loader image
March 25, 2026

Le t’i nderojmë heronjtë për të siguruar të ardhmen

Në krahasim me poetët dhe shkrimtarët serbo-malazez, këngët e të cilëve kanë si temë kryesore trimërinë e luftëtarëve serbë në kryengritjet kundër osmanëve dhe në luftërat kundër shqiptarëve, si filologu Vuk Karaxhiq (1787-1864) dhe figura të tjera serbe, këngët e autorëve shqiptarë për familjen Jashari kanë objektiva të kufizuara dhe ka pak të ngjarë të bëjnë thirrje për urrejtje kundër popullit serb. Ngjarja në Prekaz, ku Adem Jashari dhe familja e tij u sakrifikuan për Kosovën, duhet të merret seriozisht nga politikanët e Kosovës dhe palët e tjera të interesuara. Aq më shumë kur Kosova përballet me sfida për të formuar Asociacionin e Komunave Serbe.

Selim IBRAIMI, Uashington

Të vendosësh të vdesësh është një moment shumë i vështirë dhe i frikshëm. Nga një këndvështrim historik dhe qasje njerëzore, vetëm karakteret e forta dhe motivimi i lartë patriotik mund të çojnë në një vendim për të vdekur dhe për t’u bërë hero. Në historinë tonë shqiptare kemi pasur Mic Sokolin (1839-1881) dhe të tjerë, por në kohët moderne Adem Jashari (1955-1988) dhe familja e tij janë bërë jo vetëm heronj, por i vendosën themelet e lindjes së pavarësisë së Kosovës. Gjatë cikleve të historisë, guximi dhe motivimi për të shkuar në luftë mori disa forma më të përparuara. Idetë e Adem Jasharit për pavarësi janë në thelb të njëjta me ato të udhëheqësve dhe themeluesve të tjerë botërorë, duke filluar me ato të SHBA-së, të cilët – të ndihmuar nga aleatët europianë – luftuan për liri dhe pavarësi kundër britanikëve. Pra, këtu familja Jashari ka një krahasim të shkëlqyer me të tjerët në historinë botërore, gjë që lë gjurmë historike për brezat që vijnë. Rrethimi i tij në Prekaz mund të jetë i ngjashëm me detyrën e rëndësishme të gjeneralit atëherë e, më vonë, të presidentit amerikan Xhorxh Uashington (1732-1799), i cili me të gjitha vështirësitë arriti të kalojë me ushtrinë e tij përtej lumit Delaware në drejtim të Pensilvanisë. Në këtë vijë, në luftë, përveç furnizimit të ushtrive me ushqim dhe furnizime të tjera me armë të mira, elementë të rëndësishëm ishin muzika ose këngët me bori, daulle dhe balada epike, që udhëheqësit e ushtrive i përdornin për të emocionuar ushtarët në beteja të rëndësishme. Në veçanti, persianët, romakët, osmanët dhe, natyrisht, europianët, përdorën metoda të tilla për të motivuar ushtarët. Por, në kohën tonë, në ish luftërat ballkanike, heronjtë e rënë motivoheshin nga këngë të ngjashme patriotike për të shkuar në luftë dhe për t’u përballur me kundërshtarët e tyre. Në rastin e Adem Jasharit nuk ishte vetëm epika popullore, por gjendja faktike në Kosovë e cila nuk durohej më.

Duhet thënë se në Ballkan, kjo traditë evoluoi më vonë në këngë të zhanreve të ndryshme që romantizonin rezistencën, ashtu si epopetë e shoqëruara me lahutë tek shqiptarët dhe serbët. Në rastin tonë është heroi që motivohej për pavarësi dhe paqe nga ish patriotët e tjerë në Kosovë të rënë në beteja gjatë dy shekujve të fundit. Adem Jashari me familjen e tij 58-anëtarëshe u sakrifikua në mars të vitit 1998. Ai dhe familja e tij u vranë nga forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe. Në Kosovën e sotme, veçanërisht në këngë, Adem Jashari është ngritur lartë për kontributin e tij në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Sot, mbi dy dekada që nga rënia e tij, emrin dhe kontributin e tij e gjejmë në të gjitha manifestimet e përditshme, duke filluar në ceromonitë zyrtare, këngët popullore, muzikën rok, folklorike dhe, pa dyshim, ai mësohet edhe në shkolla nga brezat e rinj.

