Ata që mbajnë kravata janë kriminelët më të mëdhenj të shoqërisë dhe jo ata që mbajnë në trup tatuazhe. Por, çfarë ka bërë drejtësia për të luftuar korrupsionin në Shqipëri? Sa ka ndikuar dhe ndikon korrupsioni në jetën e shqiptarëve? Dhe, çfarë pasojash ka sjellë veçanërisht për rininë përhapja e korrupsionit?
Shkruan: Roland QAFOKU, Tiranë
Prej 33 vjetësh nga rrëzimi i komunizmit në Shqipëri korrupsioni vijon të cilësohet si nëna e gjitha të këqijave. Gjatë këtyre më shumë se 3 dekadave janë kryer 10 zgjedhje parlamentare dhe kanë drejtuar qeveritë 9 kryeministra, por as legjislativi e as ekzekutivi nuk kanë mundur ta minimizojnë, e jo më ta zhdukin këtë plagë, që është kthyer në gangrenë të shoqërisë. Korrupsioni nuk ka funksionuar vetëm si një krim në administratën publike, por e rënda është se ai është kthyer në një problem kulture, një sëmundje shoqërore, një plagë ekonomike dhe, akoma më keq, korrupsioni ndikon dhe e dëmton rëndë demokracinë, duke vrarë të ardhmen e të rinjve. Si mund ta bëjë jetën normale një i ri dhe e re kur pjesa më e madhe e të rriturve që kanë pushtet politik e kanë korrupsionin mënyrë jetese? Pikërisht te kjo plagë e majisur gjendet arsyeja kryesore përse rinia largohet nga Shqipëria. Korrupsioni i ngjan një lumi të zhytur thellë nën tokë, ndërkohë që politikanët dhe zyrtarët shtiren sikur nuk e dinë që lumi është i fshehur, por ai ekziston që ç’ke me të. Duke shërbyer si një karburant për politikanët dinakë të aferave, ai i vjedh të varfrit për t’ua dhënë të pasurve dhe për autorë ka jakat e bardha. Pikërisht ata që mbajnë kravata janë kriminelët më të mëdhenj të shoqërisë dhe jo ata që mbajnë në trup tatuazhe. Por çfarë ka bërë drejtësia për ta luftuar korrupsionin në Shqipëri? Sa ka ndikuar dhe ndikon korrupsioni në jetën e shqiptarëve? Dhe, çfarë pasojash ka sjellë veçanërisht për rininë përhapja e korrupsionit?
Politikanët e arrestuar për korrupsion
Lufta ndaj korrupsionit në Shqipëri është e ndarë në dy etapa. E para që nga rrëzimi i komunizmit e deri në vitin 2016, kur u miratua reforma në drejtësi, dhe nga viti 2016 e në vijim, kur kjo luftë nisi të kryhej mbi bazën e institucioneve të reja të drejtësisë. Në etapën e parë lufta kundër korrupsionit rezulton sporadike, e pa vlerë dhe, në vend që të luftohej, korrupsioni u rrit në politikë dhe në drejtësi së bashku. Është pak të thuash se klasa politike është themeluesja e korrupsionit në Shqipëri dhe ajo asnjëherë nuk ka qenë e interesuar ta luftonte atë. Ky fenomen e ndoqi rregullin e perifrazuar nga gjykatësi legjendar italian Giovanni Falcone, i cili thoshte: “Kurthi është kur luftën ndaj krimit dhe korrupsionit duan ta kanalizojnë sikur i përket sistemit gjyqësor, ndërkohë që është zgjedhje politike.”
Dhe çfarë ndodhi në Shqipëri? Bilanci është më i rëndë se ç’pritej. Nën petkun e luftës ndaj korrupsionit, drejtësia u shndërrua në një mashë të politikës dhe me atë u godit kundërshtari politik dhe ai që nuk i shërbente pushtetit. Bilanci gjeneral është se në qeli, si të akuzuar për korrupsion, përfunduan dy kryeministra, dy ministra dhe një deputet, por prapa akuzave fshiheshin më shumë hakmarrjet politike sesa faktet penale. Historia e arrestimit dhe dënimit të Fatos Nanos është unike jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por edhe në Ballkan dhe në Europë. Kryetari i Partisë Socialiste në opozitë, që kishte qenë më parë kryeministri i 25-të i shtetit shqiptar, u arrestua më 30 korrik 1993 i akuzuar për shpërdorim të detyrës dhe vjedhje në favor të të tretëve gjatë kohës kur drejtonte qeverinë. U dënua me 14 vjet burg dhe bëri 3 vjet, 6 muaj e 10 ditë dhe më 1 mars 1997 u lirua. Por, gjithë procesi ishte një montazh politik i vërtetuar ky nga organizmat kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Ai mori pafajësi dhe dëmshpërblim. I dyti ishte Vilson Ahmeti, kryeministri i 27-të i shtetit shqiptar, i cili u arrestua në vitin 1993 me akuzën për shpërdorim të detyrës dhe mitmarrje. Qëndroi në qeli 1 vit e 4 muaj dhe 8 muaj në arrest shtëpie. Edhe ky proces u cilësua si politik dhe Ahmeti mori pafajësi. Në vitin 1994 deputeti i PD-së dhe kryetari i Forumit Rinor të PD-së, Arben Lika, u arrestua