Përse Kadareja akuzoi se Kosova ka qenë e pambrojtur nga elita e vet intelektuale dhe letërsia përplot broçkulla avangardiste? A kërkoi ai nga letërsia kosovare atë lloj militantizmi që e kishte letërsia e realizmit socialist? Çfarë roli kanë modelet letrare në këtë mision?
Daut DAUTI, Shkup
Në çdo letërsi dhe kulturë, përballja e koncepteve të ndryshme, e ndonjëherë edhe sedrave të autoriteteve intelektuale, është një dukuri normale. Një situatë të këtillë, protagonist kryesor ka qenë edhe shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, duke trazuar jo pak shpirtrat e duke hasur në mospajtime nga shumë autorë kosovarë. Me shumë të drejtë. Ndryshe nga ai konflikti i personalizuar midis tij dhe akademik Rexhep Qosjes, në rastin për të cilin do të bëhet fjalë në tekstin vijues, Kadareja u gjet përballë edhe Ali Podrimjes, poetit emblematik nga ky krah i letërsisë shqiptare dhe të disa autorëve të tjerë që i kundërshtuan tezat e tij.
Me kalimin në amshim të tij, hapet kapitulli i vlerësimeve të veprës dhe personalitetit të tij kompleks, e në këtë kontekst, si kapitull tepër interesant është dhe ky keqkuptim i para 24-25 vjetësh, ku me qëndrimet gati se absolutiste, sikur e zhvlerësoi letërsinë kosovare. Duke i vënë përballë qëndrimet e tij dhe të autorëve që i kishin reaguar, u përpoqa të thellohem në kërkimin e përgjigjeve që krijuan këtë keqkuptim. Nisi disi rastësisht dhe doli një trajtesë që e futa në librin “Ai çast frymëzimi” (v. 2022), që e kisha titulluar “Keqkuptimet” e Kadaresë me “letërsinë kosovare”.
Keqkuptimet me “broçkullat avangardiste”
Duke kërkuar disa tekste në kompletet e gazetës “Flaka e vëllazërimit”, papritmas më doli përpara syve një tekst “i harruar” i Ismail Kadaresë, të cilin ose s’e kisha lexuar atëherë ose e kisha lexuar pa vëmendje. Kjo e dyta duket paksa e pabesueshme, sepse përmbajtja e tij doemos do t’ma kishte tërhequr vëmendjen që atëherë, ndaj mbetet supozimi ta kem kaluar pa hetuar fare. Ndaj tezave problematike të Kadaresë edhe më herët kishte reaguar poeti dhe publicisti Shaip Beqiri (ish kryeredaktor i revistës “Zëri i rinisë”), por ky ishte reagim për një intervistë të vitit 1998, ku i kishte plasuar të njëjtat teza të mëvonshme, porse kur në “Flakë” gjeta dy vazhdimet e tekstit “Letërsia e dokrrave avangardiste” të Kadaresë (Flaka, 7 dhe 8 gusht 2000), dhe fill pas tyre edhe një reagim të poetit emblematik, Ali Podrimja, po ashtu në dy vazhdime, nisi të krijohet një pasqyrë për një përplasje interesante në letrat shqipe.
Nëse lexoni titullin e shkrimit të Kadaresë, në shikim të parë do t’u duket se ai merret me rrymat letrare. Por, jo, vetë nëntitulli i vazhdimit të parë është tepër i drejtpërdrejtë dhe tepër i kufizuar në “hapësirë”, ai merret me letërsinë kosovare, për një aspekt që i kap vlerat e saj dhe misionin kombëtar: “Me sa dukej, u desh të pritej kjo gjëmë për të kuptuar se ndër ato qindra, për të mos thënë mijëra libra të botuara në Kosovë, pjesa më e madhe s’kishin asnjë lidhje me Kosovën. Të mbushura me dokrra avangardiste, me përçapjet kinse moderniste, me vanitet dhe vetëkënaqësi të pashembullt, këto libra e kishin braktisur prej kohësh Kosovën…”
Cili është motivi që e ka cytur Kadarenë për këtë shkrim, në një kohë të sapo dalë nga katrahura e 1999-tës, me çka do të kishim thënë se përmban shumëçka frojdiane (sikur shpërfaq ndjenjat e stisura që vetëm kanë pritur momentin të shpërthejnë!), diçka që e ka munduar e tunduar prej kohësh, por që në fund zgjodhi një kohë shumë të gabuar për ta shpërfaqur, duke lënë shumë dilema jo vetëm përse e bëri këtë atëherë, por dhe më shumë se kjo, përse fare pati nevojë t’i bëjë një “deteksion” zhvlerësues dhe të përgjithësuar “letërsisë kosovare”, duke prekur diçka që ka të bëjë me dy realitetet historike e ideologjike që u zhvilluan paralelisht në Shqipëri dhe Kosovë dhe “llojet” e letërsisë që u krijuan në to.
