogjufi, për qasjen jashtëzakonisht dashamirëse në gjithë këto vite bashkëpunimi. Dhe, gjithsesi të Erduan Dautit, të cilin në këto 15 vjet e kemi pasur asistentin kryesor. Pa dyshim, një falënderim shkon edhe për botuesin e Shtëpisë Botuese “Logos A”, Adnan Ismaili, i cili në këtë rrugëtim, sidomos në fillet e kësaj reviste, ka qenë mbështetës shumë i madh. Kurse gjithë ky projekt kurrë nuk do të mund të arrinte në këtë pikë pa Shoqatën Kulturore VIZIONI M, e cila në gjirin e saj kultivoi gjithë ata breza të rinj e të rejash që sot janë shembull i përkushtimit dhe profesionalizmit në çdo detyrë publike që e kanë marrë mbi supe. VIZIONI M ishte adresa amë që e barti mbi supe këtë projekt ende pa nisur, ndërsa na e besoi neve që i dolëm zot në këto 15 vjet.

Por, siç edhe e ceka në fillim, këtu edhe përfundon ky rrugëtim i imi si kryeredaktor e, bashkë me mua, edhe i kësaj reviste. Tash e tutje, unë – Ismail SINANI, përveç sentimentit e krenarisë dhe kujtimeve të mira, nuk do të mund të flas asgjë. Ndërsa revista, në do Zoti, do të rrojë edhe shumë gjatë. Ajo do t’i nënshtrohet rrugëtimit historik, të asaj rruge që e kanë kaluar simotrat e saja qëkur shqiptarët kanë botuar revistat e para nga mesi i shekullit XIX…

Uroj që ky rrugëtim i yni, i filluar me shumë entuziazëm dhe i përmbyllur me shumë emocion, në kohën kur ne nuk do të jemi askund, brezave të ardhshëm t’u shërbejë për të hapur shtigje të reja e duke lënë SHENJA!

Faleminderit e qofshi(m) faqebardhë!

Miqësisht!

(Editoriali i revistës “Shenja”)

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X