Adem Jashari në këngët folklorike, rok dhe popullore

Në këngët popullore, rënia e Adem Jasharit dhe familjes së tij vendosen në një kontekst të gjerë me forcë të jashtëzakonshme, si në një epikë, e cila na jep një pamje brilante të luftës në vitet 1998-1999, me motiv për vazhdimin e luftës me një organizim më të fuqishëm duke i integruar përpjekjet ushtarake më tej me mjete diplomatike. Vrasja e Jasharit dhe masakra në Reçak në vitin 1999, pa lënë mënjanë ngjarje të tjera të rëndësishme, çuan në veçanti në takime dhe konferenca ndërkombëtare, të cilat ishin për Kosovën një rrugë drejt fitores nën vëzhgimin ndërkombëtar.

Përpjekjet e kombinuara më vonë, me ndihmën e SHBA-së, do të bombardonin caqet ushtarake në Serbi në mars të vitit 1999. Po me të njëjtët aleatë do të shpallej pavarësia e Kosovës në vitin 2008. Ashtu si në këngët e tjera popullore, Jashari dhe familja e tij zënë vend të rëndësishëm edhe në tekstet e muzikës rok dhe, pse jo, në disa raste të dhe zhanreve të tjera muzikore. Në jetën e përditshme dhe manifestimet private dhe publike, Adem Jashari mbetet në zemrat e çdo shqiptari. Ai zë një vend jo vetëm në hapësirën shqiptare në Ballkan. Rënia e tij tregon më shumë për gjurmët e Jasharit të lëna pas në emigracionin shqiptar anembanë botës. Këngët “Mora Fjalë”, “Marshimi i UÇK-së” etj. etj., nuk janë vetëm këngë të zakonshme, por vazhdim i thirrjes për përfundimin e shtetësisë së Kosovës, e cila deri më sot mbetet pre e sfidave të jashtme e të brendshme. Rezistenca e Jasharit, pas rënies së tij, u vendos gjithashtu në një kontekst më të gjerë në këngë të ndryshme, e cila më vonë çoi në një riorganizim të rëndësishëm të guerilëve shqiptarë të UÇK-së në atë kohë në Kosovë.

Në analogji me poetët dhe shkrimtarët serbë, të cilët sipas kritikëve të ndryshëm, historikisht janë mburrur në poezitë e tyre për dëmet e shkaktuara të ushtarëve serbë ndaj të tjerëve, këngët ose poezitë për Adem Jasharin kanë fokus të caktuar të trimërisë së tij dhe rënies për Kosovën. Gjithashtu në krahasim me poetët dhe shkrimtarët serbo-malazezë, tregimet e të cilëve kanë si temë kryesore trimërinë e luftëtarëve serbë në kryengritjet kundër osmanëve dhe në luftërat kundër shqiptarëve, si filologu Vuk Karaxhiq (1787- 1864) dhe figura të tjera serbe, këngët ose tregimet e autorëve shqiptarë për familjen Jashari kanë objektiva të kufizuara dhe ka pak të ngjarë të bëjnë thirrje për urrejtje kundër popullit serb. Adem Jashari nuk u sakrifikua për interesa personale e familjare, por këtë e bëri për të mbrojtur popullatën. Sakrifica e Adem Jasharit dhe e familjes së tij duhet t’i rifreskojë kujtimet e qeverisë në Kosovë, për të gjithë shqiptarët e vrarë e të masakruar, të paktën gjatë shekujve të fundit, nga politika, ushtria dhe paraushtarakët serbë. Nëse jo, atëherë pasojat do të jenë të ndryshme, si: humbja e interesave të Perëndimit dhe aktorëve të tjerë për Kosovën, Serbia do të lavdërohet dhe do t’i jepet një pozicion në Europë dhe shumë më tepër. Koha është tani për Kosovën.

Sakrifica e Jasharit po i bën thirrje Kosovës të shikojë përpara dhe të ecë me shumë kujdes. Sakrifica e familjes së Jasharit gjithashtu sjell në kujtimet tona sekuencat nga filmi “Gladiatori” (2000), ku si temë kryesore ndër të tjera paraqitet respekti për të gjithë ata që i shërbyen Romës. Personazhi Lucilla, vajza e perandorit romak Marcus Aurleius, reflekton mbi Maximus Decimus Meridius, i cili para se të vritej në një dyluftim me perandorin Commodus, gjithnjë sipas filmit, kishte qenë komandant i Ushtrive të Veriut dhe i Legjioneve Felix nën Perandorinë e Romës. Kur ai vdiq, ajo iu drejtua publikut në arenë me fjalët: “Ai ishte një ushtar i Romës. Nderojeni atë.” Andaj ngjarja në Prekaz, ku Adem Jashari dhe familja e tij u sakrifikuan për Kosovën, duhet të merret seriozisht nga politikanët e Kosovës dhe palët e tjera të interesuara. Aq më shumë kur Kosova përballet me sfida për ta formuar Asociacionin e Komunave Serbe.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X