për kontrabandë dhe u dënua me 10 vjet burg. Gjykata e Apelit e reduktoi vendimin në 3 vjet, ndërsa Gjykata e Lartë e uli në 14 muaj. Gjatë asaj kohe procesi ndaj tij u quajt hakmarrje politike për kritikat që ai ia bënte ndaj partisë në pushtet, së cilës i përkiste. Lika u lirua në shtator të vitit 1995 dhe më vonë e mori pafajësinë. Një tjetër ministër i arrestuar për korrupsion ishte Osman Shehu, ministër i Turizmit gjatë periudhës 1992-1993. Ai u arrestua në vitin 1999, gjatë kohës që ishin socialistët në pushtet nën akuzën për “shpërdorim detyre” dhe më pas u shpall i lirë nga gjykata. Ministri i fundit që u akuzua dhe arrestua për korrupsion përpara se të miratohej reforma në drejtësi ishte ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera. Më 29 janar 2016, Ksera, dikur ministër i qeverisë së kryeministrit Sali Berisha, u arrestua me akuzën për shpërdorim detyre dhe vjedhje dhe u dënua me 1 vit e 8 muaj burg. Në fakt, me këtë paradë me kaq pak të arrestuarish për korrupsion do të turpërohej çdo shtet normal në botë. Ndërsa korrupsioni në politikë rritej e rritej, ndëshkimi numërohej me gishtat e një dore, një pjesë e të cilëve ishin hakmarrje politike.
Drejtësia e re po godet, lajmi më i mirë në shqipëri në 33 vjet
Deri në vitin 2016 Shqipëria kishte shumë ligje dhe shumë korrupsion. Por, 22 korriku i vitit 2016 u kthye në një ditë të shënuar. Parlamenti me 140 deputetë miratoi me 140 vota reformën në drejtësi që do t’ia hapte rrugën krijimit të institucioneve të reja të drejtësisë, duke i bërë zero të gjitha institucionet e vjetra. Sigurisht që ka pasur shumë arsye që u arrit deri këtu, por kryesorja ishte korrupsioni në politikë, që ishte bërë aq i padurueshëm, sa ishte kthyer në çështje me rëndësi kombëtare. Më parë korrupsioni i shërbente politikës, ndërsa tani politika i shërbente korrupsionit. Mes disa institucioneve të rëndësishme ishte SPAK dhe BKH, e para Struktura e Posaçme Anti Korrupsion dhe e dyta Byroja Kombëtare e Hetimit, që do të kryente veprimet hetimore. Dhe, rezultatet, pavarësisht një stepjeje deri në mosbesim, tashmë janë konkrete dhe shpresëdhënëse. Së pari SPAK-u i ka hequr spinën qeverisë, duke e larguar atë nga drejtësia dhe, e dyta, politika, si ajo në pushtet, por edhe ajo në opozitë nuk i ka më duart e zgjatura te drejtësia. Dhe, rezultatet kanë ardhur.
Kishte fuqinë e një orteku goditja që SPAK-u bëri ndaj aferës së inceneratorëve, aktorët e së cilës i kishin shndërruar plehrat në minierë floriri për përfitime personale. Më 10 korrik të këtij viti, prokurorët lëshuan një urdhër arresti deri ish numri i dy të qeverisë. Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, bashkëpunëtori më i afërt i kryeministrit Edi Rama, deputet në disa legjislatura, ministër i Financave, ministër i Ekonomisë dhe ministër Shteti për Rindërtim, befas u bë targeti i drejtësisë me tre akuza: mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Urdhër arresti për të ishte më shumë se një goditje për qeverinë e Edi Ramës dhe vetë kryeministrin, i cili tashmë duhet të vijojë qeverisjen me ish bashkëpunëtorin e tij më të afërt të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Më parë, më 14 dhjetor 2021, ish ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ishte arrestuar me akuzën për disa vepra penale në lidhje me hetimet për procedurën mbi kontratën e koncesionit për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane dhe prodhimit të energjisë në Qarkun e Elbasanit. SPAK-u e akuzoi Kokën për shpërdorim të detyrës, korrupsion pasiv dhe pastrim të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale, të kryer në bashkëpunim. I treti i kësaj afere ishte deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako, kur ra në pranga me urdhër të SPAK-ut në mars të vitit 2022, i akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Por, në qeli përfunduan për korrupsion edhe disa kryebashkiakë, si Vangjush Dako i Durrësit, Fatos Tushe i Lushnjës, Lefter Alla i Bulqizës, të cilët deri përpara krijimit të SPAK-ut cilësoheshin të paprekshëm. Me pak fjalë, SPAK-u e ka tronditur thellë politikën dhe kjo është nga gjërat më të mira të Shqipërisë që nga rrëzimi i komunizmit.