“Letërsia e broçkullave avangardiste” e vitit 2000 është një nga ato tekste që të detyron të shkosh drejt rishqyrtimit jo në mohimin e vlerave të tij, por në vërtetimin e tezës se edhe mendjet më të ndritura mund të jenë robër të ndonjë fiksimi, madje dhe qëndrimi të gabuar. Ai, për të vlerësuar një vepër të autorit kosovar (shkrimi i tij është parathënie e romanit të Rexhep Hotit), kthehet pak mbrapa në kohë për t’u marrë me të vërtetën propaganduese që e ka bërë Serbia kundrejt Kosovës dhe Kadareja gjen një inferioritet të së vërtetës kosovare, që është dashur t’i kundërvihet, por që s’e ka bërë letërsia kosovare dhe në përgjithësi kultura: “…Kërkoheshin dëshmi për shtypjen serbe, anketa për krimet e dhjetë vjetëve të fundit, dosje tmerresh të mbyllura dinakërisht, masakra të mbyllura. Kërkoheshin këto në dy forma: dokumentare dhe artistike. Për fat të keq, kjo kërkesë mbeti pa përgjigje. Në orën e tij tragjike, në orën e tij më të rëndë, populli i Kosovës mbeti pothuajse i pambrojtur nga kultura e tij. Ai mbeti i zbuluar përballë propagandës së egër serbe, e cila mbushi me mashtrimet dhe barbarinë e saj atë hapësirë që duhej të pushtohej nga kultura shqiptare. Në orën e saj të provës u gjend veçanërisht ngushtë pjesa dërrmuese e letërsisë kosovare.”
Mund të ketë mjaft të drejtë Kadareja sa i përket plasimit të së vërtetës së Kosovë, sepse është fakt se Serbia, si një shtet me traditë më të gjatë, por dhe me “përvojë” të kahershme madje historike, plason të “vërtetat” e veta, me ndërrim tezash viktimën e bën agresor, agresorin e bën viktimë, sajon të vërteta historike përplot gënjeshtra për shqiptarët dhe për veten dhe këto i ka bërë shumë më mirë se Kosova në konfliktin e viteve 1998-99, por dhe më pas. Por, ku hyn letërsia këtu? Ku është efekti i një vepre letrare çfarë e kërkon Kadareja për ta vënë në pozitën për ta mbrojtur Kosovën, që – sipas tij – është lënë e pambrojtur? Këtu, nga një rezignim i çastit (apo ndoshta dhe jo bash i çastit), e bën Kadarenë që të kërkojë nga letërsia dhe kultura kosovare të bëjë atë që për Gjermaninë e bënte Gebelsi e për Serbinë media e instrumentalizuar në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, kur, bie fjala, shpikeshin teza për serbët dhe malazezët e rrezikuar, të cilët “shpërnguleshin nga presioni i shqiptarëve”, dhe pastaj ndërmerrnin edhe veprime konkrete për të luftuar fenomenin e shpikur prej vetë propagandës. Nëse i kthehemi vetëm pak këtij episodi propagandistik, mund të thuhet se kishte një të vërtetë objektive dhe një sajesë propaganduese: ishte e vërtetë se kishte shpërngulje, por për kushte më të mira jete, sepse Kosova ishte vendi më i pazhvilluar i Jugosllavisë dhe nuk ishte e vërtetë se këtë e bënin nën presion nga shqiptarët. Sa i përket ngritjes së zërit, si nga politikanët kosovarë, sado që të ishin nën presion të Beogradit, si intelektualët, i janë kundërvënë kësaj propagande. Janë shkruar libra historianësh që kanë vënë në dukje një shpërngulje tjetër, atë të shqiptarëve për Turqi (kjo temë mbase është pothuajse e patrajtuar në Shqipërinë e Enverit në atë kohë!), të dokumentuar me fakte. Hajredin Hoxha, Hivzi Islami e të tjerë i kanë dalë zot të vërtetës. Pra, nuk është se është lënë e pambrojtur Kosova nga elita intelektuale. Për këtë lloj militantizmi, intelektualët e Shqipërisë, në kohët e njëjta, vetëm kanë mundur të ëndërrojnë! Jo se s’kanë dashur, por ngase regjimi ua ka kufizuar hapësirën vepruese e krijuese. Por, ka diçka tjetër, atë që Kadareja ose nuk e ka kapur sa duhet ose nuk ka pasur mundësi – përveç historianëve dhe demografëve, shpërngulja e shqiptarëve nën presion, edhe atë në fazat e ndryshme që kanë ndodhur, është trajtuar edhe në letërsinë dhe kinematografinë e re kosovare, për çka është dashur përveçse invencë, edhe pak më tepër guxim. Atë guxim që ndoshta Kadareja nuk e sheh, atë guxim që në të njëjtën kohë në Shqipërinë komuniste nuk e ke pasur fare.
