loader image
December 3, 2024

Kosova, nga Deçani në Banjskë!

Deçani dhe Banjska, që të dyja me manastire me të cilat mburret populli serb, ndonëse janë turpi i së kaluarës kriminale dhe të tashme serbe, janë dhe përgjigja se pse ky popull për Moisi kanë një klerik fetar kriminel, pse ndodhi sulmi terrorist serb në Banjskë dhe pse Kosova nuk ka alternativë tjetër, përveç BE-së, dhe, ka alternativë tjetër, përveç Asociacionit!

Agim POPOCI, Mitrovicë

Alarmi i kryetares së Komisionit të Punëve të Jashtme pranë Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, për trafikun e armëve nga Serbia në Kosovë, përmes autoambulancave dhe shkarkimin e tyre në kishat ortodokse, ishte një habi e madhe për të gjithë burokratët e Brukselit zyrtar, që po i bënin presion kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe po favorizonin presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ashtu siç vepruan paraardhësit e tyre ndër vite! Është e qartë se kjo habi nuk do të kishte zënë vend sikur Serbia dhe serbët të trajtoheshin ashtu siç janë, kriminelë! Dhe, nuk do të ndodhte as lufta e Kosovës sikur në vitin 1995 po këta europianë t’i kishin kërkuar falje si Kroacisë, ashtu dhe Bosnjë e Hercegovinës, për dhimbjen dhe gjakderdhjen që e shkaktuan serbët dhe i lejuan ata, ndërsa u finalizua me masakrën e Srebrenicës!

Nëse, sot, gjithçka mundohet të arsyetohet me misione të OKB-së dhe negociata në prag të shpërthimit të luftës në Ish-Jugosllavi, historia e popullit serb e konfirmon të kundërtën!

Për të kuptuar se si një popull që qëndron para portës së BE-së e kryen masakrën e Vukovarit, Srebrenicës, Prekazit ose Reçakut dhe nuk pendohet, mjafton fakti që udhëheqës të shenjtë e kanë Car Dushanin, i cili u bë mbret duke e vrarë babanë e tij, Stefanin, dhe duke e varrosur në vendin më të shenjtë që sot serbët thonë se e kanë, manastirin e Deçanit! Dhe, jo vetëm kaq!

Moisiu i këtij populli është patriarku Arsenije Çarnojeviq, krimineli i cili udhëhoqi dhjetëra mijëra refugjatë serbë nga Kosova drejt Serbisë dhe është mirazhi me të cilin janë rritur serbët, ndonëse ai po drejtonte serbët, duke i larguar nga toka e premtuar me rastin e vitit të ri 1690, pas humbjes që i kishin shkaktuar forcat osmane, në luftën që i kishte futur Çarnojeviqi si pjesë të ushtrisë austriake.

Kjo e sqaron edhe krenarinë serbe kur largoheshin nga tokat e Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës, pas lumit të gjakut dhe tokave të djegura që i linin pas këta ushtarë të Kishës Ortodokse Serbe dhe ndjenjën e triumfit që shfaqnin pas kapitullimit edhe në luftën e Kosovës, më 1999, kur pësuan humbje nga UÇK-ja dhe NATO.

Është ky realiteti me të cilin u rrit populli serb, si në kishë, në kopsht, në shkollë e në familje, madje dhe të gjithë të rriturit pas luftës së Kosovës nga vitit 1999, që sot janë 24 vjeç, dhe kanë mendje po aq kriminale sa Patriarku Arsenije, Car Dushani, Slobodan Milosheviqi dhe Aleksandar Vuçiqi! Ata mburren edhe kur presidenti i tyre, Aleksandar Vuçiq, e fsheh armatimin në manastirin e Banjskës, kur organizon një akt terrorist dhe ndonëse dështon, për terroristët e vrarë nga policia e Kosovës shpall tre ditë zie! Dhe, po kjo rini e sotme serbe i pret në Serbi terroristët serbë si heronj, me ceremoni të veçantë varrimi, duke e konsideruar normalitet, si mposhtjen nga forcat kosovare të sigurisë, ashtu dhe turpërimin duke ikur nga fusha e betejës!

