loader image
December 4, 2025

Kujt i pengon ende Alija Izetbegoviq?

“Vesli, ne duhet ta ndihmojmë presidentin Izetbegoviq! Në këto negociata ai mendon në përmasa kozmike, përderisa përballë i ka dy rivalë të cilët janë të interesuar vetëm për pushtimin e territorit dhe për prestigjin e tyre personal. Ne duhet ta mbështesim për hir të interesit tonë, ndërsa ai mund të na ndihmojë që të arrijmë një marrëveshje të mirë (të qëndrueshme)”. (Riçard Hollbruk drejtuar gjeneralit Vesli Klark gjatë negociatave të Dejtonit)

Shkruan: Ferid MUHIQ, Shkup

Plot tridhjetë vjet pas Marrëveshjes së Dejtonit, Alija Izetbegoviq, presidenti i parë i shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës së pavarur dhe sovrane, nënshkruesi i këtij dokumenti historik që shënoi fundin e agresionit luftarak mbi vendin e tij, vazhdon të jetë objekt shpifjesh, gënjeshtrash dhe trillimesh, përfshirë këtu edhe akuza nga më të rëndat lidhur me ngjarjet tragjike të periudhës 1992–1995. Kujt po i pengon akoma ky shtetar i madh, i cili mendonte  në dimensione të jashtëzakonshme kosmike?!

Një pjesë e madhe e asaj që deri më sot është shkruar dhe botuar në analizat e rëndësisë historike, veprimtarisë politike dhe pikëpamjeve filozofike të shtetarit dhe mendimtarit Alija Izetbegoviq reduktohet në përfundime pa premisa, pra në një gamë konkluzionesh diametralisht të kundërta dhe pa premisa: nga njëra anë hasim vlerësime panegjirike aprioriste, pa bazë të duhur dokumentare dhe të argumentuar; nga ana tjetër, hasim përpjekje për margjinalizimin, falsifikimin dhe injorimin e të gjitha rezultateve të tij, madje jo rrallëherë edhe akuza të drejtpërdrejta dhe fabrikime të trillimeve të pabesueshme dhe shpifje. Madje, edhe pas publikimit të disa studimeve enciklopedike të realizuara mbi bazë faktografike dhe metodologjikisht të qëndrueshme në mënyrë të përsosur mbi veprimtarinë politike dhe prodhimtarinë teorike të Alija Izetbegoviqit, ndër të cilat do të veçohen studimet e gjeneral majorit Fikret Muslimoviq dhe profesorit Mustafa Spahiq Lufta speciale (Specijalni rat 2012), si dhe Alija Izetbegoviq: mendimtar dhe shtetar nga i njëjti autor, në bashkëpunim me prof. dr. Sellmo Cikotiqin (Mendimtari dhe burrështetasi Alija Izetbegoviq/Mislilac i državnik Alija Izetbegović, 2016.), fushatat kundër këtij personaliteti, pa dyshim më të rëndësishmit në historinë e re të Bosnjës e Hercegovinës, nuk pushuan. Dhe kjo, para së gjithash brenda vetë Bosnjës dhe Hercegovinës edhe madje nga disa autorë boshnjakë. Sa për ilustrim, ata e akuzojnë Izetbegoviqin për “politikë të dezintegrimit të brendshëm”, “kërcënime për secesion”, “ngjalljen e mosbesimit të thellë ndërmjet popujve të Bosnjës dhe Hercegovinës”, “etnokonfesionalizëm” dhe shumë pretendime të tjera të kësaj natyre.

Një analizë më e kujdesshme i zbulon tre motive themelore të këtyre përpjekjeve armiqësore dhe plotësisht të paargumentuara për diskualifikimin e Alija Izetbegoviqit si njeri dhe për injorimin e madhështisë epokale të veprës së tij politike.