Kadareja në shkrimin “Letërsia e broçkullave avangardiste” sikur shfryn ndonjë frustrim të tij me ashpërsinë e vlerësimeve, thjesht të shtyn të dyshosh sikur i ka zgjatur shumë një gjendje e tillë: “Të turullepsur pas hapësirës jugosllave, duke kujtuar se do të gjenin lirinë atje ku në të vërtetë ishte strehuar robëria, duke i kthyer krahët kulturës së vendit amë, të kapërthyer nga dëshira e mbrapshtë për të qenë më modernë se shkrimtarët e Parisit apo të Nju-Jorkut, një pjesë e letrarëve të Kosovës e ndanë përfundimisht letërsinë e tyre nga populli i vet. Dhe jo vetëm kaq. Duke shkruar letërsi hermetike të pakuptueshme prej askujt, një letërsi rrjedhimisht diletanteske, ku pas kinse modernizimit mund të maskohej fare mirë mungesa e profesionalizmit dhe padija, këta letrarë e përjashtuan në të vërtetë pjesën më të madhe të librit shqip nga jeta e Kosovës…”.
Duhet të jetë çuar në krah të majtë shkrimtari ynë i madh, që të bie në atë gjendje shpirtërore sa të diagnostifikojë “trullepsjen” e shkrimtarëve të Kosovës në hapësirën jugosllave “duke kujtuar se do të gjejnë lirinë atje ku është strehuar robëria”. Shkrimtari i Kosovës, sipas logjikës së tij, i bie që të ketë pasur zgjedhje midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë dhe ai me dëshirë e ka zgjedhur të dytën!!! E vërteta është krejt e kundërt, Kosova ka mbetur në Jugosllavi dhe nën Serbi pa dëshirën e shqiptarëve, e lëre më të inteligjencies së saj, që doemos ka ditur të gjykojë se çka është e mira, e aq me pak se këtë zgjedhje (që nuk e ka bërë!), e ka bërë për të gjetur lirinë, siç ua mvesh Kadareja nga lartësia e Olimpit të tij letrar duke e parë realitetin e tij me shikim turbull. Është një keqkuptim i madh me të vërtetën historike, sepse intelektuali dhe shkrimtari kosovar nuk ka mundur t’i kundërvihet regjimit ushtarak të pasluftës së dytë botërore, kur ndryshe nga premtimet dhe deklarimet e Konferencës së Bujanit (Bunjajt) për vetëdeklarim se nga do të shkojë, Kosovës i është përcaktuar fati të mbetet me Serbinë. Përpjekjeve të gjeneratës së idealistëve të parë të pasluftës, regjimi komunist u përgjigjet me fushatë përndjekjesh e dënimesh me vdekje të shumë pjesëtarëve të NDSH-së, ku qenë përfshirë elita e atëhershme intelektuale. Ndërkaq edhe më vonë, në pikëpamje individuale, nga shkrimtari Adem Demaçi dhe të tjerë, në burgje janë kalbur pikërisht kremi intelektual. Pra, shqiptarët as e kërkuan e as e gjetën lirinë në Jugosllavi, e as u pajtuan me të. Lëvizjet për autonomi dhe republikë, diferencimet dhe përndjekjet masive, po ashtu, e dëshmojnë këtë, ku të shpeshtën ishin intelektualët ata që e pësonin.
Kadareja shkroi: “Të fshehur pas hermetizmit, këta letrarë refuzuan me këmbëngulje të dëshmonin për dramën e popullit të vet, për krimet e masakrat që po kryheshin në Kosovë në mënyrë ciklike ashtu si ardhja e stinëve. Më 1991 u përsërit e njëjta gjë dhe ata prapë heshtën. Më 1998 retë e zeza e nxinë prapë qiellin e Kosovës e ata prapë nuk u ndien. Kur nisi të binte në sy kjo mungesë e tyre, të nervozuar ata u përgjigjën se të pasqyronte dramën e përditshme ose masakrën e 1981 e të tjera si ajo, ishte për letërsinë si të bënte detyrë shtëpie. Harronin të gjorët se me krimin dhe denoncimin e krimit janë marrë gjatë mijëvjeçarëve kryeveprat e letërsisë botërore, krenajat e saj, që nga Homeri te Danteja, Shekspiri e gjer në ditët tona.”