Se pse nuk u dha as edhe një mesazh qytetërimi europian nga Beogradi zyrtar, ku po pretendon të shkelë për disa vite Serbia, sot nuk është problem vetëm serb, kur shteti serb është para portës së Bashkimit Europian, dhe këtë shqiptarët duhet ta kenë parasysh! Pse zyrtarët e BE-së sillen si ata të Austrisë së vitit 1690 dhe pse nuk ndëshkohet Serbia për sulmin terrorist të Banjskës dhe jo vetëm, sot duhet të jetë kryekusht për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, pavarësisht se çfarë thotë i dërguari europian, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari serb, Edi Rama, kryeministri Albin Kurti duhet ta përsërisë me zë: Kosova nuk ka alternativë tjetër, përveç BE-së, por, Kosova ka alternativë tjetër, përveç Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe!

“Do ketë të vdekur, por jo pendim”

“Shqiptarët në rajon janë në ditët e tyre më të mira. Kosova është futur vetë në një kurth që ia ka bërë vetes. Do të ishte dramatike të humbiste të drejtën për të hyrë në BE.”, tha kryeministri Edi Rama në Tiranë pasi presidenti i Francës, Emmanuel Macron, bëri të ditur se e kishte pezulluar vendimin e vizave për Kosovën nga 1 janari 2024, duke u dhënë të drejtë akuzave serbe se pala kosovare po e bllokon dialogun, ndonëse sulmi terrorist serb i 24 shtatorit i dha të drejtë kryeministrit Albin Kurti se pse duhen forcat speciale në veri, 30 vjet pas operacionit të realizuar në Bosnjë e Hercegovinë dhe 680 vjet pas vendimit të John Kantakouzenos se më të besueshëm janë osmanët sesa mbreti i shenjtë i serbëve, Car Dushani!

Nuk dihet se kujt i thotë Edi Rama shqiptarë, por ata që janë në Kosovë janë në ditët e tyre më të këqija, aq më shumë kur kryeministri i Shqipërisë nuk respekton as kushtetutën!

Kosova nuk është futur në kurth, por e futën europianët, ata që lejuan masakrat në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë edhe kur serbët me prova u thanë të gjithë atyre që e injoruan historinë serbe se do ketë të vdekur, por jo edhe pendim!

“Do ketë vdekje, por jo edhe pendim, sepse gjithandej do të bëjnë kryq dhe nuk do të falen.” Ishte ky mesazhi serb i vitit 1992 nga Hrança e Bosnjë-Hercegovinës, që la gojëhapur vëzhguesit ndërkombëtarë dhe, për fat të keq, shumë shpejt u bë dhe realitet! Për ata që i njohin krimet serbe, ishin dhe janë më seriozë dhe nuk e harrojnë as vitin 1883 kur serbët e morën Beogradin dhe autonominë nga Perandoria Osmani derisa i pritnin në fyt turqit kudo që i takonin nëpër rrugë, pa kursyer ushtarët e plagosur, gratë dhe fëmijët! Edhe gjatë këtyre masakrave, që po ndodhnin, në fuqi ishte marrëveshja e firmosur nga mbreti serb, Obrenoviq, ku thuhej se turqit që nuk kanë lidhje me ushtrinë, duhet ta shesin pasurinë dhe të ikin, por jo se do të prehen në fyt të gjithë myslimanët, siç ndodhi! Madje për këtë akt janë thurur vargje, ndërsa kënga e Filip Vishnjiqit ishte dhe është  krenaria serbe:

“Në gjysmë të fushës Gjorgje nxjerrë shpatën,

Kokat zullumqare prenë

E kur Gjorgje preu turqit në fyt

Preu turqit zullumqar,

Atëherë Gjorgje u fut në qytet

Çfarë kërkon turku në qytetet e bardha

Çfarë do të prente turku, ai u pre!…

Çfarë do të thotë sot Edi Rama pak rëndësi ka, por është e paimagjinueshme se çfarë do të ndodhte në Bashkimin Europian ku po i mbyllen dyert Kosovës dhe po i hapen Serbisë, sikur në Gjermani sot do të ishte e pranueshme një poezi e cila do bënte thirrje për vrasjen e hebrenjve dhe djegien e sinagogave! Ndërkohë Serbia nuk ka vrarë shqiptarë vetëm kur Hashim Thaçi luftonte në Kosovë dhe e çliroi me NATO-n, siç thotë Edi Rama, kur e quan mik dhe përmallohet që ai është i arrestuar.