Motivi i parë lidhet me paaftësinë e disa figurave mediokre për të dalë nga horizonti i tyre i kufizuar shpirtëror, që ashtu – nga ajo perspektivë e ulët – të formulojnë gjykime për bashkëkohësit e tyre më të shquar, njerëz të cilët kanë mundësi t’i takojnë çdo ditë, t’i shohin, madje edhe t’i njohin personalisht. Për këtë qasje, G. W. F. Hegeli përdorte një sintagmë jashtëzakonisht të qëlluar dhe psikologjikisht të saktë: “perspektiva e shërbyesit” (Kammerdinner perspektive), për ta përshkruar kështu habinë e shërbyesit të tij që nuk mund ta kuptonte se pse gjithë bota i shprehte Hegelit respekt dhe admirim, ndërkohë që ai vetë mendonte se “e njihte më së miri Hegelin” për shkak të shoqërisë së tyre të përditshme. I gjori shërbyes nuk ishte i vetëdijshëm se Hegeli nga perspektiva e tij nuk ishte ai Hegeli ndaj të cilit admiroheshin mendimtarët më të mëdhenj të kohës. Mendimtari dhe historiani anglez Tomas Karjajl (T. Carlyle) theksonte se “perspektiva e shërbyesit” është plotësisht e parëndësishme për vlerësimin e statusit historik të njerëzve të mëdhenj, kjo si reaksion ndaj tendencave që personalitetet e mëdha historike të vlerësohen sipas zakoneve të tyre të përditshme dhe veprimeve të zakonshme.

Motivi i dytë është thjesht psikologjik dhe lidhet me sindromën e quajtur “Kompleksi i Salierit”. Ky term buron nga marrëdhënia e njohur midis kompozitorit italian Antonio Salieri dhe Volfgang Amadeus Mocartit. Salieri, një njeri jashtëzakonisht ambicioz, nuk mund ta duronte famën që gëzonte Mozarti i ri, prandaj me çdo kusht përpiqej ta njolloste Mozartin si person dhe ta vinte në dyshim vlerën e muzikës së tij. Ndonëse Salieri ishte një erudit i thellë dhe njohës i sofistikuar i muzikës, por fatkeqësisht për të, edhe jashtëzakonisht xheloz dhe i ziliqar, pasi atij i mungonte talenti dhe krijimtaria e vërtetë. Në mënyrë të ngjashme, Alija Izetbegoviqi ka pasur, dhe ende ka, shumë “salieristë” të tij, individë të cilët në çdo mënyrë përpiqen ta ulin zvogëlojnë dhe mohojnë rëndësinë epokale të pikëpamjeve të tija filozofiko-shoqërore dhe të veprës së tij politike, të ligë, njerëz dashakëqij, xhelozë, shpesh të arsimuar mirë, por pa asnjë grimë talenti dhe kreativiteti.

Motivi i tretë, për të cilin Alija Izetbegoviqi ende u pengon shumë njerëzve, është ai më i nënvleftësuari dhe më i rrezikshmi dhe buron nga dy paragjykime negative të thella ideologjike dhe doktrinare: 1. Animoziteti ndaj Islamit, jo thjesht në formën e islamofobisë, por si një antiislamizëm radikal dhe agresiv. Fakti që në mënyrë plebishitare ai arriti ta rikthejë emrin historik origjinal “boshnjakë”, i cili kishte qenë i ndaluar për një shekull të tërë, dhe që e riafirmoi identitetin kombëtar të boshnjakëve, duke i konsoliduar si subjekt kryesor politik, përbën një motiv të fuqishëm të urrejtjes nga ana e disa shovinistëve nacionalistë. 2. Pretendimet territoriale shekullore, të frymëzuara nga hegjemonizmi serb dhe të drejtuara hapur drejt pushtimit të gjithë territorit të Bosnjës dhe Hercegovinës. Fakti që Alija Izetbegoviqi i pengoi këto plane dhe e ruajti shtetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, vazhdon t’i çmendë të gjithë armiqtë e tij, të cilët këtë triumf të tij e shohin si humbjen më të madhe të tyre. Dhe, me të drejtë. Për armiqtë e Bosnjës dhe Hercegovinës së pavarur dhe sovrane, Alija Izetbegoviqi, mendimtar, strateg dhe burrështetas, do të vazhdojë të përbëjë pengesë për një kohë të gjatë, sepse ua kujton një të vërtetë të pakundërshtueshme, të padurueshme dhe irrituese, se planet e tyre pushtuese përfundimisht kanë dështuar.

(Përktheu: Idaete SINANI)

 

 

 

 

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X