Në tezat tejet të qarta e koncize të Kadaresë, megjithatë, shihet një përzierje çështjesh. Disa janë letrare dhe kanë të bëjnë me rrymat a konceptet letrare, për të cilat mund të diskutohet në një nivel letrar, por disa i përkasin aspektit sociopolitik dhe në atë rrafsh mund të diskutohen, në një përpjekje të dukshme, për t’i ndërlidhur ato edhe kur kjo bëhet në mënyrë të gabuar ose nxirren përfundime të paqëlluara. Bie fjala, ku qëndron problemi që të ketë larmi në letërsi dhe përse këtë Kadareja nuk e kupton si pasuri dhe vlerë, por si mangësi?! Përse larminë e kupton si kaos? A do të thotë, sipas tij, se në një letërsi duhet të kodifikohet një model letrar dhe gjithë krijuesit të kallëpizohen? Në kohën e regjimit komunist, dihet se në cilin kallëp do të hynin (siç dhe kishin hyrë) krijuesit, të cilit s’mund të bënin vrik prej modelit të realizmit socialist. Kjo larmi, që është pasuri, në rastin e letërsisë shqipe në Kosovë (por dhe Maqedoni e Mal të Zi), gjithsesi sa i përket vlerave letrare, nuk do të ishte më inferiore karshi asaj letërsie që ishte vënë kryekëput nën tutelën partiake në Shqipëri.
Pikat e mospajtimeve me Kadarenë
Gazeta e përditshme “Zëri” kishte sjellë aso kohe një shkrim të autorit A. N. Berisha, i cili sikundër edhe disa autorë të tjerë, nuk e fsheh habinë si shkrimtari i madh mund të zhvlerësojë letërsinë kosovare. Sipas A. N. Berishës “I. Kadare e ka mohuar dhe përçmuar në mënyrën më të skajshme letërsinë shqipe të Kosovës. Madje nuk pati forcën e duhur shpirtërore dhe intelektuale të kërkojë falje publikisht për përbuzjen dhe përçmimin që kishte shprehur për letërsinë shqipe të Kosovës dhe për vrerin e paparë që kishte derdhur për të, pa përdorur asnjë argument dhe pa përmendur asnjë titull të një vepre, duke përfshirë këtu edhe veprën madhore të Ali Podrimjes, natyrisht dhe veprat e Anton Pashkut, të Azem Shkrelit dhe të dhjetëra shkrimtarëve të tjerë të shquar të Kosovës, që pasuruan dhe e ngritën letërsinë shqipe të Kosovës dhe letërsinë shqipe në përgjithësi në kulmet e saj” (Cituar nga faqja elektronike e Zërit, 8 korrik 2016: https://zeri.info/kultura/97964/akuzat-e-ismail-kadarese-per-letersine/)
Ndryshe nga Kadareja, A. N. Berisha mendon se letërsia shqipe e Kosovës “në qenësinë e saj është e lidhur ngushtë me Kosovën dhe me njeriun e saj, me fatin dhe me fatkeqësinë e tij”.
Njëri nga më të thirrurit për t’iu përgjigjur, u gjet poeti Ali Podrimja, mbase duke “e njohur” veten si ndër autorët e shënjestruar për “hermetizëm”. Ai në shkrimin e tij “Kadare: pakëz letërsi kosovare (!)” (Flaka, 9 dhe 10 gusht 2000) shpreh habinë: “ku qëndron e vërteta dhe pse tërë ky mllef?” dhe përgjigjet: “Mllefi i Kadaresë nuk është vështirë të kapet as shkaku t’i gjendet. E këtë përsiatje e akuza për letërsinë dhe krijuesit kosovarë fatkeqësisht bien ndesh me akuzat e përsiatjet e mëparshme”. Që të jemi të saktë, Podrimja recensionin e Kadaresë “Letërsi e dokrrave avangardiste” e ka lexuar si parathënie të romanit “Nata e Kosovës” të autorit Rexhep Hoti, botuar në të përditshmen e Prishtinës “Zëri” (15 prill 2000).
A e ka njohur Kadareja realitetin e njëmendtë të Kosovës apo atë e ka shikuar nga një distancë imagjinare artistike, në një realitet të ndërtuar në mendjen e tij të ndritur, por jashtë realitetit objektiv? Përgjigjen ia jep Podrimja me pyetjen: “Brenda një shtetrrethimi të paparë mund të bënin diç më shumë krijuesit kosovarë se të vdisnin? Dhe nëse këta nuk e alarmuan botën si duhet, pse këtë nuk e bëri një armatë krijuesish në Shqipëri dhe diasporë? Çështja e Kosovës nuk është vetëm çështja e krijuesve kosovarë, është çështje e pazgjidhur e kombit, para së gjithash.”