Tim Judah, në librin e tij “Serbët, historia, miti dhe shkatërrimi i Jugosllavisë”, shkruan se kur Fondacioni “Karnegi” raportonte për shuarjen e kryengritjes shqiptare në Kosovë në vitin 1913, ashtu si në vitin 1941 ose në vitet e ’90-ta, deklaronte se të gjitha palët e kishin të qartë se cili ishte qëllimi i spastrimit etnik: “Shtëpitë dhe fshatrat e tëra janë shndërruar në hi, populli i pafajshëm dhe paarmatosur është vrarë në en masse, dhunë e paparë, plaçkitje dhe keqtrajtim të të gjitha llojeve – këto ishin veprimet e ushtrisë serbo-malazeze, me qëllim që ta ndryshojë karakterin etnik të rajoneve të banuara kryesisht me shqiptarë.”

A kanë ndryshuar sot serbët?! Sulmi i fundit terrorist tregoi se vetëm vitet dhe udhëheqësi serb kanë ndryshuar, porse procedurat dhe trajtimi i shqiptarëve janë të njëjta, kriminale!

Asociacioni ka alternativë!

Edi Rama dhe protagonistët e presionit që ia bëjnë kryeministri Albin Kurtit që ta pranojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke shpërfillur realitetin serb, që kishin rastin t’i dëgjojnë vetë nga viti 1981 marrëzitë serbe në Kosovë, duhet t’i pranojnë të paktën disa fakte që i jetuan para se ta zyrtarizojnë “presionin shqiptar ndaj serbëve në shtetin e Kosovës”.

Në regjistrimin e fundit, i cili nuk u bojkotua as nga serbët dhe as nga shqiptarët, në vitin 1981, u konfirmuan 209.497 serbë. Përkundër represalieve dhe terrorit  policoro-ushtarake serb në Kosovë për 10 vjet, në regjistrimin e vitit 1991, i cili u bojkotua nga shqiptarët, Beogradi zyrtar tha se në Kosovë jetojnë 194.190 serbë! Pra, të gjithë shqiptarët u larguan nga puna, mirëqenia e serbëve u rrit dhunshëm dhe, pavarësisht se edhe policia tashmë ishte etnikisht e pastër serbe, serbët nuk donin të jetonin në Kosovë dhe 15.307 prej tyre ishin larguar në Serbi!

Kur e humbën betejën e ndalimit me dhunë të serbëve, Beogradi zyrtar filloi mashtrimin edhe me statistika, që Edi Rama bëhet sikur nuk e kupton. Aktualisht thuhet se persona të zhvendosur nga Kosova në Serbi janë 196.140 persona nga 187.129 sa ishin në vitin 2000. Kështu thotë Beogradi zyrtar, duke iu referuar shifrës së arritur në bashkëpunim me UNHCR-në. Ndërkohë OSBE-ja, në vitin 2013, vlerëson se në Kosovë jetojnë 146.128 serbë, derisa vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në vitin 2019 deklaron se në vitin 2017 në Serbi kanë jetuar 94.998 serbë!

Pavarësisht se cilit vit mendon t’i referohet Edi Rama me shokët e tij europianë, asnjëra prej shifrave nuk është reale, e se pse serbët e refuzojnë regjistrimin, kjo është shumë e qartë – nuk duan ta tregojnë realitetin, i cili përkundër Planit të Ahtisarit, tregon se në Kosovë kurrë nuk kishte serbë aq sa thoshte Partia, Kisha dhe Qeveria kriminale në Serbi!

Për të ardhur në fund tek Asociacioni, i cili ka alternativë! Meqë realiteti i pranuar nga kryeministri Albin Kurti dëshmoi se Kosova bëhet shtet i pavarur dhe sovran, vetëm presioni të cilin e shfaqi i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak, pas takimit të Pesëshes së Madhe nuk ka perspektivë dhe Kosovën të cilën e mendon ai në BE!

Sot, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është një detyrim ndërkombëtar, i cili është ratifikuar në parlamentin e Kosovës, ndërsa zbatimi i tij mund të fillojë që në ditën kur Kosova shkelë në NATO, në rrugëtimin e saj drejt BE-së!

Si?! Formulën magjike e ka aplikuar presidenti Ahtisari mbi kurrizin e shtetit të Kosovës, dhe po kjo formulë e madhe magjike mund të aplikohet edhe në Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ku pakica shqiptare do t’i kishte të drejtat që i garantohen me kushtetutë pakicës serbe në shtetin e Kosovës! Ndryshe, Asociacion nuk ka po aq sa do të ketë ndonjëherë Serbi Perëndimore.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X