Korrupsioni si vrasës i të ardhmes, viktimë është rinia
Kur flasim për korrupsion, në mendje nuk na shkojnë të rinjtë, studentët e nxënësit e shkollave. Jo. Korrupsionin e bëjnë të rriturit. Të rinjtë janë viktima të tij. Së parim sepse të rriturit janë ata që kanë pushtet, kanë pozitë dhe janë po ata që duke arritur poste të larta bëjnë korrupsion në shkallë të lartë. Atëherë, përse të rinjtë janë viktima? Sepse atyre u vidhet e ardhmja. Të rinjtë pengohen të afirmohen dhe zgjidhja është ajo më e shkurtra – largimi nga Shqipëria. Kjo është plaga më e madhe dhe më e rëndë që i ka ndodhur vendit tonë në këto 33 vjet. Ka disa shifra që e vërtetojnë këtë. Sipas Institutit për Studime Ekonomike Ndërkombëtare të Vjenës, nga viti 2011 deri në 2021 nga Shqipëria janë larguar 500 mijë persona. Kjo shifër është më e larta se në të gjitha shtetet e tjera të rajonit si Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina. Sigurisht që shumica e të larguarve janë të rinj. Shifrat e dhëna nga institucionet e shtetit shqiptar janë edhe më të zymta. Sipas INSTAT-it, nga viti 2018 deri në 2022 janë larguar përfundimisht nga Shqipëria gjithsej 194.900 persona dhe tashmë jetojnë në një shtet të Bashkimit Europian, kryesisht në Gjermani. Shpërndarja ndër vite tregon se largimi është i qëndrueshëm dhe ka tendencë rritjeje. Kështu, në vitin 2018 u larguan 38.703 persona, në 2019 u larguan 43.435 persona, në vitin 2020 u larguan 23.854 persona, në vitin 2021 u larguan 42.048 persona dhe viti 2022 shënohet shifrën më të lartë me 46.460 persona të larguar. Dhe, sigurisht që të gjithë këta që janë larguar janë të rinj dhe të reja. Sipas Gallup-it, largimi i të rinjve kap shifrën 79 për qind, që është shkalla më e lartë në rajon. Pra, në 10 vitet e fundit nga njëra anë korrupsioni është në rritje dhe, nga ana tjetër, në rritje është largimi i të rinjve. Pra, ekziston një lidhje mes rritjes së shkallës së korrupsionit dhe largimit të rinisë nga vendi. Dhe, pasojat vijojnë edhe në çështje të tjera. Kështu, në Shqipëri ka më shumë raste të braktisjes së shkollës, ka më shumë raste kur të rinjtë janë bërë pjesë e trafikut të drogës, ka më shumë raste kur çiftet e reja bëjnë më pak fëmijë. Dhe, kjo ka sjellë një Shqipëri të plakur. Por, a mund të quhet normal një vend me rini që i ka sytë nga Perëndimi dhe nuk mendojnë të jetojnë në Shqipëri? Një Shqipëri e plakur do të thotë më pak energji, më pak djersë dhe më pak zhvillim.
Rinia dhe arsimi
Duket si habi, por pasojat e korrupsionit shtrihen deri në arsim. Një nga plagët që shoqëron sot Shqipërinë është cilësia në arsim. Fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë gjithnjë e më pak po regjistrohen në shkollat dhe universitetet shqiptare dhe gjithnjë e më shumë po synojnë drejt shkollave dhe universiteteve të Europës. Gjermania është bërë stacioni i ri i të rinjve shqiptarë, që shkëlqejnë në mësime. Arsyeja është e thjeshtë – cilësia e një diplome në Shqipëri nuk afron gjë. Dhe, më e rëndësishme është se ajo nuk është e lidhur me tregun e punës. Një i ri mund të diplomohet në Shqipëri, por ai nuk ka asnjë punë të sigurt pas diplomimit. Dhe, ikën nga Shqipëria dhe kështu i duhet të studiojë në një universitet të ri. Rritja e interesit për të studiuar në Gjermani është e lartë. Mësimi i gjuhës gjermane nuk është më një trend dhe mani por një investim për të ardhmen. Ndërsa në qendra të këtyre kurseve para 5 vjetësh kishte të rinj nga mosha 17 deri 27 vjeç, tashmë në këto qendra mosha është ulur ndjeshëm. Ajo nis që nga 10 vjeç deri në 20 gjë, që tregon se prindërit po investojnë që fëmijët e tyre ta mësojnë gjermanishten në mënyrë që të vijojnë studimet e larta në një universitet gjerman. Por, edhe vetë universitetet në Shqipëri e kanë flakur rininë nga mësimdhënia. Në Shqipëri universitetet janë vende gjithnjë e më shumë për pleq. Mosha mesatare e pedagogëve është e lartë dhe nuk bëhet fjalë që të rinjtë të jenë pjesë e stafeve pedagogjike. Edhe kjo është një pasojë e madhe edhe e rëndë e korrupsionit, që ka mbizotëruar në këto 33 vjet dhe përhapja e tij si kapilar në të gjithë shoqërinë. E, megjithatë, ka shpresë. Një arsye e madhe që shpresojmë është SPAK.