Pra, ka shumë dilema e pyetje për të cilat besojmë se Kadareja nuk i ka menduar sa duhet duke shkruar me aq mllef për letërsinë hermetike dhe “moskokëçarjen” e krijuesve kosovarë për fatin e Kosovës. Siç është shprehur Podrimja i ndjerë, shkrimi për “dokrrat avangardiste” është “mllef i shkrimtarit në një kohë të ligë dhe ndoshta grindje me vetveten” dhe se ai vetë nuk është aq i guximshëm që të nëpërkëmbë e fyejë gjysmën e kulturës kombëtare, t’i akuzojë krijuesit pse bëjnë përpjekje që tekstet e përmbajtjet e tyre t’i ngrenë në një shkallë më të lartë letrare…
Dilema është a mund të jenë të pavlera “veprat avangardiste”, çfarëdo që ka nënkuptuar Kadareja, nëse ato janë bërë pjesë e letërsisë botërore dhe me ç’të drejtë dëshiron t’i privojë autorët shqiptarë të krijojnë me të tilla modele letrare? Një motiv për të përqafuar një letërsi ndryshe nga ajo klasike mund të jetë vetë zhvillimi i natyrshëm dhe kërkimi i formave të reja shprehëse, sikundër që risimtaria (novatorizmi) është e preferueshme në çdo fushë, jo vetëm të krijimtarisë, por dhe të shkencës e teknologjisë. Në një Kosovë më të hapur se Shqipëria ka qenë normale që të depërtojnë ndikime nga trendët e letërsisë botërore dhe ky nuk do të ishte mëkat.
Por, ka dhe një aspekt tjetër pse një krijues shqiptar në ish-Jugosllavi mund të ketë gjetur strehim në figurshmërinë “e skajshme”, në simbolizëm ose hermetizëm. Është çështja e “gjuajtjes së gurit dhe fshehjes së dorës”, gjegjësisht që krijuesi ta thotë të vërtetën për një temë të ndijshme kombëtare, duke e trajtuar paksa të mjegulluar dhe për të lënë dykuptimësinë apo shumëkuptimësinë, të kuptohet edhe kështu edhe ashtu, gjegjësisht t’ia përçojë mesazhin lexuesit të kultivuar dhe shijehollë në një formë të lartë artistike, e duke mos e rrezikuar veprën me ndalim ose dhe vetveten nga ndëshkimi regjimist. Sa për ilustrim, te vepra “Zanoret e humbura” të Zejnullah Rahmanit kemi një personazh me emrin L’B’N, i cili kërkon gjithë kohën “zanoret e humbura” të emrit të tij. Çdo kritikë letrare e ka vënë në dukje dhe lehtësisht e ka zbërthyer se ky personazh është metaforë e mëvetësisë së cunguar të shqiptarit, apo më saktë, të paplotënisë identitare, i cili kalon nëpër ecejaket e kërkimit të vetvetes. Simbolizëm i thellë, i errët, i pakuptueshëm ose lehtësisht i kuptueshëm në një formë që i ik censurës dhe e thotë një të vërtetë ose jep mesazhin joartistik në një vepër letrare. Edhe Kadareja ka shkruar “Piramidën” duke parë Piramidën që ngriti Enver Hoxha në mes të Tiranës, duke aluduar jo në faraonët e Egjiptit, po në pushtetin e “faraonit të kuq” të kohës së tij. Ta kishte shkruar për Piramidën mermertë të Tiranës, e jo për piramidën e gurtë të para erës sonë, do të kishte përfunduar si shumë kolegë të tjerë të cilët u dehën nga guximi i tepruar dhe përfunduan prapa grilave. Disa edhe më keq se kaq.
Modeli letrar, apo diçka tjetër?
Një dilemë që do të mbetet gjithnjë pas leximit e stërleximit të tezave të hedhura kaq lirshëm nga Kadareja është se a ka pasur ai problem me letërsinë kosovare për shkak të modelit krijues, apo me modelin për shkak të moskryerjes së misionit që të jetë në shërbim të kauzës kombëtare?
Autorët që i reaguan, si Shaip Beqiri, A. N. Berisha, Ali Podrimja e Milazim Krasniqi, mendojnë se një nga autorët “hermetikë” për të cilin aludon ai është Anton Pashku, ndoshta themeluesi i rrymës moderniste, edhe pse nuk është përmendur me emër nga vetë Kadareja. A mund të jetë animoziteti ndaj tij, sepse është “i pakuptueshëm”, siç thotë Podrimja, vepra e të cilit (sipas tij) “shpesh u shikua me një sy tjetër nga shkaku i tekstit se nuk mund t’ia gjenin kuptimet”, por diç që, siç thotë ai, njësoj ka qenë edhe me Lasgushin dikur, pasi “mjeshtëria e tekstit dhe farfurisjet shpirtërore i kishin tmerruar vargnuesit, vrapimi për një shqipe të pastër e konstrukt të ri”.
Por, vallë modernizmi i Pashkut është larg kauzës? Podrimja nuk pajtohet me një supozim të tillë: “Në veprat e krijuesve të këtij krahu parandjenja e tragjedisë së Kosovës është një imazh trishtues, të themi fat. Anton Pashku kishte paralajmëruar derdhjen kombëtare deri te një kasaphane (romani “Oh” dhe tregimi “Kulla”) dhe kishte gjetur mënyrën ta thotë, mbështetur në letërsinë amë e sidomos te autorët e Veriut, konkretisht te Koliqi. Letërsia mbetet enigmë, vështirë të kuptohet, i tmerron posaçërisht ata që nuk janë mësuar të fusin rruaza në pe.”
Të jetë Kadareja në mesin e atyre që nuk janë mësuar të fusin rruaza në pe? Nuk e besojmë, por më shumë do të kishim thënë një mungesë “mospërshtatshmërie” shijeje ose parapëlqyerje të modelit klasik, sado që mund të jetë e diskutueshme çka do të nënkuptonim.
Shkrimtari tjetër që u mor me këto teza të Kadaresë, Shaip Beqiri, kishte reaguar pas intervistës “Kosova nuk është djep i kombit serb, por djep i krimit serb” dhënë të përditshmes “Koha ditore” të datës 9 qershor 1998. Në shkrimin “GOGOLI I HERMETIZMIT NUK E NGJALL DOT KUFOMËN E SOCREALIZMIT” ( Koha”, Prishtinë, nr. 70, 17.VI.1998, f. 10-11) Sh. Beqiri ka shkruar se vlerësimi për “shumicën e letërsisë kosovare të botuar vite me radhë”, “nuk është vetëm papërgjegjësi sharlatane e as hutesë momentale gjeniu!”, kur ka deklaruar se “koha që po jeton Kosova tash, e ka nxjerrë jashtë kohe një pjesë të madhe të letërsisë kosovare, që është krijuar, për fat të keq, jashtë çdo realiteti.” Beqiri nuk pajtohet as se (sipas Kadaresë)“nuk ka asnjë vend në Evropë, … që tjetër dramë të jetojë një popull dhe tjetër pseudodramë të pasqyrojë letërsia. Për fat të keq, shumica e letërsisë kosovare, që është botuar vite me radhë, ka trajtuar probleme të paqena nën maskën e hermetizmit, modernizmit, avangardizmit. Është braktisur në mënyrë të turpshme gjithçka që ka lidhje me realitetin e këtij populli.”
Shaip Beqiri e vë diagnozën anasjelltas, duke krahasuar dy realitetet letrare në Kosovë dhe Shqipëri: “Derisa në Kosovë kishte, përveç hermetizmit, modernizmit e avangardizmit, që përmend I. Kadare, edhe ndonjë shkollë tjetër letrare të këtij lloji, kishte po ashtu edhe një socrealizëm të kamufluar dhe një tjetër fare të tërbuar; ndërkaq në Shqipëri kishte vetëm një socrealizëm të mjeruar e të përçudnuar letrar dhe ndonjë individualitet të rrallë krijues, që kishte fuqi të kapërcente atë mur rrethues, e ndër ta më i shquari dhe më i merituari pa dyshim që është vetë Kadare. Mirëpo nuk ka qenë e vogël as në Kosovë kopeja e mediokërve socrealistë.”
Me këtë rast, Beqiri i rikujton meritat e Esad Mekulit, “për organizimin dhe nxitjen e jetës letrare shqiptare të Kosovës”, i cili “qe një njeri me shpirt të madh dhe një poet i rrallë. Sado që kërkesat e tij ndaj letërsisë qenë mjaft utilitare, natyrisht jashta skemave socrealiste, ai tek revista e famshme letrare ‘Jeta e re’ ua çeli dyert të gjitha stileve e metodave, të gjitha rrymave e shkollave letrare, duke mos përjashtuar asnjërën prej tyre.”
Por, për Shaip Beqirin nuk ka dilemë se a mund të jetë rryma letrare pengesë për ta trajtuar realitetin ose për t’i shërbyer edhe kauzës kombëtare, sepse, sipas tij, “brenda atij “hermetizmi” është përvijuar trajtimi i gjithë jetës (historike e aktuale) shqiptare në formën e vet më të kristalizuar. “Nëqoftëse I. Kadare deri tash s`ka pasur kohë e as mundësi të vërejë se ç`trajtim i ka bërë atij realiteti shqiptar letërsia hermetike e Kosovës, e cila para së gjithash vetë është realiteti më sublim i gjithë artit shqiptar, pra nëqoftëse përveç ‘pseudodramave’ ai s`ka gjetur tjetër pasqyrim aty, atëherë edhe helmi i ‘shakasë’ së tij për mosnevojën e gjithë kësaj letërsie do të mbetet pasqyrim i një njolle jo të vogël dhe aspak të nevojshme në ndërgjegjen e tij”, ka shkrar Sh. Beqiri.
Shtrohet pyetja, a ka lexuar Kadareja përnjëmend më shumë vepra nga autorët kosovarë apo përshtypjet i ka krijuar në bazë të ndonjë vepre që rastësisht i ka rënë në dorë dhe ajo s’i ka lënë ndonjë përshtypje të mirë, për më tepër i ka krijuar averzion? Rënia e kufirit shqiptaro-shqiptar i shembi edhe barrierat brenda kulturës shqiptare dhe të letërsisë në veçanti. Në fillim të viteve të ‘90-ta, duke i besuar sinqeritetit të autorëve të Shqipërisë, do t’i besoj edhe komplimentit që ata thoshin për letërsinë shqiptare në ish-Jugosllavi, se poezia e këtejshme është shumë mbi nivelin e poezisë deklamative që ishte krijuar në Shqipëri gjatë regjimit komunist. Ata mrekulloheshin nga poetika e vargjeve të Podrimjes, Sabri Hamitit, Eqrem Bashës, Azem Shkrelit, Resul Shabanit, Din Mehmetit dhe shumë të tjerëve, që kishin mundur t’i lexojnë në doza, por që për ta kishte qenë shumë “më e veçantë” se ajo që është krijuar te ata në Shqipëri. Hermetikë ose jo, modernistë e avangardistë ose jo, në vargjet e shumicës së këtyre poetëve shumë poezi të Kadaresë duken inferiore, sepse në to është sublimuar pikërisht ajo që si mungesë “e zbulon” Kadareja atje ku nuk është, fati i popullit shqiptar në Kosovë dhe vise tjera të ish-Jugosllavisë së krajlit ose Titos. Edhe në vargjet e Kadaresë ka pjesë të ngjyrave të kohës, por ato jo pak janë edhe refleks betejash ideologjike që i ka zhvilluar regjimi komunist i Shqipërisë në kampin socialist, por ato për nga forma a modeli letrar, më të kuptueshme nga veshi dhe vetëdija e lexuesit, por poetika e tyre gjithsesi mund t’ia ketë zili asaj të poetëve të Kosovës, si për nga arti melodika dhe arti i vargëzimit, por edhe për atë që Kadareja insiston: të jetë në shërbim të kauzës. Por, siç do të vërejë poeti Ali Podrimja në një parathënie për librin “Ca pika shiu ranë mbi qelq” (Onufri, 2003), shumë nga poezitë e tij gjatë një përzgjedhje që i kishte bërë “Rilindja”, nuk kishin qenë të denja dhe për këtë është pajtuar edhe vetë Kadareja, i cili madje kishte qenë “vetë rigoroz” (cituar nga “Ca pika shiu ranë mbi qelq”, fq.8, Onufri, 2003)! Lexuesit dhe kritika, me gjithë rezervat ndaj një pjese të krijimtarisë letrare të Kadaresë që ka pasur elemente “shërbese” të nomenklaturës së kohës, kanë pasur mirëkuptim, duke pasur parasysh kohën dhe ideologjinë që ka ngulfatur krijimtarinë. Doemos t’i ketë rënë në dorë Kadaresë “Trungu ilir” i Sabri Hamitit, që është një refleks i gjithë historisë kombëtare, por me një varg të latuar (nëse do për nga forma, gjithsesi e ke: vargëzim me rimë e metrikë), e të mos flasim për nga thellësia e mesazhit. A është modernist Sabri Hamiti apo bën pjesë te ato përjashtimet? Çka të thuhet për poezinë e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë botërore, ku pikërisht është “qarë” në përmasa elegjiake fati i Kosovës, por në formën më të bukur të mundshme që mund të bëjë vargu i një latuesi të fjalës. Poezia e tij as është aq hermetike, e as e ndarë nga realiteti. Aty përshkruhen pikërisht ato valë të dramave për të cilat flet Kadareja.
Vlera e një letërsie matet me majat e saj. Kjo është një nga tezat e Kadaresë, gjë që është e saktë. Ai ka arritur majat me veprat në prozë dhe është përfaqësuesi më i denjë i letërsisë shqiptare. Por, si thotë një autor tjetër nga Shqipëria, nuk do të thotë se nuk ka vepra e autorë të tjerë të denjë. A ka ai ndonjë kompleks ndaj veprave moderniste, ku hermetizmi i bën të palexueshme për masat? Përveç Anton Pashkut, të përmendur më sipër nga Podrimja, A. N. Berisha dhe Shaip Beqiri në fushën e prozës janë edhe disa autorë që mund t’i ketë marrë në shënjestër Kadareja. Ndoshta “Moti i Madh” e “Net bizantine” të Mehmet Krajës, ndoshta “Njëqind vjet vetmi” e Sabri Hamitit, ndoshta “Zanoret e humbura” dhe “Sheshi i Unazës” nga Zejnulla Rahmani? Apo dramat, romanet e poezitë e Teki Dervishit dhe shumë të tjerëve. Ndoshta dhe “Shtatë persona ndjekin autorin” dhe vepra të tjera në prozë nga Ramiz Kelmendi, i cili vështirë se mund të quhet i tillë… Është e saktë se këto proza mund të mos jenë për shijen e shumë lexuesve, sepse janë “të rënda” për t’u përcjellë narracioni i tyre e për të kuptuar porosinë, por nëse ato janë të arrira, ashtu siç i konsideron kritika letrare, nuk duhet të jetë problem pse një shumicë njerëzish mund të mos i kuptojnë. Krijimtaria është arti i të shkruarit dhe nuk është për çdokënd. Nuk është mëkat që, duke shkruar, mëton të kopjosh një Borhes, siç ka shtruar ndikim te shumë autorë “fluiditeti” i rrëfimit të situatave imagjinare të pakonceptueshme nga realizmi klasik.
Duhet të jetë një mungesë pasqyre ose krijim mozaiku pa gjithë elementet të devalvosh mijëra libra. Supozojmë se disa nga autorët të kenë mbërritur në Shqipëri më herët. Por dhe me vonesë, s’ka gjë, më mirë vonë se kurrë. Ka dhe vepra që janë afër realizmit (pa atributin “socialist”) që preferon Kadareja: romanet e Nazmi Rahmanit janë tepër të lidhura për tokën e Kosovës dhe ngjarjet dramat njerëzore në rrethana historike, shoqërore e politike nëpër të cilat ka kaluar Kosova. Është romani “Dhuna” i Rexhep Zogajt, titulli i të cilit flet vetë për temën që lidhet me kohët e shkuara. Janë romanet e Jusuf Buxhovit, që sillen diku në mes rrymave letrare, por qartësisht të lidhura me trollin e Kosovës dhe në nivel të lakmueshëm të realizimit artistik. Edhe romanet e Hivzi Sulejmanit e ndonjë nga opusi edhe i Sinan Hasanit… gjithë lidhen me realitetin kosovar. Të mos flasim për romanet dhe dramat e Rexhep Qosjes, të cilat assesi, edhe me kriteret e Kadaresë, s’mund t’i fusësh në broçkulla avangardiste.
A kishte mbetur edhe pas rënies së komunizmit Kadareja rob i disa koncepteve, që natyrshëm u janë imponuar krijuesve, qoftë si situata shoqërore, qoftë ideologjike? Në opusin e tij poetik e ka një poezi, e cila është në mbështetje të këtij koncepti përjashtues në vargjet vijuese, ku i drejtohet vajzës së tij, Besiana, të mitur në kohën kur është shkruar poezia “Shpjegim për librat Besianës së vogël”:
“Por ti ngul këmbë se diçka, sidoqoftë duhet grisur,
Në të vërtetë çdo bibliotekë për të grisur ka diçka,
Ja këtu në qoshe rrinë mbyllur ca poetë hermetikë,
Më duket se njëfarësoj mund të merresh me ta,
Ndërsa ti sa vete rritesh e mëson fjalë,
Ata bëjnë të kundërtën, sa vete i harrojnë ato,
Meqënëse tani për tani ke moshën me ta për t’u marrë.
Unë hiqem mënjanë Dhe ti vepro!’
(Ismail Kadare, Vepra, vol 1, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1981, f. 341)
Çka të thoshte ndonjë shkrimtar kosovar për këtë? Mbase do të ishte ngushëlluar me faktin se Kadareja nuk e paska aspak në planin personal, e as kombëtar ndaj shkrimtarëve kosovarë, por çështje konceptuale. Sepse, Kadareja, që prej kohësh ka qenë i bindur se shkrimtarët hermetikë “duhet grisur”.
Por, ku i sheh Kadareja këto gjëra në kohën e re te letërsia kosovare? Ajo, së pari, asnjëherë nuk ra plotësisht nën ndikimin e realizmit socialist, sepse, në përgjithësi, letërsia jugosllave, pjesë e së cilës mund të konsiderohej për shkaqe administrative, asnjëherë nuk e pranoi dogmën sovjetike dhe letërsia pati një frymë më të lirë sa i përket zgjedhjes së modeleve! Siç ka shkruar Milazim Krasniqi, “Që në Kongresin e dytë të shkrimtarëve jugosllavë në Zagreb, në vitin 1949, u kërkua eliminimi i realizmit socialist si doktrinë zyrtare, gjë që faktikisht u arrit në vitin 1952 në Kongresin e tretë të shkrimtarëve jugosllavë, që u mbajt në Lubjanë, duke pasur si platformë fjalimin e Mirosllav Kërlezhës në atë kongres.”, për të përfunduar se në këso kushtesh ”ndikimi i veprave të shkrimtarëve që shkruan në hullinë e realizmit socialist në Kosovë, nuk ishte i vërejtshëm”.
Duket se keqkuptimi qëndron jo vetëm në mohimin e së drejtës për të përqafuar cilindo model letrar, por edhe një pritje e tepruar e Kadaresë që letërsia ta kompensojë gjithë atë që nuk e ka bërë historia, lëvizjet kombëtare e gjer te politika dhe, e dyta, që kjo mangësi qenka për shkak të rrymave avangarde! Por, është një dëshmi origjinale se si edhe më mendjendriturit ndonjëherë mund të mos i qëllojnë gjithnjë.